Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit, - Halit Gashi

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit, – Halit Gashi

Lufta e UÇK-së, betejat e shumta dhe fitorja vendimtare kundër forcave kriminale serbe, Çlirimi e më pas Shpallja e Pavarësisë së Kosovës,  kanë lënë dhe po lë gjurmë në të gjitha zhanret e krijimtarisë, në poezi, prozë, roman, publicistikë, në studime të ndryshme, monografi për dëshmorët,  në artin figurativ, e mbi të gjitha në këngët folklorike, aq të dashura e të preferuara nga publiku ynë, jo vetëm në Kosovë po kudo në trojet shqiptare.

Deri tani në Kosovë janë krijuar dhe përditë këndohen mijëra këngë për dëshmorët e martirët. Janë qindra këngëtarë, madje ndër më të njohurit që kanë kënduar e këndojnë këngët e tyre më të përkushtuara për dëshmorët. Në mesin e tyre ka edhe luftëtarë-këngëtarë, madje edhe shumë të njohur, të cilët edhe gjatë luftës, në kohën e pakët të pushimit, kanë marrë në duar çiftelinë dhe iu kanë kënduar bashkëluftëtarëve të tyre.

Në luftën e UÇK-së kanë rënë dëshmorë e martirë edhe shumë emra të njohur si këngëtarë, në mesin e tyre  edhe Beqir Gashi, Mujë Krasniqi, Muhamet Malësori, Bejtë Rexhepi, Shaqë Avdia, Feriz Krasniqi e të tjerë.

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit, - Halit Gashi

Këngët e dëshmorëve, kudo në Kosovë dhe në trevat e tjera, janë këngë nderimi e përkushtimi, janë këngë të amanetit të dëshmorëve, këngë krenarie e heroizmi, këngë që sjellin në kujtesë luftën dhe qëndresën heroike të trimave e trimëreshave shqiptare, të cilët dhanë jetën “si me le, për liri e për Atdhe”. Andaj këto këngë, mbajnë edhe vulën e kohës, meqë në tekstet e tyre shfletohen fragmente të veçanta të trimërisë, të cilat radhiten në faqet e ndritura të historisë, si tërësi, duke krijuar më në fund “kurorën” e madhe të lavdisë së përjetshme, e cila kurrë nuk harrohet dhe kurrë nuk tretet, por kthehet e rikthehet si histori, e cila na tregon ku kemi qenë dikur, ku jemi dhe për ku po rrugëtojmë.

Në mesin e këngëtarëve luftëtarë, zëri  dhe kënga e të cilit buron sikur nga istikamet e luftës, është edhe Halit Gashi, luftëtar i lirisë, bashkëluftëtar i Mujë Krasniqit, i Beqir Sefë Gashit e shumë të tjerëve.

Halit Gashi

Për dallim nga të gjithë këngëtarët e këngëtaret e vendit tonë, që u këndojnë dëshmorëve, luftës së UÇK-së, çlirimit dhe pavarësisë së vendit, për disa segmente të caktuara dallohet, sidomos  këngëtari i mirënjohur, luftëtari me kallash në dorë i UÇK-së,   Halit Gashi, tani këngëtari  me çifteli në dorë i UÇK-së.

Me zërin e tij melodik, me kordat harmonike, të qëndrueshme dhe shumë-tingëllore, me kujdesin e veçantë në shqiptimin e pastër e të begatshëm të fjalës, togfjalëshit e fjalisë gjatë këndimit, këngëtari, Halit Gashi, i referohet këngës me përkushtim, seriozitet, emocion të veçantë dhe arrin që atë nivel të këndimit ta mbajë në një tempo, prej fillimit deri në mbarim, duke mbajtur gojëhapur dëgjuesin.

Mënyra në dukje shumë e  lehtë e këndimit, njëzimi me këngën dhe përmbajtjen e saj, përjetimi i thellë emocional, sidomos i këngëve për dëshmorët, për bashkëluftëtarët, të cilët prore i defilojnë në kujtesë edhe gjatë këndimit, bën që ai të këndojë me shpirt, me tërë përkushtim, me qëllim për të dhënë  nga vetja e vet sa më shumë, sepse të këndosh për më të dashurit, të cilët nuk i ke më në jetë, nuk është punë e lehtë, por pasi është detyrë, pasi është amanet i tyre, ai përmbush atë amanet edhe përmes këndimit, për ta bërë të pavdekshme jetën dhe veprën e tyre, duke iu kënduar, sepse vetëm trimat hyjnë dhe qëndrojnë për jetë në këngë, të tjerët hyjnë e dalin, sipas kushteve e rrethanave.

Kënga e Halit Gashit është këngë tipike e zonës së Dukagjinit dhe e Drenicës e shprehur edhe me elemente të tjera jo krahinore, por që janë tipare unike të këngës shqipe me karakteristika të përgjithshme, por edhe me elemente të veçanta e origjinale.

Në këto treva ku kënga, sidomos kënga e trimërisë dhe e ngjarjeve historike kurrë nuk ka ndaluar, edhe frymëzimi ka qenë i veçantë, por edhe përpjekja e këngëtarëve për ta përjetësuar heroizmin e çlirimtarëve gjatë shekujve, në radhë të parë është kuptuar si obligim, meqë veprat atdhetare të trimave nuk guxojnë të harrohen, pasi fjalët për ta  janë sikur gurët,  me të cilët ndërtohen kështjellat. Secili gur veç e veç nuk ka ndonjë vlerë, por kur të gjithë të radhiten nga mjeshtri i ndërtimit,  një nga një në mur, ato përbëjnë tërësinë e një ngrehine, qoftë ajo shtëpi e thjeshtë, qoftë kullë tradite, faltore apo kështjellë. Edhe fjalët në këngë janë sikur gurët, sepse “gurë mbi gurë bëhet kalaja… “.

Halit Gashi, qoftë duke kënduar solo apo me këngëtarë të tjerë, dallohet me specifika të këndimit, sepse e zotëron këngën, e pushton dhe njëzohet me të, e përjeton me përkushtim e seriozitet.

Këngët e tij më të preferuara janë këngët për dëshmorët, mbi të gjitha kënga për komandantin e tri luftërave tona çlirimtare, Tahir Sinanin, e cila ka vlera antologjike të këndimit shqip jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë…

E veçantë e këngëve  të Halit Gashit është edhe teksti i tyre i shkruar me emocion, vëmendje e qasje artistike me përkushtim e profesionalizëm, pavarësisht se kush i shkruan ato. Po ashtu është në nivel të shquar artistik edhe orkestrimi  muzikor, ku dominojnë çiftelia e sharkia, dy instrumentet më të preferuara për veshin dhe shijen e shqiptarëve të kësaj pjese të Atdheut. Luftëtari i lirisë, këngëtari i UÇK-së, Halit Gashi udhëton bashkë me këngën, prej atje ku e kishte lënë përgjysmë Mujë Krasniqi e Beqir Gashi. Ai e shpie më tutje amanetin e tyre dhe shumë të tjerëve, rrugëton me këngën e lirisë që i veshët truallit, ashtu si dikur xhamadani trimërisë, i Mic Sokolit.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. Zholi

Albert Z. ZHOLI:  Dita Botërore e  librit dhe e kriza e së drejtës së autorit në Shqipëri

 Dita Botërore e  librit dhe e kriza e së drejtës së autorit në Shqipëri Shqipëria …