Ahmet Qeriqi: Shtegtimi dhe hakmarrja e Lah Garaqit

Ahmet Qeriqi: Shtegtimi dhe hakmarrja e Lah Garaqit

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Emri i Lah Garaqit njihej jo vetëm në Stamboll, ku kishte shërbyer me vjet të tëra nizam e redif, por edhe në Vilajetin e Kosovës, e veçmas në Malësinë e Malmirit, ku kishte jetuar vitet e fundit të jetës, në ilegalitet të thellë, meqë ndiqej me një ferman special të lëshuar nga Valiu i Manastirit, i cili asokohe ishte transferuar në Prishtinë.

Pas shpartallimit të Lidhjes së Prizrenit në prill të vitit 1881, vrasjes së Mic Sokolit e shumë trimave të tjerë, varjes në litar të Sefë Mahmut Koshares, vrasjes tragjike të nizamit, Malush Trolli nga vëllai i tij, i cili nuk e kishte njohur  dhe e kishte goditur  pa paralajmërim, duke menduar se ishte një ushtar turk, që po bënte përpjekje të futej në shtëpi, Lah Garaqi me shumë luftëtarë të lidhjes, më 22 prill  ishin pozicionuar në lagjen Kastrati të Carralevës. Me ndihmën edhe të fshatarëve që ishin tubuar në Grykë, ai u kishte zënë pritë forcave të Dervish Pashait. Kishte zënë rrugën me gurë e lisa, ndërsa me disa luftëtarë kishin zënë prita nëpër male, me qëllim që sapo ushtarët turq të bënin përpjekje për ta liruar rrugën, ata të merrnin shenjë nga largësia e pushkës.

-Mali është i zhveshur, nuk fshihemi dot o Lah Garaqi, i kishte thënë një luftëtar, të cilit nuk ia dinte emrin.

– Fshihu pas atij lisi dhe merr në shenj.

-Nuk jemi këtu për t’u fshehur, por për të luftuar. T’i kishim pasur këta lisa e këto pyje në Koshare, nuk e kishim lëshuar gjallë Dervishin.

– Ata me shrapnela e ne me kapakllie, si do t ia dalim?- kishte dëgjuar një zë nga prapa nga mesi i më shumë se 2o luftëtarëve që po zinin pritat në vendet që i konsideronin më të përshtatshme në Zabelin përballë Grykës nga ana perëndimore.

– Kështu ia kemi dalë gjithnjë. Po të kishim pasur topa do t’ i kishim ndalur në Koshare e në Shtime. Tani e kemi më lehtë, i marrim në shenj një nga një.

– Po edhe plumba e barot nuk kemi boll.

– Do t’ i godasin me gurë e me stupca po të na afrohen, dëgjohet një zë nga mesi i luftëtarëve.

– Je Lahu apo po më bëjnë sytë, i drejtohet një luftëtar i sapo ardhur, një burrë i shkurtër, por i zhdërvjellët dhe me mustaqe vesh më vesh.

– Heu, Mal Kreshta, po a gjallë qenke?. Nuk të ha dreqi jo, ia kthen duke e përqafuar bashkëfshatarin, që nuk e kishte parë më shumë se 10 vite.

– Dreqi, jo se jo, por  besa as turku nuk po ma  ha, ishte përgjigjur me qesëndi.

– Ta ha turku, ta ha!, ta ha majen e kresë, veç prit- dëgjohet një zë nga prapa.

Mal Kreshta i kishte bërë me dije Lah Garaqit se një tabor me ushtarë turq, dy ditë më parë  i kishin marrë peng dy bijtë dhe vëllanë e tij, të cilët i kishin zënë në hyrje të Lypjanit dhe nuk dihej për fatin e tyre.

– Kush i kishte parë.

– Lam Mani më tha se i kishte parë me sytë e tij.

– Po ç’ deshën ata në Lypjan?

– Kishin dëgjuar për luftën dhe ishin nisur për t’u bashkuar trimave të Lidhjes, në krye me Mizor Muçën. Po flitet se edhe Mizorin dhe disa qindra të tjerë e kanë kapur gjallë dhe i kanë nisur në drejtim të Shkupit pastaj drejt Selanikut.

– Më dhe lajm të keq Mal Kreshta, po në luftë jemi dhe si e ka shkruar Zoti do të bëhet!

Forcat turke kishin avancuar në drejtim të Carralevës. Sapo para roja kishte dhënë lajmin e zënies së Grykës, një bateri e artilerisë malore me topa të vegjël ishte pozicionuar ne anën e majtë të lumit te Guri i Zi dhe kishte filluar të sulmojë në dy anët e grykës. Këmbësoria kishte marrë urdhër që sapo të ndërpritej goditja e  artilerisë, ata në grupe të vogla të depërtonin në pozitat e luftëtarëve të Lidhjes,  të cilët luftonin duke u tërhequr në drejtim në Dulës.

Në orët e pas ditës, ushtria turke kishte larguar nga rruga barrikadën me gurë e lisa dhe kishte bërë tutje.

Duke u bindur se me luftëtarët e mbetur nuk mund t’ ia dilte ordive turke, Lah Garaqi me luftëtarët e tij ishte larguar në drejtim të fshatit Karaxhet. I kishte porositur që të vëzhgonin terrenin, të mos dorëzonin armët dhe ta mbanin barotin kurdoherë të thatë. Së bashku me Mal Shkretën dhe Din Dakën, pa humbur kohë  ishte nisur në drejtim të Malmirit. Në shtëpi kishte gjetur gruan, dy bijat dhe djalin 7 vjeç. Kishte takuar edhe kushërinjtë, në mesin e tyre edhe Mel Muçën, të cilit i kishte treguar se Din Muça kishte marrë plagë në luftë, në Koshare, por dy luftëtarë e kishin tërhequr në drejtim të Jezerit dhe shpresonte se do t’ ia dilte.

– Ku i ke djemtë aj arapkë, iu kishte drejtuar bashkëshortes, me origjinë nga Egjipti me të cilën ishte martuar 20 vjet më parë.

Arapja, për fillim sipas radhës i kishte treguar se i kishte vdekur nëna tre vjet më parë dhe i kishte shprehur ngushëllime, Edhe të pranishmit i kishin shprehur ngushëllime.

– Bijtë e Lahit si vet Lahi. Ku bën bam, ata bum, ku bën bum ata bam!

– E po si e kanë nisur le ta sosin. Po të jenë vrarë, shehidë ishalla, se tash për Vatan po luftojmë, po të jenë jesir i nxjerr Lahu, në Selanik apo në Stamboll, kudo ku janë, po të jenë shehidë, e lehtë u qoftë toka e Arnautistanit kudo ku janë.

– Edhe Mizorin me qindra ushtarë i kanë zënë jesir dhe i kanë nisur drejt Shkupit thotë Din Daka.

– Ashtu kam dëgjuar edhe unë, pohon  Mal Shkreta, i cili kishte dëgjuar nga daja i tij, që i kishte shpëtuar për pak arrestimit.

– Inshalla kanë ymër, Laho. Në dorë të Allahut janë, të rinj e axhami, bijtë e nënës, njëri 14 e tjetri 16 vjeç.

– Po vëllanë tim Sokolin nuk po e përmend, a?

– Sokoli i ka 20 vjet. Ai i mori, se pa të, ata nuk e kishin ditur rrugën.

– Po ti si i ke bijtë e tjerë, atje nëpër botë, o Laho! Po thonë se tre i ke në Junan e dy në Stamboll.

– Po qebesa. Ata të Janinës nuk i kam parë qe katër vjet e këta të Stambollit mirë i kam lënë.

– Si ke hanimët e tjera, Laho?

– Në dashtë Allahu mirë janë.

– e di sagllam sa gra i ke?

– Të kam veten ty i kishte thënë arabisht.

– Thuaje edhe në arnautçe ta dëgjojnë të gjithë.

– Po vetëm ty të kam, e thashë de.

– Kudo ku shkon ti ke nga një grua, dhe secilës i thua po këto fjalë.

Lahu kishte qeshur si i zënë në faj e po ashtu kishin qeshur edhe të tjerët. Arapka ishte hokatare. Ishte grua e nënshtruar ndaj burrit dhe nuk merakosej se burri kishte edhe disa gra të tjera. Ishte mësuar ajo sespe ashtu ishte zakoni në vendlindjen e saj. Gruaja duhet t’i bindej burrit edhe nëse ai ka 20 gra, thoshte ajo.

Pas pak arapja ishte ngritur nga vendi me qëllim për të gatuar për burrin, sepse e dinte se ai sapo të pushonte pak do të nisej për të shpëtuar bijtë dhe vëllanë nga jesiri.

Um-Gulsumi, arabja rreth dyzetvjeçare, kishte qenë robëreshë e Seid-fallahut, kur e kishte blerë Lahu. Nuk kishte pasur asnjeri të afërm, nga të gjallët,  në familje. Nuk i kishte njohur as prindërit, të cilët qysh në moshë të re e kishin dorëzuar në haremin e Abu Seidit, i cili tubonte fëmijë të lënë, i ushqente në haremin e tij, iu gjente punë dhe kur  rriteshin i drejtonte në treg, edhe pse për një kohë shitjen e femrave në treg e kishte ndaluar Mehmed Ali Pasha i Misirit, tregtia e  tillë sërish kishte marrë rrugë.

Lah Garaqi ishte çmallur me dy bijat, të cilat ishin në moshë madhore dhe me djalin 7-vjeç, Metin, të cilin e mbante në prehër, pavarësisht zakonit të vendit që fëmijët nuk qaseshin në odën e burrave.

Lahu ishte njeri i kohës, i përzierjes racore të pjesëtarëve të Perandorisë, një ekzemplar  tipik i asaj botës laramane, lindje-perëndim.  I përfillte të gjitha traditat. Kur ndodhej në Turqi, si turk shtirej, kur ndodhej në Junan, për grek e dinin, meqë gjuhën greke e fliste sikur gjuhën e nënës. Kur rastiste të kthehej në vendlindje vendoste në kokë kapelën e bardhë dhe  e fuste në trastë kapuçin e kuq.  I tillë ishte Lah Garaqi, aranut-turk e grek në të njëjtën kohë. Edhe luftën e bënte sipas vendit. Kur ndodhej në Turqi luftonte për Perandorinë. Kishte luftuar në Krime, Savastopol e në Plevne. Kur ndodhej në vilajetet e Arnautistanit, dezertonte nga radhët e turqve dhe  u bashkohej kryengritësve e kur xhezdiste  nëpër Greqi luftonte në mesin e arvanitasve.

Atje kishte bërë emër dhe kishte lënë nam.  Emri i Lah Garaqit këndohej në këngët e trimërisë, madje edhe për së gjalli, dhe ishin krejt pak ata trima që për së gjalli futeshin në këngë. Lahu njihej  për besën e nderin, por edhe për aventurat e sidomos për ikjet nga burgu. Nuk kishte lënë burg në Perandori pa ikur. Kishte ikur edhe nga burgu më i madh i Krimesë, kur së bashku me qindra turq ishte zënë rob. Ishte paraqitur si grek i rekrutuar dhunshëm, kishte bërë kryq tinëz, kishte kënduar një lutje  dhe me kohë kishte fituar besimin e një roje të burgut, me origjinë greke. Një ditë kishte mashtruar atë dhe ia kishte mbathur.

Me ndihmën e tre arvanitasve kishte nxjerrë nga burgu i Selanikut, Kapedan Thoma Mavrinë.

Lahu me kohë ishte mësuar misteret e mbijetesës. Kishte shërbyer në ushtrinë e rregullt, ishte marrë me tregti, kishte transportuar hashash nga Afganistani, basma nga Lahore e nga India, armë nga Selaniku, por edhe burnot e aroma të ndryshme të lindjes me të cilat i shastiste zonjat. Me njerëzit e gjuhës e të gjakut tregohej besnik, të tjerët e shpërdorte dhe i tradhtonte për fitimin më të vogël. Kudo ku shkonte martohej, madje bënte edhe kurorë të kadiu. Pastaj, ikte nga bashkë me erën.

Duke qenë se kishte krijuar një përvojë më shumë së 30-vjeçare si ushtar, por edhe mercenar dhe tregtar i Perandorisë, ai ishte kalitur në jetë, vazhdimisht duke zënë hapin me kohën. Lahun nuk kishte punë që e zinte në befasi. Kurdoherë ruante gjakftohtësinë dhe kur e kuptonte se nuk mund të qëndronte më gjatë lëshonte pe, por nuk ndërronte dot bindjet. Bënte keq vetëm atëherë kur nuk kishte nga t’ia mbante. Ishte nga ata pak njerëz që kurdoherë e marrin veten me të mirë.

Natyra e kishte krijuar të shëndetshëm, të shkathët e të aftë për të përballura çdo rrethanë. Edhe kur plagosej trupi i tij shërohej aq lehtë sa edhe mjekët habiteshin. Lahu ishte i larë në vaj e uthull. Ishte njeriu më origjinal dhe më i veçantë që e kishte prodhuar koha. Njëlloj hibridi i jashtëzakonshëm i adaptuar për të mbijetuar në kohën e shkapërderdhjes së madhe të Perandorisë. Kudo ku ndodhej ia bënte vendin vetes dhe atyre me të cilët vepronte. Sa e sa burgje kishte thyer, sa e sa herë ishte plagosur, sa e sa herë i kishte shpëtuar vdekjes për një qime floku.

Pasi kishte pushuar disa orë në shtëpi, ku kishte ngrënë bukë, ishte pastruar dhe kishte ndërruar rrobat që iu kishin ngjitur për trupi. Kishte përqafuar araben, me qëllim që të linte afër edhe një djalë se ku i dihej, mbase mund edhe të mos kthehej më. Pasi ishte errësuar së bashku me Din Dakën ishin nisur në drejtim të Lypjanit, me qëllim për të mësuar se ku i kishte bijtë e vëllanë e vetëm.

Në orët e hershme kur kishte zbardhur drita, Lahu dhe Dini kishin trokitur në derën e Jakup Nallbanit, djalit të dajës së tij, i cili  me gruan dhe dy bijtë e vegjël rronte në një shtëpi përdhese e të vogël buzë lumit  Sinisë në Lypjan.

-Po ti kah pike, o Laho! I drejtohet daja duke ia zgjatur dorën dhe duke e marrë ngrykë, meqë nuk e ishte parë për shumë vjet.

-Si është gjendja këtu, kanë sjellë përforcime apo është qetësuar, pyet Lahu.

-Është keq e më keq. Djalin e vogël, Jakun,  ia nxora nga duart një zabiti, pasi  ia dhashë dy lira, ata dy, Sokoli dhe Rama  më ikën dhe ranë në pritë duke kaluar lumin në drejtim të Tasjanit. Po thonë se më shumë se shtatëqind i kanë zënë jesir vetëm në Lypjan dhe shumë më tepër në Shtime, Koshare e në Tasjan. Disa i kanë nisur me trenin e mallrave, por shumica janë duke ecur këmbë.

Më duhen dy kuaj, dajo, lirat i kam. Dua t’ iu dal anash dhe të mbërrij në Shkup, para tyre, pasi atje do t’i i tubojnë nga të gjitha anët para se t’ i nisin për në Manastir e pastaj  në Selanik.

Daja i tij duke qenë mbathtar kuajsh, përnjëherë kishte marrë rrugë deri te Hani dhe pas dy orësh ishte kthyer me dy kuaj të  fortë e të mbajtur mirë…

Lahu, pasi e kishte përqafuar djalin, Jakun 14-vjeç, që nuk e kishte parë disa vjet, nuk e kishte qortuar fare, por e kishte porositur të mos i tregonte askujt se e kishte parë babanë dhe të rrinte disa ditë në Lypjan, pastaj të kthehej në familje.

Lah Garaqi dhe Din Daka u kishin hipur kuajve dhe ishin nisur në rrugën e gjatë për të arritur në Shkup, para se t’i dërgonin nëpër burgje shqiptarët kryengritës,  të cilët i kishte arrestuar e lidhur këmbë e duar ushtria e Dervish Pashait. Duke qenë se e njihnin mirë terrenin, ata kishin përparuar dhe pas disa orë kalërimi me galop, derisa i kishin lodhur kuajt, në mbrëmje  kishin arritur në bjeshkët e Kaçanikut. Në vendin te ura në dalje të qytetit, në anën e lumit ishte pozicionuar për ta kaluar natën një kontingjent i spahinjve  turq, të cilët mbanin lidhur me litar disa dhjetëra shqiptarë të zënë rob.

Lahu  kishte porositur  Din Dakën të ruante  kuajt dhe në asnjë mënyrë të mos flinte. Kishte veshur uniformën  turke dhe pas pak kohe tinëz, nëpër terrin jo edhe aq të dendur të natës, ishte futur në mesin e kalorësve turq, që po ushtronin rojën e rregullt, përforcuese të natës. Ishte strukur në rrjedhën e lumit dhe kishte përgjuar dy veta që po flisnin turqisht dhe po ndanin kohën, kur do të pushonte njëri e kur tjetri. Ata kishin reduktuar dy vende roje në një, meqë kishin pozicion të mirë vështrimi. Disa minuta më vonë iu kishte afruar ushtarit turk, i cili nga lodhja e dërrmuar kishte filluar të dremiste.

– Ik pra, erdha unë, por vetëm dy sahat jo më shumë se pastaj del drita.

Kalorësi turk, i përgjumur kishte fërkuar kokën e kalit si për t’ u siguruar dhe ishte nisur drejt shatorrit ku flinin me radhë rojtarët, nuk e dinte sa kishte fjetur… Vetëm një qind metra më larg ishte roja tjetër. Rojet mbanin në rrethim disa dhjetëra kryengritës shqiptarë, të cilët kishin rënë në gjumë dhe shumë prej tyre bënin gjumin përçartë nga mundimet e ecjes këmbë gjatë tërë ditës  dhe disa prej tyre nga plagët.

Lahu, sapo kishte vërejtur se roja përballë ishte ulur për të pushuar, nëpër terr iu kishte afruar një grupi të arrestuarish të lidhur me litar në duar e në këmbë.

– Shqiptar je, kishte dëgjuar një zë.

– Po, sa veta jeni.

– Pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë.

– Nga cili vend?

– Disa  nga Lypjani, disa nga Shtimja e Tasjani, ka edhe të plagosur, madje edhe të rinj e pleq.

Lahu ia kishte hequr litarin nga duart, kishte liruar  edhe dy të arrestuar të tjerë dhe i kishte porositur që në qetësinë më të madhe, ata të lironin të gjithë njëri tjetrin  dhe të mos bënin tutje derisa të fillonte agu i parë. Me qëllim për të evituar rrezikun e zbulimit të robërve sapo të fillonte drita, ai zhagas kishte depërtuar te roja në anën e lumit. Turku e kishte hetuar dhe e kishte ndaluar, por nga lodhja dhe gjumi nuk i kishte rënë në mend t’ ia kërkonte kodin e rojës.

– Jam i togut të inspektimit i rojeve, ia kishte kthyer turqisht. Bëj kontrollimin e tyre. Ti paske dremitur i drejtohet me zë të lartë e qortues. Madje as kodin nuk ma kërkove!

– Më fal efendi, e kam nga lodhja, pasha Allahun. 14 sahat në këmbë, kollaj ju me kuaj.

– Nuk ka lodhje për asqerët e Dervish Pashait, kupton apo jo?

– Peqe efendi ia kthen turku duke i marrë temenanë.

Rojën e fundit nga ana e lumit e kishte gjetur në gjumë. Me shpejtësi rrufeje e kishte kapur për fyti dhe nuk e kishte lëshuar derisa kishte konstatuar se ia kishte marrë shpirtin. Pasi kishte konstatuar se ishte vetëm edhe një roje nga pjesa rrethore te shatori ku flinte njësiti i rojeve, i afrohet rojtarit, i cili ishte mbështetur për një guri dhe dremiste. Edhe atë e kishte kapur për fyti dhe e kishte shpuar me hanxhar. Kishte mbetur vetëm roja, të cilin e kishte qortuar. Sipas llogarisë që bënte kishte vetëm edhe një çerek sahati për të filluar agu i parë i asaj dite të 25 prillit të vitit 1881.

Pasi kishte konstatuar se të gjithë arnautët e zënë rob ishin liruar nga litarët, i afrohet rojtarit turk, i cili tashmë e njihte për epror dhe i thotë:

– Shko te ajo ana poshtë dhe më sill ujë. Unë po ruaj deri sa të kthehesh.

Ushtari turk i kishte marrë temenanë, kishte marrë edhe pagurin e ujit dhe ishte nisur në drejtim të burimit. I kishte zënë pritë afër gurit kur ai po kthehej, e kishte kapur për fyti dhe e kishte therë, duke i drejtuar një lutje Allahut. Kishte mbytur pas shpine dhe duke i mashtruar  katër rojtarë turq në befasi dhe në terrin e natës,  për të shpëtuar gjashtëdhjetë shpirtra, në mesin e tyre edhe vëllanë e djalin e rrëmbyer. Kjo ishte llogaria e tij.

 Pak minuta pa zbardhur drita, Lah Garaqi, ishte krejt i sigurtë se kishte eliminuar rojet. Shqiptarët e liruar nga litarët kishin përcjellë nëpër terr vrasjen e rojave nga njeriu i panjohur  dhe prisnin sa po të zbardhej të kalonin lumin dhe t iu qepeshin maleve nga ana perëndimore.

Lahu kishte urdhëruar katër nga më të fortit t’ ua rrëmbenin armët rojave të vrarë dhe të bëheshin gati për t’ u mbrojtur nga rojtarët,  nëse ata  zgjoheshin dhe fillonin të sulmonin.

Me të aguar dita e 25 prillit, të zënit rob ishin lëshuar drejt lumit dhe pas disa minutave ishin futur në pyllin ku priste, Din Daka.

Kur kishte konstatuar se të gjithë robërit ishin larguar dhe nuk kishte kurrfarë rreziku për tërheqjen e tyre të sigurt, Lahu, gjithnjë sipas mendjes së tij, kishte urdhëruar shokët që i kishte armatosur  që të mos shtinin kundër rojave që po flinin, por në qetësi t’ iu merrnin  kuajt dhe të largoheshin edhe ata.

-O Lah Garaqi, kishte dëgjuar nga mesi i katër burrave  një zë të njohur.

-Ta paça borxh he burri i dheut, na shpëtove. Po pse t’i  lëmë gjallë këta turqit? I kemi në dorë. 600 veta na i kanë vrarë në Koshare e në Shtime.  Madje mund t’ ua marrim edhe armët e municionin.

-Ne të Lidhjes nuk vrasim rob. Ka në atë mes shqiptarë si ne, ka kurdë e arabë. Mjaft i kam përlyer duart unë. Kamë therë katër prej tyre. Ishalla Allahu ma shpëton shpirtin.

-Ke therë katër por ke shpëtuar 60, o Lah burri, dëgjohet një zë nga të liruarit.

Në mesin e të liruarve Lah Garaqi kishte gjetur djalin,  Manin dhe vëllanë, Sokolin dhe shumë anas të tij. Nuk i kishte qortuar, as i kishte përqafuar. Lahu nuk përqafonte burrat e rritur. Të tillë e konsideronte edhe djalin 16-vjeç, i cili tashmë po bëhej luftëtar, ndëra vëllai Sokoli ishte burrë 2- vjeç.

– Dini gjë për Mizor Muçën kishte pyetur të liruarit, në kohën kur ishin larguar disa kilometra larg fushimit të rojave turke.

– Për herë të fundit e kam parë, kur me disa roje të lidhur e kanë hipur në pampur në Lypjan dhe e kanë nisur për të Shkup. Ata tash i kanë mbyllur në Burgun e kalasë së Shkupit, mendoj unë…

– Paç ymër Lah Garaqi, ke gëzuar nënat,  nuset,  bijtë, bijat  e motrat tona, kishte dëgjuar një zë tjetër të njohur të një fshatari nga Ndreniku, me të cilin një kohë kishte qenë nizam.

– Allahu  të shpërbleftë, Laho, ishte dëgjuar një zë tjetër.

– E po nëna shqiptare vetëm një Lah e ka bërë. Një Lah Garaqin që nuk le vend pa zhbiruar.

– Kemi lindur për së dyti….

– Po të ketë Lidhja më shumë trima si Lah Garaqi, s kanë çka na bëjnë kralat as Mbreti…

Lah Garaqi kishte përcjellë të sapoçliruarit deri afër Tasjanit dhe pasi ishte përshëndetur me djalin, vëllanë dhe disa prej tyre, së bashku me Din Dakën ishte nisur në drejtim të Junanit…

( Fragment  nga romani, “Varri i Nizamit)

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Drithijet e  Panairit të librit  të 27-të, “Tirana 2024”.

Dje, pas një maratone prej 5 ditësh në Pallatin gjigand të Kongreseve, u mbyll panairi …