leoni

Ahmet Qeriqi: Augustin Ukaj ishte i lindur këngëtar, jetoi, këndoi dhe vdiq, këngëtar

Një  rapsod i njohur i këngëve folklorike shqiptare, jo vetëm në Kosovë por edhe në trojet e tjera shqiptare, pa dyshim se  ka qenë edhe Augustin Ukaj, i njohur për repertorin tejet të pasur të këngëve rapsodike dhe këngëve popullore, po ashtu i njohur me një zë karakteristik dhe me disa veçori origjinale të këndimit.


 


Augustin Ukaj, u lind në vitin 1939, në fshatin Dol të Gjakovës, ndërsa vdiq në vitin 2004. Ishte i biri i Rapsodit te madh të kësaj ane,  Pren Binak Uka si  dhe vëlla i këngëtarit, po ashtu të njohur të dhe të famshëm, Martin Ukaj. Një kohë  ka kënduar edhe me Marjan Gojanin,  Gjergj Ukën e këngëtarë të tjerë.


 


Rapsodi, Augustin Ukaj, për dallim nga të gjithë bashkëkohësit ka lënë gjurmë në këngën shqipe për mënyrën gazmore të këndimit, për vrullin shpeshherë luftarak dhe njëzimin në tërësi me këngën gjatë këndimit. Ishte ndoshta rapsodi i vetëm i kohës, i cili futej thellë në këngë, e dashuronte atë me gjithë shpirt  dhe bëhej pjesë e saj madje edhe duke nxjerrë britma, duke vërshëllyer edhe fjalë e pasthirrma, me të cilat krijonte një disponim të fuqishëm të publikut. I vetëdijshëm se dëgjuesit donin shumë e më shumë, sesa vetëm interpretimin mekanik të këngës, sidomos të këngëve me përmbajtje të gjatë dhe që shpeshherë bëheshin monotone, Augustin Ukaj mobilizonte fuqinë e brendshme krijuese dhe shpirtërore, mbante në korrent dëgjuesin me këngën, të cilën  kurdoherë dhe në çdo rast e ka kënduar me afsh dhe dashuri të veçantë. Ndonjëherë, ndoshta edhe e ka tepruar në këtë formë këndimi, por kjo ishte veçori e stilit të tij, ashtu sikur ishte veçori e stilit kollitja e Rizah Bllacës, i cili me intervenime të tilla, në dukje sado të  papëlqyeshme, nuk e dëmtonte këngën, por bënte përpjekje t’ ia shtonte efektin.


 


Augustin Uka dispononte një reporter shumë të pasur dhe me motive ndër më të  ndryshme të këngëve. Në këtë drejtim ai doemos se zë vendin e parë nga të gjithë rapsodët e Kosovës e më gjerë. Ka kënduar këngë të trimërisë, të cilat zënë vendin qendror në mesin e këngëve të tij, pastaj ka kënduar këngë historike,  por edhe këngë të dashurisë, këngë humoristike e satirike, këngë për ngjarje të caktuara, por edhe këngë për zhvillimin e përparimin e vendit, këngë për punën, për tragjeditë e ndryshme, por edhe këngë ku fshikulloheshin mbrapshtitë si vëllavrasja, hakmarrja, rrëmbimi, dhuna e të tjera. Ishte këngëtari që në opusin e tij krijues regjistronte deri edhe ngjarjet e ditës, të cilat sipas gjykimit të tij meritonin vëmendjen e dëgjuesit.


 


Rapsodi i njohur i Dukagjinit, i Kosovës dhe përgjithësisht i trojeve shqiptare, Augustin Ukaj ka kënduar solo, por edhe në duet më vëllezërit dhe në grup. Ai ka kënduar edhe me shumë këngëtarë të tjerë të vendit dhe vazhdimisht është shquar për origjinalitetin e tij në këndim, për një stil të veçantë kryesisht luftarak, garues dhe kurdoherë me disponim, një këndim të nivelit të lartë dhe mjaft të pëlqyer nga dashamirët e këndës folklorike.  


Zëri i fuqishëm dhe melodik, talenti në shqiptimin e fjalëve dhe rrumbullakësimin me kuptim të fjalive, qartësia në këndim,  janë po ashtu veçori krijuese të këtij këngëtari, i cili në këngë kishte sjellë gjallëri, madje nga pak edhe teatralizëm, dhe përgjithësisht një formë të çiltër të këndimit, një notë të hareshme  dhe kurdoherë me disponim tejet të shprehur.


Si këngëtar me shije të veçantë për ta nuhatur disponimin e publikut, ai ishte kurdoherë me të, duke i dhënë shumë e më shumë, duke krijuar atmosferë gëzimi e hareje dhe jo pak herë duke e nxitur këtë disponim edhe mekanikisht me raki, por edhe me çaj rusi e kafe turke. Këta nxitës, i kanë konsumuar dhe i konsumojnë këngëtarët e njohur, meqë dëshirojnë të jenë sa më shumë e sa më gjatë  me publikun, gjithnjë të palodhur, gjithnjë të  efektshëm.


Edhe pse ekzekutonte mirë në të gjitha veglat muzikore, ai zakonisht dhe përgjithësish këndonte me çifteli, madje edhe në grupin me instrumente të ndryshme si sharki, mandolinë, harmonikë, violinë def, lahutë, ai kurdoherë ekzekutonte me çiftelinë e tij tejet të dashur dhe shumë të preferuar.


Me zërin e fuqishëm dhe karakteristik të malësorit të Dukagjinit, Augustin Uka ka lënë gjurmë të pashlyeshme në traditën tonë folklorike, në një kohë kur konkurrenca e rapsodëve, sidomos në periudhën e socializmit ishte tejet e shprehur, por edhe mjaft e përhapur dhe e çmuar. Ai ishte këngëtar i masave, i popullit, i gatshëm për të kënduar në dasma e në ndeje, në festivale e në koncerte, në tubime shokësh dhe takime rasti. Ashtu si shumica e këngëtarëve ka kënduar ndonjë këngë edhe me porosi, ndonjë këngë për ndonjë politikan, por po të vërehet me vëmendje, këngës së tillë i mungon afshi, i mungon dashuria, i mungon në një masë edhe respekti. Nuk është Augustin Ukaj këngëtari i vetëm që i ka kënduar Fadil Hoxhës, e ndonjëherë edhe Josip Broz Titos e ndonjë tjetri, pse jo, tinës  edhe Enver Hoxhës, apo Ramë Sadrisë.  Po nuk ishte në mesin e këngëtarëve që shquhej për respekt ndaj këngëve të tilla, sikur mjerisht pati edhe raste të tilla të rapsodëve të njohur për këndimin e këngëve të tilla, por edhe për këndimin e këngëve të caktuara shqip e serbisht.


 


Ashtu sikur të gjithë rapsodët, edhe ai  kishte edhe huqet e veta, të cilat kanë qenë në shërbim të publikut, por asnjëherë nuk e kanë bastarduar këngën, të paktën jo me dashje.


Augustin Ukaj ishte i lindur këngëtar, jetoi, këndoi dhe vdiq, këngëtar. Këngët e tij dëgjohen kudo dhe ruajnë vlera të pashlyeshme të folklorit tonë, i cili edhe sot e kësaj dite po përballon me sukses, tallavanë ballkanike e aziatike, shundin, kopjimet, degjenerimet dhe bastardimet, që i bëjnë këngëtarë të patalentuar, të paarsimuar dhe të papërgjegjshëm, të cilët  vlerat e këngëve të tyre, edhe nëse i disponojnë ia kanë nënshtruar përfitimit momental, biznesit, çoroditjeve deri edhe perversiteteve.  Këngëtarët popullorë të ndjerë, si: Augustin Ukaj, Dervish Shaqa, Rizah Bllaca, Bajrush Doda, Salih e Feriz Krasniqi, Lan Dobra, Tahir Drenica, dhe rapsodë aktualë si Rifat Berisha, Rifat Draga, Fatmir Bajra e shumë e shumë të tjerë, janë nderi dhe krenaria e këngës shqipe dhe e historisë së ndritshme të saj.  Ata, edhe në të ardhmen do të mbesin një faqe e ndritur e trashëgimisë gojore, kombëtare, e cila ka mbijetuar kohët tragjike dhe heroike dhe bashkë me shqiptarin liridashës kanë mbijetuar nëpër shekuj, për të arritur me dinjitet,  deri në ditët tona, deri në kohën tonë, kur është vështirë të identifikosh një rapsod të njohur të trojeve etnike, madje deri në jug të Shqipërisë,  të mos ketë kënduar një këngë për UÇK-në apo legjendarin, Adem Jashari. Në këtë trashëgimi të artë të kombit, zënë vend meritor shumë rapsodë të njohur, në mesin e tyre edhe Augustin Ukaj, këngët e të cilët janë shumë të përhapura dhe dëgjohen me ëndje.


 

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …