Ahmet Qeriqi: Romani “Bijtë e askujt”, një sagë letrare, bashkëkohore

Ahmet Qeriqi: Romani “Bijtë e askujt”, një sagë letrare, bashkëkohore

Krijimtaria letrare, artistike, publicistike e shkencore e dr. Rexhep Qoses, përgjithësisht  arrin  majat e krijimtarisë në letrat e sotme shqipe. Si për nga temat që ka trajtuar dhe ende i trajton me korrektësi, metodologji të përparuar, invencion tejet të pasur,  mbi të gjitha i pasur me realizëm e origjinalitet krijues, Qosja sot është personaliteti më i kompletuar letrar, intelektual dhe gjithsesi më i lexuari nga të gjithë shkrimtarët shqiptarë. Me një përvojë të gjatë krijuese, gjashtëdhjetëvjeçare, me një botë të pasur dhe tejet të thellë të perceptimit dhe të njohjes së realitetit, me shkrime e studime qofshin ato krijuese e letrare, qofshin publicistike e filozofike, qofshin të zhanreve të ndryshme apo  të kritikës letrare, Qosja përmes paraqitjes së shumanshme të realitetit, në veprat e tij, ka arritur të radhitet në majat e krijimtarisë në të gjithë lëmenjtë, në të cilët ka krijuar dhe po krijon pa ndërprerë.

 

Romani, “Bijtë e askujt”, për mendimin tim, është vepra më e arrirë e autorit dhe gjithsesi, romani më i kompletuar dhe më domethënësi, i botuar pas luftës, jo vetëm në Kosovë. Nuk di roman tjetër të jetë botuar në Tiranë, Shkup apo në Prishtinë, në dy dekadat e fundit, i cili do të  ketë arritur nivelin letrar artistik, gjuhësor, semantik, kulturor, historik, filozofik, politik, meditativ të kësaj vepre voluminoze, të sajuar me mjeshtri dhe aftësi të jashtëzakonshme krijuese.

Qosja, me kohë e ka krijuar stilin e tij origjinal të rrëfimit artistik, meqë letërsinë në përgjithësi e ka përcjellë nga të gjitha këndet e zhvillimit, duke lexuar e studiuar veprat më të njohura të letërsisë botërore, por jo vetëm të letërsisë por edhe të artit, të filozofisë, të sociologjisë e të tjera.  Vetëm një personalitet i kompletuar me njohuri nga të gjithë lëmenjtë, vetëm një erudit i tillë arrin të shkruajë një roman sikur është vepra monumentale, “Bijtë e askujt”.

 

Paralele dhe veçanti

Origjinaliteti, krijimtaria  autentike,  duke thyer normat fiktive të ndërtimit të romanit tradicional, kthjelltësia e mendjes për të marrë në sajim-vrojtim një botë të tërë në lëvizje dhe për ta paraqitur  atë në një vepër rreth 700 faqe, nuk kërkon vetëm dije, durim e talent, por mbi të gjitha kërkon një njohje të thellë  të ligjeve të jetës dhe të krijimtarisë, sepse jeta është ajo që i hapë shtigje krijimtarisë, letërsisë, i hap dimensione dhe i jep shembuj sesi zhvillohet ajo në një realitet të caktuar, si transformohet e si shtrihet, si degëzohet dhe si strukturohet për të arritur në një vepër të përsosur, jo në kuptimin absolut të fjalës, por në kuptimin, që korrespondon me veprat e krijuesve  më të njohur kombëtarë e botërorë.

Ndërtimi i romanit, si dhe tema qendrore e vendosur në bërthamën e saj nuk ka si të mos na kujtojë, romanin, “Kodi i Da Vinçit” të shkrimtarit të madh, Dan Brown. Përderisa Brown i ka konstruktuar ngjarjet si shkak pasojë, në rrugë për një zbulim të madh historik, lidhur me bazamentin e krishterimit, të cilin pretendon ta vërë në pikëpyetje, Rexhep Qosja në qendër të romanit ka hulumtimin e gjithanshëm për të zbuluar jetën enigmatike të personazhit që quhet, Tarik  Saraçi, një ish i përndjekur politik i regjimit komunist në Shqipëri e në Jugosllavi. Në dukje nuk kemi të bëjmë me ndonjë krahasim të fortë e të qëndrueshëm, mes këtyre dy romaneve, por në esencë, si në rastin e parë ashtu edhe në të dytin kemi të bëjmë me hulumtim, madje me një hulumtim këmbëngulës, hulumtim letrar ku pleksen shumë zhvillime e ngjarje, të pritura e të papritura, duke mbajtur të zgjuar vëmendjen e kureshtjen  e lexuesit dhe duke e shëtitur atë nëpër të gjitha skutat ku fshihet misteri, ku fshihet ajo që pretendohet të zbulohet.

Kjo paralele mes këtyre dy veprave, të këtyre dy autorëve të mëdhenj bashkëkohorë, mund të jetë edhe vetëm një ngjashmëri e rastit, por megjithatë kjo na  tregon se fenomenet krijuese kanë shumëçka të përbashkët në formë e brendi, sepse rrugët për të zbuluar misteret, të panjohurat, janë po aq të shumta sa edhe vetë misteret dhe të panjohurat.

Bota krijuese e shkrimtarit, Rexhep Qosja është e thellë dhe si e tillë ajo merr në trajtim të përnjëhershëm disa segmente të jetës dhe zhvillimeve të saj në sinkroni dhe diakroni, në vertikalen e zhvillimit të fenomenit krijues dhe në horizontalen e mbarështrimit të materies krijuese, duke e  shtrirë në tërë kompleksitetin e ndërlidhjeve mes personazheve të shumtë dhe kompozicionit, në dukje të shkapërderdhur, por të përmbledhur me një mjeshtri të thellë artistike, të jashtëzakonshme në përthekimin e totalitetit të  saj.

Duke lexuar me vëmendje këtë vepër, lexuesi i përkushtuar dhe ai që ka qëllim të mësojë nga vepra dhe jo vetëm ta lexojë sa për ta lexuar, vëren se vepra është ndërtuar në stilin e godinave madhështore, ku mjeshtri në fillim ka përcaktuar vendin, në të cilin do të ngrihet godina, përmasat e bazamentit, lidhjet, shtyllat dhe shumësinë e elementeve që ndërlidhen  në fund me tërësinë. Pikërisht në këtë lloj konstruktimi, me këtë lloj strukture arkitektonike, letrare, është ndërtuar romani, “Bijtë e askujt”, që mua më lë përshtypje të një vepre të jashtëzakonshme, mbase më  të arrirën dhe më të dalluarën e kohës sonë.

Krijimtaria e gjithanshme e Rexhep Qoses, e radhit atë në mesin e krijuesve më të mëdhenj, jo vetëm të letërsisë shqipe. Flas me bindje, sepse po të përkthehet kjo vepër në gjuhët e huaja,  frëngjisht,  anglisht, italisht, apo  në ndonjë gjuhë tjetër, kritika letrare do ta vlerësojë drejt dhe realisht dhe do ta çmojë me meritë të lartë, sepse veprat e tilla jetojnë me shekuj, ashtu sikur i kanë bërë ballë kohës, veprat e Homerit, Dantes, Shekspirit, Servantesit, Tolstoit, Dostojevskit, Balzakut, Dikensit e shumë të tjerëve.

Romanin shumëdimensional, “Bijtë e askujt”, e kuptoj dhe e vlerësoj në të tilla mjedise krijuese e krijuesish dhe arrij ta dokumentoj e ta arsyetoj vlerësimin tim. Kam lexuar sa e sa romane, në gjuhën shqipe dhe në tri gjuhë të tjera, dhe përshtypja ime është se ky roman tejkalon të gjitha veprat e deritashme të Qoses dhe bashkëkohësve, të cilat kanë po ashtu vlera të pakontestueshme, por jo të gjitha mund të krahasohen me “Bijtë e askujt” me bijat e bijtë fatzinj,  të cilët në mënyrë aq të vrazhdë dhe të pashpirt i  ka goditur e kaluara romake e bizantine, rashjane e greke, turke e arabe, italiane e gjermane, serbe e sllave, evropiane e unmikiane.  Si mund të jenë bijtë të vetvetes ata të cilëve ADN-ja u ka rrjedhë nga krejt kjo përzierje, në kazanin e madh të përzierjeve dhe riciklimeve të gjeneve njerëzore, nga tërë ky konglomerat pushtuesish deri në ditët tona? Kundruar në këtë segment, romani “Bijtë e askujt” është një “Mahabharatë” apo “Ramajanë” shqiptare, një epos kombëtar i llojit të vet, sepse vetëm lloji i veçantë krijues del racë në vete, sidomos në krijimtari, por jo në gjenin e përzier njerëzor e racor, në raste të tilla mund të dalë vetëm i klonuar…

 

Personazhe të veçantë, jo të idealizuar…

Duke thyer skemat, duke ndërtuar bazament origjinal rrëfimi dhe diskursi, Rexhep Qosja nuk tipizon personazhe, në kushte dhe rrethana të caktuara, ashtu sikur kanë bërë dhe bëjnë shumica e krijuesve, por ai bën një hap më tutje. Duke skalitur personazhe të veçanta, për rrethana të veçanta, të tillë çfarë i shohim dhe i njohim në jetë, të tillë çfarë  i ka paraqitur  në romanin, “Bijtë e askujt”, ata janë personazhe të përditshmërisë, personazhe të thjeshtë nga jeta reale, të cilët kanë anët e mira të karaktereve  të tyre, por edhe të metat  e dobësitë, kanë vese e virtyte, disa shquhen për dituritë e tyre  modeste, por edhe të tillë që të mahnitin me dije e kulturë të përgjithshme. Asnjëri prej tyre nuk është idealizuar, me qëllim për të prodhuar një personazh tipik të kohës,  “heroin e kohës sonë”, sepse edhe nëse të tillë ka pasur në të kaluarën, tani, në kushte të zhvillimit marramendës teknologjik të njerëzimit, ka gjithnjë e më pak, sepse tani është epoka e “deheroizimit”. Globalizmi ka depërtuar te çdo njeri, në çdo pore të tij, duke tronditur “unin”, individualitetin, kredon, pietetin, dinjitetin e shumicës së njerëzve, sepse globalizmi pretendon dhe me sukses po e shtrin uniformitetin, duke i paraprirë njeriut, që dashur pa dashur të bëhet rob i teknologjisë informative, rob i shpejtësisë dhe i garës marramendëse, për të provuar gjithçka në jetë, për të marrë dhe për të uzurpuar gjithçka që mund të merret e të uzurpohet. Në një garë të tillë të të gjithëve kundër të gjithëve, fitojnë si gjithnjë jo më të mirët, më të dashurit e më të ndërgjegjshmit, por më të zhdërvjellët, jo më trimat e më të drejtët, por vetëm mujsharët, jo idealistët,  por matrapazët,  ata që kanë trashëguar apo kanë arritur te kapitali, pavarësisht sistemeve e regjimeve. Të gjitha këto janë pjesë ilustruese e çdo rreshti të romanit.

Qosja, në romanin e tij “Bijtë e askujt”, ka segmentuar idenë e tjetërsimit  të njeriut bashkëkohor, të njeriut i cili gjithnjë e më pak është vetvetja, por është pjesë e një “prodhimi industrial”, pjesë e globalizimit, është një “homo sui generis”, i cili gjurmon, përvetëson, gllabëron për vete dhe të vetët, pa çarë kokën sesi arrin të pasurohet, gjithnjë duke shfrytëzuar të tjerët, sepse shfrytëzimi nuk është më diçka e ndaluar, jo etike, shfrytëzimi i njeriut dhe i njerëzve ka qenë dhe ka mbetur alfa e botës kapitaliste.

 

Tarik Saraçi, fati i heroit të deheroizuar

Ngjarja në roman zhvillohet në Amerikë, në Shqipëri, në Kosovë e në Jugosllavi.

Tri janë personazhet bosht të romanit, “Bijtë e askujt”, gjurmuesit: shqiptaro-amerikani, Miran Bushati e  shqiptarja,  Delina Derti dhe i gjurmuari, Tarik Saraçi i cili është strumbullari i të gjitha rrëfimeve, që kryesisht lidhen me të dhe jetën e tij. Tema në dukje e thjeshtë,  ka të bëjë me hulumtimin për të shkruar një roman historik për një personazh, i cili ka kaluar nëpër golgotën komuniste në Shqipëri dhe Jugosllavi dhe është zhdukur po në kufi, në rrethana të pa publikuara nga të dyja shtetet. Familja e tij, e cila jeton në Amerikë, ka  autorizuar, Miran Bushatin të gjurmojë dhe të hulumtojë nëpër arkiva jetën, vuajtjet dhe vdekjen misterioze të Tarik Saraçit.

Pasojnë pastaj qindra personazhe  të tjerë të përditshmërisë të skalitur me shumë kujdes, duke paraqitur secilin në elementin e tij, në kontinuitet të zhvillimit individual e kolektiv, në kushte dhe rrethana të caktuara dhe,  shumica syresh janë njerëz që e kanë njohur Tarik Saraçin apo që kanë dëgjuar për të, apo që kanë ruajtur qoftë edhe një kujtim indirekt për të.

Shkrimtari është përkujdesur, që secilin nga personazhet ta bëjë të bindshëm në rrëfimin e tij, pa paragjykuar besueshmërinë e të dhënave të tij, por duke u mbështetur në të dhënat e tyre. Në këtë hulumtim këmbëngulës ai ka dy frymëzime kryesore që ndërlidhen në angazhimin e punës së tij të palodhshme dhe këmbëngulëse, Tarik Saraçin, jetën e të cilit duhet ta zbulojë mundësisht edhe në të gjitha imtësitë, si dhe bashkëpunëtoren,  Delina Derti, e cila jo vetëm që i ndihmon por edhe e frymëzon. Kjo është lidhja organike, trinia krijuese, e cila gradualisht degëzohet, merr përmasa të përshkrimit, hulumtimit duke u njohur me personazhe të tjerë, me shkrime e dokumente nëpër arkiva, biblioteka, madje edhe në arkivat sekrete të shteteve, veprat e personazhit kryesor, shkrimet, botimet, ditarët, deklaratat para hetuesisë dhe të gjitha këto elemente përbëjnë një tërësi, jo vetëm letrare e artistike, por  hapin një dimension origjinal, autentik të përshkimit sociologjik dhe filozofik të problemeve dhe preokupimeve njerëzore në përgjithësi.

Tarik Saraçi është një personazh kompleks, qoftë me diturinë, dhuntinë e lindur, arsimin dhe talentin e tij, qoftë në raport me familjen, njerëzit, regjimin komunist dhe pikëpamjet e tij demokratike, gjithnjë të munguara në Atdheun e tij. Fati i tij jetësor plekset me fatin kolektiv të shqiptarëve gjatë periudhës së sundimit komunist, jo vetëm në trojet shqiptare, por ai ishte shtritë në dy të tretat e vendeve të botës. Komunizmi nuk ishte shpikje e shqiptarëve, ishte karrem të cilin e “kafshuan” revolucionarët e  arsimuar, idealistët e kohës,  të cilët donin ta ndërronin botën e vjetër, me qëllimin më të mirë,  që ta ndërtonin botën e re në vend të saj.

I ndodhur në një botë të tillë, individi me pikëpamje ndryshe doemos se trajtohej kundërshtar, armik i brendshëm, armik i popullit, sepse komunistët përfaqësonin shumicën dhe gjithçka vendosnin në emër të shumicës, të klasës punëtore e proletariatit në përgjithësi.  Në një realitet të tillë, ku Shteti ka ndërtuar mekanizmin e rrjetit të jashtëzakonshëm të gjurmimit, përgjimit, përcjelljes së çdo bërthame të shoqërisë, individi që nuk pajtohet me realitetin ngel sikur insekti në rrjetin e merimangës.

Në një rrjet të tillë kishte ngelur Tarik Saraçi dhe të gjithë ata që nuk e kishin pranuar pushtetin, madje as sa për sy e faqe. Qëndresa, besimi  në ideale, shpresa për një jetë dhe një botë më të mirë, bën që njeriu të sakrifikohet, në radhë të parë  për ideale njerëzore, por edhe kombëtare. Një rrugë e tillë është sikur ecja e njeriut në një fushë të minuar, i cili e ndjen se po shkel në terrenin e minave, por gjithnjë e mbanë shpresa se do të përvidhet, se do të shpëtojë.

Rruga jetësore e Tarik Saraçit, të tillë sikur e ka skalitur shkrimtari, Rexhep Qosja në çdo pjesë të qenies dhe botës fizike e shpirtërore të tij, është një rrugë drejt Kalvarit, e cila ngado  të niset, nga do të sillet e përbirohet, në fund do të gozhdohet në fatin e tij, në Kalvarin e tij, sepse tekefundit të gjitha rrugët e njeriut dhe të çdo qenie tjetër, janë rrugë që shpien drejt vdekjes, drejt riciklimit të qenieve,  qoftë ato që i quajmë vdekje të natyrshme, në moshën e pleqërisë,  apo të dhunshme të parakohshme, aksidentale, etj.

Tarik Saraçi del të jetë tejet i vetëdijshëm për fundin, por instinkti jetësor për t’i shpëtuar vuajtjeve në burgje, bën që ai ta shfrytëzojë rastin  dhe të arratiset për në Jugosllavi ( dhe në Kosovën dhe trevat e tjera shqiptare që i mbante nën sundim RSFJ). Do të orientohet për në shtetin tjetër, i cili po ashtu ishte regjim komunist, madje shumë më represiv kundër shqiptarëve etnikë, që jetonin në trojet e tyre të pushtuara. Rruga e tij drejt Jugosllavisë më shumë duket aksidentale,  sepse ai nuk beson se bota tjetër, jashtë kufijve të Shqipërisë  është parajsë, por sepse e kishte ndier veten krejt të pafajshëm, për dënimin që i kishin dhënë dhe trajtimin që i kishin bërë nëpër burgje.

Në rrugëtimin e tij të fundit, në mesin e agjentëve jugosllavë që shkonin e ktheheshin nga Shqipëria me detyra të caktuara nga UDB-ja, Tarik Saraçi ishte nisur me qëllim  për të shpëtuar edhe familjen e tij, sepse jeta e tij si agjent në Jugosllavi kishte shumë favore në dukje dhe në trajtim, por fundi ishte i njëjtë, gjithsesi mizor, madje më mizor sesa qëndrimi në burgjet e Shqipërisë sepse pasonte damkosja morale dhe kombëtare, në shërbim të një shteti që mbante nën pushtim represiv më shumë se gjysmën e shqiptarëve të  trojeve të Atdheut të ndarë në shumë pjesë.

Tarik Saraçi tanimë nuk është heroi i bindjeve të tij të emancipuara e demokratike. Ai sapo ka rënë në kurthin e UDB-së, ka kuptuar se ka ikur nga çakalli por ka rënë në gojë të ujkut, nga ku nuk shpëton dot, pavarësisht orvatjeve dhe andrallave. Ai tashmë kishte kuptuar se vëllai edhe nëse të vret  t’ i ruan  kockat, ndërsa i huaji t’ i zhduk edhe ato.

 

Zbulimi i enigmës së Tarik Saraçit dhe vrasja  mizore e Delina Dertit

Ashtu sikur ka ndodhur dhe mund të ndodh në jetë, por edhe në romanet e shkrimtarëve të mëdhenj,  gjurmimi me ngulm i së kaluarës, jo rrallëherë duket se kërkon edhe flijimin e gjurmuesit. Kështu ka ndodhur të paktën me disa nga gjurmuesit e kufomave apo sarkofagëve të faraonëve në Egjipt, kështu ka ndodhur me Darvinin kur ka publikuar Teorinë e  Evolucionit, që ka pasuar me vdekjen dhe sëmundjen e disa   fëmijëve të tij, kështu u ka ndodhur edhe disa njerëzve me famë botërore, kështu ndodh edhe në romanin e Dan Brownit, “Kodi i Da Vinçit. Mbase kemi të bëjmë me një koincidencë, por vrasja brutale e  Delina Dertit, nga ish-bashkëshorti, (një shqiptar xheloz), në fund të romanit, u korrespondon disa shembujve të tillë.

Zgjidhja e enigmës së vrasjes në kufirin e vendosur dhunshëm në trojet shqiptare, (në kufirin administrativ Kosovë (Jugosllavi)-Shqipëri) e  Tarik Saraçit, nuk bëhet me një “Deus ex machina”, sepse autori jo vetëm që  shpjegon se nuk do të shërbehet me një përmbyllje të tillë të zgjidhjes së veprimit në roman. Ai ka preferuar një zgjidhje mistike, sepse mistika vetvetiu përmbush zbërthimin me elemente misterioze, meqë gjurmuesit e jetës së Tarik Saraçit, Miran Bushati dhe Delina Derti, nuk arrijnë që vdekjen e tij ta faktojnë me dëshmi konkrete shkrimore, apo gojore, me një apo më shumë dëshmitarë të rastit. Kjo mënyrë e zgjidhjes së enigmës së vrasjes së Tarik Saraçit, nuk është praktikuar nga shkrimtarët tanë, mbase edhe për faktin se shumica syresh i kanë ikur mistikës dhe traditës fetare, në interpretimin e jetës.

 

Romani “Bijtë e askujt”, vepër e gjithkujt që i beson forcës së krijimtarisë

Romani “Bijtë e askujt” i shkrimtarit, Rexhep Qosja  trajton edhe dimensione aktuale të jetës së përditshme të shqiptarëve. Ai vë në spikamë degradimin moral, njerëzor, shoqëror e kombëtar, ashtu sikur kishte spikatur edhe Fan Noli në pesë anarkitë e njohura. Për më tepër Qosja në këtë roman identifikon  servilizmin historik të shqiptarëve, dikur servilë të turqve, tani të evropianëve  dhe perëndimorëve në përgjithësi. Nga ky servilizëm, në kushte dhe rrethana të caktuara shqiptari i tillë bëhet kameleon, pastaj hipokrit, gënjeshtar, uzurpues, mujshar i llojit të vet…

Duke qenë njohës i jashtëzakonshëm i proceseve politike, shoqërore, filozofike, etike, gjuhësore, pastaj krijues, historian dhe kritik i letërsisë, veprimtar i devotshëm në dobi të çështjes kombëtare, Rexhep Qosja në romanin  e tij: “Bijtë e askujt” përmes imagjinatës kreative, perceptimit të thellë të realitetit mbizotërues në vend dhe në botë, ka arritur që pikëpamjet e tij vrojtuese e krijuese, t’i mbarështrojë në një tërësi organike, në një roman enciklopedi, ku frymon jeta me të gjitha segmentet, nga të cilat ajo përbëhet në një kohë dhe hapësirë të caktuar. Dhe, ajo jetë, është e mbarsur  si gjithnjë me të mira e  të liga, me virtyte e vese, me të bukurën e të shëmtuarën, me dritën e terrin, me dashurinë e urrejtjen, me të bardhën e të zezën, ku shtrihet tërë një botë e vrojtimit kompleks, që mbizotëron jetën dhe realitetin tonë faktik.

Në përshkrim të këtij realitet të përditshmërisë ai ka diagnostifikuar  diagnozat me të cilat është mbarsur aktualisht realiteti shqiptar, përditshmëria, kronika e zezë, e cila mbizotëron mediet e vendit dhe të botës, jeta nën thundrën e përdhunës monopoliste, globaliste, kapitaliste, ku njeriu për njeriun është ujk, ku vlerat morale kanë degraduar në një  realitet të kontaminuar nga dhuna, mashtrimi, vrasjet e përditshme, shfrytëzimi, trafiqet ndër më të ndryshmet dhe tërë një botë në lëvizje të rrezikshme drejt paralajmërimit të apokalipsit biblik.

Në këtë “botë jallane” kemi mbetur bij të askujt, jo vetën ne shqiptarët, por të gjithë popujt e shtypur e të robëruar. Rropatemi me të gjitha fuqitë, përballemi me sa e sa rreziqe, me qëllim për të mbijetuar dhe për të ruajtur në radhë të parë vetveten, familjen të afërmin, bashkëkombësin…. Në këtë rrugë drejt mbijetesës shumica nuk  zgjedhin mjete, nuk bëjnë dot dallim mes burrërisë, besës e nderit që kanë përcaktuar shqiptarin, besnik të traditës ndër shekuj, por ndërrojnë ngjyrën si kameleoni, shumica janë bërë servilë ndaj të gjithëve, hipokritë ndaj njëri tjetrit, ziliqarë e xhelozë të pandreqshëm, shtiracakë e matrapazë…

Të gjitha këto mendime e konstatime janë pjesë përbërëse e çdo faqeje të romanit, “Bijtë e askujt”, roman mbi romanet,  sikur ka konstatuar me të drejtë kritikja e letërsisë, Feride Papleka, por nuk është vetëm një roman më shumë  i autorit, por mbi të gjitha është një sagë shqiptare, nga ato sagat që i krijon jeta dhe i pasqyron mendja e ndritur.

Ahmet Qeriqi, kritik, shkrimar, publicist

22 mars 2017

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Tërheqje taktike e disa formacioneve ushtarake e policore serbe. (E shtunë 3 tetor 1998)

Ahmet Qeriqi: Tërheqje taktike e disa formacioneve ushtarake e policore serbe. (E shtunë 3 tetor 1998)

Presioni i faktorit ndërkombëtar kundër kryexhelatit Milosheviq po rritet. Edhe pse ky despot i çmendur …