Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Kosova, një histori e shkurtër deri në pavarësi IV

Betejat në arenën politike e diplomatike

Më 6 shkurt 1999 nisi Konferenca paqësore për Kosovën në Rambuje të Francës, me ndërmjetësimin e Grupi i Kontaktit dhe pjesëmarrjen e delegacioneve nga Kosova dhe Serbia. Konferenca zgjati 17 ditë dhe përfundoi pa sukses, për shkak të kushteve të papranueshme që Serbia i kishte vënë Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar. Delegacioni i Kosovës pranoi propozimi-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës. Delegacioni serb mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos iu lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë ne kuadër të Kombeve te Bashkuara. Më 18 mars delegacioni i Kosovës nënshkroi marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb nuk pranoi. Pas 6 ditësh nisën bombardimet e NATO-s kundër forcave ushtarake të Serbisë.

Si rezultat i konferencës së Rambujesë ishte marrë vendim për krijimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, të cilën nuk e pranoi LDK-ja, meqë ajo njihte për legjitime Qeverinë e improvizuar të Bujar Bukoshit. Hashim Thaçi ishte zgjedhur  kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ndërhyrja e forcave ajrore të Aleancës Veri-atlantike, NATO, kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë, e cila filloi me 24 mars, shënoi fillimin e bombardimeve për 78 ditë mbi ato caqe. Më 10 qershor të vitit 1999, forcat serbe të Milosheviqit nënshkruan kapitullimin, në Kumanovë të ish-RJ të Maqedonisë, me ç rast ishin obliguar të tërhiqeshin nga Kosova të gjitha forcat ushtarake e policore serbe por edhe tërë administrata shtetërore me të gjithë dikasterët.

Kosova, në bazë të Rezolutës 1244 ishte nën Protektoratin e Këshillit Sigurimit të Organizatës Kombeve të Bashkuara, çka nënkuptonte Administrimin e përkohshëm të Kosovës nga misioni i UNMIK-ut, i cili  udhëhiqej nga Autoriteti i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Forcat e UÇK-së hynë në Prishtinë më 11 qershor, ndërsa forcat e këmbësorisë së NATO-s hynë nga Shkupi më 12 qershor të po atij viti.

Themelimi i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, ndodhi si rezultat i një kompromisi mes demilitarizimit të plotë të UÇK-së, që për kohën, në verë të vitit 1999 konsiderohej se do ishte veprim i rrezikshëm, dhe formimit sa për sy e faqe të një organizate civile për raste emergjente dhe deminimin e territorit të vendit pas luftës, e cila u quajt TMK. Në aktin e demilitarizimit të UÇK-së, që parashihej edhe nga vendimet e Konferencës së Rambujesë, mori pjesë kreu i luftës së UÇK-së dhe pikërisht për këtë mijëra luftëtarë të lirisë iu binden verbërisht këtij veprimi, meqë shpërbërja e UÇK-së ishte nënshkruar nga kreu politik dhe ushtarak i luftës, nga Hashim Thaçi dhe Agim Çeku.

Shpërbërja e TMK-së është bërë me pajtimin e të gjithë faktorëve relevantë vendorë dhe të huaj. Shpërbërjen nuk e ka kundërshtuar kreu i TMK-së, as Presidenca, as Qeveria dhe as Kuvendi i Kosovës.

Forca e Sigurisë së Kosovës, u formua me 21 janar 2009, pas shpërbërjes se TMK-se FSK-ja ende ndodhet ne fazën drejt formimit te një ushtrie plotësisht funksionale dhe përbehet nga 4000 ushtar aktiv dhe nga 2500 rezerviste.  Kundër formimit të FSK-se është shprehur fuqishëm qeveria e Serbisë. Sipas pikëpamjeve te saj, FSK-ja e forcën, siç thonë ata, me tutje pavarësinë “ilegale” te Kosovës dhe me tutje e shkel Rezolutën 1244 te OKB-se.

Më 29 Tetor të vitit 2000, në Kosovën e administruar  nga paqeruajtësit e NATO-s dhe të mbikëqyrura nga 1000 vëzhgues ndërkombëtarë,  u zhvilluan zgjedhjet e para të lira në Kosovën e çliruar. Ato ishin votimet e para, për organin më të lartë legjislativ në Shtetin e ri të Kosovës. Mirëpo, me kalimin e kohës, sipas Rezolutës 1244, UNMIK-u kishte për detyrë të i ndihmonte vendorët në krijimin e Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës,  së pari u formua Këshillit Përkohshëm Administrativ, në të cilin ishin të përfaqësuara të gjitha grupet politike dhe bashkësitë etnike që jetojnë në Kosovë në atë kohë. Në vitin 2001 nxirret Kornizën Kushtetuese të Kosovës, dokument i cili ishte miratuar me konsensus në mes të strukturave ndërkombëtare dhe UNMIK-ut në njërën anë dhe atyre vendore të KPA-së. Në bazë të Kornizës Kushtetuese filloi ndërtimi i institucioneve vendore nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Ndërkombëtarët i njihnin të drejtat për krijimin e institucioneve vetëqeverisëse, si ato qendrore ashtu edhe lokale, përmes zgjedhjeve të lira dhe votës së lirë të qytetarëve për të dy nivelet e pushtetit.

Fillimi bisedimeve në  Vjenë  më 20 shkurt 2006

Në pallatin Daun-Kinski të Vjenës më 20 shkurt 2006 kishin filluar bisedimet  direkte mbi statusin e ardhshëm të Kosovës. Pjesëmarrësit e dy delegacioneve me nga tetë anëtarë fillimisht i kishte takuar i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari. Negociatat fillimisht i kishte zhvilluar zëvendësi i Ahtisaarit, Albert Rohan. Përveç tij, bashkësinë ndërkombëtare e përfaqësojnë i dërguari i BE-së, Stefan Lehne, një përfaqësues i Amerikës  dhe dy përfaqësues të UNMIK-ut.

Bisedimet e Vjenës nuk sollën asnjë rezultat konkret, meqë delegacioni serb kishte bërë të ditur paraprakisht se nuk do të pajtohej me pavarësinë e Kosovës.

Pas bisedimeve në Vjenë, Kosova  tashmë kishte fituar të  drejtën që të ketë kryetarin e Shtetit, Qeverinë si dhe Kuvendin e përbërë nga 120 ulëse, 100 ulëse për deputetët e zgjedhur nga vota e lirë, ndërsa, pavarësisht nga rezultatet e zgjedhjeve dhe numrit të fituar të votave, 10 ulëse janë të rezervuara për deputet e minoritetit serb si dhe 10 të tjera të rezervuara për minoritetet tjera si turq, egjiptas, boshnjak, ashkali, rom etj.). Kryetari dhe Kryesia e Parlamentit, Komisionet dhe Grupet parlamentare dhe Qeverinë e Kosovës.

Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit te pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt 2008. Atë ditë Kryeministri Hashim Thaçi në Kuvendin e Kosovës, para kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi,  109 deputetëve të pranishëm si  dhe para kryetarit të Kosovës, Fatmir Sejdiu,  shpall Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.   Më 17 shkurt të vitit 2008 Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Në një mbledhje ku morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur.

Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar kërkoi vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme. Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Më 22 korrik 2010, Gjykata konstatoi se Deklarata e Kosovës për Pavarësi, nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Literatura:

Historia e Popullit  Shqiptar, Shtëpia Botuese  “TOENA”. Tiranë, 2002.

Lëvizja Popullore e Kosovës 1981-1989.

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, Wikipedia, internet.

Kristo Frashëri: Skema politike e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Enver Hoxha kishte planifikuar të sulmojë Jugosllavinë? – Gazeta Tema 3. 4. 2013.

Dr. Jakup Krasniqi: Kthesa e madhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Prishtinë, 2006.

Dr. Jakup Krasniqi: Pavarësi dhe personalitete, Prishtinë 2012.

Radio-Kosova e Lirë, Arkivi i luftës I II III. Prishtinë 2009

Historia e UÇK-së,  Wikipedia.org/wiki/ Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Dokumente: Raport mbi punën e Komisionit të Këshillit Ekzekutiv të Kosovës në vërtetimin e deformimeve dhe keqperdorimin e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror në Kosovë, 1 nëntor 1966 (8)

Dokumente: Raport mbi punën e Komisionit të Këshillit Ekzekutiv të Kosovës në vërtetimin e deformimeve dhe keqperdorimin e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror në Kosovë, 1 nëntor 1966 (8)

T: Policia dhunonte gratë të praqitura si palë! Moto: Mt:Mallevrizimet me mallin e kontrabanduar dhe …