Ali Pashë Tepelena, Luani i Janinës (1740 - 1822)

Ahmet Qeriqi: Ali Pashë Tepelena, Luani i Janinës në këngët e trimërisë

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Rapsodët shqiptarë në të kaluarën u kanë kënduar trimave e trimëreshave, që kanë bërë emër, qoftë në luftë kundër pushtuesve, qoftë edhe për rastet e trimërisë individuale, duke ruajtur nderin, burrërinë, besën. Shembuj të trimërisë kishte kudo në trojet e pushtuara arbërore nga Roma e Bizanti nga turku e sllavi, andaj kundërvënia në përpjekje për çlirim nga robëria ka qenë temë e përhershme e këngëve të trimërisë, të cilat në shumë raste identifikohen edhe me këngët historike, si për shembull cikli i këngëve për Luftën e Kosovës, që është i pranishëm vetëm në Kosovë dhe në veri të trevave të Shqipërisë së Katër Vilajeteve. Cikli i këngëve për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe kryetrimat e Arbrit  gjatë Mesjetës, kënga e Mustës dhe Halilit, në Iliridë, Kosovë dhe në Veri të Shqipërisë, cikli i këngëve për Ali Pashë Tepelenën, Ibrahim Pashën, të cilat këndohen  në jug dhe në veri të Shqipërisë, cikli i këngëve të Zenel Gjolekës, Tafil Buzit, Rapo Hekalit, të kënduara po ashtu në jug dhe në veri të Shqipërisë, cikli i këngëve të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, i përhapur kudo në trojet shqiptare deri te këngët e kryengritjeve shqiptare të fillim të shekullit 20-të, që çuan në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe në të njëjtën kohë edhe copëtimit të trojeve shqiptare nga Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Mali i Zi.

Pavarësisht disa dallimeve dokesore dhe gjuhësore, toskët e gegët në këngët shqiptare gjatë shekujve janë trajtuar si këngë shqipe, që u përkasin dy pjesëve të Shqipërisë me kufi Shkumbinin. Po ashtu, sa i përket pranisë së këngëve nga njëra krahinë në tjetrën nuk e kemi të njëjtin përfaqësim, madje në disa raste kemi të shprehur një krahinorizëm të tipit të barrikadimit feudal. Nuk janë të pakta këngët për trimat e trimëreshat shqiptare që këndohen vetëm në një krahinë të caktuar, por në saje të historisë afirmative të trimit, të cilit i kushtohet kënga, ajo  ka marrë përmasa, është kënduar dhe është përhapur në tëra trevat.

Trevat e Kosovës shquhen për një gamë të madhe të pranisë së këngëve nga të gjitha trevat e Shqipërisë, që nga këngët toske për Ali Pashanë, Zenel Gjolekën, Ibrahim Tepelenën, Ismail Qemalin, Avdyl Frashrin, Çerziz Topullin e shumë të tjerë.

Kënga për Luftën e Kosovës të vitit 1389 nuk është shënuar në jug të Shqipërisë, ashtu sikur është kënduar në Kosovë dhe në veriun e Shqipërisë. Këngë të tilla nuk janë shënuar as në Iliridë, apo në Shqipërinë e mesme.

Rapsodët e trevave të  Kosovës, në të kaluarën, u kanë kënduar trimave nga Prokupja e Nishi deri te Manastiri, Parga, Janina e Tepelena, nga Kosova deri te Vlora, Labëria e Shkodra me Malësi, Plavë, Guci e vise të tjera.

Krijimtaria rapsodike e Kosovës është e shumëllojshme në pasqyrimin e temave kombëtare dhe kjo nuk i përket kohës sonë, as periudhës së Rilindjes kombëtare. Këngët rapsodike, epike heroike për trimat e toskërisë, kanë qenë të pranishme në repertorin e rapsodëve të Kosovës gjatë tërë shekujve të historisë, e sidomos në kohën e pushtimit e sundimit turk.

Kënga rapsodike në kohët e kaluara, në mungesë të arsimimit kombëtar, ka mbuluar me sukses kujtesën historike, duke përhapur e zgjeruar rrëfimin e ditës, ngjarjet e shënuara, luftërat,  trimërinë e luftëtarëve dhe luftëtareve. Kënga shqipe, në kohën e sundimit të egër dhe asimilues, ishte fjala e vetme e lirë që shpërthente si nevojë imediate për të shënuar ngjarjet dhe qëndrimin e popullit ndaj realitetit. Ajo nuk ishte vetëm këngë, por edhe rrëfim, histori, dramë, roman, i rrëfyer nga rapsodët, nga kjo klasë e interpretuesve dhe transmetuesve të historisë nga brezi në brez. Oda, ku këndohej kënga ishte një shkollë kombëtare e mbamendjes  së popullit, sepse këngët nuk shkruheshin as shënoheshin, ato thjesht mbaheshin mend dhe transmetoheshin nga brezi në brez, shpeshherë edhe duke u modifikuar, duke u pasuruar me elemente të reja dhe në shumë raste duke humbur elemente e fragmente të shumta.

Mbijetesa e këngëve rapsodike në Kosovë dhe në treva të tjera shqiptare, është fenomen i veçantë,  që duhet studiuar në raport me kohën, hapësirën, pushtimin e pandërprerë, por edhe rezistencën e përhershme, gjithashtu të pandërprerë, kundër çdo bajlozi, kundër çdo pushtuesi nga Lindja e Perëndimi, nga Veriu e nga Jugu, kundër turk sulltanit e serb Dushanit, kundër pashallarëve të zinj nga lindja e kundër bajlozëve po ashtu që zinj e të mëdhenj që vinin nga perëndimi, nga detet e oqeanet.

  1. Cikli i këngëve për Ali Pashë Tepelenën është më i pasur dhe  përmbajtësor në veri, sesa në jug të Shqipërisë

Cikli i këngëve për Ali Pashë Tepelenën duket se është më i pasur në veri sesa në jug, madje për dallim të faktit se Ali Pashai në jug paraqitet edhe si despot e vrasës, në Kosovë dhe në trevat veriore, ai është vetëm hero i përmasave heroike, hero që i bën “karshillak” Sulltanit dhe lufton më mirë se Napoleoni, (Ali Pasha trim si Zana, Po lufton ma mirë se fana)  Emri, fanë, – fana, ka kuptim entiteti për francezët. Frëngu, emër i cili në Kosovë shënon latinët, italianët, në rastin konkret shënohet ushtria e Napoleon Bonapartit, kundër të cilët kishte  luftuar edhe vetë Ali Pashë Tepelena. Figura e Ali Pashait në këngët e shënuara veçmas në Kosovë, është figurë e trimit legjendar, njeriut i cili përballon me sukses Stambollin dhe Napoleonin, Ai Pasha, i rrethuar nga 100 mijë forcat e Hurshid pashait kërkon ndihmë nga gegët, meqë toskët e vetë i kishte përgjakur dhe nuk ia kishin gjithaq besën, edhe shumë prej tyre luftuan dhe qëndruan heroikisht.

Këngët epike heroike për Ali Pashë Tepelenën përshkruajnë me realizëm kohën e Pashait, trimit që vinte  nga radhët e jeniçerëve dhe i cili kishte trashëguar ADN-në e rezistencë së  Gjergj Kastriotit dhe të Halil Patronës, dy komandantët më në zë të Perandorisë  Osmane, të cilët nuk u pajtuan me robërinë dhe luftuan për çlirim nga Porta e lartë.  Në një rrëfim nga Kronikat e Stambollit, flitet edhe për unzën e Halil Patronës, të cilën e kishin ruajtur dervishët shqiptarë në Stamboll dhe rreth dyzet vjet më vonë, ia kishin dërguar Ali Pashait, në Janinë.

Të dy këta kryengritës kishin pasur fatin e njëjtë. Të dy kanë hyrë në historinë e Perandorisë Osmane si kryengritës, të cilëve Stambolli ua  ka shkurtuar kokat. Madje koka e Ali Pashait nga Janina ishte dërguar në Stamboll, ku për një javë kishte qëndruar e varur në një vend të caktuar, me qëllim  për ta parë populli dhe për t’u bindur se ai ishte mposhtur, por ndoshta edhe me qëllim të shprehjes së një urrejtjeje  mizore kundër tij, të cilën nuk e kishte fshehur as e fsheh dot Historia e Perandorisë Osmane.

Në figurën e Ali Pashait, shqiptarët e robëruar por liridashës kishin identifikuar kryetrimin, te i cili kishin varur shpresat për çlirim, edhe pse ai zyrtarisht ishte një pasha i Turqisë, por që në një moment të caktuar nuk e kishte pranuar autoritetin e Sulltanit, duke shfaqur haptas qëndrimin e tij për çlirim nga despotizmi aziatik.

Kënga përshkruan mobilizimin e Stambollit në vitin 1821, kur Sulltan Mahmudi i Dytë kishte dërguar 24 (44) pashallarë për ta likuiduar Ali Pashanë dhe kryengritësit shqiptarë. Përderisa Sulltan Mahmudi i Parë kishte vrarë pabesisht Halil Patronën, 24 jeniçerët e tij dhe rreth 7000 jeniçerë shqiptarë në nëntor të vitit 1730, Sulltan Mahmudi i dytë, 91 vjet më vonë kishte filluar ekspeditën e tij për ta likuiduar Ali Pashë Tepelenën, kryengritësin e fundit të jeniçerëve, i cili i bënte karshillëk Stambollit.

Në  këngën historike, “24 pashallarë” përshkruhet mobilizimi i Portës nën komandën e Hurshid Pashait, i cili kishte dy fermanë, fermanin e parë, të rrejshëm, me të cilin kërkohej që Pashai të dorëzohej pa luftë, të dorëzonte edhe dukatin, për të cilin konsiderohej se e kishte fshehur me qëllim për ta shpëtuar kokën. Fermani i dytë zhvlerësonte fermanin e Parë edhe në rast se Pashai dorëzohej.

Krejt njëjtë kishte ndodhur edhe me Halil Arnautin. Sulltan Mahmudi i Parë, i cili kishte marrë pushtetin, në saje të kryengritjes së Halil Patronës, jo vetëm që e kishte falur atë dhe kryengritësit e tjerë, por edhe i kishte caktuar postin e Komandantit të Rumelisë. Disa muaj më vonë, po ai Sulltan urdhëron të vriten pabesisht një nga një, Halil Patrona, Musli Beshi dhe 24 jeniçerët e tjerë, të cilët ishin ftuar në Pallatin Perandorak, gjoja për të veshur rrobat e lëkurës, të denja për jeniçerët që dalloheshin në vepra trimërie.

Kjo ngjashmëri nuk ishte e rastit, sepse vetëm me tradhti, Porta kishte arritur qëllimin, meqë e njihte mirë mentalitetin e arnautëve dhe përkushtimin e tyre për mbajtjen e besës, e fjalës së dhënë, e cila u ka kushtuar rëndë shqiptarëve, sidomos në raport me të huajt.

Kënga “24 pashallarë, në disa variante  44-pashallarë, është fragmentare dhe i akordon këngëve të jugut të Shqipërisë, ashtu sikur edhe këngët përZenel Gjolekën, Ibrahim Tepelenën e të tjerë. Me këtë këngë gjithsesi se  kemi të bëjmë me një përjashtim, meqë këngët e trimërisë në veri të Shqipërisë janë kryesisht këngë epike heroike ku dominon rrëfimi që përcjellë krejt historinë dhe që nuk është aspak karakteristikë e këngëve të jugut të Shqipërisë.

Këngët për luftën e Kosovës, rrëfejnë tërë historinë, po ashtu edhe këngët për Ali Pashë Gucinë, për Isa Boletinin, Azem Galicën e trima të tjerë.

Kënga për Ali Pashë Tepelenën është fragmentare, është e pasur me përshkrim e situatës para shpërthimit të luftës, por nuk përshkruan historinë e jetës dhe bëmave paraprake të Ali Pashait. Kënga i kushtohet dimensionit epik të luftës, mobilizimit të shqiptarëve nga veriu dhe jugu,  ajo përshkruan heroizmin, tradhtinë dhe fundin tragjik të Pashait, të cilin  e kishin tradhtuar “zebenia”, turmat greke shqiptare, rajaja por edhe bijtë. Në një përshkrim të tillë ngihet si lapidar madhështor Ali Pashë Tepelena, i cili hipur mbi atin me “sylejbena” qëndron në bedena të kalasë pa frikë nga gjylja e topit të Sulltanit. Ali Pashai përshkruhet si Luan, “asllan”, ashtu sikur është përshkuar edhe nga Bajroni, Pukvili, shkrimtari hungarez, Jokai Mor e po thuajse të gjithë kronistët e kohës.

Këngëtari popullor ka shkrirë në këngë përkushtimin më të fuqishëm për Luanin e Janinës. Ai, nuk i vë në spikamë asnjë ves, asnjë vepër të rëndë e mizore, meqë trimëria e tij për t’i bërë ballë krejt një Perandorie e kishte ngritur atë në piedestal, sepse ai ishte edhe më trim se Fana, është fjala për Napoleon Bonapartin.

Ali Pasha trim si zana

Po lufton ma mirë se Fana,

në variante  edhe:

Ali Pasha në opanga,

Po lufton ma mire se Fana.

 

  1. Disa variante këngësh për Ali Pashë Tepelenën nga Jugu i Shqipërisë

Cikli i këngëve për Ali Pashë Tepelenën, që shtrihen  në krahinat jugore të Shqipërisë deri në Greqi e më tej është mjaft i pasur, por edhe heterogjen në përmbajtje. Kënga e jugut për nga ndërtimi dallon nga ajo e veriut të Shqipërisë, meqë ajo është kryesisht fragmentare, e stisur  mirë me elemente narrative e artistike, dhe gjithnjë e shkurtër, me tri katër strofa, për dallim nga kënga rapsodike e veriut.

Këtu hetohet edhe një element tjetër. Duket se rapsodët e veriut janë mbështetur në këngët e jugut kur kanë qenë fjala sidomos te këngët e trimërisë, sepse në shembujt e tillë, rapsodi i veriut, nuk ka pasur si t’ i shmanget përmbajtjes së këngës, nga e cila ka vjelë informacionin. Edhe te kënga për Zenel Gjolekën, apo për Ibrahimin e Tepelenës,  kemi por të njëjtin ndërtim, kryesisht fragmentar. ..

1.

Tridhet’ vjet do ma nizanë,

un’  prej teje s’e hek sevdanë.

Moj Janinë, Janinë e shkretë,

Të raft zjarri e të djekt!

M’vjen keq, t’kam godit’ vetë,

S’të gëzun’ as djemt’ as vetë!

Bijt’ e mi, ju soj çifuti,

Njeri mu hallin s’ma di;

Jalla u preft sultan Mahmuti

Qi m’flliqët soj e oxhakun!

2.

Hanko kur polle Alinë

Ndriti bota vetëtimë…!

Që kur ishte çilimi

Me shokë bënte beli

kur gjëmonte e binte shi

merrte shenjë në llami

Kush e njih Ali asllanë?

Gjithë ditën në dorë me pallë

 

3.

Ali Pasha kur qe djal?

Në  Hormovë e kish inanë…

Beri ura të mëdha

dhe 101 kala…

 

4.

Koka në Stamboll  trupi në Janinë,

Të vranë Ali Pasha,o Pasha të grinë.”

 

Ulur këmbë kryq, i heshtur qëndron.

Sytë nga Janina, mendjen në Stamboll.

Koburja në brez pa shkrehur të mbeti,

Mbi një tradhtar një gjarpër dovleti.

 

Poshtë ballit të rrudhur sytë e përqendruar,

Tregojnë në heshtje atë që kanë shkruar.

Fjalën amanet botës po i thotë:

“-Kush e beson hasmin, e paguan me kokë!”

Cikli i këngëve për Ali Pashë Tepelenën ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë i përhapur në Kosovë dhe në Iliridë. Luanit të Shqipërisë dhe të Ballkanit i kanë kënduar  këngë edhe grekët, arvanitasit, bullgarët madje edhe turqit.

Kënga 24 pashallarë, e cila këndohet sidomos në Kosovë dhe në trevat veriore të Shqipërisë, është këngë tipike, epike-heroike, pa dyshim kënga më e fuqishme që është krijuar për trimin, i cili i bën karshillak Stambollit dhe që lufton më mirë se Fana, më mirë se Napolon Bonaparti.  Pasi, në fillim të këngës  përshkruhet përgatitja e Portës për ta sulmuar Ali Pashanë, fillon dialogu i Pashait me Vasiliqen, e cila qante për fatin e saj dhe të pashait. Aliu e trimëron duke ia përmendur kështjellat, madje edhe dy bijtë e tij, Salihun e Miftarin. Por Vasiliqia me të drejtë nuk u besonte bijve të Pashait, ndërkohë që ai do të mallkonte të dytë bijtë, nëse nuk e ndihmonin babanë.

Ata në kofshin zog jetimi

-Ishalla i pret sulltan Selimi

-Ata n kofshin  zog çifuti

-Ata i prenë Sulltan Mahmuti.

Përveç dialogut të Ali Pashait me Vasiliqen, kënga 24 pashallarë është ndërtuar me modelet e përshkrimit epik të trimërisë, duke madhëruar pashanë, duke mbështetur atë, duke mos i përmendur as edhe një ves të keq, duke e ngritur në hero dhe duke vajtuar mungesën e duhur të përkrahjes nga të gjithë shqiptarët.

Në vargun kuptimplotë, “në qafë të paqin “zebenia” këngëtari anonim flet për tradhtinë që i kishin bërë pashait, arvanitasit e grekët, të cilët kishin shfrytëzuar luftën e tij kundër Sulltan Mahmudit dhe kishin shpallur pavarësinë e Greqisë.   “Zebenia” turmat që kishin shfrytëzuar përleshjen e Ali Pashait me Portën nuk i  nuk i kishin kursyer as ushtarët e Ali Pashait, madje as familjen e tij.

Rapsodi anonim nga Kosova, përshkruan qëndresën dhe heroizmin e pashait duke e ngritur në piedestal trimërinë dhe qëndresën e tij.

Ç’ka kalaja qi po dridhet?

Ali pasha nuk po lidhet!

Ç’ka kalaja, bumbullon?

Ali Pasha po lufton!

Lum kalaja ka ka mrena!

Ali Pashën me shtatë zemra.

Kush po i sillet rreth bedenit

Ali  Pasha prej Tepelenit.

Ali Pasha nga Tepelena,

E kish atin me  sylejbena,

Ali Pasha burrë ne tagana,

Po lufton ma mirë se Fana.

4.Ali Pashë Tepelena në këngët greke e arvanitase

Kënga greke për Ali Pashë Tepelenën e kënduar nga këngëtari  arvanitas i Salaminës, i mirënjohuri,  Gjorgji Papasideri është këngë vaji e pikëllimi, është thirrja që iu bën Vasiliqia, gruaja e tij e re me origjinë greke,  arvanitasve dhe të gjithë rumeliotëve për ta përkrahur Ali Pashanë, në momentet vendimtare të qëndresës së tij.  Ajo, duke parë se forcat e Sulltanit ishin nisur nga të gjitha drejtimet për t’ ia marrë kokën Pashait, fton arvanitasit e grekët e pasur ta shkrijnë pasurinë dhe të rreshtohen për krah tij. Duke parë se rajaja, zebenia, nuk po e ndihmonte Ali Pashanë, ajo, i quan ata të mjerë, edhe pse ka respekt për trimërinë dhe nderin e tyre.

Kënga e Jorgji Papasiderit ka po thuajse të njëjtën melodi me këngën “Të hanën kur topi krisi”. Mbase është për të besuar se kënga greke mund të jetë po aq e vjetër sa kënga shqipe, në mos më e hershme dhe kjo pa dyshim se daton qysh nga vitet 20 të shekullit 19-të, kur Sulltan Mahmudi i Dytë kishte shpartalluar Ali Pashë Tepelenën, i kishte vrarë bijtë e tij dhe të gjitha ata që kishin rezistuar.

Teksti i këngës së Papasiderit

Vasiliqia urdhëron, urdhëron,

Aman Vezir Ali Pasha, aman- aman!

 

Vini zjarr në fusha,  nëpër fusha,

Aman digjeni Janinën, aman- aman!

 

Ju rumeliotë e arvanite,

Te jeni krenarë, aman- aman!

 

Shkrini pasurinë tuaj, shkrini!

Aman për të mirën Tuaj, aman,-aman.

 

Arvanite të nderuar, të nderuar!

Ku eshë Ali pasha , o të mjerë, o të mjerë!

Këngët për Ali Pashë Tepelenën edhe aktualisht këndohen kudo në trojet e Shqipërisë etnike, në raste të rralla këndohen edhe në Greqi e Maqedoni, Dikur i kanë kënduar dhe i kanë përhapur dervishë bektashinj, kryesisht me origjinë shqiptare,  ata madje i këngët për Ali Pashanë i kanë kënduar edhe në Stamboll, në organizime të fshehta fetare. Jo rastësisht koka e Ali Pashait është ruajtur në një varr në Stamboll, po ashtu nga dervishët bektashi, i tillë sikur ka qenë Ali Pashai, Halil Patrona e shumë trima të tjerë shqiptarë gjatë kohës së sundimit të Perandorisë Osmane.

 

Njizet e katër pashallarë

Njizet e kater pashallarë

Se në Janinë von’ e ranë

Zaptuen Shkodër, Elbasan

-Çke Vasilkë që po kanë?

-Na e kemi yç kalanë?

-Kem n Berat dy asllanë,

-Kemi Salih e kem Miftar,

– S na i kane shokët n komb shqiptar. 

-Mos m’ i fal  pashë qato fjalë! 

-Ata në kofshin zog jetimi

-Ishalla i pret sulltan Selimi

-Ata n’ kofshin  zog çifuti

– Kta i prenë Sulltan Mahmuti. 

Sulltan Mahmudi, mbret i ri

I çet topat Mahmudi,

Bani pashën fermanli.

Mustafë pasha, binish gjatë

-Ku po i çon këto bajraqe! 

-Po ja çojmë kullës Gatë

-Me ja kallë kulmin flakë

-Deri t’ i pikin strehët gjak.

Mori kulla në breg të gjolit!

Karshillak i çon Stambollit.

Mori kulla n’ breg të detit!

Karshillak i çon Dovletit.

 

Ty po të thonë Demë Alia,

Me hyxhym po të shkon xhemia

N’ qafë të paçin zebenia (rajaja)

Kemi  ymytin te Perendia.

 

Ç’ ka kalaja, qi po dridhet?

Ali pasha nuk po lidhet!

Ç’ ka kalaja, bumbullon?

Ali Pasha, po lufton!

Lum kalaja, kend ka mrena!

Ali Pashën me shtatë zemra.

Kush po i sillet rreth bedenit

Ali  Pasha prej Tepelenit.

Ali Pasha nga Tepelena,

E kish atin plot  sylejbena,

Ali Pasha burrë ne apanga

Po lufton ma mirë se Fana.

  1. Të hënën kur topi krisi, këngë për lavdinë dhe heroizmin e Ali Pashë Tepelenës

Një variant tjetër i këngës për Ali Pashë Tepelenën është edhe kënga: “Të hënën kur topi krisi”, po ashtu një këngë epike heroike, në të cilën i këndohet trimërisë dhe qëndresës së Ali Pashait. Kjo këngë, e cila këndohet kryesisht në Kosovë, por edhe në viset veriore të Shqipërisë ka disa karakteristika të veçanta, përkushtuese, ku këngëtari anonim popullor përshkruan frymën mobilizuese të toskëve e të gegëve, por edhe qëndresën dhe heroizmin e Pashait, i cili mbrohej me të gjitha forcat, pavarësisht rrethanave të pafavorshme në fushën e betejes, meqë nga të katër anët ishte rrethuar në  Kështjellën e tij, në Janinë dhe nuk pranonte të dorëzohej, edhe pse  se ishte plak në moshë mbi 80-vjeç. Fakti se luftonte me një Padishah, me një Perandori ia forconte moralin luftarak, andaj nuk dorëzohej. Kënga nuk përshkruan dorëzimin, as fundin tragjik të Pashait. Ky element është dhënë gjatë tekstit të këngës si një  efekt paralajmërues, se Pashai ishte zënë “muhasere”, ishte rrethuar nga të gjitha anët. Po ashtu, këngëtari anonim popullor, duke qenë njohës i mirë i rrethanave, sikur paralajmëron fundin tragjik të pashait. “Ali pasha i mjerë u ba muhaserë, Ali Pasha i ngratë, lufton ditë e natë…

Duke qenë se lufta e tij kishte kaluar në përmasa epike, këngëtari popullor, sado që në disa elemente elegjiake, rezervohet nga përshkrimi real i fundit tragjik të Ali Pashait, kur atij i hiqet koka dhe i dërgohet në Stamboll. Refreni i këngës, është lajtmotiv i luftës dhe heroizmit, është lajtmotiv i mobilizimit popullor dhe i përforcimit të vetëdijes kombëtare. Në disa variante, vargjet e fundit të refrenit i gjejmë të shprehura me ndenja të thella çlirimtare si: Bini toskë e gegë, për Atdhe me vdekë”!

Të hanën kur topi krisi,

Ja dha kalasë anë për anë,

Mbreti pashallarët i nisi,

Mbi vezir, Ali pashanë.

 

Ali pasha i ngratë,

lufton ditë e natë,

Ali Pashë Berati,

po i luftojke ati,

Bini gegë e bini!

Se ju trima jini!

Bini toskë e gegë!

fishekë ju hapë vetë!

 

24 pashallarë ( në variante edhe 44 pashallarë)

Donë me i hy kalasë përmrena,

Ali Pasha dul i parë,

Ali Pasha, Tepelena.

 

Ali Pashë Berati,

Po i luftojke  ati,

Ali Pashë Terhalla,

Nuk po i hajke palla.

Bini gegë e bini!

Se ju trima jini!

Bini toskë e gegë!

Fishekë ju jap vetë!

 

Duro top, duro havana,

Oj kalaja me bedena,

Luftë po ban me Padishah,

Ali Pasha, Tapelena.

Ali pasha trimi,

prej goje po i del tymi.

Ali Pasha jonë,

Lufton  si e ka zakon.

Bini gegë e bini!

Gjithmonë trima jini!

Bini toskë e gegë!

Fishekë ju jap vetë!

 

(Bini toskë e gegë,

Për Atdhe me vdekë)

 

Ku je ti Sulltan Mahmudi,

Ti murtati i osmanlisë?

Se mue m thonë Ali Baruti

Du me vdekun,  në Janinë.

 

Ali pashë Berati,

Po të luftojke ati,

Ali Pashë Tërhalla,

Nuk po t’ hajke palla,

Bini toskë e gegë!

Fishekë ju jap vetë!

(në variante)

Bini toskë e gegë!

Për atdhe me vdekë.

Variantet e këngëve për  Ali Pashë Tepelenën kanë qenë të shtrira jo vetëm në katër Vilajetet e Shqipërisë, por edhe në Greqi, Bullgari, madje edhe në Turqi. Kjo shtrirje e heroizmit të tij përmes këngëve ka lënë gjurmë të jashtëzakonshme dhe këto këngë kanë arritur të freskëta e të pa deformuara deri në ditët tona. Cikli i këngëve për Ali Pashë Tepelenën, nuk është zbehur kurrë, meqë shembulli dhe heroizmi i tij  ka qenë dhe ka mbetur burim frymëzimi për unitet, bashkim kombëtar dhe krijimin e plotë të Shqipërisë. Po kështu, duhet të veçohet me këtë rast edhe fakti se Ali Pashë Tepelena në këngët e veriut, është hero i pashtruar, kundërshtar i Sulltanit por edhe i Napoleonit, një prijës i madh i shqiptarisë. Këngëtari i veriut, figurës së Ali Pashait  nuk ia përshkruan despotizmin, sjelljen e egër edhe kundër bashkëkohësve, sepse veprimet e tilla i konsideron si punë të brendshme, andaj me asnjë varg nuk e akuzon për veprat e tilla. Ali Pashë Tepelena, është shqiptari i dytë pas Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i cili luftoi për shkëputje nga Perandoria Osmane. Nga lufta dhe heroizmi i tij përfituan grekët, bullgarët, serbët, rumunët, meqë Perandoria Osmane, kishte marrë goditje të fuqishme nga dy pashallarë shqiptarë, në Ballkan nga Ali Pashë Tepelena dhe në Egjipt e në botën arabe nga shqiptari tjetër i famshëm, Mehmet Ali Pasha. ( Ahmet Qeriqi)

Literatura:

 

Jokai Mor, Luani i Janinës ( Ditët e fundit të jeniçerëve).

Këngë të trimërisë për Ali Pashë Tepelenën. Botime, folklor.

Fjalori enciklopedik shqiptar.

Wikipedia.

24 pashallarë, këngë e kënduar nga rapsodi Rizah Bllaca.

Kënga e Gjorgji Papasiderit, “Vasiliqia urdhëron”.

Variant i këngës 44-pashallarë, kënduar nga Rifat Berisha.

Variant i kënduar nga Tahir Drenica e shumë këngëtarë të tjerë.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …