Ahmet Qeriqi: Milush Kopiliqi serb apo shqiptar?

Ky libër i autorit Ahmet Qeriqi është kontribut në fushën e studimeve tona. Kjo vepër është me interes për problemet e trajtuara dhe për rezultatet e mbërritura. Lexuesit do të kenë rastin të njihen me pesë punime studimore ku trajtohen probleme të prekura pak ose fare pak nga studiuesit…Dr. Zymer Neziri  Milush Kopiliqi, historia, mitet, legjenda… Të dhënat historike të periudhës së mesjetës bëjnë të ditur se Drenica ashtu sikurse edhe mbarë Kosova në shekullin XII ndodhej e dominuar nga invaduesit dhe sundimtarët serbë, rashianë etj. Në këtë kohë, në periudhën e fundit të sundimit bizantin Drenica ndodhej nën pushtimin dhe sundimin serb.“Treva e Kosovës mbeti nën udhëheqjen e dinastisë Nemanjidase, në gjysmën e dytë të shekullit XII dhe në gjysmën e parë të shekullit XIII. Sundimi serb në këtë trevë qe shekullor dhe zgjati deri më 1455. (Dr. Muhamet Tërnava, Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI, Prishtinë, 1995, f. 20/21)“Depërtimi sllav në Kosovë në shekullin XII, nuk mundi ta pushtojë Drenicën, por kjo ishte feud shqiptar, i krijuar dhe i udhëhequr nga feudali drenicas, Milosh Kopiliqi. Ai me 2000 luftëtarë nga Drenica mori pjesë në Betejën e Kosovës të vitit 1389 kundër ushtrisë osmane, të cilën e udhëhiqte Sulltan Murati i Parë. Sipas disa burimeve, Sulltan Muratin e Parë e likuidoi Milosh Kopiliqi. ( Dr. Islam Dobra, Lufta e Drenicës… Prishtinë, 1997, f. 17.). Motivet arkaike të rrëfimeve gojore shqiptare shquhen për kompozicion të qartë, gjuhë të pasur me figura të begatshme stilistike, vende-vende edhe me përsëritje dhe digresione, por pa e lënduar rrjedhën e rrëfimeve popullore.Ndër personazhet e njohura të rrëfimeve të së kaluarës shqiptare, krahas motiveve të njohura për Skënderbeun, ruhen edhe rrëfime për Gjorg Golemin, Lekë Dukagjinin, Miloshinin, Milush Kopiliqin, e shumë të tjerë. Milosh Kopiliqi është heroi i pakontestueshëm i Betejës së Kosovës dhe luftëtari, i cili në logun e luftimeve vrau Sulltan Muratin, më 15 qershor të vitit 1389, në fushë të Kosovës, në vendin ku është ngritur më vonë Tyrbeja e Sulltanit në Gazimestan, gjashtë kilometra larg Prishtinës. Emri i këtij heroi mitik, i përmasave dhe përmbajtjeve heroike homerike, i ka shërbyer botës së krishtere për të sinonimizuar figurën e trimit të paepur nga radhët e aleancës së krishtere, që e vrau Sulltanin turk. Akti dhe mënyra e vrasjes së Sulltan Muratit nga Milush Kopiliqi janë trajtuar gjerë e gjatë në historiografinë osmane, serbe dhe evropiane. Kush ishte Milush Kopiliqi? (Të dhënat e historiografisë shqiptare) Historiografia mitike sllave, që ka objekt studimi mesjetën, ka mjegulluar realitetin dhe të dhënat e vërteta të jetës dhe të veprës së këtij trimi të lashtësisë. Historia serbe nuk jep të dhëna konkrete për vendin e lindjes, madje as për origjinën, por rrëfen se Milushi ishte djalë i një gruaje me tipare të vrazhda, (od kobile i zdrebe rodjen), i lindur nga atkinja. (T. Vukanoviq, Drenica, Toka e Dytë e Shenjtë Serbe, 1937, ribotuar, Prishtinë, 1998, f. 85). Rrëfimi mitik serb për Milush Kopilin, bën të ditur se mbreti Stefan e kishte gjetur atë si fëmijë jetim shtatëvjeçar dhe e merr në oborrin mbretëror. Milushin e mori në fshatin Kopiliq të Drenicës. Mbreti e paraqiti atë si fëmijë të lindur nga atkinja, meqë e kishte lindur e ëma me kraharor të zhvilluar të përmasave jonormale, saqë, për të ecur normalisht ajo është detyruar t‘i përvjelë gjinjtë për t‘ i hedhur në supe. Vukanoviq, vepra e cituar po aty, f. 85.).Miti serb, të ëmën e Milush Kopiliqit e përshkruan si femër vullgare, uloke. Duke qenë se Milushi kishte mbetur jetim, dhe nuk dihej kush kishte qenë i ati, njerëzit e thërrisnin, i biri i kopilit. Fjala kopil, sipas zbërthimit etimologjik që i ka bërë albanisti më i njohur shqiptar, Eqrem Çabej, është fjalë e gurrës shqipe, që ka depërtuar në të gjitha gjuhët e Ballkanit si në gjuhën greke, serbe, rumune madje edhe në gjuhën turke. (Dr. Eqrem Çabej, “Studime gjuhësore, III, Prishtinë, 1976, f. 73.). Është me interes edhe një fakt tjetër. Përveç patronimit “Kopil”, në historiografinë sllave, por edhe në atë turke, është shënuar edhe trajta Kubiloviq, ose Milesh Kuple. (Lufta shqiptaro-turke në shekullin e XV – burime Osmane, Tiranë, 1968, f. 66.)Trajta Kobiloviq, duket të ketë qenë e përhapur ndër sllavë, meqë kjo lidhet me nofkën pezhorative serbe (od kobile rodjen ) i lindur nga pela… Duke qenë se popullata shqiptare në mesjetë ishte e krishtere, ajo në të njëjtën kohë bashkëjetoi edhe me popullatën pakicë serbe, e cila si popullatë ardhëse, endacake, e kishte dominuarnjë pjesë të trojeve të Arbrit. “Në këtë kohë, treva e Kosovës hyri në kuadrin e shtetit bizantin dhe mbeti në gjirin e tij deri me pushtimin e saj nga ana e serbëve nën udhëheqjen e dinastisë Nemnjidase, në gjysmën e dytë të shek. XII dhe në gjysmën e parë të atij XIII.Sundimi serb në këtë trevë qe shekullor dhe zgjati deri më 1455. (Dr. Muhamet Tërnava Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XIV, Prishtinë. 1995, f. 20-21.) Vendi përreth Qyqavisë, Drenica, dhe pjesa përreth Vushtrrisë ishin prona të pushtuara nga mbretëria serbe. Shqiptarët iu kishin nënshtruar dominimit, ndërsa Mbreti Dushan ishte kurorëzuar në Shkup, në vitin 1346, mbret i Serbëve grekëve i abranasve dhe i vllehëve( Car srbla, arbanasa, vlaha i grka) Enciklopedijski leksikon mozaik znanja, Istoria, Interpres, Beograd, 1970, f. 162).Asokohe, mbreti i krishterë Dushan, që fliste një variant të gjuhës së vjetër sllave, ndërsa gjuhë zyrtare kishte gjuhën greke, me ushtrinë e tij mercenare, të përberë nga sllavët, bullgarët, shqiptarët, vllahët e të tjerë, pushtoi shumë vende të Ballkanit. Shqiptarët në atë kohë, në gjysmën e dytë të shekullit të XIV kishin krijuar principatat e tyre të shumta, të cilat nuk u përballonin dot sulmeve sllave dhe bizantine. Rrëfimet popullore për Milush Kopiliqin janë të shumta dhe janë mjaft të përhapura te popujt e Ballkanit dhe të Evropës Përvetësimi, që historia kishtare dhe ajo oficiele serbe i ka bërë mesjetës në përgjithësi, duke pretenduar ta bindë opinionin evropian dhe atë botëror se Kosova dhe vise të tjera të Ballkanit ishin të banuara vetëm me serbë, ka lënë gjurmë të thella ndikimi në historiografinë evropiane. E vërteta kishtare serbe për Ballkanin edhe sot vazhdon të jetë një e vërtetë e “pamohueshme” për shumë studiues dhe shkencëtarë të shumicës së shteteve të Evropës. Lidhur me këto keqinterpretime skandaloze të së kaluarës shqiptare në mesjetë, historiani i mirënjohur shqiptar, Dr. Muhamet Tërnava, ka shkruar: Vetvetiu imponohet nevoja e domosdoshme e diferencimit sa më të madh nga rezultatet e historiografisë borgjeze (serbe, vër A. Q.), sepse rezultatet e saj të gabuara na mbushin mendjen se çfarë dëmi mund të ketë dija në përgjithësi, e sidomos kjo e historisë, kur asaj i ngushtohen kanalet e frymëmarrjes nga presioni i politikës së kohës, me ç rast dijetari udhëhiqet nga ndjenjat e jo nga arsyeja e shëndoshë shkencore. (M. Tërnava. Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI, Prishtinë, 1995, f. 19.) Një fakt i pamohueshëm i këtij falsifikimi të historisë së mesjetës nga historiografia serbe është edhe përvetësimi i përkatësisë kombëtare të kryetrimit të mesjetës, princit shqiptar, Milush Kopiliq, i konvertuar më vonë në Milosh Obiliq. Tregimet gojore shqiptare nuk flasin për përkatësinë fisnore të këtij trimi. Megjithatë, në një këngë të vjetër historike, të shënuar në fshatin Polac të Drenicës, paragjykohet prejardhja. Llatinka, gruaja e tij, i lexon Milushit letrën kërcënuese që ia kishte dërguar sulltan Murati.(Këngë popullore historike, Prishtinë, 1973. f. 50). Milushi, sipas rrëfimeve tona tradicionale ishte një trim i Drenicës, i cili ishte betuar se do ta vriste Sulltan Muratin, meqë kishte pushtuar vendin dhe kishte shtrirë mijëra çadra në tërë Rrafshin e Kosovës. Milushi ishte dhëndër i mbretit Llazar. Ai nuk e duronte dot vjehrrin, as Vuk Brankoviqin, i cili ishte, po ashtu, dhëndër i mbretit Llazar. Milushi nuk e duronte as suitën e mbretërore të vjehrrit.Në rininë e tij të hershme ka marrë pjesë në beteja të ndryshme si mercenar. E tillë dhe heterogjene në pikëpamje përkatësie ishte pothuajse tërë ushtria e asaj kohe. Ai, me kalorësit e tij nga Drenica luftonte kudo ku i jepej rasti. Pikërisht për aventurat e tij kalorsiake ishte bërë objekt dyshimi për mbretin Llazar dhe për suitën e tij. Duke qenë se kishte natyrë kryengritëse, Milush Kopiliqit i përshkruhen shumë vepra trimërie. Bashkëshortja e tij, Vukosava, e lavdëronte Milushin në prani të motrës, Marës, dhe të suitës mbretërore. E hidhëruar në përshkrimet e trimërisë së motrës, Mara, që ishte më e re se Vukosava, rrëfen trimëritë e burrit të saj, Vuk Brankoviq, i cili ishte i biri i Judit Dimitrit. Në çastin kur Mara e pezmatuar nga krekosja e motrës së madhe ia përmend origjinën e Milushit si bir i një kopili, ajo ia përplasë shuplakë. Zënkat e bijave i dëgjon mbreti Llazar, por edhe dy dhëndurët, Vuku dhe Milushi. Të pezmatuar armiqësisht kundër njëri-tjetrit, ata kërkojnë leje nga prijësi të dalin në dyluftim. Mbreti Llazar aprovon dyluftimin. Milush Kopiliqi, sapo nis dyluftimi me një goditje e rrëzon nga kali kundërshtarin. I mllefosur dhe i gjindosur nga humbja, Vuku akuzon Milushin si tradhtar dhe si njeri të shitur te turqit. Prej asaj kohe, Vuku dhe Milushi, edhe pse miq, do të mbesin kundërshtarë të papajtueshëm.( J.V. Hammer, Historia e perandorisë osmane, Zagreb, 1979, f. 76.)Në qershor të vitit 1389, në kohën kur forcat e krishtera nën komandën e mbretit Llazar po përgatiteshin të luftonin kundër ushtrisë turke, në krye të së cilës ishte vetë Sulltan Murati me të bijtë, Jakubin dhe Pajazitin, në oborrin mbretëror të Mbretit Llazar po mbretëronte kaosi dhe dilema për t‘u ndeshur me turqit në fushë të betejës, apo për të pranuar vasalitetin.(J.V Hammer, Historia e Perandorisë osmane, Zagreb, 1979, f. 75) Princërit e aleancës së krishtere që flisnin shtatë gjuhë të Ballkanit dhe të Evropës: gjuhën sllave, bullgare vllahe, shqipe, polake, magjare etj shfaqin dilemat dhe mosmarrëveshjet e tyre, mbështetur në informacionet që kishin për epërsinë e ushtrisë turke në numër, por edhe në pajisje luftarake. Atë natë, më 14 qershor të vitit 1389, prijësit që e përbënin Këshillin e luftës ishin tubuar në oborrin princëror të mbretit Llazar. Këshilli i luftës kishte caktuar formacionet sulmuese në të cilat ishte vendosur të merrnin pjesë të gjithë kalorësit, por edhe vetëmbreti Llazar, i cili do të sulmonte në ballin e ushtrisë turke. Në anën e djathtë do të sulmonte Vuk Brankoviqi, ndërsa nga ana e majtë do të sulmonte mbreti boshnjak Tvrtko ( Po aty. F. 75). Në krye të forcave shqiptare printe Gjergj Ballsha i Dytë. Milush Kopiliqit nuk iu kishte besuar asnjë formacion sulmues, meqë dyshonin në besnikërinë e tij. Sipas historianit turk, Idriz Bitlis, mbreti Llazar (Lazzogglu,) kishte propozuar që ushtrinë turke ta sulmonin natën, në terr. Ja si e përshkruan ai planin e luftës së aleancës së krishterë, një natë para fillimit të betejës: ‘’Ushtria jonë në krahasim me atë myslimane është më e madhe, (thotë mbreti Llazar) Nëse sulmojmë natën turqit i hutojmë dhe i shpërndajmë. Shumica e sunduesve pabesimtarë e konsideruan të drejtë këtë rezonim të gabuar të tij dhe të gjithë u pajtuan me këtë. Vetëm njëri nga ata shtatë, me emrin Georgi, i cili komandonte ushtrinë me 50.000 ushtarë, tha: Sikur të sulmonim natën, nën mbrojtjen e territ të natës, shumica e myslimanëve do të shpëtonin nga asgjësimi, duke ikur në bjeshkë dhe djerrina.(Salih Trako, Studime orientale, Prishtinë 2002, f. 169).Emrin e prijësit Georgi, në disa vende edhe Jorgi, historiani austriak, Hammer, e identifikon gabimisht me emrin e Gjergj Kastriotit, ndërsa studiuesi i mirënjohur i mesjetës shqiptare, profesor Selami Pulaha, në saje të kronikave dhe të burimeve të kohës konfirmon se është fjala për prijësin shqiptar Gjergj Ballsha i Dytë, i cili po ashtu me mijëra ushtarë mori pjesë në Luftën e Kosovës.Selami Pulaha, parathënie e librit “Lufta shqiptaro-turke në shekullin XV-burime osmane.” Tiranë, 1968, f.13.).Studiuesi i mirënjohur i mesjetës shqiptare, profesor Selami Pulaha, duke u mbështetur në burimet e shumta lidhur me Luftën e Kosovës, të vitit 1389 saktëson se në këtë betejë kanë marrë pjesë vetëm serbët, boshnjakët dhe shqiptarët, dhe jo aleanca e përbërë nga pjesëtarët e shtatë gjuhëve të popujve të krishterë të Ballkanit dhe të Evropës siç shkruan në kronikat turke, dhe në historinë e Hammerit. Vepra e cituar, po aty…Duke qenë se shumica e princërve të krishterë ishin pajtuar që lufta të fillonte sapo të zbardhte dita, Mbreti Llazar kishte përgatitur gostinë për princat, të cilët ishin të sigurt në fitore.Në mbrëmjen e asaj nate, në vigjilje të betejës, Mbreti Llazar pinte për shëndetin e vet, së bashku me prijësit.Pi, për shëndetin tim, edhe pse je i akuzuar për tradhti, i tha mbreti Milush Kopiliqit.-Të faleminderit, tha ai dhe shtoi, dita e nesërme do ta dëshmojë besnikërinë time. Të nesërmen në mëngjes, Milush Kopiliqi, me kalin e tij të madh e të fortë u fut në fushën e betejës, duke kërkuar çadrën e Sulltanit.(J.V Hammer, vepra e cituar f. 75.) Si depërtoi Milush Kopiliqi në çadrën e Sulltan Muratit Lidhur me mënyrën e depërtimit të Milush Kopilit në çadrën e Sulltan Muratit, historianët janë ndarë në dy taborë. Turqit zakonisht pranojnë versionin se Milushi ishte ngritur nga mesi i kufomave dhe i plagosur kishte kërkuar t’ ia merrte dorën Sulltanit. Kokën dhe fytyrën i fërkonte me dheun, dhe me gjak, duke u dridhur në agoni, sikur zogu i patherur, u nis te flamuri i Sulltanit, qajti dhe duke u lutur tha: Unë jam bërë mysliman, kam për t ia thënë një të fshehtë sulltanit… Sado që çaushët u përpoqën ta ndalin dhe ta kthejnë me të rënat e kamxhikut, nuk mundën ta kthejnë nga ajo rrugë. Sulltani lejoi që Milushi t ia puthë dorën dhe ai nxori nga mënga një thikë të helmuar, të cilën ia nguli në bark sulltanit.( Salih Trako, Beteja e Kosovës e vitit 1389 në historinë e Idriz Bitlisit, botuar në Studime islame, Prishtinë, 2002, f. 174.).Një përshkrim më të plotë kësaj ngjarjeje i ka bërë historiani turk, Enveriu, i cili në vitin 1464 shkroi në vargje veprën e quajtur “Libri i Vezirit”. Ky historian përshkruan madje edhe zënkat në mes të mbretit Llazar dhe Milush Kopilit, i cili duke qenë i paditur për tradhti, thotë: Nesër ke për të parë se a jam njeri i drejtë apo tradhtar.(Lufta shqiptaro-turke në shekullin XV, Tiranë 1968. f. 36)Pa shpjeguar rrethanat se si u gjend Milush Kopiliqi te çadra e mbrojtur nga të gjitha anët e sulltan Muratit, historiani turk Enveriu, kështu e përshkruan zhvillimin e ngjarjes.I mallkuari Milush i ra kalit, iu afrua Sulltanit, dhe tha: Unë jam ban Milushi, do ta puth dorën tënde dhe tash e tutje do të futem në fenë tënde. Ai zbriti nga kali dhe të gjithë kujtuan se vërtetë do t ia puthte dorën sulltanit, i cili i kishte hipur një ati kër. Milushi kishte fshehur një hanxhar brenda rrobave të veta. E goditi sulltanin me hanxharin e tij, dhe duke iu vërsulur sipëri e rrëzoi nga kali. Mbas kësaj ushtarët iu hodhën Milushit duke e goditur kush me ushtë, kush me naçake dhe biçake dhe e bënë copë e grimë.( Po aty, f. 38.)Kronikat osmane të shekullit të 15-të japin një variant tjetër të aktit të vrasjes së sulltan Muratit nga Milush Kopiliqi. Shumë ushtarë turq shkuan për ta ndjekur armikun dhe Padishahu mbeti në një vend me disa besnikë të tij. Mirëpo, një i pafe, i lyer këmbë e kokë me gjak, qëndronte i shtrirë dhe i fshehur midis kufomave. Ai e shihte sulltan Muratin. U ngrit nga ku ishte shtrirë dhe e goditi mbretin me hanxhar.( po aty faqe 53-54).Rrëfimet e kronistëve dhe të historianëve turq, lidhur me aktin e vrasjes së sulltan Muratit nga Milush Kopiliqi shpeshherë janë kontradiktore dhe të njëanshme. Në kronikat turke, që prezantojnë shënimet e kohës, mungon emri i vrasësit, Milush Kopiliqi. Ndërsa akti i vrasjes përshkruhet si akt i sulmit të befasishëm prapa shpine nga një i pa fe, i plagosur rëndë.Në rrëfimet e disa historianëve turq përshkruhet mënyra se si Milush Kopiliqi i ka mashtruar turqit për të shkuar deri te sulltani. Një kontradiktë, po ashtu e pakalueshme, ka të bëjë me faktin se si ka qenë e mundur që një i plagosur për vdekje, duke ecur këmbë e duar, t‘i ofrohet sulltanit, të rrëmbejë atë nga kali dhe t‘ia ngulë hanxharin? Në disa përshkrime ai paraqitet duke iu rezistuar deri në vdekje edhe sulmuesve të shumtë, çaushëve të cilët ishin kurdoherë përreth mbretit.Në shënimet që sjellë historiografia turke, nuk kemi një pasqyrë besnike të përshkrimit të aktit të vrasjes së sulltan Muratit. Pikërisht për këtë, në këto kronika dhe shënime, përveç njëanshmërisë dhe gjuhës së skajshme të urrejtjes, kundër mbretit Llazar, e sidomos kundër Milush Kopiliqit dhe të gjithë të krishterëve, mungojnë edhe të dhëna të plota të besueshme, të cilat do të saktësonin realisht vrasjen e sulltanit, por edhe humbjen e madhe të Aleancës së krishtere të Ballkanit.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …