Ahmet Qeriqi: Dezinformatat po e lëkundin vendosmërinë e të zhvendosurve. Ditë të rënda e të rrezikshme po na presin. (E mërkurë 9 shtator, 1998)

Ahmet Qeriqi: Dezinformatat po e lëkundin vendosmërinë e të zhvendosurve. Ditë të rënda e të rrezikshme po na presin. (E mërkurë 9 shtator, 1998)

Gjatë tërë natës ka rënë shi. Me orë të tëra qëndrojmë të strukur në tenda shiu i vjeshtës bie mbi syprinën e najlonit duke krijuar një zhurmërimë monotonie të bezdisshme. Mëngjesi zbardhi me mjegull të dendur dhe lagështirë. Në disa tenda, të cilat paraprakisht nuk janë siguruar si duhet shiu depërton nën shtroja. Ditët me shi janë të padurueshme sidomos për fëmijët të cilët mbesin në tenda dhe e humbin disponimin. Ata zakonisht pyesin kur do të kthehemi në shtëpi, ose iu tregojnë prindërve se i ka marrë malli për shtëpinë dhe për të gjitha kthinat, orenditë. Nuk pyesin se a do të kthehen në shkollë sepse e dinë se mësimi në kohë lufte nuk mund të mbahet.

Ndihmat humanitare që na kanë premtuar ende nuk i kanë sjellë. Popullata e zhvendosur këtu, në mungesë të artikujve ushqimorë po detyrohet të dyndet drejt fshatrave të Rrafshit, duke marrë përsipër rreziqe dhe të papritura që mund t iu ndodhin me rastin e rrugës dhe kalimit nëpër vende të pasigurta.

Ndihmat që i shpërndanë organizata Nëna Tereze, janë në mbikëqyrje të disa partiakëve të korruptuar të LDK-së të cilët përhapin dezinformata se gjoja po të diktohet se ndihmat po i marrin ushtarët apo familjet e tyre, ato do të ndërpriten. Si duket kështu u kanë thënë ata krerët e tyre në Prishtinë. Në Shalë, në krye të kësaj dege janë katër pesë persona të korruptuar, që edhe para luftës kanë manipuluar dhe i kanë shitur ndihmat humanitare. Matrapazët dhe profiterët nuk zgjedhin kohë për veprat e tyre të liga. Atyre iu lëvërdis edhe kjo kohë.

Në mbrëmje së bashku me Elez Durmishin, Shyqri Iballin, Heset Hamdiun e të tjerë kemi shkuar në ambulancën ushtarake në fshat, e cila sërish është vendosur në shtëpinë e Aziz Hamdiut. Reshati dhe Shyqa e kanë kyçur agregatin për një kohë të caktuar derisa ta shikojmë ditarin e TVSH-së.  Pas një kohe kanë ardhur edhe disa ushtarë që vëzhgojnë nëpër fshat. Në mesin e tyre Halil Olluri, Agroni, Azemi e të tjerë. Tërë ditari i TVSH-së duket i molisur, i pacifikuar dhe në mungesë të plotë të informatave nga zhvillimet në frontet e luftës. E vetmja fjali që na bën përshtypje është përshëndetja e spikeres Besa Çeku, e cila i përshëndet ushtarët e UÇK-së kudo ku janë.

-Veç kjo nuk po na harron, thotë njëri nga ushtarët.

-Kjo është me ne, nuk është me Rugovën ia kthen tjetri.

-I lumtë, dëgjohet një zë tjetër.

Në raste të tilla edhe më tepër më kaplon bezdia për mungesën e informimit. Sikur të kishim mediume informative në zonat e luftës, ajo do të ishte arma më e fortë për mobilizim dhe nxitje të militantizmit atdhetar, mendoj derisa të pranishmit e komentojnë ditarin.

Por, tani për tani duhet të mjaftohemi vetëm me një përshëndetje të Besa Çekut, e cila iu bën një përshtypje të veçantë ushtarëve. Kur ndodh që ndonjë natë harron, ndonjëri nga ushtarët  akuzon redaktorin se ndoshta ia ka tërhequr vërejtjen. Ushtarët tanë këtu kanë fituar përshtypjen se Besa është e jona dhe ngushëllohen vetëm me një përshëndetje të sinqertë të një motre nga Kosova, e cila jeton në Tiranë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Tërheqje taktike e disa formacioneve ushtarake e policore serbe. (E shtunë 3 tetor 1998)

Ahmet Qeriqi: Tërheqje taktike e disa formacioneve ushtarake e policore serbe. (E shtunë 3 tetor 1998)

Presioni i faktorit ndërkombëtar kundër kryexhelatit Milosheviq po rritet. Edhe pse ky despot i çmendur …