leoni

Ahmet Qeriqi: Shqipëria e Madhe, Shqipëria e katër Vilajeteve, Shqipëria historike...

Ahmet Qeriqi: Shqipëria e Madhe, Shqipëria e katër Vilajeteve, Shqipëria historike… II

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Rilindja e papritur e Shqipërisë së Madhe në vitin 1941

Shumica dërrmuese e politikanëve shqiptarë dhe analistë të shpërfytyruar e apatridë janë tejet alergjikë kur përmendet togfjalëshi “Shqipëria e Madhe”. Atyre iu bën përshtypje të keqe në radhë të parë për shkak se kjo “i zemëron fqinjët grabitqarë”, dhe u përkujton kohën kur me ndihmën e forcave italo-shqiptare gjatë luftës së Dytë botërore prej vitit 1941 e deri në vitin 1945,   ishin çliruar këto vise nga regjimet kriminale e fashiste serbe, bullgare e greke. Pikërisht në atë kohë, koalicionin fashist e ka përkrahur Qeveria serbe e Nediqit në Beograd,  si dhe Qeveria greke në Athinë dhe ajo e bullgare, në Sofje. (Shih: Vikipedia, serbe, bullgare, kroate, greke) Ishin tri qeveri profashiste e fashiste, në tri vendet fqinje, të cilat dashur pa dashur kishin pranuar regjimin e Rajhut të Tretë gjerman dhe kishin krijuar Qeveritë e tyre kuislinge. Ngjashëm kishte vepruar edhe kreu nacionalist i Shqipërisë duke krijuar qeverinë kuislinge në Tiranë. Për më tepër Qeveria kuislinge e Tiranës, për herë të parë pas vitit 1912 kishte arritur që me ndihmën e forcave nacionaliste dhe atyre fashiste italiane t’ i çlironte viset shqiptare në veri dhe në verilindje, në Maqedoni, Kosovë, Sanxhak e Mal të Zi, por edhe në Çamëri, me rastin e pushtimin të Greqisë nga Italia. Në këtë pushtim deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë morën pjesë edhe shumë formacione luftarake nacionaliste shqiptare. Janë faktet e pamohueshme historike që faktojnë e dëshmojnë. (Lufta italo – greke, diktatorë e kuislingë,  libër historik. Autor, Arben Puto. Shtëpia botuese: Toena. Viti i botimit 2011.).

 

Për katër vjet, shqiptarët kishin vënë nën administrim viset etnike, ku valonte flamuri shqiptar me sëpatën e liktorit, ku administrata për herë të parë funksiononte edhe në gjuhën shqipe, ku për herë të parë u hapen qindra shkolla fillore e të mesme në gjuhën shqipe, ku kartat e identitetit u shtypën në gjuhën shqipe dhe ku filloi të lulëzojë tregtia dhe lëvizja e lirë mes shqiptarëve prej Sanxhakut deri në Çamëri dhe prej Ulqinit deri në  Prespë, Strugë, Manastir e gjithandej nëpër Shqipërinë e Madhe.

Kjo ka qenë koha kur është përdorur togfjalëshi: “Shqipëri e Madhe”, po jo nga shqiptarët, edhe pse viset shqiptare ishin të pushtuara nga forcat fashiste, të cilët nuk ishin të pranishme vetëm në Shqipëri por në tërë Ballkanin, në Greqi, Bullgari e Serbi, në tërë Evropën  dhe thellë në shtetet e lindjes, në Bashkimin Sovjetik.

Ky ishte realiteti i atyre katër viteve, ndërsa sintagma “Shqipëria e Madhe” u përdor si gogol për t’ i frikësuar shqiptarët, të cilët nuk kishin rezistuar kundër fashizmit, por duke lënë anash faktin e njohur historik se as serbët, as popujt e Jugosllavisë, as bullgarët e grekët nuk e kishin përballuar dot pushtimin italo-gjerman. ( Bardhyl Mahmuti: ideja e “Shqipërisë së Madhe” u “rishfaq” në diskurset e komunistëve jugosllavë, 25. 6. 2003)

Lëvizja Antifashiste në Ballkan, në esencë ishte lëvizje komuniste, sepse ishte Rusia ajo që kishte marrë përsipër barrën më të rëndë të luftës kundër Fashizmit dhe në kohën kur gjermanët po thuheshin në Frontin e Lindjes, atëherë ishte intensifikuar lufta guerile e partizane dhe pikërisht atëherë Amerika kishte zbarkuar në Evropë, duke përkrahur Anglinë dhe forcat Antifashiste, me qëllim për ta gjunjëzuar Gjermaninë dhe për të mos lejuar që Ushtria e  kuqe, komuniste, sovjetike të marshonte si forcë çlirimtare në tërë Evropën.

Ata që duan ta fshehin këtë të vërtetë historike, ose janë syleshë ose hipokritë, ose nuk kanë lexuar asnjë tekst historie lidhur me kohën për të cilën po flasim.

“Shqipëria e Madhe” nuk u krijua duke i zaptuar territoret e huaja ku nuk kishte shqiptarë, por duke i kthyer ato territore që Evropa ia kishte falur Serbis, Bullgarisë, Malit të Zi e Greqisë. Në aspektin politik qeveria fashiste në Tiranë nuk ndryshonte aspak  nga fashiste e kuislinge që ishin instaluar edhe në Athinë, Sofje e në Beograd. Qeveria kuislinge e Tiranës, shqiptarëve të çliruar nga Jugosllavia  iu kishte lejuar madje edhe kishte organizuar në mënyrë institucionale  shkollim në gjuhën amtare,  të cilin e kishin pasur të ndaluar me ligj gjatë kohës së regjimit kriminal e despotik të “Kralevinës së SKS”. Të liruar nga fashizmi despotik  serb, shumëfish më i egër, më shtazor e më barbar, fashizmi italian, me të drejtë shqiptarëve të viseve të çliruara nga  Mbretëria SKS, iu kishte sjellë liri në shumë segmente, liri të cilat, shqiptarët nuk i kishin gëzuar sikur popujt tjerë të Ballkanit.

Në zhvillimin e mëvonshëm të rrjedhave historike, në kohën kur Gjermanët po e humbnin luftën, mori hov Lëvizja Antifashiste në Ballkan dhe kësaj Lëvizje me kohë iu kishin bashkuar forcat partizane shqiptare, edhe pse jo të ndihmuara sa duhet nga koalicioni Antifashist, meqë forcat anglo-amerikane dëshironin që luftën kundër fashizmit ta udhëhiqnin forcat nacionaliste shqiptare dhe jo ato komuniste…

Për fitoren kundër fashizmit meritorë u shpallën forcat partizane komuniste në të gjitha shtetet e Ballkanit, të cilat në vitin e fundit të luftës i kishte ndihmuar Armata e Kuqe e Stalinit, përveç Shqipërisë, e cila u çlirua e para në Ballkan dhe krejtësisht me forcat e veta. “Lufta Nacionalçlirimtare kishte marrë zhvillime të vrullshme që me krijimin e reparteve sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm me 10 Korrik 1943, ky shtab mori në drejtim dhe centralizojë veprimet luftarake duke u shtuar goditjet kundër pushtuesve u krijuan zona të lira. Në këto momente aleatët e në radhë të parë anglezët dërguan përfaqësuesit e tyre pranë Shtabit të Përgjithshëm të cilët ndiqnin nga afër Luftën tonë dhe u bindën se e vetmja forcë ushtarake e organizuar në Shqipëri që bënte Luftë të vendosur kundër pushtuesve nazifashistë ishte Ushtria Nacionalçlirimtare. Pas kësaj bindje ata i shtuan misionet e tyre në Shqipëri dhe filluan të na ndihmojnë me armatime e materiale luftarake, megjithëse shumë të kufizuara për shtimin e zgjerimin e  Ushtrisë sonë gjatë viteve 1943-1944. (Portali, Veterani…Historia e LANÇ)

Në kushte dhe rrethanat e krijuara pas Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët jo vetëm që nuk arritën t’i ruajnë territoret, por Shqipëria akuzohej si shtet kuisling, duke lënë anash faktin se të tilla shtete kuislinge kishin qenë të instaluara edhe në Greqi, Bullgari e Jugosllavi. Një shërbim të keq, mbase edhe pa ditur e padashur fundit të kësaj lufte ia dhanë edhe brigadat partizane shqiptare, të cilat nuk u ndalen në Kosovë për ta ruajtur atë nga ripushtimi jugosllav, por u dyndën të ndihmojnë partizanët jugosllavë për ta çliruar Sanxhakun e viset e Bosnjës. Pikërisht në atë kohë kur ato brigada po sulmonin gjermanët në ikje e sipër, forcat partizane e çetnike kthehen në Kosovë dhe fillon ploja kundër shqiptarëve, të cilët sipas tyre kishin përkrahur fashizmin, por duke i amnistuar çetnikët e forcat profashiste serbe, bullgare e greke.

Duke qenë se Lëvizja partizane në Kosovë kishte qenë nën direktivat e komunistëve jugosllavë, ajo nuk arriti të bëhej forcë me ndikim, meqë nuk kishte kurrfarë mbështetje në popull dhe numerikisht ishte e papërfillshme për të qenë forcë mbrojtëse e vendit. Madje ajo as kishte ndonjë synim të tillë, edhe për faktin se komunistët e Fadil Hoxhës vetë hoqën dorë nga rezoluta e Bujanit e vitit 1943-1944 dhe në gusht të vitit 1945 nënshkruan në Prizren mbetjen e Kosovës nën Serbi e Jugosllavi. (Duke marrë parasysh vendimin e Kuvendit të Prizrenit, në Rezolutën e miratuar në seancën e parlamentit jugosllav (KANCJ), të mbajtur më 7-10 gusht 1945, thuhet: “Kosova dhe Dukagjini në mbledhjen e zhvilluar dhe 10 korrik 1945 në Prizren, kanë miratuar rezolutën, në të cilën territori i Kosovës dhe Dukagjinit i bashkohet Serbisë Federale”. Dokumentin e nënshkroi Ivan Llolla Ribar, i cili ka qenë kryetar i parlamentit mbretëror në vitet 1920-1923, kur u dogjën 182 fshatra shqiptare në Kosovë dhe u vranë 40.000 shqiptarë. (Skënder Demaliaj: Konferenca e Bujanit – ngjarje e ndritshme në historinë e Kosovës).

Me qëllim për ta diskredituar popullin shqiptar si popull që unanimisht kishte përkrahur fashizmin, komunistët jugosllavë dhe partizanët e Fadil Hoxhës filluar terrorin kundër të gjithë shqiptarëve, që kishin qenë pjesë e administratës italo-gjermane. Sa për dy e faqe, (nëse kishin sy e faqe komunistët e asaj kohe), u dënua tek tuk edhe ndonjë çetnik kuisling e profashist, por ata me kohë ishin rreshtuar me forcat partizane, ndërsa  Tito e Rankoviqi i kishin amnistuar qysh në vitin 1945.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi E hënë 19 prill, 1999

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi (E hënë 19 prill, 1999)

Sot moti ka filluar të përmirësohet. Qysh në orën 9.00 të mëngjesit janë lëshuar në …