Ahmet Qeriqi: Disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së depërtojnë në zonën tonë (E premte 2 tetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së depërtojnë në zonën tonë (E premte 2 tetor, 1998)

Kërcënimet e NATO-s kanë bërë që forcat kriminale ushtarake e policore serbe ta kufizojnë rrezen e veprimeve luftarake.

Zyrtarët e Beogradit kanë publikuar të dhëna për përfundimin e ofensivës dhe gjoja qetësimin e situatës së përgjithshme në Kosovë. Në të njëjtën kohë forcat kriminale serbe vrasin dhe masakrojnë kudo ku iu vie ndoresh.

Faruk Gashi, gjatë një takimi më ka treguar disa veprime të pahijshme për Besim Gashin, për të cilat nuk kam ditur më parë. Nuk e di përse Faruku bën këso veprimesh, ndërsa sa i përket Besimit rezerva kanë shprehur edhe shumë të tjerë, mirëpo krejt kjo tani nuk ka ndonjë rëndësi.

Pas një kohe, kanë ardhur edhe mjeku Jakup Ismajli dhe Reshat Gashi. Ata më tregojnë se Besimi nga pakujdesia është plagosur me armën e tij dhe është dërguar për shërim të mëtejmë në Shalë, me ç rast mjekët ia kanë nxjerrë plumbin e mbetur në këmbë. Ai është plagosur me shkorpionin e Farukut. Kjo më bën paksa përshtypje të keqe dhe e marr me mend se diçka megjithatë po fshihet.

Në orët e pas ditës kanë ardhur në Krojmir Berat Luzha dhe Ramë Buja. Berati duket shumë i lodhur dhe i dërrmuar nga rruga e gjatë disaditëshe që ka bërë derisa ka arritur te ne. Është në gjendje të rëndë dhe duhet t`i shtrohet shërimit intensiv, meqë ai ka qenë i sëmurë edhe më parë. Berati rrëfen për vështirësitë dhe rreziqet nëpër të cilat ka kaluar me disa anëtarë të Shtabit gjatë rrugëtimeve në vijat e fronteve në Drenicën Qendrore.

Në anën tonë kane ardhur edhe Jakup Krasniqi, Shaban Shala, Hashim Thaçi e të tjerë.

Më vonë kanë arritur edhe Agron Krasniqi, djalli i vëllait të Jakup Krasniqit, Ramë Buja dhe Shaban Draga.

Presim që në orët e vona të mbrëmjes të arrijnë edhe komandantë dhe luftëtarë të tjerë.

Në shtëpinë ku ka qëndruar Arian Idriz Qeriqi, i cili është larguar me krejt familjen para fillimit të ofensivës jemi vendosur unë me familjen time, tani për tani edhe Berati me Agronin. Rama zakonisht shkon për të fjetur në shtëpinë këtu afër, ku janë prindërit dhe dy vëllezërit e tij.

Ndërkohë në shtëpinë e mixhës Mehdi do të vendoset edhe bashëshortja e Jakupit, Sevdija  dhe  katër  fëmijët e tyre.

Situata e përgjithshme në këtë pjesë të Drenicës tani për tani është e qetë.

Ka indikacione që luftimet të ulën në intensitet, ndërsa luftëtarët tanë po rikthehen në pozicione.

Në Krojmir janë kthyer edhe shumë banorë që kanë ikur me rastin e ofensivave.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Tërheqje taktike e disa formacioneve ushtarake e policore serbe. (E shtunë 3 tetor 1998)

Ahmet Qeriqi: Tërheqje taktike e disa formacioneve ushtarake e policore serbe. (E shtunë 3 tetor 1998)

Presioni i faktorit ndërkombëtar kundër kryexhelatit Milosheviq po rritet. Edhe pse ky despot i çmendur …