Ahmet Qeriqi: Rrethi, jeta, feja, universalja II

Ahmet Qeriqi: Rrethi, jeta, feja, universalja II

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Imagjinata kreative krijuese

 Vizitova Sinagogën, me qëllim për ta gjetur Zotin e vërtetë, të fesë më të vjetër në botë, emër i koduar i cili përbëhej nga katër shkronja JHVH, në gjuhën e vjetër hebraike. Formula e besimit të tyre ishte dhënë nga Hyji: Eshmea izrail, elohenu, JHVH ehod” (Dëgjo popull i Izraelit, Zoti ynë është një, ai është JHVH). Me mendjen time gjurmuese  katër shkronjat i zbërtheva me gjuhën time, kuptohet me hamendje ( Je Hyj i Vetmi Hyj) një koincidencë, po diçka tjetër. Një lëndë e mirë për të spekuluar dhe për të pjellë një brez të tërë sharlatanësh…

Në formulën e kësaj feje bëhet fjalë për Zotin e Izraelitëve, që u dashka të jetë i vetmi dhe i vërteti, historikisht mbase edhe më i vjetri, i cili edhe kishte folur me njërin ndër profetët izraelitë, me profetin e madh Mojsi,  që ishte Zoti i tyre dhe  kishte caktuar 10 ligje të domosdoshme, për të gjithë izraelitët,  pesë ndalesa dhe pesë urdhëresa, të pranuara edhe nga fetë e tjera, si bazament i qytetërimit monoteist.  Zotin që e kisha menduar dhe e mendoj si Zot të të gjithëve dhe të pranuar nga të gjithë nuk e gjeta, por gjeta vetëm Zotin e Izraelit, i cili kishte zgjedhur një popull për ta përparuar dhe për ta shpërndarë fenë të tërë rruzullin…

 Hyra në Kishë me qëllim që atje ta gjej Krijuesin që predikohet, dhe për të cilin thuhet se njeriun e ka krijuar sipas shëmbëlltyrës së tij. Atë nuk e gjeta. Besimtarët po i luteshin njeriut-Zot, birit të tij nga ana e frymës, i cili gjithmonë duhet të paraqitet i gozhduar për të ngjallur mëshirë dhe hakmarrje, në të njëjtën kohë. Mëshirë, sepse ai vuajti për t’i marrë me vete të gjitha mëkatet e njerëzve dhe për të shpëtuar shpirtrat e tyre në botën e përtejme. Urrejtje, për ata që e gozhduan dhe ata që nuk i besuan dhe nuk i besojnë. Formula e këtij besimi ishte: “In nomine Patris et Filii et Spiritus Sancti”, (Në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjt”).

Nuk e gjeta dot Zotin për të cilin kisha menduar se do ta gjej në faltoret e moçme afër dymijë vjeçare, në të cilat sot falen, lutën e besojnë qindra milionë njerëz… Më bren dyshimi se një njeri tokësor ka lindur nga fryma dhe jo ashtu, nga ngjizja, si lindin dhe shumohen të gjitha çiftet e gjalla në botë e në krejt rruzullin. Por besimtarët e krishterë  besojnë atë  si rast të vetëm dhe unikat…Edhe Krijuesi Suprem i kësaj feje përjashton çdo fe tjetër të vërtetë, përveç krishterimit…

 Hyra në xhami dhe pashë sesi besimtarët luteshin vetëm në një gjuhë,  pavarësisht se e kuptonin apo jo, sepse konsiderojnë që ajo është gjuha e zotit. Ata luteshin, i përkuleshin Hyjit të quajtur All-llah, i cili është Një dhe i Përjetshëm, që nuk ka lindur dhe nuk është i lindur, nuk ka shëmbëllesë me asnjë qenie tjetër. “pronë e tij është gjithçka ka në tokë dhe në krejt rruzullin”.  (“lehu ma fi semavati ve ma fil erdi”). Në mendjet e këtyre besimtarëve Zoti është universal, i përjetshëm dhe krijues i çdo sendi me frymë e pa frymë,  në tokë e në gjithësi. Formula e këtij besimi është: (Eshhedu en la ilahe Illallah, ve eshhedu enne Muhammeden abduhu ve  resuluhu. ( Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahaut dhe Muhamedi është  shërbëtori dhe profeti i tij).  As në këtë faltore nuk e gjeja Zotin që po e kërkoja në përfytyrimin tim. Madje lutja, në një gjuhë të pakuptueshme si gjuhë e vetme, mbi të gjitha gjuhët e mbi të gjitha fetë, më turbulloi.

Po ashtu pyesja veten për se duhej rënë me kokë në tokë, dhjetëra herë në ditë, kur Zoti i di besimin e përkushtim e gjithsecilit, sepse është i gjithëdijshëm i gjithë kuptueshëm dhe i gjithëfuqishëm… Ngela me dyshime në mendjen time të varfër, por edhe kryeneçe në rrugë për ta gjetur “Hyjin që na ka krijuar, por  duke dyshuar  se Ai moti kishte  hequr dorë nga ne”… 

 

Nuk e mohova besim e parë, të dytë, as të tretë,  por ata mohoheshin dhe luftoheshin mes veti

 Nuk e mohova besim e parë, të dytë, as të tretë,  por ata mohoheshin dhe luftoheshin mes veti, duke pretenduar si të vërtetë vetëm besimin e tyre dhe kurrsesi atë, tjetrin..  Madje në luftën e tyre për ta zgjeruar vetëm fenë e vet si të vërtetë, ata kishin harruar fare Zotin, kishin injoruar shtyllën e parë të sjellës mes vete, urdhëresën e parë mos vra, kishin harruar atë tjetrën, mos vidh, kishin injoruar urdhëresën, mos lakmo pasurinë e tjetrit dhe në luftë të përhershme për ta imponuar secili fenë e vet si të vërtetë kishin vrarë milionë njerëz, kishin vjedhur e plaçkitur pasurinë e të tjerëve dhe krejt çka kishin lakmuar ia kishin lejuar vetvetes duke predikuar diçka tjetër e duke vepruar krejtësisht në të kundërtën, secili duke u thirrur në Zotin e vet,..Cilit t’ i besosh më parë, kur secili predikon besimin në një Zot, por secili vetëm fenë e tij e llogarit si fe të vërtetë?. Toleranca mes tri feve nuk reflekton besim të ndërsjellë.

 Unë kërkoja Zotin e të gjithëve, që nuk bën dallim, Zotin Universal, që secilit i ka dhënë gjuhën e vet, lirinë e vet të besimit e të predikimit, por që u ndalon atyre ta luftojnë njëri-tjetrin, në emrin e tij. Këtë Zot po kërkoj dhe nuk po e gjej, edhe pse besoj fortë se ai ekziston dhe një pjesë fare e vogël e tij  është dhënë në vetë njeriun, si tharm, si ADN, i cili njerëzinë, barazinë, vëllazërinë, besën,  mirësinë, paqen i kupton si vlera unike të Hyjit të vërtetë, Hyjit të të gjithëve, i cili duket se është çmeritur nga krijesa e vet dhe me kohë ka hequr dorë, na ka harruar,  sepse ka punë të tjera për të bërë…

 Hyra në Pagodën budiste, jo për ta gjetur Zotin, sepse Buda nuk e shihte vetën as si zot dhe as i dërguar të tij. Buda ishte njeriu, të cilin e ngritën në kult, ( Zot)  pas vdekjes së tij.

Mësimet e budizmit janë të shumta, por vetëm  katër janë të  vërtetat më fisnike:

– çdo jetë është e rëndë dhe me vuajtje;

– vuajtjet e jetës burojnë nga epshet;

– shpëtimi nga vuajtjet është në zhdukjen e epsheve; duke ecur rrugës fisnike; këtë rrugë të drejtë Buda e quan ”rruga e tetë drejtimeve fisnike” e cila përbëhet prej: fesë së vërtetë, fjalës së drejtë, dëshirës së drejtë, veprës së drejtë, jetës së drejtë, qëllimit të drejtë mendimit të drejtë dhe kuptimit të drejtë.

Mësimet janë po ato të Mojsiut, si mësime universale të krijuara nergut për njeriun, për masën e tij,  si  qenia më inteligjente e tokës dhe e natyrës së saj të kufizuar.

– Të mos vrasësh asgjë të gjallë,

– Të mos vjedhësh,

– Të mos bësh kurvëri,

– Të mos gënjesh,

– Të mos dehesh,

– Të mos  shpifësh,

– Të mos i bësh dëm të afërmit,

– Të mos flasësh fjalë të kota,

– Të mos betohesh rrejshëm; dhe

– T’i ikësh përçarjes.

Budizmi është fe e moralit, që nuk hulumton Hyjin, të cilin nuk e mohon, por nuk merret me të, si qenie tokësore që është, dhe që është i destinuar të  jetojë në mikrobotën e tij universale.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qerqi: Serbët po përgatitën për një ofensivë të përgjithshme (E hënë 20 korrik, 1998)

Ahmet Qerqi: Serbët po përgatitën për një ofensivë të përgjithshme (E hënë 20 korrik, 1998)

Lajmet që po përhapen nga terreni, bëjnë të ditur se në të gjitha vijat e …