Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi (24 dhjetor 1946 – 07 mars 2025)

Ahmet Qeriqi u lind më, 24 dhjetor 1946, në fshatin Krojmir të Drenicës Jugore, ku kreu edhe shkollën fillore. Ishte fëmija i parë i Ali Emin Miftarit dhe Xhevahire Kadri Bebës, dhe rridhte nga një familje me tradita të theksuara atdhetare. Ishte nip i Hoxhë Emin Miftar Shemës, kundërshtar i vendosur i regjimit jugosllav, i cili disa herë ishte dënuar për bindjet e tij kombëtare, si dhe i Kadri Bebës, luftëtar i përkushtuar për Shqipërinë Etnike dhe kryetar i Komunës së Lipjanit në vitin 1941, i cili u pushkatua nga forcat partizane jugosllave në vitin 1947.

Shkollën tetëvjeçare, paralelisht me kolegjin fetar islam, e kreu në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë. Ka vazhduar mësimet në Medresenë e Mesme deri në dhjetor të vitit të tretë kur më, 6 nëntor 1965 u arrestua dhe u dënua me dy muaj burg për “propagandë armiqësore”, së bashku me medresistët Riza Gjoka nga Anamali dhe Shemadin Akiti nga Zajazi i Kërçovës. Për këtë shkak, Drejtoria e Medresesë e përjashtoi nga shkolla, pa të drejtë regjistrimi në institucione të ngjashme fetare në RSFJ. Dënimin e mbajti në Burgun e Prishtinës, në muajt nëntor–dhjetor 1966.

Gjatë viteve 1967–1969 kreu shërbimin ushtarak në Krizhevci të Kroacisë.
Në vitin shkollor 1969–1970, pas përfundimit të provimeve pranuese, u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, të cilin e përfundoi me sukses në vitin 1973.

Prej vitit 1973 deri më 1978 punoi si profesor i gjuhës shqipe dhe latine në gjimnazet e Ferizajt dhe Vitisë, ndërsa nga viti 1978 deri në mars 1981 në Akademinë Pedagogjike dhe në Shkollën Teknike të Prishtinës. Ka përfunduar gjithashtu studimet e shkallës së tretë në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë.

Në maj 1975, së bashku me Sytki Selmanin nga Shkupi dhe Muharrem Bajraktarin nga Ferizaj, udhëtoi në Bullgari, ku u furnizua me “literaturë të ndaluar” në ambasadën e Shqipërisë në Sofje. Në kthim, gjatë përpjekjes për ta sjellë literaturën në Kosovë, u përball me ndjekje e tortura nga policia e Shtimes e Therandës. Pas një procesi të inskenuar, u dënua me dy muaj burg për “armëmbajtje pa leje”, dënim të cilin e mbajti në Burgun e Ferizajt në tetor–nëntor 1975.

Në vitin 1977 regjistroi shkallën e tretë të studimeve në Letërsi Shqipe dhe i përfundoi provimet në vitin 1979. Në tetor të po atij viti, pas një bastisjeje në shtëpinë e tij në Shtime, iu gjetën fletore me shkrime kombëtare e poezi, të cilat u cilësuan si “propagandë armiqësore”. Për këtë u dënua fillimisht me gjashtë muaj burg, ndërsa pas ankesës së prokurorit Reshat Millaku, dënimi u ashpërsua në 1 vit e 6 muaj.

Ahmet Qeriqi kishte nisur veprimtarinë e tij ilegale që nga viti 1964, në kontakt me Feti Mehdiun e Sabri Nososellën të LRBSH-së. Ka bashkëvepruar me një numër të madh veprimtarësh të kohës, ndër ta Zenun Gjocin, Imer Halilin, Agim Fejzullahun, Agim Ollurin, Bajram Qerimin, Sheqir Zenelin, Sylë Qeriqin, Elez Durmishin e shumë të tjerë.

Në vitin 1976 ka qenë bashkëthemelues i Organizatës për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar në Shkup, së bashku me Muhamet Ademin, Beqë Dervenin dhe Sytki Selmanin.

Në vitin 1981, mori pjesë aktive në demonstratat e rinisë studentore, duke mbështetur nxënësit e Shkollës Teknike dhe të Akademisë Pedagogjike. Për këtë veprimtari, në shkurt 1983, së bashku me 24 të tjerë, u dënua me tetë vjet burg për “propagandë armiqësore” (nenet 133–134 të LPJ-së) dhe pesë vjet ndalim të profesionit të mësuesit. Burgun e vuajti në Prishtinë, Gjurakoc, Smrekovnicë, Suboticë dhe Novi Sad, ku u torturua rëndë nga hetuesit e UDB-së.

Pas lirimit nga burgu, prej vitit 1988 deri në 1997, për të mbajtur familjen punoi në zdrukthëtari, bujqësi dhe ndërtimtari. Në vitet ’90, rifilloi aktivitetin atdhetar, duke mbajtur kontakte me Azem Sylën, Sheqir Zenelin, Ismet Shamollin, Nezir Myrtajn, Jetë Hasanin, Muhamet Malësorin (dëshmor) e shumë të tjerë.

vitin 1997, Ahmet Qeriqi u përfshi drejtpërdrejt në organizimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke vepruar fillimisht në pikën e Krojmirit. Me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në nëntor 1998 u emërua përgjegjës i Radios “Kosova e Lirë”, e cila transmetonte nga Malet e Berishës në Drenicë deri në qershor 1999, duke qenë një nga zërat më të fuqishëm të informimit të luftës.

Pas çlirimit, prej korrikut 1999, drejtoi Radion “Kosova e Lirë” në Prishtinë, ndërsa në vitin 2016 themeloi Televizionin “Dielli”, medium me program kombëtar, edukativ e kulturor. Ai realizoi dhjetëra dokumentarë për dëshmorët e kombit, për personalitete shqiptare, për krimet serbe në Kosovë dhe realizoi, po ashtu, edhe emisione edukative me vlera të veçanta kulturore.

Vepra të botuara

(2002–2023)

  • Meditime në arrati (2002)
  • Në gjurmim të lashtësisë (2002)
  • Milush Kopiliqi, serb apo shqiptar? (2003)
  • Burgu (2004)
  • Masakra e Reçakut, krim kundër njerëzimit (kryeredaktor dhe bashkautor) (2004)
  • Fenomene shqiptare (2005)
  • Luftëtarë të NDSH-së (1945–1950) (2005)
  • Krojmiri (monografi) (2007)
  • Koha e jeniçerëve (2009)
  • Gjurmime dhe studime (2011)
  • Trëndafili i bardhë (përkthim nga Hungarishtja, Jokai Mor) (2013)
  • Çlirimtarët e mercenarët (2015)
  • Luftëtarë të NDSH-së II (2016)
  • Varri i Nizamit (2016)
  • Tal Shema dhe Jami Çupi (2017)
  • Januz Bajçinca me bijtë (2018)
  • Zëri i lirisë (2019)
  • Sadri Sahit Çatani (2019)
  • Luani i Janinës (përkthim nga Hungarishtja, Jokai Mor) (2019)
  • Guri i Betimit (2020; në gjermanisht më 2023)
  • Medreseja e Ulët e Mesme Shqiptare e Prishtinës (2021)
  • Mulla Sherifi i Kizharekës (2022)
  • Betimi i motrës (2022)

Vepra në dorëshkrim

  • Kthimi (roman i papërfunduar – pjesa e tretë e trilogjisë Arratia, Burgu, Kthimi)
  • Saga e Malmirit
  • Vegimtari
  • Fenomeni i Besës ndër shqiptarë
  • Nëpër shekuj kënga e popullit
  • Varri i Nizamit (version i zgjeruar)
  • Tal Shema dhe Jani Çupi
  • Kronikë lufte I & II
  • Pema e jetës (e papërfunduar)

Veprimtari publicistike

Ahmet Qeriqi ishte bashkautor dhe redaktor19 vëllime të monografisë “Feniksët e lirisë”, si dhe autor i 10 vëllimeve me studime, gjurmime e artikuj të botuar në Radion Kosova e Lirë, në gazetat “Jeta e Re”, “Rilindja”, “Bujku”, “Zëri i Kosovës”, “Zëri i Lirisë”, e në revista të tjera kombëtare.

Ai ishte i martuar me Zymryte Vehbi Shamollin nga Shala dhe la pas gjashtë fëmijë: Antigonën, Arbanën, Labërinë, Rrezartën, Epirin dhe Zamirin.

Ahmet Qeriqi ndërroi jetë më, 7 mars 2025, në ditën simbolike të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ditës së Mësuesit – në flakën e pashuar të përkushtimit ndaj lirisë, arsimit dhe kombit.

Jetoi dhe veproi me ideale të pastra atdhetarie, duke lënë pas një trashëgimi të gjerë letrare, historike e kombëtare, që do të mbetet pjesë e kujtesës sonë kolektive.

Kontrolloni gjithashtu

Faik Konica (1875 - 1942)

Faik Konica (1875 – 1942)

Faik Konica, lindi më 15 mars të vitit 1875 në Konicë, fshat shqiptar tani në …