Ahmet Qeriqi: Sërish luftime në Grykë të Carralevës (E mërkurë 17 qershor 1998)

Ahmet Qeriqi: Sërish luftime në Grykë të Carralevës (E mërkurë 17 qershor 1998)

Duke qenë se shtëpia e mixhës Mehë është e mbushur përplot me ushtarë, unë tani për tani jam vendosur në odën e Vehbi Qeriqit, një kushëri imi i cili me krejt familjen është vënë në shërbim të luftës. Bijat e Vehbiut dhe bashkëshortja e tij, ndihmojnë në përgatitjen e ushqimit për ushtarë dhe për vajtje-ardhës të tjerë të shumtë, të cilët kryesisht vijnë për t’ u anëtarësuar në radhët e UÇK-së dhe presin të shkojnë  për armatim në Shqipëri.

Ushtarët tanë vazhdojnë të përshëndesim me grushtin lart dhe me shprehjen e njohur partizane, Vdekje fashizmit- Liri Kosovës. Ç është e vërteta mua nuk më pengojnë fare këto përshëndetje, por druhem se do të  keqinterpretohen dhe nuk di se a është ky një qëndrim i përgjithshëm dhe i lejuar nga shtabi, apo këtë e bëjnë vetë ushtarët. Përshëndetja me grushtin lart, do të na hakmerret, sidomos te të huajt, të cilët janë shumë alergjikë për të kaluarën komuniste të Shqipërisë, ndërsa në këtë drejtim u ndihmon shumë politika jonë pacifiste, për të na etiketuar si “enveristë”. Më duhet ta pranoj  sinqerisht se shumë prej nesh kemi qenë dhe jeni enveristë në kuptimin militant të fjalës, por duhet të ruhemi nga kjo, për shkaqe që dihen…

Në orën l6, 00 janë dëgjuar  detonime të fuqishme në Grykën e Caralevës. Pas pak dëgjohen edhe shpërthime të tjera nga minahedhësit dhe nga  tanket.

– Ja nisën përsëri, u dëgjua një zë nga jashtë.

– Do t`i mundim edhe kësaj radhe, he nënën shkive… ia kthen tjetri!

– Veç mos t’i lëshojnë me na ardhë këndej, thotë një tjetër.

Derisa dëgjoja disa burra të moshuar që kishin dalë në rrugë duke vështruar drejt Carralevës, papritmas erdhi, kushëriri im Idriz Sahiti, dhe me shpejtësi nisemi drejt vendit ku kanë filluar luftimet.

Në strehën afër Varrezave, në kodër, ndër të tjerë vërej edhe Ramë Bujën, i cili para disa ditësh iu ka bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rama është armatosur me një automat të tipit rus. Ai me disa vëzhgues të tjerë janë ndaluar në kodër, meqë rruga nga duhet kaluar drejt pozicioneve të ushtarëve tanë, ka filluar të granatohet.

Pasi përshëndetemi, gjithnjë duke mbajtur kokën ulur, meqë herë-herë predhat e armikut na kalojnë mbi kokë, strukem në vendin i cili nuk  duket të jetë fare i sigurt.

Pas disa çastesh, me shpejtësi të rrëmbyeshme në drejtim tonë vijnë dy vetura. Ende pa ndaluar mirë e para, zbret luftëtari, Imer Alushani, për të cilin kisha dëgjuar por nuk e kisha parë. Ishte i pari që kishte zënë Grykën e Llapushnikut dhe tani u vinte në ndihmë luftëtarëve tanë në Carralevë. Ai sapo  i cili sapo na vëren ku jemi strukur, na  drejtohet:

– Ikni nga këtu, sa nuk ju kanë goditur!

– Ne e shikojmë si me habi, por ai insiston dhe jep urdhër të prerë:

– Shpejt largohuni! Të gjithë ngrihemi dhe ashtu kush kah mundet shpërndahemi nëpër pyll, atje ku mendojmë se nuk na godet predha edhe pse asnjëri nesh nuk është fare i sigurt.

Imer Alushani, Gani Kastrati dhe disa ushtarë të tjerë  kanë ardhur përforcim nga Gryka e Llapushnikut. Ata nën breshërinë e plumbave të armëve të armikut, depërtojnë rrugën kah Zborci..

Pas disa çastesh tri shpërthime të njëpasnjëshme godasin pikërisht vendqëndrimin tonë paraprak.

Nga pika e lartë ku ndodhem me  kushëririn, Idriz Sahiti dhe disa banorë të Pjetërshticës, të cilët po ashtu kanë dalë për të mësuar se ç’ po ndodhë, dëgjoj  urdhrat e eprorit serb, përmes megafonit i cili herë shan, herë i kërcënon ushtarët, të cilët si duket nuk i binden, meqë tanket nuk  marshojnë dot përpara.

Napred p… vam mater! dëgjohet çartë jehona e sharjes  nga megafoni.

Dy orë kanë kaluar nga fillimi i luftimeve dhe të shtënat nuk kanë të mbaruar. Asnjë nga ushtarët apo vëzhguesit nuk ka arritur nga pikat, mbi Carralecë  ku po  zhvillohen luftimet.

E di se atje në ballë ndodhen si zakonisht: Syla, Sherri, Jeta, Aliu, Dalipi, Ramizi, ndërsa Halili, Naimi, ndërsa  vëllai im Hasani  me disa të tjerë janë pozicionuar te kthesa e parë. Atje kanë vendosur rrafshuese  të hekurta dhe hekurina të papërdorshme me qëllim që tanksave t’ u pamundësohet kalimi, meqë është një përpjetë me një kthesë të vështirë për t u kaluara. Lugjet ushtojnë pandërprerë. Herë-herë dëgjohen gjëmime mortajash nëpër lugjet e maleve të Carralevës.

Lufta është  krejt e pabarabartë sa i përket teknikës, por me epërsi për moralin dhe qëllimin e luftës nga ushtarët tanë çlirimtarë. Pak mbi vendin mbi “Kroin e Etheve” ku jemi strukur, papritur shpërthen një granatë e cila na  tmerron dhe të gjithë fillojmë të ikim në drejtim të rrugës ku janë veturat, edhe pse  shihet mirëfilli se  armiku ka vënë në shënjestër pikërisht rrugën.

Me kushëririn tim, Imer Tafilin dhe disa të tjerë nisemi rrugën e kthimit, të ndjekur  nga predhat e armikut. Në moment afër rrugës shpërthen predha dhe një veturë e një nipi të Raif Manit nga Krojmiri,  rrokulliset. Ai mezi del nga vetura dhe fillon të largohet me shpejtësi.

Luftimet nuk kanë të ndalur. Në vend-luftime ka shkuar edhe komandant Çeliku, Fatmir Limaj, i cili po ashtu me disa ushtarë të tij ka ardhur në përforcim. Atje ndodhet edhe eprori, Shukri Buja, ushtari me nofkën Tigri, pastaj Rrahman Tafa, Milaim Beha dhe shumë luftëtarë të tjerë trima dhe të sprovuar.

Luftimet po zhvillohen edhe në vendkalimin nga Lagja e Xhamisë në Carralevë në drejtim të Zborcit, Pikërisht atje ndodhet edhe Hasani, vëllai im, i cili ka më shumë se një muaj që iu ka bashkuar radhëve të UÇK-së me krejt familjen. Atje janë pozicionuar edhe Ali Mullini, Sejdi Spahiu, disa ushtarë të Shalës  dhe të  Zborcit, si dhe disa ushtarë të rrethit të Kaçanikut, të cilët pak ditë më parë kanë ardhur nga Gjermania.

Vendi përreth po gjëmon nga shpërthimi i minahedhësve 122 milimetra. Është kjo një armë e rrezikshme të cilës nuk i fshihesh dot. Sa e sa krisma të përnjëhershme kaplojnë jo vetëm grykën, te “Ura e Sahitit”, te “lagja e Xhamisë” dhe në drejtim të Zborcit. Luftimet janë intensifikuar dhe ka çaste kur mornica të ftohta ma kaplojnë shtatin nga frika se kësaj radhe do të pësojnë ushtarët tanë.

Në mend më sillën të gjithë pa dallim. Pas pak, me Imerin, Ramadanin, Idrizin e të tjerë fillojmë të tërhiqemi në drejtim të Pjetërshticës. Edhe kësaj radhe, titisti i dikurshëm Nebih Gashi dhe Halim Haliti i Krojmirit e kanë shqetësuar popullatën nga frika dhe kanë përhapur gënjeshtra, se gjoja këmbësoria armike ka filluar të vijë në drejtim të Pjetërshticës. Dhe pikërisht në kohën kur minahedhësit e armikut e kanë vënë në shënjestër rrugën, traktorë me rimorkio, të ngarkuar me fëmijë, gra e burra, ikin në drejtim të Krojmirit. Ata, iu kanë ekspozuar rrezikut permanent.

Një shpërthim i fuqishëm e përshkon vendin te Gurëthyesi. Vetura trandet dhe ne ndalojmë. Një veturë tjetër e ka zënë rrugën. Disa predha të tjera godasin te shtëpitë e reja të Besim Gashit…

Luftimet janë ndërprerë në orën 20.00. Pikërisht ashtu sikur në ditën e parë. Kam mbetur vetëm  me Ramadan Rizanin dhe me Heset Hamdiun në  Hyrje të Lagjes, te shtëpia e Raif Manit.

Rrimë të brengosur dhe asnjëri nuk flasim.

Asnjëri prej ushtarëve nuk është kthyer edhe pse luftimet janë ndërprerë. Të gjithëve na ka kapluar brenga dhe shqetësimi për humbjet e mundshme.

Në orën 21,30 duken dritat e veturave të para të luftëtarëve të cilët të organizuar  ktheheshin nga Carraleva.

-Po vijnë tha dikush!

-A thua a janë të gjithë,- thotë Dani pa e veçuar të birin, Selatinin, i cili po ashtu ka kohë që iu ka bashkuar radhëve të ushtrisë. Vjen edhe xhipi i parë të cilin e ndaloj, pa e ditur kush është brenda.

-A ka të rënë e pyes!

-Asnjë nga ana jonë, ma kthen me rrëmbim një zë i panjohur dhe urdhëron që të largohemi sa më parë nga rruga e ngushtë.

-Si asnjë?- insistoj, duke shprehur mosbesim!

– Kemi vetëm të plagosur, më thotë, duke më siguruar se nuk ka pësuar askush. Më vonë mësoj se ishte, Fatmir Limaj, komandant Çeliku, i cili pas Betejës  kishte organizuar kthimin e ushtarëve në bazë, duke lënë të tjerët në pozicione deri në kohën e caktuar

Gëzimi dhe ngazëllimi nuk kanë kufij.

Kuzhina gumëzhinë nga zhurmërima, nga përshëndetjet e përqafimet. Janë kthyer nga fronti dhe ndihen tejet të gëzuar, kur e shohin gjallë njëri tjetrin. Secili mundohet t’ i rrëfejë më përpara tjetrit përjetimet, sulmin mbi forcat e armikut, djegien e  tankut, shkatërrimin e automjeteve dhe vrasjen e plagosjen e “shkive”. I shikoj dhe sikur nuk iu besoj syve. Marr pjesë në gëzimin e tyre, por thellë në shpirt ndiej se jo gjithnjë do të kthehen kështu të fortë e të disponuar… Jam tejet i vetëdijshëm se një ditë disa nuk do të kthehen gjallë, por luftë është dhe rëniet janë të pashmangshme.

Pas pak, ushtarëve iu drejtohet komandant Çeliku. Ai flet me zë të lartë, nganjëherë edhe i qorton disa nga ata që i kishte gjetur të pa organizuar.  Kërkon disiplinë, angazhim dhe herë-herë shpjegon  disa nga ecuritë e taktikave gjatë zhvillimit të luftimeve. Flet  edhe Shukri Buja, Sokoli apo “gazetari” sikur e quajnë rëndom.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Pesë kulmet e jetës të heroit, Tafil Buzi

Emri i Tafil Buzit është nga më të përmendurit në kryengritjet e viteve 1820- 1850, …