Brickos

Ahmet Qeriqi: E vërteta historike e pjesëmarrjes së shqiptarëve në Luftën e Çanakalasë, në vitin 1915

Ahmet Qeriqi: E vërteta historike e pjesëmarrjes së shqiptarëve në Luftën e Çanakalasë, në vitin 1915

Kënga e Çanakalasë këndohet edhe sot në Kosovë dhe kudo në trojet shqiptare. Në esencë është një këngë turke, po ashtu me melodi turke, por që është përkthyer në disa gjuhë të popujve të Ballkanit. Këndohet edhe greqisht, madje është kënduar nga këngëtarja më e njohur greke e të gjitha kohëve, Roza Eshkenazi, pastaj është kënduar dhe këndohet edhe në Bullgari e Maqedoni, dhe këndohet kudo të vendet e Turqisë. Është kënduar dhe këndohet edhe në trojet shqiptare, veçmas në Kosovë, në Sanxhak, Bosnje  dhe në Maqedoni. Është një elegji, ku i këndohet një tragjedie njerëzore, pasi për pak më shumë se dy muaj ishin vrarë rreth 400 mijë pjesëtarë të forcave ndërluftuesese, në kohë kur bota kishte pasur shtatë herë më pak banorë.

Lufta e Çanakalasë, ishte njëra prej tragjedive më të mëdha njerëzore, të cilat nuk i kanë kursyer dhe nuk i kursejnë popujt e kombet, jo për fajin e tyre, por të krerëve të tyre, jo për fitoret e tyre por për  fitoret e humbjet e krerëve  të tyre,  të cilët kërkojnë nga popujt të bëhen kurban për qëllime e tyre, të cilësuara si  “të larta”. Dhe ato qëllime ndeshen e përgjaken, duke mbrojtur secili të vërtetën e vet të drejtën e vet, për Zotin, fenë dhe atdheun e vet.

Por Çanakalaja nuk ishte vetëm një tragjedi më shumë në kujtesën njerëzore, ajo ishte diçka më tepër, ishte lufta për jetë e vdekje e dy botëve, e cila kishte filluar me kryqëzatat në shekullin XI dhe kishte marrë fund në gjysmën e parë të shekullit 20. Tetë shekuj luftë, gjak, pushtime, rënie e ngritje, ngritje e rënie. Tetë shekuj miliona krerë njerëzish të vrarë, të gjymtuar, të katandisur e të tretur. Tetë shekuj gjak, mjerim, tragjedi familjare e kolektive të dhjetëra popujve, sundimtarët e të cilëve luftonin për dominim, sundim, çlirim dhe nuk po arrinin të qetësoheshin, sepse gjaku ua  kishte errësuar arsyet njerëzore, sepse sapo pushonte njëri e fillonte tjetri.

Në luftën e Çanakalasë kanë marrë pjesë mijëra shqiptarë pothuajse nga të gjitha viset etnike, sepse në vitin 1915, edhe pse  tri vjet më parë ishte shpallur Shteti i pavarur shqiptar, nuk ishte vendosur kufiri, ndërsa forcat ushtarake të Perandorisë Osmane ishin kudo në katër vilajetet shqiptare, në luftë për t’u përballur me  Aleancën e krishterë sllave dhe evropiane, e cila po korrte dhe nuk bënte dallim mes shqiptarëve, turqve, boshnjakëve myslimanë, hebrenjve dhe të gjithë jo-krishterëve.

Është e vërtetë se ka pasur shqiptarë të besimit islam që  ishin mobilizuar për të shkuar dhe për ta mbrojtur Turqinë, të cilën ende e konsideronin shtet të tyre, por kishte shumë më tepër të tjerë, të cilët  ishin dyndur  dhunshëm për në Turqi,  që në fillim të Luftërave Ballkanike kur kishte filluar rrebeshi i ushtrive sllave, ruse, bullgare, serbe, në luftë për ta zhbërë Turqinë dhe gjithçka që konsideronin turke, në radhë të parë duke u mbështetur mbi baza fetare. Gjatë ikjes drejt Turqisë ishin vrarë qindra mijëra, turq, shqiptarë, boshnjakë,  sanxhaklinj, hebrenj e të tjerë.

 …

Fushata ushtarake e Galipolit, e njohur edhe si fushata e Dardaneleve, Beteja e Galipolit ose Beteja e Çanakkales (turqisht: Çanakkale Savaşı), ishte një fushatë e Luftës së Parë Botërore që u zhvillua në gadishullin, Gelibolu në Turqi, nga 17 Shkurt  i vitit 1915 – deri më  9 Janar 1916.

Fuqitë e Antantës, Britania, Franca dhe Rusia, u përpoqën të dobësojnë Perandorinë Osmane, njëra prej Fuqive Qendrore, duke marrë nën kontroll ngushticat që siguruan një rrugë furnizimi për në Rusi. Sulmi i aleatëve në kalatë osmane në hyrjen e Dardaneleve në shkurt 1915 dështoi dhe u pasua nga një ulje amfibe në gadishullin Gallipoli,  në prill 1915 për të kapur kryeqytetin osman të Stambollit, ish-Kostandinopojë. Në Janar  të vitit 1916, pas luftimeve tetë muajsh, me afro 250,000 viktima nga secila anë, fushata tokësore u braktis dhe u tërhoq forca e pushtimit.

Ishte një humbje e kushtueshme për Aleatët dhe sponsorët, veçanërisht i Lordit  të Parë i Admiralit (1911-1915), Winston Churchill. Fushata u vlerësua si një fitore e madhe Osmane. Në Turqi, vlerësohet si një moment përcaktues në historinë e shtetit, një ngritje përfundimtare në mbrojtjen e atdheut ndërsa Perandoria Osmane kishte rënë. Lufta formoi bazën për Luftën Turke të Pavarësisë dhe shpalljen e Republikës së Turqisë tetë vjet më vonë, me Mustafë Kemal Atatürkun, i cili u ngrit si komandanti më i spikatur  në Gallipoli, dhe  si themelues dhe Kryetari i parë i Turqisë pas perandorake.( https://en.wikipedia.org/wiki/Gallipoli_campaign).

Në një luftë të tillë të pothuajse tërë botës për ta zhbërë je vetë Perandorinë Osmane por edhe popujt e saj kanë marrë pjesë aleancat më të mëdha  ushtarake të kohës: Rusia, Anglia, Amerika, Franca, madje edhe Australia e largët, Oqeania e veçmas sllavët e vendeve ballkanike, serbët, bullgarët, moldavët, grekët e shumë të tjerë. Lufta ishte me karakter botëror dhe nuk kishte vijë kufiri deri ku duhej ndalur, por ishte luftë për ta zhbërë një popull të tërë, një perandori, e cila ishte shthurur nga brenda dhe tagrin e asaj shthurjeje, por e lanin me gjak popujt, e sidomos shqiptarët,  të cilët Evropa në vazhdimësi i ka trajtuar dhe i trajton edhe sot si mbetje turke, vetëm sepse ata nuk hoqën dorë nga identiteti i tyre fetar, sikur bënë magjarët, serbët, bullgarët e shumë nga grekët, pasi ishin çliruar nga Perandoria Osmane me ndihmën e Rusisë e të Anglisë.

Beteja e Çanakalasë, aty ku thuhet se  u vranë 25 mijë shqiptarë, është sjellë  përmes këtyre fotove. Fotografi turk, Kamil Bitis ka shkruar: “Qytete nga trojet shqiptare që morën pjesë në luftën e Çanakalasë. Shqiptarët kanë derdhur shumë gjak për Perandorinë Osmane dhe Turqinë”. Babai i Turqisë moderne, Mustafë Kemajl Ataturku, e komandonte Divizionin e 19 të redifëve shqiptarë, që ishin me shumicë nga trojet shqiptare si nga: Presheva, Kumanova, Shkupi, Manastiri, Ohri, Peja, Gjakova, Vlora, Elbasani etj. Ku e kalonte numrin prej 25.000 ushtarëve vullnetarë. (https://www.fishmedia.info)

 

 

II

 

Kënga e Çanakalasë, këngë vaji e dëshpërimi edhe për luftëtarët shqiptarë, të mbetur në Turqi

Njëra ndër krijimet më të fuqishme rapsodike të folklorit popullor shqiptar është edhe Kënga e Çanakalasë, e cila është kënduar e këndohet në disa variante po thuajse në të gjitha trevat e Shqipërisë.

Kjo këngë, e cila i përket luftës së përgjakshme të forcave aleate evropiane, kundër Turqisë, që ishte sulmuar nga të gjitha anët me qëllim të zhdukjes së shtetit turk, por edhe të banorëve të Turqisë, përshkruan fatin edhe të luftëtarëve shqiptarë, të cilët kishin mbetur në ushtrinë turke edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Shumica tyre vazhdonin të mbaheshin nizamë e redifë, disa syresh i kishin familjet në Turqi, shumë prej  luftonin si vullnetarë me qëllim për ta ruajtur ekzistencën e shtetit turk,  shumë prej tyre me gjithë familjet ishin shpërngulur në Turqi nga represioni fashist që ushtronin popujt sllavë gjatë luftërave ballkanike, që kishin për qëllim ta zhduknin edhe qenien shqiptare, atë turke por edhe shtetin e sapoformuar shqiptar.

Lufta, që këndohet në këtë këngë,  ka të bëjë me Betejën e Madhe të Çanakalasë, e cila u zhvillua në Luftën Parë Botërore gjatë viteve 1915-1916, në mes forcave detare angleze të përkrahura edhe nga anijet franceze me gjithë ushtrinë dhe makinerinë luftarake të fuqive aleate të Antantës, të cilëve me potencial njerëzor u arritën ndihma me vullnetarë edhe nga vende shumë të largëta të botes madje  edhe  nga Australia dhe Zelanda e Re.

Ushtria Osmane zhvilloi operacion të jashtëzakonshëm, që përfundoi me fitoren e ushtrisë Osmane, përkundër viktimave të mëdha në të dy palët. Autori turk,  Mehmet Nijazi Ozdemir, në veprën e tij për Çanakalanë thekson se përveç forcave detare dhe ato këmbësore turqit kishin humbë 210.000 njerëz, duke përfshirë këtu edhe mijëra kuadro intelektuale.  Sipas përqindjeve jo zyrtare viktima të mëdha kishte në mesin e mësuesve, studentëve të mjekësisë, përgjithësisht nga mesi i njerëzve të arsimuar, në mesin e tyre edhe mijëra shqiptarë sidomos nga Kosova dhe viset shqiptare të mbetura nën Serbi e Bullgari.  Sipas një versioni kjo betejë u zhvillua me motivin që Forcat e Antantës me çdo kusht dëshironin dominimin dhe pushtimin e tyre në Bosfor dhe Dardanele, qëllimi i të cilëve ishte ta merrnin Stambollin nën kontrollin e vet, sipas skenarit të përgatitur që më parë nga vetë fuqitë aleate të Antantës për t’i ndarë territoret e mbetura të ish Perandorisë së fuqishme Osmane. As një ushtri tjetër në botë kaq gjatë nuk do të mund të qëndronte mbi këmbët e veta.

 

Në disa raporte të Fuqive të Mëdha lidhur me këtë  ditor të Betejë, thuhet: Vetëm sot kemi hedhur mbi 1800 granata. Anijet tona  me muaj të tëra i bombardojnë pozitat e tyre. ( Komandanti suprem i forcave aleate: gjenerali Xhon  Hamilton)…

 

“…Nuk më ka rastis të shoh ende asnjë popull sikurse këta luftëtarët tanë  të cilët duke qeshur krah për krah shkojnë drejtë vdekjes…” (Komandanti i ushtrisë pestë osmane: mareshali Liman von Sanders).

 

“Ne na mundi jo forca materiale e turqve, por forca moralo-shpirtërore e tyre! Sepse atyre s’u pati mbetur as barut për të qëlluar! Kurse ne i vëzhguam forcat që zbrisnin nga qielli!” (Komandant anglez, historiani Hamilton i cili kishte marrë pjesë në luftën e Çanakalasë).

 

Me këtë rast është interesant të theksohen edhe deklaratat e ish ministrit anglez të luftës Vinston Çerçil, i cili gjerë atëherë ua kishte mbushur mendjen aleatëve, veçanërisht qeverisë angleze që lëkundej, për ta marrë vendimin e sulmit, duke u dhënë garanci pas garancie duke iu shprehur atyre që të mos bëhen merak “se pikërisht me ato rrobe marine që kishte mbi trup do të ulej mbi fronin e turqve”, ndërsa ishte nxjerrë para gjykatës pas disfatës, në një çast kur ishte vënë shumë ngushtë nga pyetjet e rënda e qortuese të trupit gjykues, bërtiti kështu: “A nuk e kuptoni se në Çanakala ne luftuam jo me turqit, por me Zotin? Dhe, natyrisht që do të mundeshim!…”

 

Në versionin shqiptar të këngës së Çanakalasë  përshkruhet fati i një populli të mbetur nën kthetrat e ushtrive të krishtera, ruse, serbe, bullgare, greke, franceze, angleze që bënin përpjekje ta zhduknin Turqinë.

 

 

III.

 

Përse shqiptarët luftuan dhe ndihmuan turqit dhe vetën e tyre  në Çanakala?

Kjo luftë e përbashkët  ndodhi me faktin se qindra mijëra shqiptarë jetonin në Turqi dhe qindra mijëra të tjerë u shpërngulën nga trojet e Shqipërisë, qysh në fillim të vitit 1912, për shkak se llava sllave po derdhej si lubi shumëkrerëshe kundër shqiptarëve, turqve, boshnjakëve  dhe hebrenjve. Për të përkujtuar mizoritë që bënin sllavër kundër shqiptarëve dhe myslimanëve përgjithësisht  mjafton të përkujtojmë vetëm raportet e intelektualit marksist rus, Leon Trocki, i cili duke qenë reporter lufte në frontet serbe në Kosovë, Kumanovë e Shkup ka përshkruar shumë nga mizoritë, që ushtarët serbë, rusë e bullgarë ushtronin kundër popullatës së pambrojtur shqiptare. Në një katrahurë të tillë, kur qenia shqiptare ishte sulmuar nga të gjitha anët, qindra mijëra shqiptarë ikën për në Turqi. (RKL: Leon Trocki, një personalitet jo sa duhet i njohur për shqiptarët,  5. 1. 2016).

Ata, kishin humbur Vatanin, por luftonin për ta mbrojtur vendin, që i kishte mirëpritur dhe shtetin në të cilin kishin bashkëjetuar afër 500 vjet. Këtu qëndron esenca e rezistencës heroike të shqiptarëve në Çanakala, këtu qëndron edhe motivi i kësaj kënge,  e cila përshkruan detale të tmerrshme të një lufte shumë të pabarabartë, por një luftë për jetë a vdekje, sikur kanë luftuar shqiptarët gjithnjë gjatë historisë së tyre.

Kënga e Çanakalasë këndohet edhe sot në Kosovë dhe kudo në trojet shqiptare. Në esencë është një këngë turke, po ashtu me melodi turke, por që është përkthyer në disa gjuhë të popujve të Ballkanit. Këndohet edhe greqisht, madje është kënduar nga këngëtarja më e njohur greke e të gjitha kohëve, Roza Eshkenazi, pastaj është kënduar dhe këndohet edhe në Bullgari e Maqedoni. (ELBASAN (AA) –  MALIK HASA/FATJON CUKA)

Betejës së Çanakalasë iu janë kushtuar shumë këngë, ku jehona e tyre ka kaluar kufijtë e Turqisë dhe këto këngë kanë depërtuar në vendet e Ballkanit. Shqiptarët, si pjesëmarrës në këtë  luftë, nuk kishin si të mos këndonin dhe të  trashëgonin edhe këngët për Çanakalanë.

Kënga, për nga kompozicioni është e thjeshtë, është rrëfimi i një ushtari që lufton,   brenda Çanakalasë dhe përshkruan tragjedinë e luftëtarit  në vijën e frontit përballë vdekjes, përjetimet  tragjike, jo vetëm të vetat por të gjithë luftëtarëve që sulmonin  e mbroheshin për jetë a vdekje përballë dushmanit, armikut që i kishte rrethuar  nga të gjitha anët.  Kënga është me strofa dyshe të cilat përsëriten, për efekte elegjiake. Po ashtu vargu i fundit i çdo strofe është njëlloj vajtimi, në disa variante është varg  heroizmi e përkushtimi.

Në variante janë të pranishme këto refrene:

Vaj për të rinjtë tanë medet!

Vaj për të rinjtë tanë aman! ose

Për ty kem me vdekë!

 

Po ashtu në disa variante shprehet edhe qëndrimi i këngëtarit,  nga këndi tragjik në atë heroik.

Mjera nana ku po të çon, karshi dushmanit.

Lumja nana ku po t çon, karshi dushmanit.

Kjo këngë në trojet shqiptare është kënduar para më shumë se 100 vitesh, kur edhe është krijuar. Varianti origjinal është në gjuhën turke, por ashtu edhe melodia, me gjithë elementet përcjellëse.

Kënga këndohet e dëgjohet me ëndje edhe sot sepse në radhë të parë flet për një tragjedi njerëzore të përmasave më të mëdha të humbjes së jetëve të njerëzve. Është me interes një varg i kësaj kënge të cilin nuk e këndojnë të gjithë këngëtarët, ose ndonjëri e deformon për qëllime të liga, individuale, mbase edhe në mungesë të njohjes së gjuhës turke. Në variantin e kënduar nga rapsodi i mirënjohur Salih Krasniqi, janë disa stofa më tepër në mesin e tyre dhe ky përshkrim:

N’Çanakkale mrena,

N’fusha t’mejdanit

Aty ishin kanë mbledhun vlla,

Trimat e xhihanit   (jo xhihadit)

Oh për t’rijt tonë aman!

Vargu aty ishin mbledhun  vëlla,  trimat e xhihanit,  rrëfen për përmasën e luftës, për trimat e tërë botës, të xhihanit (turq-bota) dhe jo trimat e Xhihadit sikur mund të gjendet, vargu i deformuar qoftë gabimisht nga mosnjohja e fjalës, qoftë me qëllim nga ndonjë këngëtar i papërgjegjshëm.  Këtyre vargjeve u kanë ikur këngëtarët pikërisht për ngatërrimin e këtyre dy fjalëve. Xhihan bota, Xhihad luftë e shenjtë.

Lufta në Çanakala nuk ka qenë luftë e xhihadit por një luftë në mbrojtje një luftë për ekzistencë, një luftë botërore. Ishte Lufta  e Aleancë së krishterë të mbarë botës për ta shpërbërë Turqinë, e cila nuk ishte më Perandori as Sulltanat.

Perandoria Osmane ishte shkatërruar nga brenda nga Revolucionin xhonturk, disa vjet më parë.  Pastaj, lufta për shpërbërjen e Turqisë  kishte filluar me një Aleancë botërore në mesin e të cilave ishin forcat më të mëdha ushtarake të Rusisë, Anglisë, Francës, Amerikës, Australisë,  pastaj forcat e Greqisë, Bullgarisë, Serbisë, Rumanisë  dhe po thuajse të gjitha shteteve jo vetëm të  Evropës. Ishte vetëm Gjermania që kishte marrë pjesë në mbrojtje të Turqisë duke i dërguar armë dhe instruktorë të armatimit.

Si ka qenë e mundur që shqiptarët ta përkrahnin Aleancën e krishterë, kur ajo luftën për shfarosjen e Turqisë e kishte filluar  duke i shfarosur trojet shqiptare, kur gjatë luftërave ballkanike dhe luftës së Parë botërore,  ka vrarë  jë më pas se 400 mijë shqiptarë dhe rreth 300 mijë kishin arritur të iknin, ku tjetër për veç në Turqi. Ata nuk mund të shkonin në shtetet e Evropës e cila nuk i njihte as si komb, por vetëm si mbetje turke. Atë tragjedi shqiptare  më së miri e dëshmojnë  raportet e Leo Frojdlihut dhe Leon Trockit. 

 

Ndërsa disa vjet më vonë për atë tragjedi  e golgotë shqiptare kishte folur Gjergj Fishta në Konferencën e paqes në Paris.

 …Arsyeja pra pse kombi shqiptar nuk mujti me dalë shtet në vete, nuk qe puna se atij i mungonte ndërgjegja kombëtare, ose ndjesia për liri e pavarësi, por qe fakti se pikërisht në ditën,  në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë jo për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështu që, prej kësaj pikëpamje duhet me e thanë se shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turqisë, sepse për ta do të kishte qenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turqisë, se sa me u gri prej kristjanëve. Po e shoh, Zotni, se kjo fjalë në gojën time disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji paradoks në vetvete. Janë faktet që më japin arsye. Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por megjithëkëtë, turku ia njohti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la gjuhën dhe kanunet tona, – por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qindra mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë populli hoqi zi e si asht me zi prej tij.

E tash dëgjoni si u soll kristiani me Shqipni e me shqiptarë.

Në vjetin 1912 kërcet lufta turko-ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. Nji herë mbysin, pak me thanë dyqindmijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue fenë; grijnë myslimanë, sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qindra e qindra katunde, veçse si e si me e farue kombin shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombëtare, mbas sa intrigash të poshtra, pushtojnë Shkodrën. Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sado  Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vitit 1915, italianët pushtojnë Vlorën, gjoja  për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmurë të Shqipnisë jugore. Në 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë. Me e thanë me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin shqiptarë.

E sot Konferenca e Paqes lypë që pikërisht ndër ndër këto vise të bahet plebishiti për të caktue kufijt e Shqipnisë. Ç’ironi e helmueme!

Kjo ishte gjendja që mbretëronte në Evropë, në Ballkan, më trojet shqiptare, në kohën kur shqiptarët që kishin arritur të shpëtonin ishin dyndur për në Turqi, dhe nuk mund të rrinin duarkryq atje, as të luftonin në anën e forcave të krishtera, në vendin ku kishin gjetur strehë. Ka disa mendje-çartur  që mendojnë se shqiptarët, duhet t’ i kishin strehuar familjet në Turqi e vetë të kishin luftuar në Frontin e forca evropiane në Çanakala kundër Turqisë! Ata flasin me rradaken e tyre të sotme sikur lufta të kishte ndodhur dje.

IV.

Varianti uniform i Këngës së Çanakalasë nga turqishtja, i përkthyer dhe i reduktuar në gjashtë strofa

Në Çanakala u nisa

Prej Stambollit.

lumja nana ku po më qon

karshi dushmanit

vaj medet për të rijtë tanë.

 

 

 Çanakala mrena

një bunar midis

mos ja pini ujin o vllazen

e kanë zeherlis

vaj medet për të rinjtë tanë.

 

 

Çanakala mrena

topi bubullon

aty ku bjer gjylja,  vlla

uji po gufon

vaj medet për të rinjtë.

 

 

 Çanakala mrena

u vrava u varrova

Pak  pa më dal shpirti vlla

vorrin kërkova

vaj medet për të rinjtë.

 

 

 Çanakala mrena

nisi me ra shi,

ah, në atë zaman të shpirtit o vlla

m’ mur malli për shpi

vaj medet për të rinjtë.

 

 

Dola prej Stambolli

me pa selamet

nanes edhe babës,vlla

ymri ju këput krejt

vaj medet,për të rinjtë.

 

 

N’Çanakkale mrena,

na mloj tymi i zi

Oh urdhni erdh pej mbretit vlla,

hygjym me singi

Oh për t’rijt tonë aman.

 

 

N’Çanakale mrena,

 dola me ni skej

Oh tajaret po shkojnë përpjetë,  ( tajaret- ballonat)

çylhane tue djegë ( çylhane- fshatra)

Oh për t’rijt tonë aman!

Rapsodët popullorë, sidomos ata në Kosovë e kanë kënduar por edhe e kanë begatuar këtë variant, i cili përgjithësisht është krijim i këngëtarit turk,  duke i ndaj shtënë edhe vargje të tjera, ku spikatet qëndresa shqiptare.

Ja cilat vargje i gjejnë te kënga të cilën e këndon Rifat Berisha me grupin e këngëtarëve.

Çanakala mrena (brenda)

Lufta nuk po pranë,

Janë nizam shqiptarë oj nanë

Frontin nuk e lëshojnë,

mos më qaj moj nanë!

Mund të jetë që këtë variant e kanë kënduar këngëtarët  edhe më herët, por me kohë i kanë hequr vargjet, për shkaqe të qëndrimeve të ndryshme politike e ideologjike.

Strofat  e shtuara në variantin,  që e ka kënduar rapsodi i mirënjohur i Kosovës  Salih Krasniqi

N’Çanakkale mrena,

Na mmuloj tymi i zi

Erdhni erdh pej mbretit vlla,

Hygjym me singi

Oh për t’rijt tonë aman.

 

 

N’Çanakkale mrena,

Dola me ni skej

Oh ballanat po shkojnë përpjetë,

Çylhane tue djegë

Oh për t’rijt tonë aman!

 

Varianti të cilin e këndojnë Vëllezërit Sejdiu dhe përgjithësisht këngëtarët shqiptarë në Maqedoni.

Çanakala mrena

U nisa prej Stambolli

Mjera nana ku po të qoj

Karshi Dushmanit

Për ty kem me vdekë.

 

 

Çanakala mrena

Nji bunar n mjedis

Mos e pini ujin shokë,

e kanë zeherlisë

Vaj për ty kem me vdekë.

 

 

Çanakala mrena

Topi bubullon

Gjykja po i bjen detit

 Deti po gjëmon

Haj për ty kem me vdekë.

 

 

Çanakala brenda

U vrava u varrova

Tre ditë pa m dalë shpirti

Varrin e kërkova

Për ty kem me vdekë.

 

 

Çanakala mrenda

Nisi me ra shi,

Munnë prag të vdekjes

M mur malli për ty

Vaj për ty kem me dekë.

 

Variant më i plotë  i këngës së kënduar nga rapsodi i mirënjohur i Kosovës  Salih Krasniqi

 

N’Çanakkale u nisa

Unë pej Stambollit

Oh lumja nana ku po m’qon

Karshi dushmanit

Oh për t’rijt tonë aman.

 

 

N’Çanakkale mrena

Topi bubullon

Aty ku po bjen gjylja,  vlla

Uji po gufon

Oh për t’rijt tonë medet.

 

 

N’Çanakkale mrena,

N’fusha t’mejdanit

Aty ishin kanë mbledhun, vlla,

trimat e xhihanit

Oh për t’rijt tonë aman.

 

 

N’Çanakkala mrena,

U vrava, u varrova

Tri ditë pa m’dalë shpirti vlla,

Vorrin e kërkova

Oh për t’rijt tonë medet.

 

 

N’Çanakkala mrena,

Na u ba terr e zi

Ah t’vramit e t’varruemit,

Nër çadër tuj shti

Oh për t’rijt tonë aman.

 

 

N’Çanakkala mrena,

Nisi me ra shi

Ah n’atë zavall t’shpirtit, vlla,

M’mur malli për shpi

Oh për t’rijt tonë aman.

 

 

N’Çanakkala mrena,

Ni bunar mjedis

Mos e pini ujtë oh vllazën,

E kanë zeherlisë

Oh për t’rijt tonë aman.

 

 

Dola pej Stambollit,

Me pa selamet

Nanës e babës tonë,

 Ymri ju k’putë krejt

Oh për t’rijt tonë aman.

 

 

N’Çanakkale mrena,

Na mbloj tymi i zi

Urdhni erdh pej mbretit, vlla,

Hygjym me singi

Oh për t’rijt tonë aman.

 

 

N’Çanakkale mrena,

Dola me ni skrep

Oh tajaret po shkojnë përpjetë,

Çylhane  tue djegë

Oh për t’rijt tonë medet!

 

Kënga e Çanakalasë me variantet e saj po mbetet njëra ndër këngët, që janë kënduar në çdo periudhë  kohore prej vitit 1916 e deri tani, sidomos në Kosovë por edhe në trevat e tjera shqiptare.  Përmbajtja e kësaj kënge nuk madhëron pushtimin por i këndon mbrojtjes, vajton fatin e ushtarëve të rinj e të moshuar, pikëllimin e qindra mijëra familjeve, fatin tragjik të popujve, në rrugëtimet e sundimtarëve të tyre.

Ka edhe koka që nuk e kuptojnë këtë këngë, as realitetin faktik i cili ka ndodhur para 107 vitesh  apo edhe të tillë që e përbuzin, pikërisht për inat të stërgjyshërve të tyre, të kishin luftuar në Çanakala e jo në Frontin e Selanikut, ku në ballë ishin serbët e Pashiqit e të Crna Rukës  dhe të cilët kishin depërtuar atje pasi kishin pushtuar e shkretuar gjysmën e Shqipërisë. Të tillët apo bijtë e tyre kanë kënduar këngë Mashall Titos në kali të bardhë…

Kënga e Çanakalasë është këngë elegjiake me përmbajtje historike, e cila na kthen në kujtesë një tragjedi njerëzore dhe nuk lëndon asnjë njeri, asnjë komb apo fe. Është këngë tç cilën e ka prodhuar koha dhe nuk e zhbën dot antihistoria, sikur nuk i ka zhbërë këngët për  Luftën e Kosovës, për Skënderbeun, për Oso Kukën, Zenel Gjolekën e qindra të tjerë…

Shqiptarët nuk kanë marrë pjesë vetëm në luftën e Çanakalasë por kanë ndihmuar edhe shumë popuj të tjerë për çlirim dhe kundër robërisë, ashtu si në kohën e Mehmed Ali Pashë Misirit kundër ushtrisë pushtuese të Napoleon Banapartës, kanë luftuar në Greqi në vitin 1832 kundër bandave greke që vrisnin fëmijë e gra ua këputin gjymtyrët, dhe i dërgonin në Stamboll. Kanë marrë dhe kanë derdhur gjakun rrëke në çlirimin e Greqisë, e cila pastaj i ka asimiluar në tërësi. Kanë marrë pjesë në luftën e Spanjës kundër diktatorit  fashist, Françisko Franko, kanë marrë pjesë në luftën atdhetare çlirimtare të Kroacisë, të Bosnjës e Hercegovinës, kanë marrë pjesë  në luftës edhe kundër diktatorit fashist, alavit,  Bashar Al Asadd, i cila ka vrarë rreth 1 milionë sirianë dhe 10 milionë të tjerë ka degdisur  nëpër botë… Nuk po shkruaj për ata që iu kanë bashkuar ISIS-it në mesin e pjesëtarëve të 60 kombeve të botës, shumë prej tyre shtetas amerikanë, anglezë, francezë e të tjerë… Se kanë bërë mirë apo keq, do të gjykojë e ardhmja, por lufta e qëndresa shekullore nuk mund të mohohet me gjuhën e fakteve… Mund të injorohet të shahet e të fyhet nga ata që disponojnë një “kulturë” të tillë.

Përpunuar  e zgjeruar në prill 2022.

Ahmet Qeriqi.

 

Literatura:

 

  1. https://en.wikipedia.org/wiki/Gallipoli_campaign.
  2. Mehmet Nijazi Ozdemir: Lufta e Çanakalasë.
  3. Komandanti suprem i forcave aleate: gjenerali Xhon Hamilton.
  4. Komandanti i ushtrisë së pestë osmane: mareshali Liman von Sanders.
  5. Komandanti anglez, historiani Hamilton i cili kishte marrë pjesë në luftën e Çanakalasë.
  6. RKL: Leon Trocki, një personalitet jo sa duhet i njohur për shqiptarët, 5. 1. 2016.
  7. 7   05/01/2016 https://www.fishmedia.info.
  1. Fragment nga fjala e Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919
  2. Tekste këngësh të kënduara nga Salih Krasniqi, Rifat Berisha dhe vëllezërit Sejdiu.

     10, https://www.youtube.com/watch?v=dPj6fjucZ4E&ab_channel=TVSharri

  1. (ELBASAN (AA) – MALIK HASA/FATJON CUKA)
  2. Roza Eshkenazi: Katinaqi mu zasena, varianti grek i Këngës së Çanakalasë.
  3. Këngë sanxhakase e boshnjake për Qanakalanë.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …