Ahmet Qeriqi: Mujsharët arnautë-boshnjakë në ciklin e “këngëve të kreshnikëve” I

Ahmet Qeriqi: Mujsharët arnautë-boshnjakë në ciklin e “këngëve të kreshnikëve” I

Këngët e Kreshnikëve janë të pranishme ndër shqiptarë dhe ndër  boshnjakët myslimanë. Këto këngë nuk janë të njohura në Shqipërinë e Mesme apo të Jugut, po ashtu nuk janë të njohura as te popujt e tjerë të Ballkanit.

Fakti se Muji e Halili janë persona me emra myslimanësh, si te shqiptarët ashtu edhe të boshnjakët, jep për të kuptuar se këto këngë, në formën sikur janë shënuar nga mbledhësit e folklorit, në Bosnje e Hercegovinë, në Krahinën e Sanxhakut,  në Kosovë dhe në Shqipërinë e Veriut i përkasin kohës së konvertimit të shqiptarëve dhe boshnjakëve në fenë islame. Tema bosht e këtyre këngëve dhe ngjarjeve që përshkruhen në to i përket luftës së myslimanëve kundër shkizmatëve, ( shkive) kundër magjarëve dhe përgjithësisht kundër të krishterëve. Në të gjitha këngët e këtij cikli madhërohen trimat myslimanë, si luftëtarë dhe  si njerëz me moral dhe burra  të drejtë, ndërsa stigmatizohen  krishterët ortodoksë, shkiet si njerëz të ligj e të pabesë. Askund nuk përmenden të krishterët katolikë, të cilët kanë qenë shumë të pranishëm në Shqipërinë e Veriut për edhe në Mali të Zi, në Zarë dhe në tërë bregdetin e Adriatikut.  Këngët e këtij cikli nuk na japin asnjë shembull kur Muji e Halili, Arnaut Osmani apo Tale Budalina të kenë luftuar kundër të krishterëve perëndimorë, katolikë, nëse këngëtari anonim ka evidentuar ndonjë dallim fetar mes të krishterëve lindorë dhe atyre perëndimorë. Po duhet se dallimi i tillë në kohën e krijimit dhe këndimit të këtyre këngëve nuk ka ekzistuar.

Këngët e Kreshnikëve ruajnë shumë elemente ende të pastudiuara, me të cilat nuk është marrë sa duhet dhe si duhet folkloristika jonë, në të kaluarën, ndërsa  tani e tërhequr ne vetvete, është bërë anemike dhe gati e harruar.

Në parathënien  e librit: “Këngë të Kreshnikëve”, të Dr. Zymer Nezirit, njohës dhe studiues i këtyre këngëve, thuhet: Parimi kryesor për përgatitjen e këtij vëllimi ishte parimi i shtrirjes gjeografike të këngëve të ciklit të Mujit e të Halilit ndër ne. Krahas këtij parimi, është përfillur edhe ai i pasqyrimit të vlerave më të mira artistike dhe është zbatuar gati në të gjitha rastet, përveç atëherë kur binte ndesh me parimin e parë. Njëkohësisht është zbatuar edhe parimi i vazhdimësisë historike të përpjekjeve, ndonëse të vonuara, për botimin e këtyre këngëve, që nga Gustav Majeri (1897)Gaspër Jakova- Merturi (1904) e deri më tash. (Dr. Zymer Neziri, Këngë të Kreshnikëve, Prishtinë, 2009.).

Nuk janë shënuar polemika të mirëfillta lidhur me autoktoninë e këtyre këngëve, apo të krye personazheve edhe pse studiuesit boshnjakë pretendojnë, mbase me të drejtë, se kemi të bëjmë me një cikël autokton boshnjak, duke u mbështetur sidomos në toponimi, në antroponimi  dhe në shumë elemente të tjera, të cilat realisht, vështirë se mund të kontestohen. Vetë emërtimi “Këngët e Kreshnikëve” lidhet me Krahinën  e Krjashnikëve në Bosnje (Krajishniçka krajina).

Prania e këtyre këngëve ndër shqiptarët e veriut të Shqipërisë  dhe në  Kosovë, na bën të kuptojnë se shqiptarët në kohën e Turqisë shtriheshin thellë në Bosnje dhe për këtë kemi po kështu shumë antroponime që dëshmojë praninë e hershme të shqiptarëve në viset e Bonjës e Hercegovinës, si Muriqi, Shkreli, Klementiçi, nga Kelmendi, Gashiqi, Grudiqi, Shekullarci, Aranutoviqi, Zotoviqi, Dashiqi  etj. ( A. Q. Në gjurmim të lashtësisë, Prishtinë 2002.)

Nuk është gjurmuar autoktonia e këtyre këngëve mbase edhe për faktin se tërë toponimia i përket Bosnjës, Jutbinës, Krajishkës, Klladushës-Glladushës, Kotorreve në Zetë, tani Mali i Zi, Budimi në Hungari, Lugjet e verdha, diku në Veri të Shqipërisë,  etj.

Në portalin boshnjak Dzematrahic.ba thuhet se babai i Mujës ishte turk, i cili kishte ardhur në Bosnje së bashku me Fadil Pashën dhe ishte vendosur në kasabanë e muhafizllëkve në Knin, tani në Dalmaci.  Ai ishte martuar me motrën e Hyrem aga Kozliçit, një ajan i njohur u Utbinës. Nga ajo martesë kanë lindur Muja, Halili dhe Omeri. Babai i tyre ishte vrarë në një betejë dhe tre vëllezërit kishin mbetur jetimë…

 

Studiuesi boshnjak, Nexhib Vuçelj, në një studim të tij rreth origjinës së Mujit e Halilit shkruan:

Në popullin tonë janë të njohura si këngë krajishnike, mbase edhe për faktin se më së shumti iu kanë kënduar Mujit e Halil Hrnjiçit, motrës së tyre Ajkunës, Tale Liçaninit, ( Tale Budalina) Xhuliq Bajraktarit, Mehë Dizdareviqit,  ( Dizdar agë Osmani, ose Arnaut Osmani) dhe trimave të tjerë nga Krajishna e Bosnjës. (Internet, Bosnjaci.net. Nexhib Vuçelj.)

 

 

Studiuesi, Zymer Neziri nuk pajtohet me studiuesit boshnjakë lidhur me përkatësinë apo origjinën e këngëve të Kreshnikëve. Ai shkruan: “Me këto tipare Muji i këngëve tona të lahutës është një përgjithësim artistik origjinal, një figurë tipike e ambientit shoqëror shqiptar, që nuk ka gjë të përbashkët me atë që janë përpjekur të paraqesin disa studiues – si personazh me prejardhje historike, të rritur në kushtet e luftërave kufitare turko-sllave të shek. XVII (të viteve 1620-1680). (Dr. Zymer Neziri, Këngë të Kreshnikëve, Prishtinë, 2009.).

Këngët e kreshnikëve shquhen me elemente dhe specifika të shumta artistike, stilistike, krahas rrëfimeve heroike. Në këto këngë përveç hiperbolës, hasim edhe groteskun, që është figurë jo edhe aq e pranishme në  krijimtarinë popullore shqiptare, përveç në gojëdhëna e përralla.

Cikli i këngëve për Mujin e Halilin, analog me ciklin e njohur të boshnjakëve, ka qenë dhe ka mbetur i njëjtë në rrëfimin e bëmave dhe të motiveve. Këto këngë janë kënduar  nga rapsodë, që  në të kaluarën këndonin në dy e tri gjuhë. Ngjashmëria ka të bëjë me ngjarjet, emrat, motivet por edhe në toponiminë kryesisht boshnjake edhe në tekstet shqipe të këtyre këngëve.

Disa nga hiperbolat në mënyrën si përshkruhen “trimat e çartur”,  Muji dhe Halili

Në traditën folklorike shqiptare, është e pranishme hiperbola por edhe grotesku, që janë karakteristike sidomos për ciklin e Këngëve të Kreshnikëve. Këto dy figura stilistike i përshkojnë të gjitha këngët e këtij cikli arkaik, i pranishëm te shqiptarët në veri dhe te myslimanët e Bosnjës.

Kur Muji flinte në mal dhe merrte frymë, nga frymëmarrja e tij fletët e rëna të dushkut ngiheshin dhe binin.

Kur Muji kishte shkuar te Mbreti, skamca e tirqve të tij ishte ngatërruar në sixhadenë e Mbretit dhe kur ai ishte ngritur në këmbë e kishte tërheqë prapa sixhadenë dhe Mbretin bashkë. (Kënga Muji te Mbreti)

Qaty Muji neper fushë ka dalë,

E ka ba ai nji piskame te madhe,

Jane shembe kullat deri  n’  themele,

 U trand deti me hy brenda,

Kanë gjemue malet si për mot t’lig ! ( Fuqia e Mujit) Këngë kreshnikësh

Ose

Sa idht me shpatë ai paska sjellë

300 shkie me njehere i paska pre,

300 gjoku me shlema po i mbyte ( Visaret e Kombit   faqe 261)

 

Hiperbola të tilla të shumta në ciklin e Këngëve të Kreshnikëve, janë ta karakterit zbavitës, larg realitetit dhe rrëfimit të caktuar të një ngjarjeje të historisë. Pavarësisht nga kjo, vënia në lojë e pushtuesit, paraqitja bardh e zi e realitetit, përçmimi i forcës së armikut, tej zmadhimi i forcës kundërshtare kanë qenë dhe kanë mbetur fakte jo vetëm në krijimet e anonimëve tanë, por edhe në këngët e popujve të tjerë të Ballkanit e më gjerë,

Duket se këto këngë, përveç ciklit të këngëve për Gjergj Elez Alinë, që është epos tipik heroik shqiptar, me të gjitha elementet madje dhe homerike, cikli i këngëve i Mujit dhe Halilit më tepër ka karakter argëtues, duke rrëfyer aventura të ndryshme, duke përshkruar situata fantastike me elemente të shumta të hiperbolës dhe groteskut, në shpërputhje të plotë  qoftë edhe me një element realist.

Për dallim nga këngët historike, këngët e trimërisë, këngët me motive sociale, këngët e dashurisë, këngët humoristike satirike, cikli i këngëve të kreshnikëve na del krejtësisht i veçantë, me vetë faktin se përmbajtja e këtyre këngëve i takon së kaluarës, kohës së konvertimit fetar dhe përkrahjes së idesë së asimilimit. Personazhet e këtyre këngëve janë myslimanë që sulmojnë harambashët e krishterë, janë të përkëdhelur të Sulltanit, edhe pse nganjëherë nuk e përfillin, por i nënshtrohen vullnetit të Allahut dhe të Sulltanit.

Të gjitha këngët e Kreshnikëve fillojnë me vargjet karakteristike

Lum për ty për Zotin të lumin

Qi s jem kanë e Zoti na ka falë! ( Visaret e kombit, Shkodër 1937, faqe 236)

 

Në shumë variante kemi edhe dy vargje të tjera

Na ka falë e na  ka ba myslimanë

Qi e dimë dinin  hak taman!

Afërsia që ka ky cikël i këngëve tona me ciklin homolog boshnjak, sidomos prania në tërësi e toponimisë boshnjake duket se përcakton edhe gjenezën e këtyre këngëve, që ruhen edhe te shqiptarët, dy popuj të Ballkanit që pranuan islamin dhe nuk u kthyen në fenë të parëve pas çlirimit nga Perandoria Osmane, sikur kanë bërë shumica e popullatës greke, bullgare, serbe,  hungareze, rumune, moldave etj.

 

  1. Grotesku i Bali Katravellës

Një figurë e përbashkët stilistike e këngëve të këtij cikli është grotesku, i cili  në përshkrimin dhe  paraqitjen e Mujit tejkalon seriozitetin e epikës tipike dhe të njohur shqiptare, madje duke u afruar edhe me këngën e cila stigmatizon  trimërinë fodulle dhe krekosjen  sikur është kënga e Bali Katravellës, e cila duket  se i takon të njëjtës periudhë kohore, edhe pse ajo  stigmatizon një personazh të caktuar, me emër e mbiemër, por i  panjohur. Duket se këngëtari anonim, personazhin e Bali Katravellës, e ka sajuar me qëllim për t’ ia kundërvënë hiperbolave të trimërisë së kreshnikëve, me qëllim të përqeshjes dhe stigmatizimit.  Kjo përforcon edhe faktin se ky cikël këngësh  origjinën e vërtetë e kishte në Bosnje, ndërsa prania e këngëve të tilla ndër shqiptarë mund të ketë rezultuar me një këngë stigmatizuese, e cila vë në lojë trimërinë fodulle të kreshpëruar dhe në të shumtën  e rasteve trimërinë naive, madje edhe në formë virtuale.

 

Kënga humoristike, satirike e Bali Katravellit

 

Lum për Ty, për Zotin të lumin,

Qi s’ jem kanë e Zoti na ka falë.

Ishte kane ai,  Bali Katravelli

E kish pas’ shallin prej guxhufit,

E kish pas’ pushkën prej kakudit,

I kish pas’ fishktë prej pasulit,

E kish pas’ shpatën prej shavarit,

E muzdrakun prej bishtit të pacërkës,

E kish pasë gjok,  veshmadhin

E po e çon me mathë, te nallbani,

Ja mbathë pengjet prej  kungullit t’ misirit,

Po ja ngjat  thumbat prej murrizit,

Ja ka qitë një shalë të qershisë

Po ja jep dizginat t’ kerpnajes.

 

Gjokut në shpinë Balia i kish ramun,

Me një arë t livrueme  ish kane ramun

Haz dizginave Balia jau  kish dhanun,

Nji hap para tre   mrapa  po shkon.

 

Maje bjeshke Balia  kishte dalun,

E po i gjen një 300 gabelë,

Midis tyne, Balia po del

Ishin pre magjupt një derr,

Ishin rrokë ata  per një gabzherr,

Sheri i tyre per nje pale mushkri,

Copë e grimë tanë i paskan gri.

 

Kjo këngë humoristike, sipas mendimit tim,  mbi të gjitha është një parodi për këngët e kreshnikëve, një shpërfaqje tjetër e këngëtarit anonim popullor, i cili ka përqeshë në mënyrë reale kalorësit zulmëmëdhenj “donkishotët” e këtij cikli të këngëve  të kohës së konvertimit fetar. Këngëtari anonim popullor ka  sajuar  me mjeshtri një person anonim, duke  e përshkruar atë si  një kukull dhe duke përqeshur kalorësit “zulmëmëdhenj”, kalorësit e shpifur e të improvizuar. Ky përshkrim është fantastik dhe unikat në folklorin tonë të traditës, por është lënë anash nga folkloristët  tanë, me namuz kombëtar, meqë vë në lojë kreshnikët, të cilët, disa nga këta studiues i mbiçmojnë  dhe nuk e pranojnë as eposin boshnjak, duke e paraqitur si epos, të cilin ua paskëshin vjedhur shqiptarëve.

Për nga mënyra e këndimit, sidomos me vargjet e para, kjo këngë i takon ciklit të këngëve të kreshnikëve, sepse fillon me dy vargjet e para ku lavdërohet Hyji, i cili ka krijuar njeriun dhe njerëzimin. Në shumë këngë kreshnike evidentohen edhe dy vargjet pasuese të cilat flasin për konvertimin dhe lavdërimin e fesë islame:

Zoti na  ka falë e na  ka ba myslimanë

Qi e dimë dinin  hak taman.

 

Po ashtu mënyra e ndërtimit të veprimit dhe përshkrimit të kalorësit i cili përgatitet për një betejë është krejtësisht e ngjashme me këngët e kreshnikëve.

Bali Katravella  me elementet ndërtimit të tij si kalorës, përshkruhet si kukull që nuk e flet asnjë fjalë por që përgatitet për një aksion me një pushkë të gjatë, nga  degë kakude,  me fishekë të fasules, me shpatë prej shavari, me mëzdrak pocërke, pastaj përshkruhet, veshgjati, përgatitja e tij për luftë, mbathja e veshgjatit te nallbani dhe nisja për aventurë.

Në këngët për Mujin Halilin kemi po kështu motivin e përgatitjes për luftë, kur trimat dërgojnë atin te mbathtari dhe e porosisin t’ ia mbathë këmbët me hekur, me thumba çeliku, me mëzdrak e helmetë po ashtu prej çeliku, me mburojë që nuk shpohet,  etj.

Referencat:

Dr. Zymer Neziri: “Këngë të Kreshnikëve” Libri shkollor,  Prishtinë, 2009

Portali boshnjak Dzematrahic.ba

Internet, Bosnjaci.net. Nexhib Vuçelj.

Fuqia e Mujit, Këngë kreshnikësh

Visaret e kombit, Shkodër 1937, faqe 236,

Visaret e Kombit, Shkodër 1937  faqe 261)

  1. Q. Në gjurmim të lashtësisë, Prishtinë 2002.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në tendën tonë në Rreze të Baliqit vijnë për të na vizituar eprorët e operativës: Xhavit Sadrijaj dhe Muharrem Sylejmani. (E martë 20 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Në tendën tonë në Rreze të Baliqit vijnë për të na vizituar eprorët e operativës: Xhavit Sadrijaj dhe Muharrem Sylejmani. (E martë 20 prill, 1999)

Është një ditë tanimë e rëndomtë, në tendë. Vazhdimisht po bën mot i lig. Edhe …