Ahmet Qeriqi: Përse Nasho Jorgaqi konteston poezinë e Nolit, “Merr e zgjidh”?

Studiuesi i mirënjohur i letërsisë shqipe, shkrimtari dhe publicisti ndër më të dalluarit, Nasho Jorgaqi, njëri ndër njohësit më të mirë të jetës dhe veprës së Fan Nolit, në një shkrim të tij mohon që poezinë: “Merr e zgjidh” ta ketë shkruar, Noli i madh. Në arsyetimin e tij, Jorgaqi ka sjellë mjaft “fakte e argumente” të cilat i ka vënë në shërbim të idesë për “ruajtjen e kredibilitetit” të Nolit, meqë sipas tij, në këtë poezi ai ka shkarë në vlerësime të gabueshme, edhe pse shkrimtari e di mirë se poezia humoristike e sarkastike, ka po këtë qëllim, pikërisht këtë shkarje, jo me qëllim të stigmatizimit por të fshikullimit të veseve e nopranive njerëzore, pse jo edhe ato veset e ligësitë  shqiptare, të cilat nuk dallojnë aspak nga ligësitë e popujve të tjerë. Madje, Noli, Çajupi, Fishta, Kuteli kanë shkruar sa e sa poezi fshikulluese kundër shqiptarëve, ashtu sikur kanë bërë shkrimtarët më të mëdhenj të botës si: Servantesi, Gogoli, Shqedrini, Balzaku, Nazim  Hikmeti, shkrimtari serb, Radoje Domanoviq, e shumë e shumë të tjerë.  Të qortosh, të stigmatizosh të fshikullosh krahinarizmin, bajraktarizmin, ndasitë e përçarjet nuk është mëkat, madje jo vetëm që nuk është kurrfarë mëkati, por është detyrë  e gjenive që të kamxhikonin, ashtu  sikur kanë kamxhikosur, Noli, Fishta, Çajupi  e të tjerë. Janë sot sallahanat e shakllabanat e Fishtës të ulur e të rehatuar nëpër tre kuvende të shqiptarëve, Në Tiranë, Shkup e në Prishtinë që “as u han” për popullin, sepse janë nga soji të cilin e ka stigmatizuar dhe e ka kamxhikosur aq mirë, Fan Noli.

“Jam i bindur se vjersha apokrife që qarkullon prej vitesh dorazi dhe i atribuohet F. Nolit jo vetëm nuk i takon atij dhe e përbalt figurën prej korifeu, por shtrembëron dhe falsifikon realitetin shqiptar. Ajo ngjall përçarje dhe tenton të hedhë farën e grindjeve mes krahinave të vendit. S’ka dyshim se një vjershë e tillë nën emrin e Nolit është shkruar me qëllim keqdashës dhe të mbrapshtë në dëm të bashkimit dhe mirëkuptimit kombëtar të popullit shqiptar, ka shkruar mes tjerash Nasho Jorgaqi në një shkrim të tij, botuar në gazetën “Dita” më 18. 7 2016.

Ta lexojmë dhe ta analizojmë për së afërmi këtë poezi antologjike, sikur janë të gjitha poezitë margaritarë të Fan Nolit
“MERR E ZGJIDH”

  1. A të duhen luftëtarë?
    Dhe arratinë armiku të marrë?
    A do botës t’i vësh zjarrë?
    Merr nja dhjetë kosovarë.

Mbetja e Kosovës nën robërinë serbe kishte bërë që shqiptarët e kësaj ane të luftonin për mbijetesë dhe të mos kursenin shprehjen e urrejtjes edhe me atentate dhe luftë si kundër Serbisë, ashtu edhe kundër regjimit të Zogut, kundër Greqisë ashtu sikur më parë kundër Perandorisë Osmane. Noli kishte njohur për së afërmi Bajram Currin, e dinte se për 12 vjet rresht kishte luftuar me armë në dorë, Azem e Shote Galica me trimat e tij. E dinte se shqiptarët nga Kosova kishin luftuar madje edhe në luftën e Spanjës, e më herët kudo në viset e Perandorisë.  Noli ka shkuar pak për kosovarët, sepse edhe në Kosovë ka krahina ku gjen farë tropojanësh, skraparllinjsh, shkodranësh e kështu me radhë. Por hetohet se Noli ka pasur një simpati të veçantë për shqiptarët e Kosovës, me të cilët ka nënkuptuar të gjithë shqiptarët e mbetur nën regjimin jugosllav prej Prespës e deri në Ulqin. A nuk i dha zjarrë lufta e Adem Jasharit dhe UÇK-së Jugosllavisë së mbetur, të cilën e bombardoi nga ajri, NATO-ja, Aleanca ushtarake më e fortë në botë?

  1. A do male me dëborë
    Trima të fortë e malësorë
    Fort bujarë e burrërorë
    Shkon në Kukës i ke në dorë
    .

Që Noli mund të ketë pasur simpati të veçantë për kuksjanët, kjo nuk ka pse mohohet, edhe pse burra trima të tillë ka pasur e ka edhe ndër krahina të tjera, por ja që Noli kishte simpatinë për ta.

  1. A të duhen sharlatanë
    Që lëpihen në çdo sahanë
    Që të përçajnë vatanë,
    Ke sa të duash tropojanë.

Kjo është strofa më diskutabile e Nolit, e cila për mendimin tim tingëllon sikur Ai ta kishte  shkruar në vitin 1992  dhe sikur ta ketë rishkruar sot në vitin 2016. Se ku e ka sjellë dhe si e ka rrokullisur, batërdisur e çakërdisur Shqipërinë Klani i Tropojës, me krye-tropojanin e Shqipërisë, Sali Berisha, këtë e kanë ndier dhe po e ndiejnë mbi kurriz të gjithë shqiptarët sot e 25 vite dhe jo vetëm në atë që e quajmë me të drejtë “Shqipëri administrative”. Po nëse u besojmë profetëve e gjenive, pse të mos besojmë se Noli ishte i tillë, kur nuk kemi vetëm këtë strofë të tij, ta quajmë profetike, në suaza letrare, jo biblike. Poezia satirike nuk nënkupton të gjithë tropojanët, por vetëm ata që kanë bërë emër të keq. Dhe të tilla ka pasur e ka në Tropojë, ashtu sikur ka edhe burra të ndershëm e shqiptarë të vërtetë. Satira nuk merret me analiza, teza e sinteza, ajo shigjeton veset e liga të një krahine, kur satiriku pretendon se ato vese janë më shumë të shprehura sesa në një krahinë tjetër.

  1. A do njerëz për aheng
    Për tryeza e për kuvend
    Burra e gra kërcejnë me lodër
    Këta i gjen veç në Shkodër.

Krejt e natyrshme tingëllon ku realitet edhe sot.  Po ku ka si “jeret” shkodrane, apo si “ariet” shkodrane. Të tillë kanë qenë dhe janë shkodranët, burra për ahengje e kuvende por edhe burra që kërcejnë bashkë me gratë. Çfarë të keqe ka këtu. A do të thotë se nëse qenkan njerëz të ahengut nuk  qenkan burra e luftëtarë?

  1. Njerëz të zgjuar me lezet
    Që i gjen në çdo anë
    Që të bëjnë muhabet
    Këta janë mjeshtrit dibranë.

Kudo në trojet shqiptare, sidomos në Kosovë, Maqedoni është mjaft i përhapur patronimin “Dibrani”. Një kohë edhe sintagma, “Mjeshtrit e Dibrës”. “Këtë kullë e kanë marue dibranët”. “Nuk rri muri pa i folë dibrançe”.  Që dibranët kanë qenë muratorë, ndërtimtarë e mbi të gjitha edhe trima si zana as e ka mohuar as mund ta mohojë kush.

Në një këngë të trimërisë së kohë së Mehmed Ali Pashës së Misirit, luftëtari popullor Rrustem Dibra ishte zotuar se do të merrte hakun e të gjithë shqiptarëve që i kishte vrarë Dovleti, në Bullak të Egjiptit me rastin e revoltë së Rexhep Agë Shkodranin  në vitet 30 të shekullit XIX.

 

Rrustem Dibra ai dibran,

Ishte i pari i shqiptarisë,

Sikur foli ashtu e bani,

I mori haqet e gegenisë,

I mori haqet e toskënisë.

 

  1. A të duhen budallenj
    Ca gomerë e ca kopukë,
    Hajdut, kaçak e batakçinj
    Shko e merri mu në Pukë.

Edhe kjo  është strofë mjaft përçmuese e tërë kësaj poezie. Ku qëndron sarkazma e  Nolit me pukjanët, këtë nuk jemi në gjendje ta saktësojmë, por kopukë, kaçakë e batakçinj, mjerisht ka pasur e ka në Pukë, por edhe kudo ndër krahinat shqiptare, ku më shumë e ku më pak. Përse e ka tipizuar Noli këtë krahinë, si të tillë,  kjo thjesht mund të ketë mbase edhe ndonjë arsye personale, por tekefundit është vetëm një poezi humoristike.

  1. A do trima sejmenë?
    Kapardisur kudo venë
    Gjumi pa i zënë t’ mos flenë
    Për tre mirditorë bëj benë.

Edhe shpotia që Noli i ka drejtuar mirditorëve, të kapardisur mbase edhe gjatë shekujve, tregon se mirditorët gjatë historisë së rezistencës, kanë qenë mjaft të kapardisur, kanë anuar nga një pozitë në tjetrën,  por kanë qenë edhe trima me nam. Që të gjithë i zë gjumi para se të flenë, kjo është një shpoti e lehtë, ashtu sikur vargu pasues se “vetëm tre prej syresh janë syçelë”. Nuk ka asgjë të keqe në tipizimin e mirditorëve të kapardisur.

  1. Këta matjanë burra të zotë
    Që dikur kanë bërë barot
    Se i njeh gjithë vendi mbarë
    Nuk bëjnë tjetër veç për xhandarë.

Noli, duke qenë ideatori i Revolucionit Borgjez të Qershorit të vitit 1924, kishte një përvojë të hidhur me disa matjanë të cilët, nën orditë e Ahmet Zogut dhe forcat bellogardiste e serbe të Pashiqit kryn grusht shtetin në Shqipëri, shpartalluan Qeverinë e pa konsoliduar si duhet të Nolit, Gurakuqit e Bajram Currit. Zogu, krejt natyrshëm i manipuloi matjanët për qëllime të veta. Por kjo nuk ka zbehur as e zbeh dot trimërinë e matjanëve, si burra të barotit  sidomos në luftën e tyre shekullore kundër pushtuesve, e veçmas kundër pushtuesve serbë e sllavë në vitet 1912-1914 e më vonë.

  1. A të duhen gënjeshtarë?
    Matrapazë e kokëtharë?
    Kripën ta shesin për farë
    Merr krutanë dhe je i larë.

Ashtu sikur edhe për pukjanët, edhe për krutanët, Noli si duket ka pasur një mendim individual, të cilin mbase edhe mund ta ketë arsyetuar. Besoj se përvoja e tij e hidhur me përkrahësit dhe kundërshtarët e Revolucionit, mund të ketë qenë shkas për të shpotitur e për të stigmatizuar krahina të tilla si Puka e rrethi i Krujës, apo i Tropojës.

  1. Do dembelë për Stamboll?
    Mos u lodh e mos hiq hall
    Të rreshtosh nja tri taborë
    Tiranasit t’i zgjedhësh me dorë.

Zakonisht banorët e qyteteve të mëdha në të kaluarën kanë qenë parazitë, meqë kanë jetuar nga të mirat që u ka sjellë pushteti. Edhe dembelët e Stambollit ishin dembelë të kryeqytetit, meqë në qytetet e mëdha parazitët janë gjithnjë në numër më të madh. Tironësit e  “Portokallisë” duken tipikë dembelë stambolli, mbase jo të frymëzuar vetëm nga këto katër rreshta të Fan Nolit.

  1. Po qejflinj a të duhen
    Që me jevga dinë të kruhen
    Zonja që pjellin çdo vit
    Veç Elbasani i rrit
    .

Shekujt nën robërinë e huaj e kishin bërë të veten, sidomos në qytetet që ishin osmanizuar e ballkanizuar në tërësi, si ta zëmë Elbasani. Edhe sot kudo në dasma, në të gjitha qytetet e Kosovës, jo vetëm në Elbasan të Shqipërisë, me ndonjë përjashtim, sidomos nëpër dasma  këndohet  e dalldiset muzika jevge, madje ajo është shumë më e preferuar  sesa muzika folklorike shqiptare. Dhe jo vetëm muzika jevge, por edhe ajo serbe e greke e përkthyer shqip me  “hajde hajde rrushi Beligradit” me meda e medalina, ceca e cecalina ( Ceca bashkëshortja e barbarit Arkan, ku në koncertin e saj në Shkup morën pjesë 10.000 shqiptarë disa vjet pas luftës), adelina e sorrëshkina.

  1. Në do burra llafazanë,
    Që çudisin gjithë dynjanë
    Që rrinë tërë ditën rrugës
    Nga këta gjen plot në Durrës.

Ka pasur e do të ketë burra llafazanë, bjerrakohës, parazitë, përtacë jo vetëm në Durrës. Me siguri se Noli duhet ta kishte vërejtur këtë karakteristikë të durrsakëve, më të tipizuar se në  qytetet e tjera.

  1. Po kërkove kokë palarë
    Kryengritës dhe gomarë
    Që punët të shkojnë vaj
    Shko e merri në Kavajë.

Edhe kavajasit nuk i kanë shpëtuar satirës paksa sarkastike të Nolit, ashtu si tropojanët, pukjanët, krutanët e të tjerë.  Vargu i dytë, “kryengritës e gomarë” duhet kuptuar ndaras, meqë duket se Kavaja ka pasur shumë gomarë, në kohën kur Noli e ka shkruar poezinë, edhe pse kjo qenie e mjerë e gomarëve nuk ka munguar as në trevat e tjera të Shqipërisë, Ballkanit e më gjerë.

  1. Kërkon hoxhë e kërkon prift
    Mos bridh e mos u ngjit
    Se si këta që bëjnë mëkat
    I gjen vetëm në Berat.

Përvoja e Nolit si fetar i devotshëm, si njohës i shkëlqyer i fesë dhe i kulturës së tolerancës fetare, nuk e dimë pse  ka bërë që priftërinjtë e hoxhallarët beratas t’ i identifikojë si mëkatarë. Me siguri se do të ketë pasur një arsye të fortë përderisa i ka identifikuar si mëkatarë të mëdhenj, edhe pse  do të duhej të ishte e kundërta. Shkrimtari i madh rus Dostojevski në romanin “Vëllezërit Karamazovë”, kishte konstatuar se sa më mëkatarë të jenë priftërinjtë në Rusinë e kohës aq më lartë  vendosin  njëri tjetrin në hierarki, deri te Patriku, ku rron shkujdesur mëkatari më i madh, inkuizitori.

  1. A do urtë njerëzit të rrinë
    Nën komandë të kesh ushtrinë
    Në tabjate të kesh njerëzinë
    Merre të gjithë Labërinë.

Simpatia që Noli ka shprehur për lebërit dhe Labërinë nuk duket e ekzagjeruar po të kemi parasysh historinë e gjatë të rezistencës së kësaj treve spartane të Shqipërisë. Kishte shumë trima e trimëresha Labëria, andaj Noli ia dha hakun me këto katër vargje.

  1. Do për punë një korçar?
    I ke bujq e ustallarë
    Me gra bashkë e hapin varrë
    Krah e kokë s’u ka të sharë.

Që korçarët kanë qenë dhe janë njerëz të vyer, punëtorë e ustallarë vështirë se kontestohet. Ishte një traditë e tillë që moti, e cila u përcoll nga brezi në brez. Korça nuk u shkatërrua në vitin 1991, as në 1997, ose nuk u shkatërrua aq sa  disa qytete e lokalitete  të tjera të Shqipërisë.

  1. Do budallenj që veç hanë?
    Me dy këmbë do hajvanë?
    Pasuri që s’dinë të venë
    Merr shëtit gjithë Myzeqenë.

Kjo është mbase stofa e vetme ku mund të thuhet se është tepruar. Por humorit e satirës në raste të veçanta i lejohet edhe groteska, që është po ashtu një figurë stilistike jo pak e përdorur nga humoristët e kohës.

  1. A do të ruash florinj?
    Katandinë e shtëpinë?
    Me dy qofte mbush sininë
    Ec e merr gjirokastrinë.

Edhe gjirokastritët, ashtu si korçarët duket se kanë pasur simpatinë e Nolit. Është e natyrshme të pretendohet se jo të gjithë gjirokastritet kanë qenë apo janë të tillë, por në përzgjedhjen e veseve dhe vetive karakteristike të krahinave e qyteteve, Noli ka radhitur Gjirokastrën  me veti dhe jo me vese.

  1. A do të hash e të bësh qejf?
    Sofra e shtruar si për mbret
    Pastërti e për hyzmet
    Të tillë gjen veç në Përmet.

Përmetarët në këtë strofë janë tipizuar me veti si të shprehura si punëtorë, nikoqirë, hyzmeçarë…

  1. Do ministra kolonjarë?
    Se mbahen burra për mend
    Duan kudo të jenë të parë,
    Në mexhlis e në kuvend.

Duket se Noli i madh përderisa ka menduar për tipizimin e  kolonjarëve ka pasur parasysh parësinë e vendit, ministrat apo parinë e kohës, krekosjen, imponimin, vese këto të njerëzve, që e kanë “veten në begeni”, thuhet në Kosovë.

Hall i madh me skraparllinj
Ka rrezik të hash dhe dru
Dy ministra le të rrinë
Se na duhen dhe pa tru.

Po të mos ishte, kryekuvendari aktual,  Ilir Meta, nga Skrapari, me siguri se sot kjo strofë do të duhej si dështim i Nolit, ashtu sikur dështimi me strofën për myzeqarët. Sjellja makiaveliste e këtij politikani, rrëshqitja për favore nga një krah te krahun  tjetër politik, fërkimi vetëm sipas interesit, përforcojnë vlerësimin e Nolit, por jo për të gjithë skraparllinjtë. “Ilirmetizmi”, është fenomen i politikës së pamoralshme shqiptare të kohës sonë, pa çka se një Ilir  mund të ketë lindur në Skrapar.

  1. Ore të gjorë harruam Vlorën
    Se kjo punë lahet me gjak,
    Dy shirit e një medalje
    Kësaj pune i vënë kapak.

Jo rastësisht, Noli ka lënë për fund vlonjatet. Si njohës i shkëlqyer i historisë së kombit shqiptar, ai nuk lë anash meritokracinë vlonjate, që nuk ishte vetëm ajo e qytetit ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë, pas pesëqind viteve në robëri. Vlora me rrethinë Atdheut i ka dhënë burra të ditur, trima e të nderuar, Vezirë të njohur në kohën e Perandorisë dhe Ismail Qemalin burrin e ndritur të Shqipërisë.  Duke filluar me kosovarët e duke përfunduar me vlonjatët, Fan Noli ka lidhur për mrekulli kompozicionin humoristik, satirik  e sarkastik. Tani që kemi arritur në fund të shoqërimit me këtë poezi humoristike e satirike të Nolit, vërejmë se nga 21 krahinat dhe qytetet e Shqipërisë, ai ka stigmatizuar shtatë a tetë, do të thotë ka vënë në lojë një të tretën, në mesin e tyre, tropojanët, pukjanët, krutanët, elbasanasit, kavajasit, myzeqarët e skraparllinjtë.

Fan Noli ka qenë personalitet  me integritet, dituri, inteligjencë e maturi të veçantë. Ai ka shkruar edhe poezi  të tjera humoristike e satirike, të cilat janë margaritarë të krijimtarisë, të denja për çdo antologji.

Kjo poezi është paksa e veçantë dhe nuk duket që Noli ta ketë pasur për zemër, meqë mes dihet dhe mesa është hulumtuar deri tani, mund të ketë pasur një rezervë. Por rezervën më të fortë e kanë shprehur pasardhësit e Nolit, me qëllim për t’ ia ruajtur “kredibilitetin”, i cili në asnjë rast as është zbehur as mund të zbehet ndonjëherë. Noli i takon majave të Panteonit shqiptar, jo vetëm në krijimtari.  Një poezi shpotitëse, jo vetëm që nuk ia ul vlerën, përkundrazi e bën edhe më të dashur e më të respektuar edhe na vetë barorët e krahinave që i ka shpotitur. Të parafrazojmë me këtë rast një konstatim të shkrimtarit ë madh rus,  Nikolaj Vasilieviq Gogol, i cili duke folur për veprat e tij satirike ka thënë: “E kam kamxhikosur Rusinë, por më ndjeni, këtë e kam bërë duke derdhur lot”.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …