Ata që punojnë kundër popullit, duhet t’ia kenë frikën revoltës së tij, si ajo në mars 2004.
Politikanët u tmerruan atë vit kur populli doli në rrugë. Kaq masovikisht sa që dukej si në periudhën 1981-1989. Dhe po aq peshë kanë këto revolta, sa pa to pavarësia e Kosovës do të vihej në pikëpyetje!
—
Për rikujtim të kohës së revoltës, një shkëputje nga shkrim autorial në mars 2004, për këto ngjarje, me titull: Qëndrimi kundër popullit është faj i rëndë:
“Rikujtojmë deklaratën e njërit prej ministrave të bërë më 17 mars, ku thotë: “Politika jonë vdiq”! Do të thotë se tani po përpiqen ta ngjallin një politikë të vdekur. Nëse shprehemi më saktë, ajo politikë që ky ministër thotë se vdiq, në fakt nuk kishte lindur fare. Vetëm fantazmën e saj mund ta ngrenë. Ja për shembull, kryetari i kuvendit, për gazetën “Pavarësia” deklaron: “Fajësimi i të voglit, i të dobëtit, që nuk ka pasur kompetenca, as në drejtësi, as në siguri, më së ulëti që mund të thuhet, është qesharak”. Këta kur janë ngushtë e pranojnë se nuk kanë pushtet. Ndërsa kur dalin në zgjedhje para popullit thonë se “jemi shtet”. Dhe që këta politikanë nuk kanë asnjë lloj përgjegjësie, këtë po e kuptojmë hapur, nga veprimet e nga gjendja në terren. Vlerësuar nga dënimi dhe baltosja që Kuvendi ua bëri protestuesve të revoltës së marsit, shyqyr që nuk kanë asnjë kompetencë këta, sepse vaj halli çfarë do t’i bënin popullit. Qëndrimi kundër popullit, është faj i rëndë!”
—
Revolta e 2004 edhe sot, edhe gjithë kohën, ka me qenë tmerr për politikanët e për argatët e armikut. Në çdo përvjetor të tyre, për ta zvogëluar frikën nga populli, hedhin helm mbi këto ngjarje. Por nuk ua ndërrojnë dot karakterin dhe rëndësinë kombëtare që e kanë ato dy ditë.
Ngjarjet e marsit 2004 ishin direkt pasojë e veprimeve të politikës kundër interesit kombëtar të Kosovës. Populli s’kish si të mos reagonte, kur po rrezikoheshin ato që u arritën me gjak e mund.
Pa dyshim se revolta popullore e marsit 2004 ka karakter kombëtar. Ajo ndikoi në afrimin e 17 shkurtit 2008. Ndërsa për armikun dhe për kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës janë me karakter tjetër.
Kur politika shkon shtrembër, reagon populli. Ky është një rast klasik. Nuk ishin vetëm ata dy fëmijë që atë ditë u vranë në Mitrovicë, por ishin dekada e shekuj që serbët vrasin shqiptarë. Nuk kishte pak vite kur u spastrua veriu nga shqiptarët, me ndihmën dhe aprovimin e heshtur e të fshehtë edhe të politikanëve të Kosovës. Të njëjtit akuzojnë revoltën se u prishi punë.
Nëse revolta e 2004 ka prishur diçka punë, u ka prishur punë atyre që shesin interesin kombëtar për një karrige të tyre. Por politikanët kurrsesi nuk duan ta pranojnë se gjithë çka është arritur, është meritë e popullit!
Revoltën patriotike të popullit bota e përdori duke nisur dialog për status politik të Kosovës – arritje e popullit.
Kurse klasa politike e Kosovës e sulmoi revoltën, e quajti armiqësore. Pse? Sepse atë e përdori njësoj si Serbia, si argument për të bërë lëshime në bisedimet për statusin politik (në Planin Ahtisari), kinse pakica serbe është e rrezikuar me qenien fizike, dhe akorduan kompetenca të cilat sot janë bërë gangrenë e shtetësisë së Kosovës.
Një prej tyre “zajednica”, e cila u bë autonomi, apo bosnjezim i Kosovës.
Lavdi të rënëve në këto revolta!
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
