Edhe pse Kosova ka probleme më të ngutshme, veçanërisht tani që jemi pa Kuvend e pa Qeveri, pasi jemi në muajin qershor, muaj i rëndësishëm për lirinë e vendit, një çështje shumë e rëndësishme mbetet e papërfillur: mungesa e datave zyrtare që përkujtojnë çlirimin dhe dëshmorët e saj.
Një shtet pa “ditëlindje” të çlirimit dhe pa “ditëlindje” të dëshmorëve ka një mungesë thelbësore të identitetit politik dhe kombëtar. Kosova është shtet, por e kanë lënë pa ditëlindjen e vërtetë – pa datën që shënon çlirimin e saj dhe pa respektin për ata që ranë për të. A është kjo një rastësi apo ka qëllime të tjera?
Ata që ia mohojnë Kosovës ditën e çlirimit, në fakt nuk e duan vërtetë lirinë e saj. Ka një harresë jo të pa qëllimshme, që shteti të mos ketë një Ditë zyrtare të Çlirimit. Ndërkohë që edhe pse me gojë kanë thënë se 12 qershori është dita e çlirimit, vendim zyrtar për këtë nuk ka. Nuk ka dyshim se duhet të caktohet një ditë për të përkujtuar këtë ngjarje historike, edhe pse 12 qershori 1999 nuk është e sigurtë të jetë dita e skatë e çlirimit (çëshje që kërkon ndërkohë trajtim serioz). Megjithatë, problemi real qëndron në faktin se nuk është përcaktuar asnjë datë zyrtare për këtë, cilado që është ajo. Liria është lënë pa datë. Institucionet e shtetit punojnë më 12 qershor si ditë normale pune, duke mos i dhënë kësaj dite rëndësinë që meriton, pra mospërfillje zyrtare e ditës së çlirimit. Ky është një absurd dhe mohim i hapur i Luftës Çlirimtare.
Po ashtu, mohohen edhe dëshmorët, sepse shteti nuk ka vendosur asnjë Ditë zyrtare për ta. Shtet pa Ditën e Çlirimit dhe pa Ditën e Dëshmorëve është si një njeri pa kartë identiteti. Mungesa e këtyre dy datave e privon shtetin nga identiteti i tij i domosdoshëm, zbehë shumë konsolidimin e tij si brenda edhe jasht v endit.
Sa respektohen këto vlera shihet kur qeveria herë organizon manifestim, e herë jo, herë organizon paradë ushtarake e here jo, e veteranët nuk mund parakalojnë në këtë ditë produkt i tyre. Kjo tregon se nuk ka vlerësim zyrtar për sakrificën e atyre që luftuan e ranë për lirinë.
E njëjta situatë është edhe me përkujtimin e dëshmorëve. Kosova ka mijëra dëshmorë, por familjet e tyre shpesh nuk e dinë se ku dhe kur duhet të përkujtohen. Ndodh që të organizohen përkujtime për disa dëshmorë, ndërsa për shumicën absolute jo. Ata mbeten të harruar. Disave u ngriten memorial e shumicës jo. Fakti përkeqësohet kur individë, sipas tekeve e interesave të tyre, përcaktojnë vende e forma ku ndërtojnë memoriale pa asnjë kriter institucional e historik, (ndoshta) edhe sepse institucionet edhe nuk çajnë kokën për këtë çështje. Kështu ju lihet dora e lirë anarkisë e çoroditjes, dhe perfitimeve individuale e grupore. Individë të caktuar privatisht e për përfitime personale e patriake, vendosin edhe pllaka memoriale secili shtëpisë së vet, panu skuqur fare sikur Lufta Çlirimtare të ishte pronë private e tyre, e absurditete tjera. Kjo vjen nga koncepti e mendimi i prapambetur i tyre “bajraktar” që i kundërvihet mendimit përparimtar se lufta është aktivitet kolektiv e jo individual, dhe sr parësore janë kombi e shteti e jo perfitimi individual. Këtu e ka burimin edhe mentaliteti i “heroizmave” individual që theksohen e lartësohen mbi heroizmin kolektiv, që është shteti, institucionet etj. Pra ne duke vrapu pas lavdisë personale (shpesh e rrejshme), lëmë prapa anën kolektive, shoqërore të zhvillimit, andaj kemi probleme të mëdha me avancimin e shtetit si kolektiv. “Djegim jorganin, për një plesht”, thotë proverbi popullor.
A nuk është kjo një shëmtim i madh? A nuk është kjo një përçarje dhe fyerje e gjakut të derdhur për liri? Familjet e dëshmorëve ndihen të lënë pas dore, sepse as nuk përmenden, as nuk kujdesehen për to. Disa madje nuk marrin as një telefonatë apo vizitë përkujtimore. Një numër i ngushtë dëshmorësh përmenden, e u organizohen përvjetore, të tjerët lihen në harresë. A nuk na bën të dyshojmë për qëllime të huaja? Një ditë e përbashkët e dëshmorëve ne nivel vendi do t’i nderonte ata më shumë, më lehtë dhe barabar.
Ka edhe më keq! Janë disa që kanë shpikur “ditë komunale për dëshmorët. Dëshmorët ranë për kombin, jo për komunën. Nuk ka asnjë komb të civilizuar që e ndan këtë sakrificë në baza komunale apo lokale. Asnjë fis apo popull i lashtë nuk e ka këtë traditë të çoroditur. Disa përmendin edhe 5 majin si Ditën e Dëshmorëve, duke e marrë nga Shqipëria, por as kjo ditë nuk është e zyrtarizuar në Kosovë. Bile askush nuk e kërkoi as në rrugë popullore e as zyrtare. Pra, dëshmorëve tanë u mohohet e drejta për një ditë të tyre zyrtare dhe të vendosur nga Kuvendi.
Ky shtet nuk ka lindur nga asgjë, nga inkubatori apo nga zarfi, por nga gjaku dhe mundi i njerëzve patriotë dhe i sakrificave të tyre të mëdha.
Sikurse simbolet e tjera të shtetit, edhe këto dy data kanë rëndësi të madhe politike, juridike dhe identitare. Kjo situatë tregon se dikush dëshiron që shteti i Kosovës të mbetet pa identitet të plotë kombëtar dhe politik, me ndasi e përçarje, pa unitet, si në aspekte tjera që po veprojnë.
Baza e shtetit tonë është Lufta Çlirimtare, dhe përpjekja për ta lënë atë pa data identitare që rrjedhin prej saj, është përdhosje e moralit të fitores, dëmtim i afrimimit ndërkombëtar si shtet i konsoliduar.
Agron Xhemajli, 12.06.2025