Agim Vuniqi

Agim Vuniqi: Biznes patriotizmi dhe kryetarllëku si tapi

Emisioni shumë herë i dëgjuar dhe i përcjellur nga fëmijët “Kolovajza për fëmijë”, që emitohej vazhdimisht në valët e “Radio Prishtinës për çudi ishte model i organizimit politik të shqiptarëve, sidomos pas shuarjes se autonomisë. Që nga atëherë në politikë u inkuadruan shume njerëz, ishte “hyxhymi” më i madh i intelektualëve në politikë. Ishin rreshtat e gjatë të pritjes për t’u nënshkruar në letrat e prera disa herë nga letra bazë e standardizuar, ishte koha e kalimit masiv të komunistëve e jo komunistëve nga LSPP-ja dhe LKJ-ja ne LDK, ishte lëvizja më masive politike, kjo mbase komunizmi veç kishte filluar te shkatërrohej dalëngadalë. Ky ishte padyshim një projeksion i shkëlqyeshëm i intelektualeve shqiptarë, i atyre qe iniciuan këtë e që asnjëri prej tyre nuk janë në te. Nuk ishin të paktë edhe të burgosurit e ndërgjegjes që e kishin gjet veten në këtë lëvizje.

Meqë të gjitha institucionet e atëhershme kosovare ishin shkatërruar, nuk vazhduan kontinuitetin institucional në kushte të reja, por të gjithë ama të gjithë bartësit e funksioneve udhëheqëse “shoqërore-politike” u angazhuan në poste të reja në degë, nëndegë dhe aktive të LDK-së. Nuk mbetën pa u inkuadruar edhe kuvendarët që e shitën Kosovën, ata qe pranuan heshtazi edhe pse nën presionin e tankeve shitjen e lirë të Kosovës, Nuk ishin të paktë ata drejtorë që kishin dhënë “ndihma” financiare “Zajam za preporod Serbije” e tash ishin pjesëtarë të kësaj lëvizjeje, aty e gjetën veten edhe hajnat “legal” e “jo legal”.

Vetëkënaqësia nuk kishte fund

Ishte ky vetëmashtrimi më i madh kolektiv, ishte kjo pasojë edhe i edukimit socialist të shumicës së intelektualëve shqiptare. Këtu nuk duhet përjashtuar përpjekjet e disa prej tyre, që tentuan politikisht të konceptonin këtë angazhim duke i dhënë bile një fuqi institucionale dhe vendimmarrëse, ngase veç kishin filluar gabimet fillestare të kuvendarëve të rinj, të cilët veç kishin pranuar integrimin politik të Elektroekonomisë dhe të Trepçës, edhe pse më vonë vendimet e marra i hodhën poshtë. Angazhimi i tyre i mëtejmë ishte shprehje e vullnetit të popullit, si Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, Kushtetuta e Kaçanikut…, nga këta doli edhe qeveria e Bukoshit, pasuese e asaj te Jusuf Zajnullahut, “lindi” edhe presidenti shqiptar Ibrahim Rugova.

“Vjedhja” institucionale

Qe nga viti 1991 filloi “vjedhja” institucionale e popullit (edhe pse kjo u dëshmua me shumë vonesë), Bukoshi me një vendim te qeverise 7/91 të mbështetura në nenet 1,2,3,..dhe 10 të Kushtetutës se Kaçanikut obligoi shqiptarët në krejt rruzullin e tokës që të ndajnë nga 3 përqind nga të ardhurat personale. Për t’u treguar aksioni më i efektshëm me mijëra aktivistë u angazhuan në këtë drejtim, “polli” edhe ideja, u formua Fondi Humanitar Gjithëkombëtarë. Qytetarët shqiptarë që ishin në Zvicër me viza të përkohshme 4 dhe 9 muajsh detyroheshin që të jepnin nga 500 SFR, ndërsa ata me viza “B” dhe “C” nga 1000 SFR, u hap edhe kontoja në bankën popullore, në Aarau, aksioni kishte edhe propagandën përcjellëse, mjetet tuboheshin “për të blerë armë”. Të gjithë besonin atëherë se ka filluar një punë e madhe, duke mos ditur se po krijonin kapitalistin dhe milionerin e parë shqiptarë urologun-kirurg Bujar Bukoshin, i cili u lansua në opinion përmes një flakareshe që ia dha kolegut serb.

Lulëzimi i “biznes-patriotizmit” dhe “kryetarllëku” si tapi

Që nga ajo kohë filloi të lulëzojë “biznes-patriotizmi” dhe turizmi politik i “burrave”, por, edhe i grave deri në Kinë e Japoni. Filloi edhe copëzimi politik “shumëpartizmi”, u formuan shumë parti politike “si këpurdhat pas shiut”, kështu u krijuan mundësitë për më shumë kryesi e kryetar, nganjëherë kishte edhe mosmarrëveshje “copëtoheshin” trupat partiak jo vetëm në degë e nëndegë por edhe në “krahë”. Ai që merrte postin e kryetarit nuk kishte më mundësi të ndërrohej, kryetarllëku ishte tapi e “Republikës së Kosovës”.

Lulëzimi i shkencës dhe i historisë familjare

Filloi “lulëzimi” shkencor, të gjithë profesorët universitar u inkuadruan në aksionin e pajtimeve, filloi të zhvillohet historia familjare e fisnore në emër të kombëtares, “pollën” shumë “heronj familjar”, i humbi “fija lëmshit” nuk dihej më kush është hero e kush trathëtarë, me një fjalë me histori filluan të merren të gjithë, por gjithnjë fjala i shkonte më tepër atij që kishte “marka të gjermanit” më shumë.

Lulëzimi i ekonomisë së tregut, fajdeja si nocion bankar

Dalëngadalë filloi të zhvillohet edhe ekonomia e tregut, ngrehën kokën celulat e para bankare “fajdetë”, nuk ishin të rralla rastet kur edhe shumë “funksionar politikë” të asaj kohe që ishin të afërt me qeveritar t’u ndajnë kredi biznesmenëve të posa lindur, që “kreditë” qeveritare shpesh u jepej biznesmenëve në shtetet prej nga bëhej importi i të mirave materiale. Meqë kreditë dhe interesi nuk kthehej me kohë angazhoheshin edhe “forcat muskulore” të njerëzve me biografi të dyshimtë.

Koha e “transaksioneve bankare” marka për dinarë

Meqë ishte koha kur në fuqi ishte “dinari” shumë deviza qeveritare këmbeheshin në dinarë përmes “Këshillit për Financim” dhe “Këshillit Republikan për Ndihma Emergjente”, merrte “frymë” fuqishëm tregu i devizave “markat gjermane” këmbeheshin për dinarë, gjithnjë duke pasur kujdes në provizion. Ngjitej lartë treguesi financiar i shumë firmave private, të gjithë ama të gjithë kishin bë “hyxhym” në Kompleksin tregtar, aty ku kishte selinë Këshilli Republikan për Ndihma Emergjente, “firmashët” e Prishtinës donin “t’i dilnin në ndihmë” popullatës së shpërngulur nga Drenica pas aksioneve ushtarake dhe policore të forcave serbe që kishin djegur çdo pëllëmbë të Drenicës, lidheshin kontrata, fryheshin çmimet, nuk ishte me rëndësi cilësia e mallit, çdo gjë shitej, e më se shumti marmelata.

Loja me “parlament-pa parlament” dhe biznesi “turistik”

Nuk mbaroi me kaq “kolovajza politike”, u krijuan dy herë parlamente, e dy herë u zgjodhën kryesitë, nuk u mbajt asnjë mbledhje plenare e parlamentarët merrnin rroga. Që nga ajo kohe filloi edhe “biznesi turistik” fluturonin aeroplanë në të gjitha anët duke bartur refugjatët shqiptarë, edhe transporti rrugor ishte mjaft i ngarkuar, “agjentët” turistik ishin stabilizuar në kufijtë e Hungarisë, Çekisë e Sllovakisë, stacionimi i tyre kishte karakter strategjik-sa më afër Gjermanisë, Zvicrës e Austrisë, biznesi zhvillohej mbi tragjedinë shqiptare, për ketë qellim ishin angazhuar edhe auto-frigoriferë, te pazëshmit bënin sehir kur do te ndalet kjo tragjedi.

UÇK-ja ndërroi gjendjen

Rinia shqiptare nuk e përballoi dot këtë gjendje, shkëputi zinxhirin mafioz dhe atë të robërisë, filloi t’i bashkëngjitej masovikisht një lëvizjeje të re politike dhe ushtarake asaj të UÇK-së, iu bashkëngjitë liridashësve shqiptarë Adem Jasharit, Zahir Pajazitit, Ilir Konushevcit Hakif Zejnullahut, Ardian Krasniqit, Fehmi Lladrovcit e shumë trimave shqiptarë që trasuan rrugën e lirisë.

Privilegjet institucionale

E prapë shqiptarët mbetën në gjysmë të rrugës, ata kanë një parlament që mban mbledhje sa herë që siguron kuorumin, kanë kryeparlamentarin që pret dhe përcjellë delegacione, kanë kryeministrin dhe qeverinë multietnike, kanë presidentin, kanë edhe administratën publike me shumë intelektualë të fuqishëm biologjikisht, por ende pa sovranitet.

Pensionistët kënaqen me 40-60 euro, invalidët e luftës nuk kanë mbrojtje institucionale. Kënaqen edhe parlamentarët që nganjëherë mblidhen për të pire kafe, por edhe për të votuar, sa për të arsyetuar pagat mujore. Ekonomia e shkatërruar tërësisht, e qytetarët kënaqen në vazhdimësi me frytet institucionale dhe demokratike “terrin institucional”, por edhe terrin fizik A-B-C në vazhdimësi. E nga pakoja e hapur e Ahtisarit qeveritarëve iu kanë mbetur spagat, here formatizim e here-herë riformatizim, dhe të gjithë marrin rroga.

Dhe shqiptarët kanë “liri”, por kanë edhe shtet pa sovranitet.

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Fahredin Hoti: TË MOS HARROJMË KURRË!

(25 vite nga tragjedia dhe gjenocidi serb në Krushë të Madhe)    Në përkujtim dhe …