Agron Shele: Poezia e Fejzi Muratit, si natyrshmëri dhe vizion bashkëkohor

Agron Shele: Poezia e Fejzi Muratit, si natyrshmëri dhe vizion bashkëkohor

  Kontakti me poezinë e autorit Fejzi Murati është i hershëm, është një nga ato takime ku vargjet kumbojnë gjatë në memorie dhe mbeten përherë mozaik i hapur për tu zhbiruar, por dhe depërtuar në gjuhën e imazheve, ngjyrimeve dhe ndjesive të holla estetike. Vargjet e lira variojnë në atë kuptimësi dhe larmi tematike me qendërzim tek vetë jeta dhe të ardhura ashtu, herë nëpërmjet natyralizimit fjalë, herë formave të njohura letrare, krijojnë atë konfiguracion dhe strukturë sa unifikues e shprehës për vetë mënyrën e ndërtimit po kaq dhe koherent për vetë zhvillimet e artit në tërësi. Paralelizmi i ngritur përmes personazheve mitike ( Laokonti), risjellja nga përtej shekujt e filozofëve të mëdhenj (Diogjeni) apo format krahasuese të përdorura për njehësimin e realiteteve shoqërore (Migjeni) janë kontraste që grisin fasadat moderne dhe nxjerrin në pah modratuarat e vërteta, në trajta dhe forma të reja. Vetë poezia si koncept, figuracion dhe përshfaqje mundëson nëpërmjet alternimeve dhe simbolikës së përdorur dhënien e mesazhit, vizionit të një autori por dhe dritëthënien e tij për të sotmen dhe të nesërmen. Nën këtë këndvështim vargjet e Fejzi Muratit i thurin lajmotiv bukurisë së shpirtit njerëzor, ndriçimit të brendshëm tij, mendësisë dhe reflektimit në kohë, vlerave humamane që duhet ta karakterizojnë dhe ideimit metafizik për të lënë gjurmët e qenësisë, si arsye ekzistenciale dhe logjikë e kulluar. Përbrenda misionit si poet por dhe intelektual pavarësisht reminishencave dhe idoleve të krijuara, autori ringrihet mbi vetveten për të mbjellur optimizmin, shpresën dhe besimin e një shoqërie të tërë dhe këtë jo në formë të kuadratuar e mbyllur por  gjithmonë në kufij dhe hapësirë universale. E gjithë poezia karakterizohet nga fryma e lirë dhe moderne, nga botëkuptim i thellë ideo-artistik dhe gjuha e pastër, e cila në sinkron me gjithë komponentët e tjerë ravijëzon ndjeshmërinë e duhur, tejçimin e emocioneve dhe vlerat shpirtërore të njeriut. E gjithë kjo prurje artistike përshkohet kryesisht nga intuiviteti i përballjes me kontrastet, si fenomen e angazhim për zgjidhje të problematikës jetësore, si koncept psikologjik e filozofik ( në kërkim të njeriut) dhe lirika, e cila vjen si prelud dhe vlerë e patjetërsueshme shpirtërore.

“Mjerimi ulur shesh mbi sofrën e vuajtjeve

 i ka zënë frymën dritës…

s’ka shpresë,

s’ka gëzim,

lëvizim si somnambuj nëpër ditënetët tona

duke u hequr zvarrë,

me gurin e mundimeve mbi shpinë ”

Këto vargje janë shkëputur nga poezia “Miq të mjerimit migjenian “ dhe nuk kanë nevojë për koment. Brenda pak vargjesh shprehet realiteti i hidhur i një shoqërie të tërë, e cila ka fshirë çdo rrëzëllim drite, ka vrarë shpresën, endet si fantazmë në ditënetët e çdo memorieje të afiksuar nga kjo plagë, gjithmonë  në përvujtje dhe me gurin e mundimit ( Guri i Sifizit). Si në legjendën e dikurshme të misrit, e cila zvetënonte karakterin e njeriut deri në mohim, po kështu dhe sot kjo dramë endet si makth dhe mbyt me ekstremitetin mbijetesë.

Të njëjtin ritual pesimizmi ndjek dhe poezia “ Zhgënjim i trishtueshëm” e cila identifikon jo vetëm fenomenin varfëri, por dhe vese të tjera, si krimin, dhunën, amoralitetin dhe së fundi përmbyllet me vargjet epitaf “ku e vërteta  / ka frikë nga e vërteta!”

“Ngarkuar e gjithë kjo kohë

me halle,

me ëndrra shterpë,

me plagë,

të vrarë dhe vrasës që s’njohin pendesë …

Ngarkuar me krime makabre,

varre,

aborte,

shpifje,

dhe horizonte të errët,

pa shpresë.”

Dhe e vërteta bëhet kaq e brishtë, kaq e pambrojtur në një kohë ku herezia dhe lakmia kanë zvëndësuar gjithë atributet dhe shëmbëlltyrat e përkora, përkohësi këto që errësojnë momentalisht, por dielli më i parë do i shpërndajë këto re të zea dhe do kthjellojë mendësinë  e turbulluar. Revolta e poetit shkon dhe më larg, pasi ai i drejtohet instancës më të lartë për gjendjen eranzë dhe amorfe të krjuar, duke i rikujtuar shprehjen e njohur: “ Nëse do të dish realitetin e një vendi, lexo poetët e tij”

Aspekti lirik i poetit vjen krejt natyrshëm, mes natyralizimeve dhe gjetjeve  të befta, vjen si himn i manifestimit të ndjenjave të pafajshme dhe dashurisë njerëzore. Ndërthurja e kësaj poezie me elementët natyrorë ( qiellin e qëndisur nga yjet, detin e valëzuar blu, ardhjet e bujshme të pranverës dhe shirat e trishtimit të vjeshtës) e bëjnë këtë lloj lirike sa prekëse po kaq dhe drithëruse dhe e gjithë kjo prurje në fokus të identifikimit të kësaj vlere.

Tek poezia” Grua” shkrihet mitika me vetë figurën emblematike të jetës, e cila lind jetën dhe shpirtëzon frymën e saj, i jep koloritë botës njerëzore dhe e bën më kuptimplote atë.

“Tek ti ishin

rrënjët,

jeta,

shpirti,

ngrohtësia,

brenda teje,

lindja dhe vdekja!

Mes tyre, dashuria.”

Refreni i gjitha këtyre vargjeve është dashuria, është kjo ujvarë shpirti dhe ndjenje që ringre në Olimpin e qiejve valëmuzat më të bukura, kortezhet më ngjyruese, vetëm e vetëm për ta shenjtëruar dhe përjetësuar magjinë gjer në fronet më të larta të vetë zotave të qiellit.

Poezia e autorit Fejzi Murati është poezi e natyrshmërisë, e ideimit metafizik dhe e dashurisë njerëzore dhe si e tillë ajo mbart mesazhin e madh, atë të një të nesërme shumë më të denjë dhe të një arti gjithmonë në ndryshim, përsosje dhe me vizion koherent bashkëkohor e universal.

 

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …