Ahmet Qeriqi: Edhe një vit “pa kokë”, viti 2014…

Nga viti në vit, shoqëritë, grupet e interesit, politikanët, pasanikët, mujsharët e botës bëjnë llogaritë e tyre, fitimet apo humbjet eventuale  në rrugëtimin e tyre, jo vetëm  për të mbijetuar, por  për të zënë sa më shumë hapësirë, për të ushtruar sa më shumë ndikim, për të pushtuar krejt atë që mund të pushtohet, në luftën e të gjithëve kundër të gjithëve.


 


Gara kapitaliste për pasuri, pushtim, sundim, zgjerim të interesit, dominim, shfrytëzim, është gara e përjetshme e mujsharëve të botës, është ajo gara që nuk ndalon për asnjë çast, për asnjë sekondë, por ecën me ritmin e vet, të kurdisur nga paraardhësit e tyre.


 


Në anën tjetër, nga viti në vit, kudo në botë shtohen skamnorët, varfanjakët, të manipuluarit, të shfrytëzuarit, të skllavëruarit, tërë një popullatë miliardësh, mbi kurrizin e së cilës përfiton dhe ngrihet kapitali botëror, që kontrollohet nga mafia, nga super mafia, nga masonët e super masonët, nga ata që botën e kanë kthyer në një arenë për dominim e shfrytëzim, pa e kursyer në asnjë segment, duke e menduar dhe duke e prezantuar veten e tyre si “Zota” të këtij planeti.


 


Dhe, kjo zezonë, e tillë ka qenë qysh kur dihet dhe qysh kur ka filluar historia e njeriut, historia e qytetërimeve, historia e njerëzimit, jeta  jo edhe aq e njohur e të parëve, por, asnjëherë në tërë historinë e së kaluarës nuk kanë reshtur kacafytjet mes këtyre dy botëve, asnjëherë nuk kanë pushuar luftërat, gjakderdhjet, tragjeditë e mëdha njerëzore, gjithnjë në luftë të pandërprerë mes së mirës e së keqes, mes territ e dritës, mes njerëzores e shtazores, mes varfanjakut që nuk ka çka humb në luftën e tij të drejtë, veç këmishës së zezë të robërisë dhe mujsharit, që  nuk kursen kokë njeriu për të realizuar qëllimet e veta.


 


Në këtë garë marramendëse për dominim, shfrytëzim,  janë përfshirë të gjithë si në Jug e në Veri, ashtu edhe në  Lindje e në Perëndim.


 


Kjo është gara e tmerrshme e mujsharëve, arena e tyre e përgjakur e cila stoliset me fjalët më të mira, me “qëllimet” më të mira e më të pastra, me oferta për paqe e siguri, nëse ti mendon sikur mendoj unë, nëse më bindesh dhe nëse bëhesh skllavi im, i binduri im, pjesëtari i fesë sime të pagabueshme dhe urrejtësi i çdo feje tjetër të gabueshme, apo ideologjie tjetër të gabueshme.


 


Të tillë kanë qenë perandorët, patriarkët, sundimtarët, tempullarët, papët, inkuizitorët, të tillë janë sot kryetarët, prijësit fetarë, sundimtarët demokratë, masonët e padukshëm, milionerët e miliarderët dhe tërë klasa e mujsharëve të botës.


Kundër tyre vazhdimisht kanë luftuar profetët, pastaj kryengritësit: spartakusët, spartanët, Robin Hudët, Gjordano Brunot, Galileot, iluministët, revolucionarët, idealistët, vizionarët.


 


Në garën marramendëse për ta pushtuar botën, kanë thyer qafën Shtatë Perandoritë më të mëdha të historisë së qytetërimit njerëzor. Në një garë të tillë kanë pësuar milionë e miliardë të pafajshëm, varfanjakë, skamnorë, ushtarë, fshatarë, punëtorë, njerëz, që të lindur si të tillë kanë kërkuar të drejtat e tyre, që ua fali Zoti apo natyra, por që ua mohoi njeriu nga radhët e veta, djalli nga radhët e veta.


 


Dhe, ashtu sikur koha kurrë nuk ka ndaluar, asnjëherë nuk ka ndaluar as lufta e njeriut kundër njeriut, lufta e të pasurit për të shfrytëzuar sa më shumë dhe lufta e të shfrytëzuarit për më shumë të drejta për jetë, në këtë tokën tonë të përbashkët, që e ka krijuar Zoti jo vetëm për njerëzit, jo vetëm për sundimtarët,  por edhe për të gjitha qeniet e gjalla, në tokë, në qiell, në ujë e nën tokë.


 


Vitet janë rreshtuar një e nga një, sipas kalendarëve, që i ka shpikur gjeniu njerëzor. Ato na shërbejnë për çështje praktike, për të shënuar lindjet e vdekjet, për të shënuar kohën historike, për të cilën nuk dimë kur ka filluar, sepse kështu e kemi gjetur dhe kështu do ta lëmë.


Festojmë me eufori fundin e çdo viti, gëzojmë, ngazëllehemi, shfrenohemi, hamë e pimë pa kontroll, zbrazim dalldinë e egër shpirtërore, (shtazore) lirojnë valvulet e marrëzisë në rrugën tonë drejt të nesërmes së pasigurt, drejt së ardhmes, gjithnjë me shpresë se do të bëhet më mirë dhe konstatimit realist, se nga vitit në vit bota po rrokulliset drejt shkatërrimit të pashmangshëm, shkatërrim, që po ia bëjnë mujsharët e botës, me qëllim për ta zhvatur krejt atë që mund të zhvatet, pavarësisht pasojave për ta dhe tërë njerëzimin. 


I tillë është ai njeriu i padukshëm në mesin tonë, të cilin herë e shohim herë nuk e shohim, por kur befasohemi për të keq, atëherë e quajmë, djall, satana, dreq, shejtan. Një djall i tillë ndodhet te çdo qenie njerëzore, por në një qenie ai gjen vegjetacion dhe zhvillohet, në qenie të tjera nuk gjen klimë për të mbijetuar.


E tillë ka qenë kjo botë dhe e tillë, gjithnjë e vrazhdë dhe e lyer,  do të jetë.


Nuk e ndryshoi kush për të mirën e saj. Edhe kur idealistët u munduan ta përmirësojnë, kur bënë përpjekje që “ta shkatërrojnë botën e vjetër mizore dhe ta ndërtojnë botën e re në vend të saj’, edhe ata kishin njeriun e padukshëm në mesin e tyre, i cili i çoi në ambis.


 


Mendjendriturit na kanë mësuar se paqja njerëzore është e mundshme, madje jo vetëm teorikisht, por është e mundshme të realizohet duke u mbështetur në normat morale njerëzore, hyjnore:  në mirëkuptim reciprok, në tolerancë, fetare, racore, në liri e barazi, mbi të gjitha në drejtësi dhe në të vërtetën, në atë drejtësi dhe atë të vërtetë, që qëndron në ballë të universit, në barazinë e plotë njerëzore, gjinore, në respekt të secilit për secilin, në ndihmë reciproke, në mëshirë dhe mirëbesim. Të gjithë i dimë këto mësime morali dhe shumica e njerëzve beson në këto ideale, pavarësisht përkatësisë fetare apo ideologjike. Por e vërteta na paraqitet shumë më e vrazhdë, shumë kontradiktore dhe krejt  e paarritshme për ta realizuar qëllimin e mirë, njerëzor.


 


Lirinë e vërtetë njerëzore, tokësore,  nuk e sollën fetë monoteiste, edhe pse ato kishin dhe kanë synime të tilla, përkundrazi ato u bënë burim i mos-durimit, burim i luftërave më të përgjakshme dhe i tragjedive më të çmeritura njerëzore. Edhe sot, lufta për dominim e shfrytëzim  ka për bazë fenë, ideologjinë, cila do qoftë ajo, e hapur apo e mbuluar nën petkun fetar. 


Lirinë e vërtetë njerëzore e tokësore nuk e solli dot komunizmi, as kjo demokracia e sotme bashkëkohore. Komunizmi bëri përpjekje ta ndryshojë botën, por në një rrugë e ideal të tillë, të cilit i besonte fort, ndryshoi vetveten dhe ra në kurthin e vet. Nuk e përballoi luftën kundër lakmisë kapitaliste, për dominim, pushtet, hegjemoni…


 


Demokracia e sotme totalitare, nuk ka plan për ndryshimin në të mirë të botës, nuk ka plan zhdukjen e varfërisë, (përveç verbalisht), nuk ka plan mirëqenien për të gjithë, edhe pse propagandon një rend të tillë, nuk ka  plan ruajtjen e vlerave universale njerëzore, morale e fetare, sepse lejon deformitetet njerëzore, sepse u garanton liri perversiteteve e sodomisë, sepse lejon kafshërimin e njeriut, në emër të një demokracie fiktive të barabartë për të gjithë, si për të njerëzishmit, ashtu edhe për të panjerëzishmit, si për të moralshmit ashtu edhe për të shthururit.


Kjo është zezona e demokracisë, liria pa fre e cila sjellë kaosin, anarkinë, ku lulëzon shfrytëzimi, trafiqet, prostitucioni, pederastia, pedofilia, droga, narkoza, SID-a, lakuriqësia, ndragia, sodomia  dhe të gjitha deformitetet antinjerëzore.


 


Kujt i konvenon kjo?


 


Këtë më së miri e  dinë masonët, shpikësit dhe ruajtësit e këtij rendi, të rendit demokratik, i cili në emër të demokracisë, nuk lejon shtrirje për tjetri, aq  sa i lejon vetes liri për t’ u shtrirë në pronën e tjetrit, në shtetin e tjetrit, për ta korrigjuar atë, për t’ i vrarë kundërshtarët e demokracisë fiktive, edhe nëse janë miliona e miliarda njerëz, që kanë idealët e tyre, jetën e tyre, moralin e doket e tyre, të cilat i duan dhe iu binden atyre, vlerave të veta, pavarësisht se neve mund të mos na pëlqejnë.


Kjo është bota sot,  bota jonë, bota  e vitit 2014, bota e nesërme e vitit 2015 e kështu me radhë. Vitet vinë e shkojnë, ne mbesim në këtë botën tonë të ndeshtrashave pa kufi e pa skaj, si gjithherë, me shpresë…

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Vetëvendosja ka garuar në zgjedhjet e fundit me platformën për punësim dhe drejtësi, jo për rritje pagash

Kryeministri, Albin Kurti, ka thënë sot para deputetëve, në Kuvend,   se pakoja për përballje me …