Ahmet Qeriqi: 85 fjali përkushtuese për Ju profesor i nderuar, Rexhep Qosja, në 85-vjetorin e lindjes

Kanë kaluar  shumë vite, profesor i nderuar, Rexhep Qosja, keni radhitur shumë vuajtje në jetë, por edhe fitore, shumë gëzime e hidhërime, shumë suksese dhe asnjë dështim.

Keni bërë punë e palodhshme dhe sistematike  gjatë tërë jetës, jo për veten, por për të tjerët, familjen, të afërmit, studentët, kolegët, të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë.

Nuk e di kush nuk do të pajtohej, po t’ iu krahasoja me jetën dhe veprën e Sokratit të vuajtur, krenar e të pamposhtur, në çdo rrethanë me qëndrim vertikal dhe burrëror.

Nuk e di kush nuk do të pajtohej po t’ iu krahasoja me Erazmin e Roterdamit, në luftën pa kompromis kundër të ligave, marrëzisë, hipokrizisë, maskave, ligësive, shëmtirave…

Pse të mos  iu krahasoj edhe me Nolin e Madh, me jetën dhe veprën e të cilit jeni mburrur e mburreni,  dhe nga i cili keni mësuar shumë për të qëndruar  gjithnjë vertikalisht.

Radha e krahasimeve nuk ka të sosur, por në vitet që do të vinë, kur ne nuk do të jemi fizikisht në këtë botë, Ju do të radhiteni në mesin e personaliteteve të paharrueshëm.

Këto krahasime hyjnë në radhën e  fenomenologjisë së personaliteteve të caktuara të rëndësisë kombëtare e gjithë njerëzore, me ndikimin që ata kanë ushtruar dhe ushtrojnë.

Rexhep Qosja për shumëçka është emër i përveçëm i kulturës, filozofisë, krijimtarisë dhe erudicionit, jo vetëm i nivelit kombëtar, por edhe më gjerë…

Mbi të gjitha, krijues i pasionuar, njohës i thellë i jetës dhe i ligjeve të saj, studiues ndër më të spikaturit, njohës  meritor i kontradiktave shoqërore, historike e politike.

Rexhep Qosja është mbështetës i fuqishëm i së drejtës dhe i së vërtetës, asaj të drejte dhe të vërtete, që qëndron në ballë të Universit, duke qenë shtyllë e  fortë e emancipimit.

Tërë jetën ia ka kushtuar idealeve të larta njerëzore për drejtësi, barazi, liri, emancipim kombëtar e shoqëror.

Tërë jetën i ka kushtuar idealeve të humanizmit, atij humanizmit të vërtetë dhe jo të shtirur e të improvizuar, të cilin e keqpërdorin hipokritët për qëllimet e tyre.

Qosja ka qenë dhe ka mbetur  idealist në jetë dhe në krijimtari, sepse vetëm me një shpirt idealisti, me besim në të drejtën e në të vërtetën, njeriu arrin t’ i  përmbushë detyrat e tij.

Veprat e profesor Qoses edukojnë, mësojnë, frymëzojnë dhe përçojnë mesazhin e së mirës, porosinë  e njerëzores, ashtu sikur kanë bërë e bëjnë të gjithë krijuesit e mëdhenj.

Veprat e  profesor Qoses përshkohen nga një kritikë e dobishme realiste, goditëse por edhe korrektuese, qortuese por edhe shëruese.

Qëndrimi kurdoherë vertikal, ka frymëzuar rininë atdhetare, sidomos në vitin 1981, kur publikisht ka përkrahur kërkesat emancipuese kombëtare për liri, barazi e drejtësi.

Rexhep Qosja është përballur burrërisht me fushatën, që kishin ndërmarrë kundër tij tërë një staf kameleonësh, burracakësh xhelozë, mediokër partiakë, servilë të pushtetit…

Ka mbrojtur me konsekuencë, trimëri e mençuri  kërkesat e rinisë së barrikadave të vitit 1981 i ndërgjegjshëm, i vetëdijshëm dhe me besim të plotë në  domosdoshmërinë e fitores.

Në vitet 80-të, krahas punës në krijimtari mbante edhe postin moral të dalëzotësit të interesave të kombit, duke përkrahur forcat  liridashëse në Kosovë e më gjerë.

Ishte i vetmi intelektual shqiptar që arriti të çajë terrin informativ jugosllav, në vitet 80-të, duke botuar shkrime, që mbronin të vërtetën e Kosovës edhe në gjuhën serbokroate.

Nuk e kishte ndalur kritikën kundër padrejtësive edhe kur e kishin paralajmëruar se mund të pësonte dhe mund të gjendej prapa grilave, ashtu si mijëra shqiptarë liridashës.

Profesor Qosja në vitet  80-të,  nuk heshti kur heshtën  shumica e intelektualëve, nuk i tradhtoi bindjet, nuk e ndali luftën, nuk bëri kompromis për të fituar favore, poste, grada.

Në vitet 90-të, Qosja nuk ishte  gënjyer  nga pacifizmi i sëmurë, me prejardhje nga e kaluara e durimit shekullor, me vetëmashtrim se liria do të fitohej, me dialog, në tavolinë.

Iu kishte qëndruar konsekuent bindjeve, dialektikës së zhvillimit të rrjedhave historike, duke mbështetur forcën lëvizëse, çlirimtare të atdhetarëve të dëshmuar, së cilës i takonte.

Kishte besuar fuqishëm se tharmi revolucionar i viteve 1963-1968-1981, kishte rezultuar me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në arenën e historisë sonë më të re.

Rexhep Qosja ishte ndër intelektualët e parë që e mbështeti fuqishëm UÇK-në  dhe kishte pranuar të bëhej edhe pjesë politike e saj, me pjesëmarrjen në Konferencën e Rambujesë.

Nuk hezitoi të bëhet pjesë e formimit të institucioneve të  para kalimtare të Kosovës, në dy vitet e pas luftës duke konstatuar me të drejtë se Kosova kishte nevojë për fjalën e tij.

Profesor Qosja ishte ndër të parët që nuk u pajtua me politikat e mujsharëve dhe përfituesve  të politikanëve të pas luftës  dhe kurrë nuk e reshti kritikën e tij konstruktive.

Nuk i reshti kritikat dhe polemikat e tij me bashkëkohësit, me politikanët mujsharë, pavarësisht se u sulmua, madje u përpoqën t’ ia marrin edhe zyrën meritore, në Institut.

Qosja qëndroi i patundur, sepse  kishte prapa, ata që e donin dhe e duan, ata që do të flijonin gjithçka për të mos lejuar të nëpërkëmbej e të përbuzej padrejtësisht.

Krijimtaria  e tij më shumë se 60-vjeçare, në të gjitha fazat e zhvillimit është autentike e origjinale. Ajo përbëhet nga një dyzinë veprash të nivelit të lartë akademik, shkencor.

Qosja me angazhimet e punën e palodhshme, me veprat e shumta që ka nxjerrë në dritë, ka rezervuar vendin meritor në Panteonin e inteligjencës  krijuese, kombëtare e më gjerë.

Ka zbuluar tema dhe personalitete kombëtare të lëna në harresë. Ka “ringjallur” Aleksandër Stavri Drenovën, i cili padrejtësisht ishte lënë në harresë nga kritika letrare.

Qosja i ka vënë themelet bashkëkohore kritikës letrare në Kosovë, duke e bërë pjesë integrale të kritikës letrare, shqiptare, përgjithësisht.

Gjurmimet, hulumtimet e studimet e tij, profesor Rexhep Qosja  i ka orientuar në drejtim të arsimimit kombëtar, dijes dhe emancipimit, edukatës dhe përparimit.

Ai ka  fituar autoritetin e ligjshëm kudo ndër shqiptarë, sidomos në Shqipëri, ku çmohet me realizëm, respekt e nderim të veçantë, në mesin e inteligjencies së përparuar të kohës.

Qosja së bashku me Adem Demaçin, Ukshin Hotin, Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin përbëjnë pesëshen e njohur shqiptare, me ndikimin që kanë ushtruar në rrjedhat e kohës.

Profesor, Rexhep Qosja, është personalitet bashkëkohor i formuar në shekullin 20-të, por ka  përmbushur misionin avangard, kombëtar,  në deceniet e para të shekullit 21.

Qosja i takon kohës së vet, kohës sonë historike. Vendlindja e tij  gjeografikisht i takon, pjesës së ndarë dhunshëm të trojeve shqiptare, e cila po përpiqet të  mbijetojë zezonat.

I lindur në një trevë të Shqipërisë, ku gjaku shqiptar kishte rrjedhë lumë për ta mbrojtur Plavën, Gucinë, Anamalin e Ulqinin, ai ishte rritur tok  me preokupimet e brezit të tij.

Pastaj, falë zgjuarsisë, përkushtimit e përvetësimit të diturive, ai kishte hapur  vetë të gjitha dyert, që  i siguruan vendin meritor  në Panteonin e madh të krijuesve të kombit.

Gjatë rrugëtimit jetësor  ishte  ndeshur ashpër  me botën e veseve, ligësive, nopranive, xhelozisë, urrejtjes, fodullëkut dhe tërë një klani, që bënte gjumin shekullor të pacifizmit.

Në rrugë për të sheshuar idetë dhe qëndrueshmërinë e tyre me analizë, tezë e sintezë,  profesor Qosja prore kishte ndërtuar botën autentike të vrojtimit e të perceptimit  realist.

Asnjëherë nuk i ka ndalur kritikat në demaskimin e mentalitetit shantazhues, injorues, përfitues favoresh, servilë të pushtetarëve, sajues kurthesh e mediokër të pandreqshëm.

Qosja, ua ka  çjerrë maskat, i ka zhveshur nga  stolitë e rreme, gjysmakët,  mujsharët, që kanë  mbushur gjokset me tituj shkencorë, për të fituar poste e favore, pa mëritë.

Duke qenë intelektual me gjen të pastër shpirtëror dhe përgatitje meritore shkencore, Qosja nuk ka lejuar të bëhet pre e politikave të ditës, as e makinacioneve e prapaskenave.

 Gjatë tërë jetës së tij ka ruajtur Unin e vet, ka ruajtur me konsekuencë të drejtën e të vërtetën edhe kur është rrezikuar,  edhe kur e kanë  izoluar e anatemuar padrejtësisht.

Qosja ndër të parët ka ngritur zërin kundër pacifizmit inert, kundër berishizmit të rrezikshëm, kundër të gjitha izmave që kanë dëmtuar interesin kombëtar të shqiptarëve.

Profesor Qoses, koha i ka dhënë të drejtë në perceptimin e tij realist dhe largpamës së zhvillimeve politike, jo vetëm në Kosovë por kudo ndër shqiptarë e më gjerë.

Profesor Qosja, gjatë rrugës së tij jetësore në shërbim të kombit e atdheut ka vepruar me atdhetarizëm idealist, duke ndjekur shembullin vetëflijues të Naim Frashërit e të tjerëve.

Metoda dialektike në studimin e  fenomeneve njerëzore e kombëtare, ka qenë e ka ngelur moto e perceptimit të botës së tij origjinale në krijimtarinë artistike e publicistike.

Qosja gjatë tërë jetës së tij, në rrethana kritike për kombin e atdheun  ka dhënë shembullin personal, duke përballuar me trimëri e stoicizëm çdo rrethanë të rëndë të jetës.

Duke qenë i pajisur me njohuri të nivelit të lartë të jetës shoqërore, filozofike, etike kombëtare, diturinë nuk e ka rezervuar vetëm për vete, por e ka vënë në shërbim publik.

Profesor Qosja, ka shumë të arritura në jetën e tij, por e arritura e tij më e madhe është ndikimi që ai ka ushtruar me jetën dhe veprën e tij te shqiptarët liridashës  e liri-bërës.

Veprat letrare, filozofike, etike, publicistike, romanet, dramat, kritika letrare  e profesor Rexhep Qoses mbajnë vulën e kohës, të radhitur në mesin e krijuesve parësor të kombit.

Obusi krijues  i tij, është dëshmia më e mirë që do t’ iu mbetet trashëgimi brazave, për të mësuar se ku ishim, ku jemi, me çka jemi ballafaquar dhe ku kemi arritur.

Veprat e tij do të mbesin margaritarë të rrallë e shumë të çmuar në letrat shqipe, ato do të përkthehen  në gjuhë të ndryshme dhe do të vlerësohen meritorisht.

Duke qenë edhe historian i mirënjohur i  letërsisë shqiptare,  Qosja ka  bërë ri periodizimin e saj duke u mbështetur në gjurmimet e hulumtimet e reja shkencore.

Veprimtaria letrare, studimore, kritika letrare, publicistika, eseistika, diskursi letrar filozofik dhe tërësia e krijimtarisë së Rexhep Qoses, do të vlerësohen, ato nuk  harrohen.

Qosja në hulumtimet e studimet e tij i ka   dhënë kuptim  të ri krijimtarisë, kritikës letrare, historisë së letërsisë dhe historisë së mendimit origjinal shqiptar, përgjithësisht.

Qasja e thellë shkencore, metoda dialektike në trajtimin e temave, vrojtimi realist i jetës, imagjinata e pasur krijuese, janë vlera të rralla të Qoses në mesin e bashkëkohësve.

Tani në 85-vjetorin e lindjes së tij, profesor Qosja, me të drejtë ndihet krenar për jetën dhe veprën, për qëndrimin konsekuent atdhetar, shoqëror, politik, filozofik dhe etik.

Në këtë 85 vjetor duhet të ndihet edhe më krenar  për ndikimin që ka ushtruar në brezat çlirimtarë, për fjalën e thënë troç e pa hile, për një jetë të tërë në shërbim të kombit.

Profesor Qosja kurrë nuk do të harrohet  për integritetin intelektual, dinjitetin, burrërinë, mençurinë, modestinë, virtytet e  larta, që bëjnë nder, që  ushtrojnë njerëzi e respekt.

Të gjithë ne që jemi edukuar me veprat dhe qëndrimin e tij  burrëror, ndihemi po kështu krenarë, sepse kemi pasur fat se kemi një Sokrat, një Erazmo, një Volter shqiptar…

Të gjithë ne që jemi edukuar me shembullin Tuaj të pathyeshëm jetësor, për jetë do të mbesim krenarë, që kemi pasur një udhërrëfyes të përmbajtur, një mësues të devotshëm.

Të gjithë ne që jemi frymëzuar nga idetë e qëndrimet Tuaja, kemi obligim t’ iu transmetojmë brezave vlerat, me të cilat e keni stolisur kombin, dijen e përparimin.

Të gjithë ne që bëjmë përpjekje t’ iu mbesim besnikë do të ndeshemi me të gjitha ata me të cilët jeni ndeshur e po ndesheni, sepse kritika Juaj ka goditur, mujsharët hakmarrës.

Na kemi mësuar se jeta është një luftë e përhershme dhe po të ndalet lufta, jeta vdes, andaj neve që kemi lindur dhe jemi rritur në këtë luftë, as vdekja nuk do të na nënshtrojë.

Na kemi mësuar se jeta e njeriut kalon si treni i shpejtë, i cili ecë vetëm përpara dhe nuk kthen prapa, andaj duhet ta zëmë hapin e të mos vendnumërojmë sikur na ka ndodhur.

Ju na keni mësuar se shkak për vonesën tonë historike nuk janë vetëm pushtuesit por edhe ne vetë, ndeshtrasha jonë historike, pacifizmi shekullor, mosbesimi në vetvete.

Të shumta janë mësimet Tuaja profesor i nderuar, ato nuk radhiten dot në këto 85 fjalitë e mia të thjeshta e të përbëra, por ato mund  të zgjerohen e të shumëzohen.

Keni qëndruar i patundur në kritikat e padrejta që iu kanë drejtuar smirëzinjtë dhe ua keni kthyer me masë, duke treguar vetëpërmbajtje, burrëri dhe pjekuri intelektuale.

Ata që iu kanë urryer pa të drejtë, tashmë janë strukur në mjerimin e tyre, sepse me kohë e kanë mësuar se duhet të maten me hijen e diellit në mesditë dhe jo në mëngjes.

Tani kur keni mbushur 85 vjet ne u dëshirojmë  edhe shumë të tjera, sepse ende jemi në luftë dhe atë nuk e ndalojmë dot, ende jemi bashkë dhe  do të jemi dem baba dem.

Për tëra këto vite i keni dhënë kuptim  të ri krijimtarisë artistike, kritikës letrare, historisë së letërsisë, studimeve nga fusha të ndryshme me stil dhe origjinalitet “sui generis”.

Jeta dhe vepra e profesor Rexhep Qoses  shtrihet gjerë e gjatë në kohë e hapësirë me studime në sinkroni dhe diakroni, me  seriozitetin e krijuesit të gjithanshëm.

Problematika, me të cilën  është marrë dhe merret aktualisht profesor, Qosja, është e gjithanshme dhe mbanë në vete një kredo të lartë krijuese.

Shembulli krijues  i profesor Qoses, është unik në unitetin sintetik e sistematik të  perceptimit të realitetit dhe aftësisë së tij  për ta koduar e për ta përjetësuar në vepër.

Gjuha e pasur, e rrjedhshme, e kuptueshme për çdo lexues, është po kështu një ndër vlerat e mëdha të krijimtarisë së Rexhep Qoses, albanolog  dhe studiues meritor i saj.

Njëra ndër meritat e tij të mëdha është pjesëmarrja dhe përkrahja e fuqishme si dhe kontributi  që  Qosja ka dhënë Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972.

Nuk shënohet dot tërë kontributi madhor i profesor Qoses me një shkrim të këtij lloji të kufizuar në 85 fjali të thjeshta e të zgjeruara, për të cilat jam përcaktuar për këtë rast.

Tani duke radhitur fjalitë e fundit, kam frikë se shumë gjëra që ka qenë dashur të thuhen nuk janë thënë, por njeriu mundohet me aq sa di dhe sa mundet. Këtë po e bëj.

Përkushtimi im për jetën dhe veprën e profesorit të respektuar, Rexhep Qosja, nuk është një fiksion, por është përpjekje për ta thënë të vërtetën subjektive ashtu sikur e kuptoj unë.

Përkushtimi im nuk është përpjekje për ngritje të një kulti, por përpjekje për  vlerësimin sa më real të një personaliteti, që ka ushtruar dhe ushtron ndikim në rrafshin kombëtar e më gjerë.

Këto janë fjalët e fjalitë që kam radhitur kësaj radhe për ju Profesor i nderuar, Rexhep Qosja, në 85-vjetorin e lindjes, një dite kalendarike, së cilës i keni dhënë kuptim e dimension e keni bërë një ditë më shumë  të Kalendarit Kombëtar.

Edhe shumë vite, edhe shumë vepra, shëndet e punë të mbarë, profesor  i respektuar, Rexhep Qosja!

Kontrolloni gjithashtu

Fronti Europian: Shqiptarët dhe të tjerët po poshtërohen, por ne nuk e lejojmë këtë nënçmim

Sot në Shkup, Fronti Europian organizoi ngjarje për 100 ditët e para të qeverisë me …