Besi

Ahmet Qeriqi: Shkrimi, të cilin nga pikëllimi e dhembja nuk arrita ta lexoj në varrimin e Agim Lecit

E respektuar familje e Agim Lecit, bashkëvuajtës të tij nëpër burgje dhe të gjithë ju pjesëmarrës në këtë varrim!

Nuk e kam të lehtë të flas  sot për Agimin, sepse ndarja e tij nga jeta, në moshë shumë më të re se unë, më ka pikëlluar  dhe   më ka goditur rëndë, ashtu si të gjithë juve.

Agim Leci ka qenë njëri ndër prijatarët e flamurtarët e parë të kërkesës për Republikën e Kosovës, i cili me bashkëmendimtarët dhe bashkëveprimtarët e tij, mori pjesë aktive në demonstratat e protestat e marsit dhe prillit të vitit 1981, duke i kthyer ato në një kryengritje popullore kundër regjimit pushtues.

Me Agimin jam njohur në Burgun e Suboticës, në vitin 1985. Ishte një djalë i ri i zhvilluar fizikisht  dhe ishte kalitur nëpër burgje nga  dhuna fizike e psikike,  që kishte ushtruar regjimi kundër tij. Por ajo dhunë jo vetëm që nuk e kishte luhatur, por e kishte  kthyer në një kryengritës idealist, që u kishte përballuar të gjitha torturave, në mënyrë heroike e dinjiotoze.

Pas daljes nga burgu, nuk kishte vazhduar shkollimin as studimet për shkak të kushteve të rënda ekonomike  të familjes me shumë anëtarë. Kishte punuar së bashku me babanë, Latifin dhe vëllezërit për ta mbajtur dhe për ta ngritur familjen. Ishte vazhdimisht në rrjedha të zhvillimeve politike të kohës, duke mbështetur në radhë të parë rrugën që udhëhiqte, Simboli i Lëvizjes së Rezistencës, Bacë Adem Demaçi si dhe shokët e burgut.

Agim Leci kishte natyrën e njeriut  heshtur, që i besonte vetvetes. Kurdoherë ishte buzagaz dhe i shoqërueshëm, i përmbajtur dhe i rezervuar, qëndrestar  i dinjitetshëm, idealist i pathyeshëm.

Me Agim Lecin më lidhin kujtimet më të paharrueshme të burgut, në Suboticë të Vojvodinës, ku me shumë se dy vjet kemi qëndruar në të njëjtën dhomë me të, por  edhe me të burgosur të tjerë, disa prej tyre me të cilët ishte dënuar ai.

Edhe në kohën pas burgut, e sidomos pas çlirimit nga robëria serbe, kam mbajtur kontakte me Agim Lecin dhe shokët e tij e të mi të burgut. Para disa vitesh, Agimi ishte identifikuar me një sëmundje në mushkëri, që drejtpërdrejt ishte pasojë e jetës  nëpër burgje, e torturave dhe mizorive që kishin ushtruar kriminelët e regjimit okupator, që kishin goditur tinëzisht e mizorisht,  në mënyrë që pasojat të mbeteshin edhe pas lirimit nga burgu.

 Agimi, përjetë do të mbetet i paharrueshëm për familjet, shokët e farefisin që e kanë dashur dhe i ka dashur aq shumë.

E paharrueshme do të mbetet edhe jeta e vepra e tij në shërbim të kombit e atdheut.

Lamtumirë, Agim i paharrueshëm!

Lavdi, jetës dhe veprës tënde në dobi të kombit e Atdheut!

 

Këtë fjalë rasti para arkivolit të Agim Lecit e lexoi bashkëvuajtësi i tij në burgje, ish i burgosuri politik, profesori, Hajrullah Dragusha.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …