leoni

Ahmet Qeriqi: “Lumi i vdekur”, i Jakov Xoxës, roman i papërsëritshëm në letërsinë shqipe

Ahmet Qeriqi: “Lumi i vdekur”, i Jakov Xoxës, roman i papërsëritshëm në letërsinë shqipe

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

( Disa veçori dhe segmente krijuese të romanit, Lumi i vdekur)

Jakov Xoxa, pa dyshim se është shkrimtari që ka prekur majat e krijimtarisë letrare dhe nuk di se cili shkrimtar tjetër shqiptar do të mund të krahasohej me të, sa i përket zhanrit të romaneve realiste  të kohës, kur ai ka jetuar dhe ka shkruar.

Për dike është vështirë të përcaktohet  se është Xoxe, Agolli apo Kadare shkrimtari më i madh shqiptar, i kohë së realizmit, por unë me lehtësi i lejoj vetes të konstatoj se Jakov Xoxa me tri romanet e tij: “Lumin e vdekur”, botuar në vitin 1965, “Juga e bardhë” në vitin 1971  dhe “Lulja e kripës” në vitin 1978, deri sot është shkrimtari më i madh shqiptar edhe për faktin se  shumë kohë ka qenë, por edhe po mbetet më i lexuari ndër të gjithë  shkrimtarët e tjerë të kohës kur jetoi dhe shkroi.

Është shkruar shumë për veprën e Xoxës dhe për të kanë shkruar edhe shkrimtarët e mëdhenj shqiptarë, studiuesit e letërsisë, kritikët letrarë dhe  lexuesit e pasionuar të veprave të tij.

Vepra e Xoxës më sjellë në kujtesë romanet: “Zherminal” nga cikli “Rougon-Macquart” i Emil Zolës, “Doni i qetë” i Mihail Shollohovit, “Kasollja” e Blasko Ibanjezit,  “Emigranët” roman i Wiliam Mobergut, romanin “Ararat” të Llajosh Zillahut, “Krishti i rikryqëzuar” i Niko Kazanzaqit  e vepra të shkrimtarëve të njohur të realizmit të shekujve të kaluar, të cilët në qendër të angazhimit të tyre letrar kanë pasur njeriun e thjeshtë, fshatarin, punëtorin e shfrytëzuar, skamjen, mjerimin, vdekjen nga puna e rëndë dhe kataklizmin  njerëzor në shoqëritë e caktuara feudale, borgjeze e kapitaliste.

Asnjë shkrimtar shqiptar, para dhe pas Xoxës, nuk ka arritur të futet aq thellë në shpirtin e njeriut, në psikologjinë, karakterin e mentalitetin e tij, në atë botë njerëzish që kishte arritur deri në atë shkallë kataklizme si pasojë e shtypjes, shfrytëzimit, vuajtjes dhe e katandisje njerëzore gjatë shekujve të robërisë, rezultatin gati fatal që  kishte sjellë robëria e pandërprerë shekullore  duke e degraduar atë jetë njerëzish  deri në mizori, nga sunduesit, shfrytëzuesit, të vendit e të huaj  dhe duke e trajtuar  njeriun  në nivelin e kafshës.

Romani “Lumi i vdekur” zbulon lakuriq jetën e zvetënuar, të degraduar e të katandisur të kombit shqiptar të fillimit të Luftës së Dytë Botërore, kur katrahura do të shpërthente ashtu sikur kur “ngjallej” Lumi i vdekur dhe i merrte me vete dhe i katandiste të gjallët, por edhe të vdekurit, sepse edhe atyre eshtrat e mbetjet  ua nxirrte në sipërfaqe.

Duke qenë njohës i jashtëzakonshëm i shpirtit të njeriut, i jetës shqiptare në përgjithësi, njohës  i tërë traditës gojore, fetare, krahinore, njohës i shkëlqyer i rrethanave shoqërore dhe kontradiktave klasore të kohës, Xoxe ka arritur në mënyrë fenomenale të ndërtojë  një galeri të tërë personazhesh, që lëvrijnë në çdo faqe të romanit, secili me tiparet, karakterin, veshjet, zakonin, gjuhën, shprehjet dhe rropatjet e pandërprere me qëllimin primar, për të siguruar bukën dhe për të mos vdekur urie, ndërsa beu, agai, qehaja, kryeplaku, xhandari, tregtari, secili duke u munduar të nxjerrë sa më shumë fitime mbi kurrizin e fshatarit të degdisur në katrahurën njerëzore.

Në temën që ka trajtuar në romanin e tij, Xoxe i ka dhënë letërsisë shqipe një monument letrar, një piramidë që nuk e rrënon dot koha, sepse vuajtja e shfrytëzimi i njeriut nga njeriu janë po aq të lashta sa vetë shoqëria njerëzore, ato do të jenë pjesë përbërëse e saj krejt derisa të ekzistojë njerëzimi. Edhe sot kemi po të njëjtat kontradikta edhe më të thella  të ndarjes sociale  së botës në krejt pak të pasur e në miliarda të tjerë të varfër e të katandisur.

Për dallim nga shkrimtarët e shumtë realistë të kohës, Jakov Xoxa shqiptarin e përshkruan në një kohë dhe hapësirë të caktuar, të vuajtur e të stërvuajtur, krenar në nderin e tij, deri atje ku nderi e humb edhe kuptimin në ballafaqim me vdekjen, trim deri atje ku trimëria barazohet me absurdin, të moralshëm deri atje ku morali katandiset, sepse instinkti i njeriut për të jetuar është instinkt i lindur i vetë qenies, andaj  edhe kur jeta është në nivelin më ulët të ekzistencës, ai e do atë e dashuron dhe mundohet me çdo kusht ta bëjë më të mirë.

I tillë është, Pilo Shpiragu i Xoxës, pastaj Leksi, Koz Dynjaja, Sylejman Tafili, Adili, Vita e shumë të tjerë, njerëz të thjeshtë sikur të mbëltuar  nga dheu i kësaj toke nëpër të cilën ecin, punojnë, rropaten dhe jetojnë krejtësisht nga djersa e tyre, por prodhimin final të punës me mund e djersë, e merr beu, agai, xhandari. Ata ia marrin të dhjetat, taksat, tatimet për çdo fitim, madje edhe për vrasjen e një rosaku, ndërsa  bujku që është rropatur  tërë vitin nuk e gëzon as edhe gjysmën e prodhimit të mundit të tij. Por edhe në atë gjendje, ai jeton mbase edhe me  shpresë për një ditë të lumtur,  por edhe  rrëfimet e Biblës e të Kuranit, për botën e paqen e përtejme  e kanë humbur krejtësisht kuptimin dhe besimin në to.

Njeriu i Xoxës është pjesë e përditshmërisë, që nuk i bën përshtypje askujt, sepse edhe kleri, prifti, mullai, hoxha, edhe ata marrin pjesën nga djersa që ka derdhur bujku e punëtori për të siguruar kafshatën e gojës për familjen  dhe për veten.

Shqiptari i Xoxës i fund-viteve të 30 të shekullit 20-të, ishte njeriu më shpresëhumbur i kohës, ishte njeriu që po jetonte duke u tërhequr zvarrë si një qenie e lënduar në tërë organizmin, por që në shpirt  kishte  një shkëndijë jete, që e bënte të mos dorëzohej, kishte në shpirtin një si ahmarrje ataviste të mbushur me besim në të ardhëm të shprehur përmes Koz Dynjasë: “Hip bej hip mbi shpinën time, se në të hipsha unë njëherë, nuk kam për të zbritur kurrë.”

 

Lumi i Vdekur

Shqiptari i katandisur nga beu   i Muzeqesë dhe kosovari i dëbuar nga pushtuesi serb

 

 

Drama e shqiptarit, të cilën e ka përshkruar në romanin e tij është dramë specifike, autentike,  shqiptare,  dramë e  dy pjesëve  të Atdheut të robëruar e të katandisur, të cilët fati i keq i bën bashkë me një han të Myzeqesë, secilin në rravgimet e brengat e veta, secili në përpjekje për të mbajtur frymën, për aq sa ajo mund të mbahej. Jo rastësisht, Xoxe ka marrë këtë subjekt për ta trajtuar në romanin e tij.

Deri te ky roman, në letërsinë tonë realiste  nuk kemi ndonjë personash të veçantë të kosovarit të kohës, përveç te Mitrush Kuteli, në “Poem kosovar” sikur është një   Asim Qerim që  mbin si nga toka, pikërisht si feniksi nga hiri i vet dhe në kacafytje me Krajlin e serbin, që ia ka marrë tokën, që e ka bërë rob në tokën e tij dhe që e ndrydh dhe e shtyp ashtu si beu  myzeqarin nga Griza.

Është merita kryesore e romanit ideja e përshkrimit të jetës së familjes nga Kosova, e cila e lë Kosovën  në borë dhe në Shqipëri, gjen dimër.

Shkrimtar realist dhe njohës fenomenal i rrethanave sociale që kanë mbretëruar në kohë dhe hapësirë të përshkruara në roman, Xoxe, del të jetë pa asnjë dyshim njohësi më realist i karakterit dhe i temperamentit të shqiptarit nga Kosova, i cili edhe pse i katandisur nga robëria shekullore,  ka ruajtur më shumë ndjenjën e kundërvënies,  sesa myzeqari apo shqiptari i Shqipërisë së kohës. Kujdesi që ai ka treguar në skalitjen e personazheve nga Kosova është i veçantë dhe është kryekreje realist, pa fshehur një dozë të simpatisë që ka shprehur dhe që  është për çdo nder e lavd, sepse dhembja e tij për gjysmën e atdheut të mbetur nën robëri, ishte ndjenja e pastër njerëzore e kombëtare e kolosit të letrave shqipe.

Si në asnjë vepër tjetër, kosovari i kohës, i cili pas pak vitesh do të shpërthejë në kryengritës historik në kosovarin e Mitrush Kutelit, është njeriu i cili lufton për jetë a vdekje dhe bëhet një me idealin e mbijetesës dhe duke u ndodhur përballë katrahurës, duke mos pasur shteg tjetër për të jetuar ai vepron sipas traditës: “e djeg veten e të përvëloj ty”. Ngjashëm vepron edhe Adili. Ai nuk i frikësohet, beut as xhandarit, nuk i frikësohet  askujt, sepse frikën ia ka vrarë zaptuesi i atdheut, të cilin kurrë nuk e ka harruar dhe jeton e përjeton të gjitha katrahurat me të vetmin qëllim për t u kthyer me pushkën krahut andej nga kishte ardhur. Ai, ndryshe nga myzeqarët vendës shpirtin e tij kryengritës e shpreh kudo ku ndodhet. Merr nga jeta atë që dëshiron dhe që mendon se i takon. I del zot dhe e rrëmben Vitën, me të cilën ishin njoftuar dhe dashuroheshin, dhe të cilën babai i saj e kishte përplasur në mëshirën e bejlerëve, për ta bërë kurban, për pjesën tjetër të familjes, për Shpresën e vogël që nuk kishte parë asnjë hije shprese për mbijetesë.

 E kundërta e Adilit është Llazi, djali i Pilo Shpiragut, vëllai i Vitës. I edukuar në frymë të ngushtë fetare e patriarkale ai shpërfill dashurinë e motrës për të zgjedhurin e saj, e urren atë, e urren Adilin madje e denoncon dhe është në gjendje ta vrasë, por nuk shpreh guximin e mjaftueshëm. Ai dhe krejt familja e tij frikësohen se mos Vita po u sjellë fatkeqësi, sepse natyra e kishte falur me hiret e bukurisë dhe si e tillë, qoftë edhe vetëm si femër konsiderohej  “mollë e sherrit”.

Vita është plot jetë. Ajo me instinktin e lindur të femrës, për të dashuruar dhe për të krijuar familje,  çan rrugën vetë dhe nuk përfillë asnjë  pengesë.

E frikësuar tej mase se mos po gabonte, padrejtësisht e përfolur dhe e etiketuar si femër e përdalë, e mbetur pa nënën në moshë të re, e rritur para kohe për të ngarkuar mbi supe barrën e vet dhe të nënës, e cila para se të vdiste i kishte lënë një motër të vogël, të cilën duhej ta rriste, e ballafaquar me konkurrentë të shumtë, që donin ta rrëmbenin apo ta shfrytëzonin, ajo është në luftë me të gjithë dhe me instinktin e femrës,  e cila  me çdo kusht mundohet për të mbijetuar, ajo më në fund edhe ngadhënjen, edhe pse e përbuzur e përfolur, i beson vetës dhe dashurisë së Adilit, dashuri e thellë dhe e pastër e cila  të dy  i detyron të largohen nga  familjet e tyre.

Shqiptari i Myzeqesë dhe ai i Kosovës kanë më shumë specifika që i dallojnë sesa ato që i bashkojnë.  Në përshkrimin që Xoxe iu bën kosovarëve, ai ka zgjedhur familjen e  Sylejman Tafilit, që është një përgjithësim po thuajse tipik i atyre shqiptarëve që shpëtimin nga shfarosja e regjimit serb, e kishin gjetur duke ikur nga Kosova në Shqipëri, dhe të cilët i kishte pranuar regjimi i Ahmet Zogut madje edhe u kishte siguruar tokë e përfitime, për t’ i përdorur pastaj në mbrojte të regjimit të tij.

Kjo është edhe arsyeja pse vendësit  nuk i kishin mirëpritur kosovarët, të cilët kishin falënderuar Mbretin, por nuk ishin bërë vegla të verbëta të tij, përveç në raste të veçanta.  Këtë segment të jetës së kosovarëve në zonat e Muzeqesë, ku Mbreti Zog  i kishte vendosur në tokat e djerra dhe të pa pëlleshme, shkrimtari   e ka trajtuar me një realizëm të jashtëzakonshëm. Asnjë krijues tjetër në letërsinë shqipe para dhe pas Xoxës nuk e ka trajtuar me aq realizëm kosovarin e kohës. Madje kjo ka qenë dhe ka mbetur temë krejt deficitare në letërsinë tonë.

Për dallim nga myzeqari, i cili është kalitur në robëri dhe robëria deri në një masë edhe e kishte përkulur, zvetënuar e degraduar  në përpjekje për mbijetesë, kosovari i Xoxës është njeriu i cili nuk iu ka bindur regjimit të kralit dhe nuk do t i bindet as regjimit të Zogut, sepse e kupton me kohë se sunduesit, qofshin të huaj apo nga kombi  yt, në njëfarë  mase janë të njëjtë. Në ballafaqim me një realitet, të cilin e kishin menduar se do ta gjenin ndryshe në “Nanën Shqypni”, ata mbledhin forcat dhe i rreken punës, për të mos u bërë vegla të bejlerëve dhe për të mos jetuar si parazitë.

Kosovarët, shkrimtari i ka paraqitur më mikpritës, më besnikë, më të përmbajtur më pak dinakë, aspak hipokritë por edhe malokë në krahasimin me myzeqarët e rrahur në vaj e uthull, të cilët në luftë për mbijetesë, edhe pse në pozitën e robit shekullor, ata kishin ndërtuar mekanizma të shumtë mbrojtës dhe të  kundërvënies. Ata i rripte beu e agai, prifti  e qehaja, por gjithsecilit ia punonin me masë, nën rrogoz, në çdo moment  kur arrinin, qoftë për ballë, qoftë pas shpine.

Personazhet e Xoxës në romanin “Lumi i vdekur

Personazhet e Xoxës në romanin “Lumi i vdekur”, qindra syresh, të gjithë dalin të individualizuar përmes gjuhës së tyre shprehëse, apo përmes përshkrimit të jashtëm që iu bën ai. Secili, qoftë edhe një personazh krejt episodik, ka individualitetin e vet, botën e vet të komunikimit në akord me pozitën, qoftë ajo e robit apo e beut, e kosovarit apo e grizarakut, evgjitit apo e gabelit, e gruas apo e burrit, e plakut apo të riut, e plakës apo e nuses dhe e vajzës së re, e klerikut apo e qehajait, banditit, tregtarit, xhandarit, robit dhe tërë një bote njerëzish, ku i shohim të gjithë, ndjemë me hallet e brengat e tyre, disa na dhimbsen, disa të tjerë i urrejmë për të zezat e ligësitë  e tyre, por lexuesi nuk mund të ndihet  gjakftohtë në rastet e dramave dhe tragjedive që i përshkruan shkrimtari.

Në asnjë roman tjetër të letërsisë shqipe nuk janë skalitur dhe nuk dalin të pranishëm aq shumë personazhe të individualizuar e të tipizuar, qofshin ata personazhe kryesore apo episodikë. Në këtë segment Xoxe barazohet me shkrimtarin e madh hungarez, Llajosh Zillahi, i cili në romanin “Ararat” ka qindra personazhe, shumica syresh të individualizuar.

Në karakteret e sunduesve, bejlerëve, xhandarëve, qehallarëve, tregtarëve, si Veli e Suat bej Verdhoma, Myftari i Veshnjes, Sabri Kallamatreshi, Gaç Gjanica, Lip Gjanica, Kol Shpërvjeli, Xox Longari,  pastaj të figurat e tipizuara të tërë klasës së plaçkitësve e të parazitëve,  janë spikatur veset e mbrapshta njerëzore, të një klase të gjeneruar njerëzish që kishin trashëguar prona ndër shekujt e robërisë dhe që ndiheshin zotë  të tokave, të pronave të paluajtshme, madje edhe të djerrinave, të ujit e të liqeneve, madje edhe të shpendëve në qiell e peshqve në det e në lumenj. Këto karaktere Xoxa i  ka  përshkruar me vërtetësi e realizëm të thellë si tipa njerëzish të mbetjeve të robërisë shekullore, të atyre njerëzve që iu kishin nënshtruar çdo pushteti, me qëllim për të jetuar jo nga djersa e puna por nga argatllëku, kërrusja, servilizmi, kurdisja, gënjeshtra, hajnia, duke qenë gjithnjë vegël e përdorshme por çdo bej, pasha e sundues.

Përballë kësaj bote të degjeneruar që i mbanë fortë frerët e pushtetit dhe që godet pamëshirë, me qëllim të realizuar qëllimet, shkrimtari ka vënë botën tjetër të karaktereve njerëzore, të njerëzve të thjeshtë nga gjiri i popullit, të cilët edhe pse në varfëri të skajshme buzë katandisej, nuk e kanë humbur njerëzoren brenda shpirtit të tyre, pavarësisht se janë apo nuk janë besimtarë, pavarësisht se shkojnë apo nuk shkojnë në kishë apo në xhami, ata ndihen njësoj të shtypur e të shfrytëzuar dhe përpiqen të mbijetojnë në radhë të parë falë punës e djersës së tyre.

Personazhet si Pilo e Leks Shpiragu, Sylejman e Ferihat Tafili, Koz Dynjaja, Ki Grëmi, Adili, Vita, Teto Sofa, Dafina, Sanija, Zenepja, Teto Konxheja, Llazi, Karilla Trifon Kulari, Kozma Ndreka, Pip Kedhi,  Tonxh Marini, dhe tërë një galeri e individualizuar dhe e tipizuar  në pikëpamje letrare përbëjnë botën e fshatarësisë shqiptare të kohës, njerëzit e thjeshtë me hallet e jetës. Në këtë mes, Xoxe ka skalitur edhe personazhe të klerit ortodoks, si  Prifti i Trokthit, Papu Atanasi, murgj e priftëresha,  të cilët po ashtu zhvatin fshatarët dhe mundohen ta kenë sa më mirë me beun e again, me xhandarin e zyrtarin, cilido qoftë ai i krishterë apo mysliman.

Kjo është bota e personazheve që ka vënë në lëvizje shkrimtari në romanin e tij, “Lumi i vdekur”. Ata manifestojnë ndjenjat  e rravgimet e tyre, përfaqësojnë sojin e klasën e tyre në një botë kontradiktash tejet të thella dhe në armiqësi të thellë njëra me tjetrën, një botë tipike shqiptare e mbarsur kurdoherë me ligësi e mbrapshti…

Gjuha, stili, përshkrimi

Duke qenë njohës fenomenal i gjuhës së gjallë të popullit, i frazeologjisë, filozofisë dhe mençurisë popullore, shkrimtari, jo vetëm që e ka begatuar veprën  e tij,  por edhe ka treguar me shembuj konkretë  se sa e gjerë, sa e thellë, sa e pasur e sa e vlerë është gjuha shqipe, e vetmja digë historike, e vetmja  njësi shprehëse komunikuese, që ruajti kombin e trazuar buzë shpërbërjes fatale  nga mujsharët e botës.

Me stilin e rrëfimit deri edhe natyralist, me përshkrimet e thella e të gjithanshme të fenomeneve qofshin ato të natyrës, të motit e të klimës, të stinëve, të përtëritjeve e ngurtësimeve të tokës, të botës shtazore, ujore, tokësore e ajrore, të shpendëve e peshqve, të gjësë së gjallë veç e veç, të florës e faunës, madje edhe të mizave e insekteve, të acarit  e vapës, të veglave të punës dhe jo vetëm këto, Xoxe përshkruan një botë të tërë në lëvizje dhe me fuqinë e gjuhës që rrëfen, me fuqinë e invencionit që radhit rrëfimet,  të fut në një botë, në botën e tij të pakufishme të imagjinatës,  ku si vrojtues i asaj që përshkruhet  në këtë roman, nuk mund të ngelësh vetëm si lexues i rëndomtë, por fitohet përshtypja se ai me fuqinë magnetike të rrëfimit, me gjuhën shumë të pasur në shpjegimin dhe  qartësimin  deri në imtësi të çdo rrëfimi, apo fenomeni të veçantë që trajton, të ka uzurpuar dhe të ka futur si me magji me një botë, nga e cila nuk të lëshon të shqitesh,  pa t’ i rrëfyer të gjitha.

Me botën e tij të pasur krijuese, njohjen fenomenale të ligjeve të jetës, të kontradiktave klasore e shoqërore të kohës, të gjuhës e të shprehjeve shumë të begatshme, qofshin të thjeshta apo lakonike, në vëna në gojën e personazheve, shkrimtari na shpalos një botë të tërë shqiptare, në lëvizje, në kohë dhe në hapësirë dhe përmes diapazonit e invencionit mendor e intelektual, ai paraqet atë botë të  njerëzve me të gjitha preokupimet e tyre, ëndrrat, dëshirat, aspiratat, punën e pandërprerë dashurinë e lindur ataviste, për jetën, qoftë ajo e katandisur edhe deri në nivel buzë shfarosjes.

Lexuesi i  vëmendshëm, qoftë ai lexues i thjeshtë apo kritik letrar, krijues, shkrimtar i paanshëm dhe jo xheloz, secili sipas qasjes të tij, doemos se mrekullohet me leximin e këtij dhe romaneve të tjerë të Jakov Xoxës, sepse stili i tij i rrëfimit, bota shumë e pasur krijuese, njohja fenomenale e jetës dhe temës që ai merr në trajtim, gjallëria që krijon me dialogun, gjuha, ritmi i brendshëm i komunikimit,  pasqyrimi i fenomeneve të jashtme e të brendshme të njeriut, merr trajtën e një totaliteti përgjithësues, nga i cili mëson shumë më tepër sesa tërë jetën të analizojë e të hulumtojë rrethanat reale  historike të kohës për të cilën shkruan ai.

Duke folur për krijimtarinë gjeniale të  Balzakut, Karl Marksi kishte thënë se edhe po të ndodhte një kataklizmë dhe po të humbiste krejt literatura zyrtare e Francës së asaj kohe,  po  të shpëtonte vetëm krijimtaria e Balzakut, nuk do të kishte pasur humbje që nuk do të kompensohej. Në rastin konkret analog për nga krahasimi, vepra e Xoxës është pasqyra e gjallë e jetës shqiptare  në vitet, 1938-1939, e cila përshkruhet mrekullueshëm në këtë roman mbi romanet e letërsisë shqipe.

 

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …