Agim Sylejmani: Portret për një grua shqiptare, shkencëtare, shkrimtare, profesoreshë dhe filozofe të suksesshme në metropolet evropiane, prof. dr. Kaltërina Latifin

Shpesh në biseda me shokë konstatojmë se jemi me fat dhe të privilegjuar që i takuam brezit të artë të luftës për çlirim e bashkim kombëtar, brez i cili arriti me sukses të bëjë rizgjimin tonë kombëtar, brez i cili për idealet e kauzës së shenjtë të bashkimit kombëtar ia kushtoi vitet më të mira të jetës, shumë herë edhe duke u sakrifikuar dhe vetëflijuar. Bile nganjëherë shkojmë edhe në ekstrem, duke thënë se brez i tillë lind njëherë në 200 apo 300 vite.

Në këto biseda shpesh shprehen edhe kritika të pabaza për brezin e sotëm, i cili gjoja nuk interesohet shumë për çështjen kombëtare, por harrojmë se pikërisht ky brez po arrin majat e shkencës dhe kulturës njerëzore, jo vetëm burrat por edhe gratë shqiptare i gjen sot gjithandej në majat e shkencave botërore.

Edhe pse në Kosovë ka të tillë, si çifti i një gazetaruci në Prishtinë, Valon Syla, të cilët kurbetçarët tanë të shpërndarë anekënd globit i quajnë hiç më pak se “gërrnaqa” (!), megjithatë brezi i ri sot po hapëron guximshëm në të gjitha lëmitë e jetës shoqërore, afariste, politike, sportive, artistike dhe shkencore. Por rrallë, shumë rrallë mediat në Kosovë merren me të rinjtë e brezit të sotëm të cilët kanë arritur suksese në shkencë. Shumë më rrallë sheh në ekranet tona gra të suksesshme që kanë prekur majat e shkencës botërore.

I cytur nga kurreshtja dhe për të sjellur ndonjë ilustrim, sot hyra në internet për të gjurmuar ndonjë grua të sukseshme shqiptare e cila merret me shkencë. Nuk m’u dasht shumë të hulumtoja, sepse sapo shkruajta në google lidhur me atë që dua të kërkoj, para syve të mi vërshoi një listë e pafund e grave të suksesshme të shkencës dhe arsimimit të brezave. Vëmendjen ma tërhoqi emri Kaltërina, e shkruar shqip, dhe përnjëherësh më erdhi edhe turp që kisha harruar se edhe e bija e një shoku tim të rinisë dhe veprimtarisë kishte arritur suksese në shkollimet e larta superiore në Gjermani. Sapo e hapa faqen, kur para syve të mi doli pikërisht Kaltërina Latifi, e bija e veprimtarit të çështjes kombëtare dhe ish i burgosur e i dënuar politik Faik Latifi nga fshati Hajkobillë e Prishtinës.

Kaltërina Latifi, e lindur 29 shkurt 1984, në Prishtinë, e rritur dhe e shkolluar në Zvicër, pas përfundimit të shkollës së mesme ekonomike kreu studimet në Universitetin e Lausanne-s në Zvicër, në vitin 2008, duke diplomuar në shkencat filozofike dhe germanistikë. Magjistraturën e saj e kreu në Universitetin me renome botërore të Heidelberg-ut në Gjermani, në vitin 2011. Në vitin 2015 ajo mbrojti edhe temën e saj të doktoraturës në Fakultetin e Filologjisë Moderne në Universitetin e Heidelberg-ut me një tezë mbi poetikën e E.T.A. Hoffmann-it. Por ajo nuk u ndal me kaq, vazhdoi ngritjen e saj të diturisë edhe më tutje, duke kryer edhe Habilitimin në Universitetin e Göttingen-it në Gjermani (me një tezë mbi estetikën e fragmentit), në qershor të vitit 2023.

Në vitin 2016 ate e gjejmë si Studiuese në Universitetin Queen Mary të Londrës (Qendra për Marrëdhëniet Kulturore Anglo-Gjermane), derisa në të njëjtën kohë, 2016-2017, ajo ishte edhe Bashkëpunëtore Kërkimore në edicionin dixhital Arthur Schnitzler, në University College London.

Gjatë viteve 2017-2019 ishte edhe Presidente e E.T.A. Shoqëria Hoffmann, Bamberg. Nga viti 2018 ajo është e angazhuar në Universitetin Queen Mary në Londër, Max Geilinger Fellow për Letërsinë Zvicerane. Që nga viti 2021 është kolumniste për revistën prestigjioze javore zvicerane “Das Magazin”. Ndërsa nga vjeshta 2023 është si autore e re në Philosophicum në Basel të Zvicrës.

Kjo është në një përmbledhje të shkurtër biografia shumë e pasur e një shkencëtareje, profesoreshe, filozofe dhe shkrimtareje shumë të suksesshme shqiptare, prof. dr. Kaltërina Latifi, e cila për një kohë të shkurtër ka prekur majat e shkencës botërore. Ajo ka edhe faqen e saj zyrtare: www.latifi.org, ku mund të lexoni më gjerësisht për Kaltërinën dhe publikimet e saja. Ndërsa nga botimet e saj po ju prezantoj pesë nga titujt e shumtë të botuar deri më sot nga Kaltërina.

Unë jam krenar me brezin e sotëm!

 

Kontrolloni gjithashtu

RrGK: Sot gjithë shoqëria duhet të bëhet zë ri i grave dhe vajzave

Ende pa kaluar 5 ditë nga rasti tragjik i vrasjes së gruas në Ferizaj, sot …