Blerimi, që në rini si student, ishte pjesë e ilegales patriotike. Ai bënte pjesë në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës. Si për shumë të tjerë, ngjarjet e vitit 1981 ishin edhe për Blerimin frymëzim dhe zgjim për rrugën e domosdoshme të luftës për liri.
Kjo dekadë kaliti shumë breza të rinjsh, të cilët u përgatitën për dekadën e fundit të shekullit të kaluar – dekadë vendimtare dhe kulminante e luftës për liri.
Pas vitit 1989 ndodhën ngjarje të bujshme, me shumë përleshje me forcat e okupatorit, nëpër sheshe e rrugë, madje edhe në fshatra, ngjarje që morën përmasat e një revolte të përgjithshme popullore.
Këto ngjarje nuk kishin si të mos mbushnin çdo kënd me urrejtje ndaj okupatorit. Ato kalitën luftëtarët e ardhshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, të rënë në luftime atë vit, u bënë simboli kulminant i kësaj revolte dhe i të rënëve përgjatë saj. Këta dy revolucionarë patriotë frymëzuan rininë dhe e trimëruan, duke dhënë shembullin se si duhet ta vazhdojmë luftën.
Në këto rrethana, rinia studentore kërkonte hapat e ardhshëm. Si studentë të preokupuar me zhvillimet e ardhshme, u arrit në përfundimin se në fazën e ardhshme duhet kaluar në veprime që do të çojnë drejt kryengritjes së armatosur. Këtë e tregonte edhe përvoja e kaluar e popullit tonë, por edhe zhvillimet aktuale. Zhvillimet në kreun e shtetit okupator jugosllav paralajmëronin shthurjen e tij. Popujt kërkonin lirinë e tyre, dhe ne shqiptarët kërkonim të njëjtën gjë – çlirimin nga vargonjtë e robërisë serbe.
Blerimi, në fazën 1990–1999, angazhohet me shokë në diskutime për drejtimin që do të merrnin ngjarjet. Edhe ai, si disa shokë të tij, mendonte se nuk kishte mbetur më hapësirë për luftë politike pa armë, por se kryengritja kërkonte përgatitje dhe sakrifica.
Kësisoj, në pranverën e vitit 1991, ai, si pjesë e një grupi të pashpallur apo të paformalizuar, me disa shokë nga Prishtina, punon dhe angazhohet në përgatitjen teorike dhe praktike të luftëtarëve, përkatësisht të njerëzve që nuk kishin asnjë njohuri ushtarake, pasi kjo aftësi do të nevojitej shumë shpejt.
Ky grup nga Prishtina organizoi një varg takimesh brenda qytetit dhe në periferi, si dhe në Podujevë. “Rekrutëve” u mësohej përdorimi i armatimit këmbësor dhe taktikat bazike guerile.
Nuk kaloi shumë dhe, në vitin 1993, Blerimi organizohet në Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, subjekt i cili kishte në program organizimin e luftës së armatosur kundër okupatorit serb. Në korrik të këtij viti, disa prej pjesëtarëve të këtij subjekti u burgosën, po ashtu edhe shokë të tjerë nga Podujeva me të cilët kishim bashkëpunuar në trajnimet ushtarake. Kjo ishte një pengesë e madhe. Njësitet në Podujevë ishin një organizim ku përfshihej edhe Heroi Zahir Pajaziti.
Në këtë kohë, Blerimi i shpëton arrestimit dhe del në Gjermani. Atje vazhdon punën e organizuar politike në ndihmë të organizimit në Kosovë. Ndihmonte edhe financiarisht, aq sa kishte mundësi, në kushte të vështira si azilkërkues politik. Atje, me bashkëshorten e tij Lamijen, krijoi familjen dhe iu lindën dy fëmijë.
Me fillimin e luftës në Kosovë, Blerimi tregoi vendosmërinë për t’u kthyer dhe për të kontribuar drejtpërdrejt. Dhe ashtu veproi. Bashkë me një grup shokësh prej mbi 20 vetash, hyn në Kosovë në fillim të prillit 1998.
Kthimi në luftën çlirimtare ishte për Blerimin thirrje e Atdheut, por edhe përgjigje ndaj thirrjes së strukturave udhëheqëse të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.
Hyrja u bë me sukses, me një ndalesë në bazën e Dobërdelanit të Suharekës, derisa njësiti marshues u konsolidua me pushim dhe ushqim. Prej aty, rruga vazhdoi drejt bazës tjetër në fshatin Zhilivodë, rrëzë Qyqavicës. Aty i pret komandanti Fatmir Humolli dhe Agron Rrahmani (Dëshmor), të dy përgjegjës për organizimin e luftës në nivel Kosove, shokë të vjetër të tyre.
Grupi nga Zhilivoda shpërndahet në disa drejtime, ndërsa pesë prej tyre hyjnë në kryeqytet me pushkët në supe dhe vendosen në rrugën ish “Kasollat”.
Pas rreth dy javësh ndodh një ngjarje e rëndë për ne, që e njihnim mirë rëndësinë e tyre: vriten shokët Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani. Kjo ishte një humbje e madhe jo vetëm për ne si shokë, por edhe për Kosovën. Të dy ishin veprimtarë të nivelit kombëtar.
Pas rreth një muaj e gjysmë pune organizuese në qytet, kur filloi të rritej numri i njësive guerile, Blerimi i bashkëngjitet një shoku tjetër, anëtar i Shtabit të UÇK-së për Prishtinë, dhe shkon me të për të punuar në ndërtimin e njësive të para të UÇK-së në krahinën e Gollakut.
Blerimi tregoi gatishmëri të plotë në punën që e priste. Ai i kreu detyrat me tërë dijen dhe fuqinë që kishte, pa përtesë. Ata që e kanë njohur e dinë se ai nuk priste dy herë, por vepronte menjëherë. Ishte njeri me tipare të sinqerta ndaj shokëve dhe punës. Me të mund të debatoje edhe ashpër, por asnjëherë nuk shfaqte hatërmbetje apo keqkuptim; ishte i pjekur për diskutime shoqërore. Ndihmonte shokët me gjithçka që kërkohej dhe nuk e donte egoizmin. Blerimi ishte i guximshëm – një guxim i ndërgjegjshëm.
Deri afër dhjetorit 1998, ai qëndroi dhe punoi në UÇK në rajonin e Prishtinës dhe Gollakut, derisa shëndeti e detyroi, dhe shokët, me insistim, e kthyen sërish në mërgim, me zemër të thyer që po i linte në luftë.
Ajo që ka rëndësi është se Blerim Dervishaj, gjatë periudhës më vendimtare të luftës për çlirimin e Kosovës, mori pjesë aktive dhe dha kontributin e vet. Kaloi qindra sfida e rreziqe, punoi, organizoi, kontribuoi dhe nuk u kursye për aq sa pati fuqi e dije. Mbi të gjitha, dha sinqerisht dhe pa hezitim djersën e vet për Atdheun e lirë.
Pas çlirimit, Blerimi i vizitonte të gjithë shokët. Natyrisht, kishte edhe mospajtimet e tij me gjendjen jo të mirë politike e shoqërore. Ai gjithmonë ishte në shërbim të avancimit sa më të madh e më të shpejtë të vendit. Çdo vit pothuajse vinte në vendlindje. I vdiq edhe nëna, e cila na kishte pritur e përcjellë si shokë të tij, shpesh natën vonë. Babain e kishte humbur shumë vite më parë. Blerimi, me origjinë nga Hereqi i Gjakovës, vinte nga një familje që ishte vendosur prej kohësh në Prishtinë, në lagjen “Aktash”.
Me kalimin e kohës, sëmundja e rëndë në mërgim e lodhi deri sa ndërroi jetë më 27 mars 2026. Lajmi na pikëlloi thellë. Ikin para kohe njerëzit që kanë bartë barrë të rëndë e presion të lartë në veprimtarinë atdhetare, sa nga lodhja e puna, sa nga kushtet e rënda në të cilat u lanë ata pas çlirimit!
Përmes këtyre pak rrjeshtave e përkujtojmë me respekt të sinqertë shoqëror dhe njerëzor.
Shokët ia kushtuan edhe nje poezi me këtë rast.
RRUGA QË NUK NDALET
Nga: Ahmet Osmani
Eh, Blerim…
vitet kaluan si hije,
por ti nuk u bëre kurrë hije.
Gurbeti na mori larg,
por nuk na mësoi të harrojmë,
sepse atdheu nuk është vend,
është plagë që nuk mbyllet.
Ti ike mbrëmë,
si një dritë që u shua në sy,
por jo në shpirt.
Sepse ka drita
që nuk ndizen për të ndriçuar rrugën,
por për të treguar se ku duhet të shkojmë.
Një zemër pushoi,
dhe një heshtje ra mbi ne.
Por ideali yt
foli më fort se çdo fjalë.
Ne mbetëm këtu,
mes kujtimit dhe amanetit,
duke mësuar se dashuria për atdheun
nuk thuhet — jetohet.
Dhe ndoshta vdekja
nuk është fundi i njeriut,
por fillimi i asaj që ai lë pas.
Ti nuk je më mes nesh, Blerim…
por vazhdon në çdo hap që hedhim,
derisa betimi ynë
të bëhet rrugë që nuk ndalet.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
