Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Kodi i Rezallës dhe Gurët e Kopiliqit

E kaluara shqiptare, në shumë segmente ende ndodhet  e mbështjellë me një vello të dendur, të një niveli mjaft të mundimshëm  të zbulimit dhe zbërthimit të realitetit në sinkroni e diakroni, në tërësinë e vet ekzistenciale. Hulumtimet, veç tjerash,  duhet të rindërtohen qoftë edhe nga grumbullimi i  torzove,  nga gurët e kështjellave me mozaikë të shumtë, që dikur i përkisnin një bote autentike, ndërkohë që shekujt  u treguan të pamëshirshëm në shkatërrimin madje edhe të gurëve të qëndrueshëm, të cilët ende tërë kryeneçësi nxjerrin kokën nëpër luginat e malet e fshatrave, sidomos në Drenicë, mbase me qëllim për të treguar se megjithatë kanë mbetur shumë gjësende, që presin mendjet esëll,  duart e kujdesshme, të përkushtuara dhe të përgjegjshme të njerëzve, me qëllim  për të nxjerrë në sipërfaqe, aq sa mund të nxjerrin arkeologët, gjuhëtarët, historianët dhe hulumtuesit e ndryshëm deri te brezi i sotëm, i cili po i rikthehet gjurmimit të së kaluarës, në kushte dhe rrethana të lirisë, që solli lufta heroike dhe fitimtare  e UÇK-së, me dëbimin përgjithmonë nga Kosova të forcave të territ, të cilat për më shumë se 100 vjet,  me të gjitha metodat dhe me tërë forcën e pushtetit u munduan ta fshehin të vërtetën dhe t’ i shkatërrojnë gjurmët e së kaluarës shqiptare, me qëllim për ta bindur botën në gënjeshtrën mitike serbe për Kosovën, të cilën e kanë përhapur nëpër shekuj.

Profesori i Universitetit “Sapienza” të Romës, Pietro Scoppola thotë se “Historia është raporti i përhershëm midis së sotmes dhe të kaluarës sonë. Ne kërkojmë tek e kaluara, shpjegimin e problemeve që kemi, kërkojmë  ndërgjegjen e asaj që jemi sot”. Andaj edhe përfillet çdo gjurmim apo hulumtim, i cili në mos  më shumë mund të jetë një gurë i vendosur më tepër në kështjellën, sa e sa herë të rrënuar dhe po aq herë të ngritur, me mund e djersë me gjak e dhunë, të cilën e  ushtruan sundimtarët e ndryshëm të botës, gjatë fushatave të tyre të azdisura për ta pushtuar botën, me hir apo me pahir.

E tillë, e sulmuar nga të gjitha anët, e djegur dhe e rrënuar sa e sa herë   ka qenë e kaluara ilire, dardane, shqiptare në këto troje që nga koha  e lashtë e deri në ditët tona. Dhe, ajo e kaluar mijëravjeçare, ka lënë gjurmë në fjalë e frazeologji, në kujtesën e popullit në formë rrëfimi apo kënge, në toponimi e patronimi, në gurë e themele faltoresh, të cilat fare papritur ngrehin kokë, qoftë duke punuar në arë, apo rastësisht duke gjurmuar ndonjë relikt të së kaluarës…

 

Kopiliqi dhe Rezalla

Fshatrat: Kopiliq i Epërm dhe i Ulët, pastaj fshati Rezallë, dikur i përbashkët me fshatin Llaushë,  dy ndër fshatrat e njohura të Drenicës, që tani i përkasin komunës së Skënderajt, kanë disa veçori specifike,  sa i përket disa lidhjeve të së kaluarës historike.

Kopiliqi është fshat i njohur, jo vetëm në Drenicë, meqë mendohet me të drejtë se atje ka lindur, Milush Nikollë Kopiliqi, ndërsa Rezalla ruan të koduar gjatë shekujve emrin e prijësit të krishterë  të Mesjetës,  me origjinë hebraike, Llazer Hebrelani. Të dy këto personalitete të njohura të mesjetës, janë përvetësuar nga historiografia serbe, meqë serbët asokohe kishin mbajtur nën pushtim trojet e Dardanisë për afro 200 vjet.

(Rezall-Llazer)

Duke folur për praninë e serbëve gjatë Mesjetës në Kosovë, studiuesi Qerim Dalipi thotë: “Prania e popullsisë serbe në Kosovë sipas burimeve të shkruara dëshmohet që në shek. XI, ndërsa në një farë mase fillon të shtohet në gjysmën e dytë të shek. XII dhe në fillim të shek. XIII, atëherë kur Kosova hyri në kuadrin e Shtetit të Nemanjidëve. Në atë periudhë kohore, popullsia e viseve veriore serbe filloi të depërtojë me të madhe në drejtim të jugut. Në çfarë raporti arriti ajo ndaj popullsisë vendase arbërore, nuk mund të thuhet kurrgjë.” (Qerim Dalipi, www.kosovo.net)

Pavarësisht nga pushtimi sllav, shqiptarët në këto dhe fshatra të tjera të Drenicës kanë qenë dhe kanë mbetur popullatë  dërrmuese, autoktone,  me lëvizje të lehta nga një rajon në tjetrin, ose nga një trevë shqiptare, në tjetrën.

Legjendat dhe trashëgimia gojore që është rrëfyer dhe rrëfehet për këto dy fshatra, gjetjet fragmentare të kulturës fizike, sidomos në Kopiliq dhe në Rezallë,  rrëfimet që kanë arritur deri në kohën tonë, lidhur me Luftën e Kosovës të vitit 1389, supozimi se në varrezat e fshatit Rezallë ndodhet varri i Milush Nikollë Kopiliqit, toponimia dhe antroponimia shumë e pasur dhe e llojllojshme e  kësaj ane, japin për të kuptuar se pavarësisht shkatërrimeve, pushtimeve dhe djegieve të shpeshta, apo tërmeteve  që kanë ndodhur në këtë territor të Drenicës qendrore, jeta e shqiptarëve në këto troje ka rrjedhë në vazhdimësinë e saj historike, qysh prej Ilirisë e deri në ditët tona.

 

Në historinë serbe nuk kontestohet fakti se emri Llazar i përket origjinës hebraike në trajtën autentike, Eleazar. Ky emër ndër sllavë-folës dëgjohet në trajtën Llazar, Llazarevo, Llazareviq, Llazarica, etj. Ndër shqiptarë kjo trajtë shqiptohet Llazër-Llazri. Emër i prejardhjes biblike, një i ri, të cilin thuhet e kishte ringjallur Jezusi.

Fshati Rezallë kufizohet me fshatrat: Polac, Makermal, Likoc, Kopiliq i Ulët, Tushillë, Marinë dhe Llaushë. Kopiliqi i Epërm kufizohet me fshatrat: Kllodernicë, Izbicë, Vajnik, Turiqec,( fshat që ndan Kopiliqin e Epërm nga Kolipilqi i Ulët,) ndërsa  Kopiliqi i Ulët kufizohet me fshatrat, Turiqec, Rezallë, Tushilë, Likoc, Ticë.

 

Emri i fshatit Rezall, tani i gjinisë femërore, Rezallë,  del i shënuar qysh në regjistrimin e vitit 1455, në “Defterët  turq të Vilajetit Vëllk”. Në vitin 1455, Rezalla kishte nëntë shtëpi shqiptarë, të fesë ortodokse,  dhe vetëm një shtëpi me prejardhje sllave apo vllahe. Kryefamiljarët kryesorë të fshatit kanë qenë:

Marko Mati,

Pavël Dhimitri,

Gjura Dhimitri,

Radi i biri i Radihnës, , analog me Radihna i biri i arbanasit në Kllodernicë,

Millani i biri i Kojes.  Kryefamiljari,  që konsiderohet me origjinë sllave quhej, Raje Bajçiniq. (Dr. M. Tërnava, Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI, Prishtinë 1995, f. 92. – 232.) Përderisa trajta e sllavizuar Llazar është zgjeruar në trajtat: Llazarevo, Llazareviq, etj, trajta Rezall, nuk hetohet askund ndër serb-folës, madje, me sa kemi njohuri, një emër-vend i tillë homolog  nuk ekziston  as në trojet shqiptare.

Është për ta marrë në konsiderim mundësinë se të parët e këtij fshatin në Mesjetë, me qëllim për ta ruajtur emrin e prijësit Llazer, e koduan këtë emër, duke e shqiptuar nga prapa dhe duke përfituar një trajtë homonime, mbase me qëllim për t’ i ikur hakmarrjes nga turqit. Jo rastësisht rezallasit kanë ruajtur edhe kujtimin për Milush Kopiliqin. Në Varrezat e fshatit ndodhen dy gurë të mëdhenj të varrit, të latuar me kujdes, nën një rrap shekullor, dru qarri,  ku nga brezi në brez  është trashëguar e dhëna se aty është varri i Milush Kopiliqit. Disa dhjetëra metra më në veri, ndodhet një rrap tjetër,  shumëdegësh dhe nën te ndodhen një shumicë gurë varrezash, të cilat janë ruajtur me fanatizëm nga rezallasit, si kujtim për eshtrat e  të parëve.

Varrezat e fshatit Rezallë ofrojnë material të rëndësishëm për studimin e varrezave të epokave të ndryshme nga e kaluara,  por edhe për arkeologjinë. Në këto varreza gjendet edhe varri i Sylë Rezallës, një personazh i njohur i këngëve të trimërisë,  i cili ka jetuar në gjysmën e parë të shekullit 19-të. Në krye të Varrezave ndodhet edhe Kompleksi Memorial për100 rezallasit e rënë dhe të martirizuar gjatë kohës së luftës së UÇK-së, në mesin e tyre 42 konsiderohen të zhdukur.

Një burim i pashteruar për gjurmime ndër më të ndryshmet në këtë fshat është edhe Lugina në veri perëndim të fshatit, e cila  kufizohet me fshatin Likoc, Ticë dhe shpie në Kopiliq të Ulët. Në anën lindore të Luginës ndodhet një vendbanim antik, mjerisht ende i pastudiuar, ku hetohen gjurmë godinash dhe emërtime për faltoret, apo kishat e kohës së moçme. Vendi te Kisha,  apo Kisha e Monit, ( emërtim që lidhet me pronësinë e një të kështu-quajturi) në afërsi të përroit shtrihet në një sipërfaqe disa hektarë tokë, ku dikur kanë qenë konaqet e kishave apo të faltores së moçme të harruara, tashmë edhe të rrënuara. Afër vendit, ku ka mbetur një pjesë e themeleve të  mureve të kishës ndodhet një gurë i madh i këndit,  i latuar me kujdes në formë të lakuar, që padyshim është njëri nga gurët e shumtë të portës një faltoreje të moçme  apo të një Kishe, qoftë katolike apo ortodokse.

 

 

Edhe pse faltorja, mbase një  kishë e moçme, ndodhet jo shumë larg Manastirit ortodoks të Deviqit,  nuk del e shënuar në korpusin e kishave, që konsiderohen si kisha ortodokse serbe.

Banorët e Rezallës tregojnë se gjurmët e fundit të faltores janë zhdukur në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, nga njerëz të kanë marrë gurët e latuar dhe me to kanë ndërtuar shtëpi, po edhe mure oborresh.

I njohur në vendin tonë si njëri ndër fshatrat me histori të lashtë, Rezalla e Drenicës ka ruajtur disa elemente  shumë të rëndësishme të kulturës materiale dhe folklorike.

Banorët e Rezallës dallohen nga banorët e fshatrave të tjera, sidomos për mbretërimin e marrëdhënieve të mira mes veti. Të rralla kanë qenë në të kaluarën vrasjet mes banorëve të fshatit. Nga brezi në brez është ruajtur një unitet i brendshëm, i cili ka nxitur kureshtjen e anasve. Ndoshta, pikërisht  ky tipar dallues ka bërë që fshatarët e këtij fshati të përfolën për gafa të ndryshme, apo për veprime që janë konsideruar si gafa, por që në esencë nuk kanë qenë të tilla. Anekdotat, që lidhen me banorët e këtij fshati, lënë për të kuptuar solidaritetin e spikatur, i cili është parë me xhelozi nga banorët e fshatrave përreth dhe pikërisht për këtë,  të gjitha gafat e shakatë janë orientuar në drejtim të banorëve të Rezallës.

Ruajtja me kujdes e varrezave të vjetra në krye të fshatit, marrëdhëniet e mira ndër bashkëfshatarë, iniciativat e spikatura individuale, sikur ishte “Armëtaria” e Hajrë  Gashit gjatë kohës së luftës së UÇK-së, qëndresa e spikatur e banorëve gjatë luftës, janë vetëm disa veçanti, që flasin për një traditë të lashtë të këtij fshati historik të Drenicës, i cili së bashku me Prekazin, Llaushën, Marinën, Açarevën, Likocin, Abrinë e të tjerë, shënojnë Termopilet e qëndresës heroike të shqiptarëve, nëpër shekuj e veçmas  në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në luftë të përgjithshme, që u kurorëzua me sukses  kundër barbarisë okupatore serbe në vitet 1998-1999.

Lagjet më të njohura të fshatit Rezallë janë: Mala, Aruçi, Dërguti, Aliu, Gashi, Hakolli, Rukolli, Zabeli, Ahmeti, Deliu etj. Mendohet se fshati ka rreth 800 shtëpi me lagjet dhe paralagjet e veta. ( Hamdi Aliu, Rezalla një rrugëtim lirie, Prishtinë, 2008.).

Në  Rezallë ndodhet edhe një koleksionist i pasionuar i mbledhjes së gurëve dhe ruajtjes së trashëgimisë etnografike. Është ky i riu, Ferat Dërguti, vëllai i njërit ndër komandantët më të njohur të luftës së UÇK-së, Ilaz Dërguti.

Ferati,  me vetiniciativë me një ndjenjë të lindur për artin dhe trashëgiminë autoktone ka gjurmuar dhe ka marrë gurë të ndryshëm nëpër fshatra të Drenicës për ta rregulluar ambientin në oborrin e shtëpisë, i cili është një muze autentik, për vlerësimin tim shumë i rrallë, për të mos thënë i vetmi në Kosovë, i llojit të tillë.

Ferati zotëron mjeshtërinë e trajtimit të gurit e të drurit. Ai ka stolisur të gjitha këndet e oborrit me gurë natyralë, qoftë gurë faltoresh, gurë vullkanikë, apo gurë nëpër të cilët ka lënë gjurmë uji dhe kushtet atmosferike. Ndërtimi brenda shtëpisë i një fontane guri, pastaj këndi muzeal brenda një furre për gatim dhe ornamentika popullore, me të cilën  ai e ka pasuruar interierin e pikës muzeale, me të gjitha avlëmendet dhe mjetet klasike të punës, prej vegëltarisë e deri te grumbullimi i eksponateve të ndryshme, të krijojnë përshtypjen e një tërësie etnokulturore të denjë për një përkujdesje institucionale.

 

 

Kopiliqi, mes legjendës dhe historisë

Mbështetur në burimet nga terreni që ka sjellë në librin e tij, studiuesi i mirënjohur i Drenicës, Ibrahim Çitaku, në monografinë “Drenica”, botim i vitit 2004, thuhet se fshati Kopiliq, i cili shtrihet 13 kilometra në perëndim të Skënderajt, dallohet për lashtësinë e begatshme, e cila ruhet në toponime dhe legjenda. Ai përmend toponimet “Bunari i Milleshit”, “Kroni ne dy Krena”, “Fusha e Sharanit”, “Varret Llatine”, “Ara e Kishës” etj.

Sa i përket “Bunarit të Mileshit” (Milushit) ekziston bindja se ky emër pusi lidhet me kryetrimin e mesjetës, Milush Kopiliqin. Përtej lumit  gjendet ara e Kishës dhe kjo ka lidhje me vendlindjen e Milushit.

Në vitin 1985, në arën e Imer Smajlit nga ky fshat u gjend një gur i gdhendur me dimensione 1.20 me 165 cm. dhe u dërgua në oborrin e Shtëpisë së Kulturës në Skënderaj, ku ndodhet edhe tani.

Në oborrin e Shtëpisë së Kulturës, në Skënderaj ndodhen edhe dy gurë të gdhendur e të stolisur,  të rrumbullakët, me dimensione rreth 50.70 cm. Njëri ndër këta ka mbishkrime me alfabet të latinishtes së vjetër, që mund të ketë qenë gurë në hyrje të një Pallati të ndonjë princi, apo faltoreje të moçme, ose gurë mbi të cilin është vendosur ndonjë shtatore guri.

Guri tjetër me dimensione të njëjta, është po ashtu gur i hyrjes në një tempull apo rezidencë dhe shquhet për latimin me kujdes të rrathëve të rrumbullakët dhe që ka shërbyer si bazament për vendosjen e ndonjë shtatoreje. Dy eksponatet prej gurit i kanë qëndruar kohës, ndërsa tabloja e gdhendur 1.20 me 165 cm,  e cila është thyer në dysh, ruan vetëm pjesën e poshtme deri në një të tretën e kornizës, ku janë bërë vizatime tepër të kujdesshme artistike dhe ku paraqitet dega e një flete të  hardhisë së rrushit, pastaj nga ana tjetër edhe kalaveshi i rrushit,  që lidhen me vija mbi një kupë me verë. Nuk dihet çka përmban korniza në mes, meqë dy të tretat e saj, nuk janë zbuluar. Kjo tablo e gdhendur në gur, duket se ka qenë pjesë e një segmenti të një godine të madhe, ku mund të kenë ekzistuar podrumet e verës, meqë vizatimi është bërë me qëllim për ta parë vendin, ku prodhohej apo mbahej vera.

 

Fshati, Kopiliq i Epërm përmendet në regjistrimin turk të Vilajetit Vëllk të vitit 1455.  Atëbotë, 66 vjet pas Luftës së Kosovës së vitit 1389, fshati kishte 16 shtëpi dhe tre kryefamiljarë të krishterë. Ata ishin Nikollë Dana, Stanko Nikolla dhe Dhimitri Stanko. Nuk është shënuar prania e ndonjë përkatësie tjetër etnike, përveç shqiptarëve ortodoksë. (Dr. M. Tërnava, Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI, Prishtinë 1995, f. 96.).

Hetohet fakti se 66 vjet pas Luftës së Kosovës, në Kopiliq, ishte e pranishme vëllazëria e Nikollë Danait, i cili mendohet të ketë qenë babai i Milushit, Milush, (Miklush, Milesh) apo Milosh Nikollë Dana.

Që, emri Milosh ishte i pranishëm edhe ndër shqiptarët ortodoksë këtë e pranon edhe historiografia serbe. Në studimet serbe lidhur me “Defterët turq të Vilajetit vëllk” nga Bogumil Hrabak dhe Adem Hanxhiq,  hetohet të dhëna lidhur me përkatësinë e banorëve si: Branko arbanas, në fshatin Verboc, ( vep. e cit, f. 51), pastaj Milosh arbanas, Leshi i Milloshit, Brajani vëllai i tij, Mileshi i biri i Miloshit, etj.

Më vonë fshati kishte 27 shtëpi që i përkisnin Nahisë së Vushtrrisë, timarit të Hysein Vardarisë. Në vitin 1477, Kopiliqi numëron 23 shtëpi. (Ibrahim Çitaku, në monografinë “Drenica).

Banorët e sotëm të  fshatit Kopiliq i Epërm, u takojnë lagjeve: Kuçani, Marini, Hatalaku, Kadrolli etj. Të gjitha këto patronime i përkasin gurrës gjuhësore shqiptare.

Është me interes patronimi, Hatalaku, mbase  i vetmi në Kosovë. Ky toponim ka prejardhje nga lindja, por çuditërisht është ruajtur edhe në patroniminë  e shumë popujve.  Horac Hatalak, Sasha Hatalak, Robert Hatalak, Mike Hatalak, Marius Hatalak, Denis Hatalak, Pamela Hatalak e qindra emra të tjerë të pjesëtarëve të  kombeve të ndryshme të botës. (Shtyp në  google, internet)

 

 

Ky antroponim nuk ekziston në fjalorin e gjuhës shqipe, ndërsa në të folmen e Drenicës, fjala hatallak, ( jo hatalak) shënon  zakonisht persona të bezdisshëm dhe të lazdruar. “Ishte hatallak, nuk i le dy gur bashkë”.  Sido që të jetë, ky antroponim është shumë i lashtë dhe me sa dimë ne, ndoshta i vetmi ndër shqiptarë.

Patronimi, Marin-i ka prejardhje nga popullata e moçme katolike, si, Marin Barleti, humanisti i mesjetës dhe hartuesi i  Historisë së Gjergj Kastriotit,  pastaj Marin Spani, Marin Beçikemi, etj. Në Drenicë, afër Skënderajt ndodhet edhe fshati Marinë, që nuk duket se ka të bëjë me fisin Morinë, por është një toponim i gurrës Ilire- romake, që ka mbijetuar deri në ditët tona dhe që rrjedh nga homonimi me prejardhje shqiptare,  Marë, nga Marie, Meriam, Mejrem. Mara e përhitur, etj. Edhe ky emër në trajtën e sotme i përket gjinisë femërore, ndërkohë që emri Marin, Marini i përket gjinisë mashkullore.

 

Është me interes të theksohet me këtë rast se kujtesa serbe për Luftën e Kosovës e vitit 1389, emrin e këtij fshati e lidh me mirazin e bijës së Mbretit Llazër, Marës, e cila ishte bashkëshortja e Vuk Brankoviqit. Ky fakt, të cilin e ka përshkruar historiani i mirënjohur austriak, Hammer, ( Istorija Turskog Osmanskog Carstva, Zagreb 1979,), hedh dritë mbase edhe për vendin ku mund të ketë pasur rezidencën apo pronat Mbreti i krishterë i mesjetës, Llazar Hebrelani. Fshati Marinë kufizohet edhe me fshatin Rezallë, njërin ndër fshatrat e moçme të Dardanisë së lashtë dhe të Drenicës së sotme.

Patronimi Kuçani, i përket gjuhës shqipe dhe mund të jetë  sajuar nga emri i fisit, Kuç-i Kuçi, Kuçani. Ky patronim është i pranishëm edhe ndër pjesëtarë të fesë  katolike ndër kroatë e malazezë.  Patronimi Kadrolli, i përket prejardhjes turke, nga Kadri-oglu dhe ka të bëjë me kohën e  konvertimit fetar, shumë të vonë  të shqiptarëve të kësaj pjese të Drenicës.

Fakti se një fshat nuk ka as nuk ka pasur ndonjëherë xhami, përforcon tezën e pranisë së laramanisë fetare dhe konvertimit të vonë, nga feja e krishterë në fenë islame.

Në këtë fshat jetojnë edhe dy familje të moçme të ashkalinjëve. Po kështu, në Kopiliq  ka jetuar edhe familja kolone e Saviqëve, serbë tashmë të  shpërngulur në Serbi. Pronat e tyre, të cilat Mbretëria SKS ua kishte konfiskuar shqiptarëve me ligjin e Reformës agrare, i kanë  riblerë banorët e lagjes, Kuçani.

Në Kopiliq të Epërm  ende ka gjurmë të kulturës fizike të krishterë, edhe pse ajo ndodhet vetëm në themele, ndërsa e lënë në harresë dhe indolencë të pafalshme. Në varrezat e lagjesKuçani ndodhen themelet, tashmë të shkatërruara, të kapelës së varrezave të krishtere, gurë të latuar, kryqe të punuar nga guri dhe relikte të tjera,  gjithsesi me interes për arkeologjinë. Invalidi i luftës, vëllai i dëshmores, Sala Jashari, luftëtari i lirisë, Xhemajl Sheremet Dërvishi, i lindur në vitin 1952, rrëfen se themelet e Kapellës kanë ekzistuar deri vonë. Ai thotë se godina prej guri, në hyrje të varrezave ishte me dimensione 10 metra e gjatë dhe  5 metra e gjerë. Shumë nga gurët e latuar nga kjo ngrehinë tashmë e rrënuar, ndodhen nën shkurret e varrezave dhe në mure oborresh e shtëpish të fshatit. Shumë prej gurëve,  janë shfrytëzuar edhe për ndërtimin e kullave, apo mureve të oborreve nga banorët e kësaj lagjeje, por edhe të lagjeve të tjera.  Disa metra mbi vendin ku ka qenë “Kapella” e varrezave ende ndodhet një gurë i latuar në formë të kryqit të periudhës bizantine,  me dimensione të mëdha. Ky gurë varri, duhet të ketë qenë i ndonjë personalitet të njohur,  nëse marrin për bazë dimensionet e veçanta, peshën e rëndë dhe masivin guror, i cili i ka përballuar kohës. Ky kryq haset në varrezat e hershme bizantine, mbase edhe ortodokse sllave.

Jo larg Kapellës, te Lumi ku ndodhet pusi “bunari”, i cili mendohet se ishte pronë e dikurshme e kryetrimit të Mesjetës, Milush Kopiliqi, ku janë gjetur edhe enë të lashta të qeramikës. Vizitori i vëmendshëm heton një murosje mjeshtërore të gurëve të latuar, të cilët  vërehen të shkapërderdhur  edhe nëpër kufij arash apo nëpër rrugë të fshatit.

Veterani i arsimit, Aziz Mexhid Abazi, i lindur në Kopiliq të Epërm, në vitin 1942, thotë se gjatë kohës sa ishte në shërbimin ushtarak, në Shkup,  një oficer i rangut të lartë, me përkatësi serbe e kishte pyetur  atë se ishte nga Obiliqi, apo nga Kopiliqi, duke i dhënë të kuptonte se Kopiliqi ishte vendi i lindjes së Milushit, e jo Obiliqi i ndërtuar në kohën e Mbretërisë SKS, në trojet e lokalitetit  Gllabader, afër Prishtinës, ku legjendat serbe kanë sajuar sa e sa emra fshatrash, të cilat sipas studiuesve sllavë lidhen me Luftën e Kosovës, të vitit 1389 dhe Luftën e  Dytë të Kosovës, të vitit 1448.

Prania e derisotme elementeve materiale, zbulimi kohë pas kohe i gurëve të dimensioneve të ndryshme nëpër ara e livadhe, gjetja e më së paku të tre eksponateve prej  guri  të lashtësisë ilire-romake, (të cilët ndodhen në oborrin para Shtëpisë së Kulturës në Skënderaj), tërheqja fshehtas e disa gurëve me mbishkrime nga regjimi okupator serb, në vitet ’70 të shekullit të kaluar,  legjenda e cila thotë se Kopiliqi kishte aq shumë shtëpi gur,i të stisura njëra me tjetrën, aq sa, macja kalonte nga pullazi në pullaz  në disa kilometra largësi, shtrirja e pronave të fshatit prej Kllodernice deri në Rezallë, lënë për të kuptuar se ky vendbanim historik i shqiptarëve të Dardanisë së dikurshme, në të kaluarën ka qenë një qendër e njohur, e shkatërruar dhe e djegur  nga rashjanët e nga turqit, ndoshta edhe e goditur rëndë nga tërmetet.

I një rëndësie të veçantë është një gurë mozaik, me dimensione 40.50 cm, të cilin ka e gjetur në vendin e quajtur “Mullini i Malës”, në Kopilq të Ulët,  koleksionisti më i pasionuar u gurëve, në Drenicë, Ferat Dërguti nga Rezalla. Ai ka  ngritur një konglomerat muzeal etnografik, në oborrin e shtëpisë së tij dhe padyshim se është i vetmi i këtij lloji në Kosovë.

Kopiliqi i Poshtëm

Fazli Shala, babai i dëshmorit të UÇK-së,  Sejdi Shala  nga fshati Kopiliq i Ulët, tregon se deri në vitet e para të Luftës së Dytë Botërore, administrata serbe, fshatin Kopiliq e kishte konvertuar, në Obiliq. Në dokumentet zyrtare të banorëve të këtij fshati shkruhej: Gornji Obiljiq dhe Donji Obiljiq.  Vetëm pas Luftës së Dytë Botërore ishte rikthyer emërtimi, Kopiliq i Epërm dhe Kopiliq i Ulët, (apo i Poshtëm, emërtim i sajuar  sipas konfiguracionit gjeografik), ashtu sikur kishte qenë gjithmonë, por  serbët e kishin falsifikuar me rastin e ripushtimit të Kosovës, në vitin 1918, duke injoruar emrin origjinal dhe duke e emërtuar sipas versionit zyrtar të shtetit serb.

Edhe tani, 622 vjet pas Luftës së Kosovës, fshati Kopiliq i Drenicës ruan toponime e antroponime, gurë e mbishkrime nëpër gurë të kohës së “Motit të madh” dhe të heroit të Mesjetës, i cili ishte përvetësuar nga historiografia serbe, duke i ndërruar edhe përkatësinë e vërtetë etnike. Për kryetrimin e mesjetës mbamendja jonë kombëtare ka ruajtur tetë këngë epike heroike, me rreth 3400 vargje, që përbëjnë një epos kombëtar, shumë të fuqishëm, por mjerisht të lënë në harresë nga institucionet tona arsimore e kulturore.

Kopiliqi është një fshat i ndarë në dy pjesë, ashtu sikur është Prekazi, Abria e shumë fshatra të tjera, jo vetëm të Drenicës. Ndarja ka të bëjë me konfiguracionin gjeografik, nga vendi i shënuar si më i lartë, më poshtë apo i Epërm i Ulët, i Poshtëm etj. Në mes të pronave të Kopiliqit ndodhet Turiçeci, fshat i cili nuk del i shënuar në regjistrimin turk të vitit 1455. Banorët e Kopiliqit mendojnë se ky fshat është futur në formë turiri në mes të Kopiliqit të Epërm dhe atij të Ulët.

Në defterët turq të Vilajetit Vëllk, të vitit 1455 fshati Kopiliq i Ulët kishte rreth 40 shtëpi, ndërsa në regjistrimet e viteve 1566-1572, numri i shtëpive ka rënë në 10, aq kishte edhe Kopiliqi i Epërm, një qind e njëzet vjet më parë.   Rënia drastike e numrit të banorëve shpjegohet me pësimet e banorëve të hershëm të këtij fshati i cili iu kishte nënshtruar represionit të Portës, mbase për shkak të  therjes së Sulltan Muradit të Parë nga Milosh Kopiliqi. Lidhur me shpërnguljen e mundshme të banorëve të këtij fshati përnjëherë pas Betejës së Kosovës të vitit 1389, kemi një të dhënë interesante që ka shënuar një oficer serb 100 vjet më parë.

Në vjeshtë të vitit 1912, derisa forcat okupatore serbe kishin pushtuar Elbasanin, kapiteni serb, Çajkanoviq ndër të tjera ka shënuar: Derisa po qëndroja me togën time në rrethe të Elbasanit, vendësit më dëftuan se aty, në një vend afër Elbasanit ishin disa shqiptarë që mbaheshin se ishin pasardhës të Milosh Kopiliqit…

( Visaret e Kombit I, Tiranë, 1937, f.12.)

Lidhur me praninë e patronimit Kopiliqi ndër shqiptarë, një të dhënë me interes e sjell edhe veprimtari dhe studiuesi, Ramadan Pllana në studimin e tij “Dëshmi të kohës”, botuar në rubrikën “Dëshmorët”,  në www.radiokosovaelire.com. Faqe 4.

Ai thotë se në fshatin Druar të Vushtrrisë ka familje që edhe sot mbajnë mbiemrin, Kopiliqi.

Edhe pse banorët e Kopiliqit kanë prirje të besojnë se bëhet fjalë për një fshat të ndarë në dy pjesë, për dallim nga Kopiliqi i Epërm që nuk njeh patronime fisnore, banorët e Kopiliqit të Ulët thonë se u përkasin fiseve Gash dhe Shalë, emra karakteristikë të fiseve shqiptare që nga mesjeta.

Lagjet janë: Hyskaj, Kurulli, Guci, Balaj, Çavolli etj

Në fshatin Kopiliq i Ulët janë shënuar edhe toponimet me emra faltoresh si Kisha e Bahorit, Kisha e Gurit. Kopiliqi është ndër fshatrat jo rrallë të Drenicës ku nuk janë ngritur xhami, edhe pse popullata në tërësi i përket fesë islame.

Manastiri i Deviqit dhe deformimi i historisë

Në mes të fshatit Rezallë dhe fshatit Llaushë ndodhet edhe kisha apo Manastiri i Deviqit, e vetmja kishë ortodokse e Drenicës, të cilën brez pas brezi e kanë ruajtur shqiptarët, ndërsa e kanë përvetësuar serbët për qëllime të politikës së tyre eskpansioniste.

Sipas burimeve serbe, Kishën e Deviqit e ka ndërtuar,  Gjergj Brankoviqi në vitin 1434, në shenj nderimi për shërimin e vajzës së tij, të mitur, emrin e së cilës e ka marrë edhe kisha më vonë Manastiri. (Vikipedia serb. internet). Në atë Manastir e kishte varrin edhe prifti endacak, Joaniku, apo murgu me emrin  Gjoni i Deviqit, apo Gjon Endacaku.

Duhet të pranohet e vërteta se emri i këtij Manastiri njihet dhe është vizituar nga banorët e Drenicës, sidomos nga gratë e moshuara, të cilat e kanë konsideruar si Kishën e tyre të moçme ortodokse, të ruajtur brez pas brezi,  si kujtim për fenë e të parëve. Plaka e gra të Drenicës, fshehtas e hapur kanë vizituar Manastirin nga shekulli në shekull, deri në vitet para Luftës së UÇK-së. Ky Manastir u ruajt edhe nga ushtarët e UÇK-së, gjatë tërë kohës së luftës,  por në revoltat e 17 dhe 18 marsit të vitit 2004, u dëmtua nga protestuesit,  të cilat ishin zemëruar me mbytjen e tre fëmijëve shqiptarë të fshatit  Çabër në lumin Ibër  dhe konsiderohej me të drejtë se një serb, apo disa sish, fëmijëve shqiptarë u kishin ndërsyer qentë dhe ata nga frika kishin rënë dhe ishin mbytur në lumin e rrëmbyeshëm.

Fakti se kjo është kisha e vetme ortodokse në Drenicë, kishë e cila nëpër shekuj ka mbijetuar dhe nuk është lejuar të shkatërrohet nga vetë shqiptarët, flet në radhë të parë për tolerancën fetare, edhe pse serbët këtë kishë  e kanë përvetësuar si faltore serbe, e ndërtuar në kohën kur prijësit serbë kishin prishur kishat e moçme katolike dhe i kishin modifikuar sipas stilit bizantin e sllav.

Kishat e tjera ortodokse në Drenicë nuk janë ruajtur, ndërsa fatin më të keq e kanë pësuar kishat latine, iliro-romake, të cilat në mesjetë u dogjën nga rashjanët dhe nuk u ngritën dot nga shqiptarët të cilët, në rrethana të caktuara historike kishin pranuar islamin. Me gurët e kishave të shumta në Drenicë janë ngritur ato pak xhami, në disa fshatra, të kësaj treve të mirënjohur, kryengritëse, të Shqipërisë.

 

 

Ruajtja e manastireve ortodokse,  nga shqiptarët,  nuk është bërë me qëllim për ta ruajtur kulturën fetare serbe

Ruajtja e manastireve ortodokse,  nga shqiptarët nuk është bërë me qëllim për ta ruajtur kulturën fetare serbe, meqë nuk ka pasur asnjë arsye të vetme për një mirëbërësi të tillë, por thjesht sepse shqiptarët islamë këto manastire e kisha i kanë ruajtur si vlera fetare të të parëve dhe kulturës së tyre të moçme fetare. Andaj,  pretendimi se këto kisha e manastire kanë qenë dhe janë serbe, janë  pretendime krejtësisht  antihistorike, përveç në vendet, ku së bashku me kishat kanë mbijetuar edhe banorët serbë nga mesi i rajasë, si në Graçanicë, Mitrovicë dhe përgjithësisht në disa kisha e manastire  në lindje të Kosovës. Askush nga studiuesit e pa anshëm të historisë nuk e ka mohuar as e mohon praninë e popullatës sllave, në trevat e Kosovës e më gjerë edhe gjatë mesjetës. Ata gjithnjë kanë qenë në numër shumë më të vogël sesa popullata shqiptare, meqë në asnjë regjistrim, qysh nga regjistrimi i parë i vitit 1455, që asokohe kishte ndërmarrë administrata e Perandorisë turke, në sanxhakun e Vushtrrisë, më vonë në regjistrimet e Shkodrës dhe në sanxhaqe të tjera, nuk del dominues numri i serbëve në Kosovë.

Serbët, teorinë e tyre antihistorike e kanë mbështetur në përkatësinë fetare të banorëve, duke përjashtuar në tërësi elementin ortodoks shqiptar, i cili dihet mirëfilli se ishte shumicë, jo vetëm në mesjetë, po në vazhdimësi deri në konvertimin e plotë.

Nga regjistrimet e banorëve gjatë shekujve të kaluar, mësojmë se nuk mund të ishte serb, personi që ishte deklaruar si: Dimiter Dimitri, Todor Mati,  apo Nikollë Petri,  ashtu sikur nuk ishin shqiptarë, personat që ishin shënuar si Dimitar Dimitrijeviq,  Teodor Matiç, apo Nikola Petroviq, etj. Këtë identifikim gjuhësor të të regjistrave e ka shpjeguar më së miri Dr. Muhamet Tërnava në librin e tij “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI, Prishtinë 1995”.

Ruajtja dhe përkujdesja gati edhe fanatike  që kanë treguar shqiptarët për disa nga kishat e manastiret  ortodokse, që konsiderohen si serbe, jo vetëm në Kosovë, na bën të mendojmë se një përkujdes i tillë ka qenë i nxitur edhe nga pashallarët vendorë, me siguri me dije të Portës dhe është bërë, me qëllim të ruajtjes së identitetit fetar të besimtarëve të rrezikuar nga keqbërësit, që nuk ishte e thënë të ishin kurdoherë pjesëtarë të shumicës. Janë shënuar shumë  raste, kur “misionarë” tinëzarë serbë gjatë futjes së tyre ilegale në vendbanimet shqiptare,  apo duke u paraqitur me identitet të rremë, u jepnin flakën manastireve, vrisnin zakonisht murgjit, dhunonin murgeshat, dhe për këtë fajësonin pushtetin dhe shqiptarët.

Në librin e tij “Nëpër Serbinë e Vjetër” udhëpërshkruesi, Milosh Milojeviq,  i cili pranon verë se ishte futur në Drenicë  me identitet të ndërruar dhe kishte vizituar  disa nga kishat e manastiret serbe në Kosovë, ka shënuar të dhëna groteske dhe fantastike, të cilat vështirë se gjenden edhe në përrallat popullore serbe për “Bash Çelikun”.

Milojeviq, i cili thotë se kishte vizituar Kosovën diku në gjysmën e dytë të shekullit 19-të, na jep një pasqyrë krejtësisht në shpërputhje me realitetin. I nisur nga qëllimi për të arsyetuar tezat antishqiptare të Ilija Garashaninit, në ”Nacertanijen” e tij raciste, Milojeviqi përshkruan një botë krejtësisht ireale, me elemente të fantastikës dhe mitikës fetare serbe, duke ecur fërkemeve, nga ku sipas tij ishte zhvilluar “Lufta e Kosovës e vitit 1389” duke gjetur, në çdo fshat mbishkrime me çirilicën serbe, duke parë sesi të gjitha xhamitë ishin ndërtuar me gurët e kishave, sesi shumica  serbe ishin bërë arnautë, serbë të arnautizuar, ndërsa serbët që ruanin fenë e tyre i gjen me pakicë të konsiderueshme, duke konstatuar se arnautët vrisnin përditë me dhjetëra madje edhe qindra serbë.

Shkrimet e këtij fantastiku mitik  nuk meritojnë të merren seriozisht, por duhet pasur parasysh faktin se e tërë literatura shoviniste dhe antishqiptare serbe e shekullit 19-20 u mbështet në gënjeshtrat dhe falsifikimet e tij tepër naive.

Duke parë këtë fushatë të marrë, të cilën e përkrahte pushteti, arkimandriti iluminist serb, Ilarion Ruvarasi, ( 1823-1905 ) kishte stigmatizuar këta trabantë të nacional-shovinizmit serb duke ironizuar se ata kanë gjetur serbë, jo vetëm në Ballkan po kudo në botë, madje edhe në Kinë. Duke folur për rrëfimet fantastike të Milojeviqit,  Ruvarasi ka thënë se ai nuk ishte asgjë më shumë se një sharlatan, ndërsa duke folur për “darkën e prijësve” një natë para fillimit të Betejës  së Kosovës, të vitit 1389, Ruvarasi hedh  dyshime që kanë bazë realiste duke konstatuar se nuk ka bazë historike për ekzistimin e këtyre prijësve, ashtu sikur nuk ka të dhëna për tradhtinë e Vuk Brankoviqit. Mitet e kanë mjegulluar të vërtetën historike dhe këngët popullore nuk mund të interpretohen si të dhëna reale, historike. Ruvarasi, me gjykimin e tij realist ka tronditur opinionin romantik nacionalist në Serbi, duke insistuar që historia të mbështetet në të dhëna dhe jo në krijimtarinë gojore.

Literatura:

  1. Dr. M. Tërnava, Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI, Prishtinë 1995.
  2. A. Qeriqi: Milush Kopoliqi serb apo shqiptar? Prishtinë 2003
  3. Ibrahim Çitaku, monografia “Drenica”, botim i vitit 2004.
  4. Jozef von Hammer” Istorija Turskog-osmanskog carstva. Zagreb 1979.
  5. Qerim Dalipi, www.kosovo.net.
  6. Vikipidia, në internet, në gjuhën serbe.
  7. Hamdi Aliu, Rezalla një rrugëtim lirie, Prishtinë 2008.
  8. Visaret e Kombit I, Tiranë, 1937.
  9. Ramadan Pllana në studimin “Dëshmi të kohës”, në rubrikën “Dëshmorët” www.radiokosovaelire.com.
  10. Google, Hatalak etj,
  11. M. Milojeviq “Dela Prave Stare Srbije”, Beograd, 1872.
  12. Bashkëbisedues në fshatin Kopiliq: Fazli Shala, Xhemajl Dervishi, Aziz Abazi.

Bashkëbisedues në Rezallë: Mehmet Jetullah Rezalla,  Selman Aruçi, Ferat

Dërguti, Hamdi Aliu.

 

(Një ndihmesë të pa kursyer  në evidentimin e vendeve ku kam hulumtuar të dhënat e prezantuara në këtë studim,  në fshatrat Likoc,  Rezallë dhe Kopiliq,  më kanë dhënë,  Murat Musliu, Ismet Sopi, Elez Durmishi dhe  Ferat Dërguti.).

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË - I

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – I

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, …