kek
mbpzhr 2018
MIT
Airport Adem Jashari
Fillimi / Kultura / Ahmet Qeriqi: TALMUDI, libër i urtisë dhe i mençurisë
Ahmet Qeriqi: TALMUDI, libër i urtisë dhe i mençurisë

Ahmet Qeriqi: TALMUDI, libër i urtisë dhe i mençurisë

Trashëgimia gojore dhe e shkruar e hebrenjve është përmbledhur në disa libra, të cilat në literaturën botërore por edhe atë hebraike konsiderohen si libra të shenjtë.

Përveç Besëlidhjes së Vjetër, që është libri i vetëm pothuajse i pakontestueshëm i tri besimeve kryesore monoteiste, hebraike, krishtere dhe islame, të gjithë librat e tjerë që konsiderohen të shenjtë, si: Talmudi, Besëlidhja e Re dhe Kur’ani iu përkasin tri rrymave kryesore të degëzimit të besimit monoteist. Për dallim nga Besëlidhja e Vjetër, Besëlidhja e Re e Kur’ani, Talmudi i hebrenjve një kohë gjatë historisë ka qenë libër i ndaluar, libër disa herë i djegur në vende publike, libër i anatemuar.

Talmudi, libri i mençurisë tradicionale hebraike, është themeli i trashëgimisë gojore dhe të shkruar, i gjeniut popullor, i interpretuar në vitin 5095 sipas kalendarit të vjetër hebraik. Libri në gjuhen dhe alfabetin hebraik është shtypur në Mynhen të Gjermanisë nga mësuesi izraelit, Shloma i biri i Shimshonit.

Historia e Talmudit fillon qysh nga shekulli i gjashtë para Krishtit, kur toka e Izraelit kishte rënë nën pushtimin e helenëve e më pas edhe nën pushtimin romak.Hebrenjtë, populli më i vjetër dhe më i qytetëruar i Lindjes së Afërt, e kanë ruajtur me fanatizëm tërë trashëgiminë e tyre, fenë monoteiste që është njëherësh edhe bazament i tri feve më të mëdha monoteiste në botë, si dhe tërë kulturën gojore e  të shkruar.

Këshilla, fjalë të urta dhe rrëfenjëza nga Talmudi

Mojsiu i mori diturinë në Sinaj dhe më pas ia dha Joshës, Josha ua dha pleqve, pleqtë profetëve, ndërsa profetët anëtarëve të kuvendit të Madh.

Ata i thanë tri gjëra:

Përmbahuni në gjykim,

Arsimoni sa më shumë nxënësit dhe

përkufizoni sa më shumë diturinë.

Dijetari Shimon, ka thënë:

Bota mbështetet në tri themele:

Në dituri,

në detyrë dhe

në  kryerjen e veprave të mëshirshme.

Dijetari tjetër Shimon i biri i Gamlielit ka thënë:

Në tri gjëra ekziston bota:

Në drejtësi,

Në ligje dhe

Në paqe.

Lidhur ne kujdesin që duhet të kenë njerëzit e ndershëm dhe të thjeshtë ndaj pushtetarëve Rabini Gamliel ka thënë:

Kini kujdes ndaj pushtetarëve,

Sepse ata miqësohen me ju vetëm për përfitimet e tyre.

Tregohen të përkushtuar dhe ju duan derisa i arrijnë qëllimet e veta,

mirëpo nuk ju ofrojnë ndihmë kur ju keni nevojë.

Dijetari i madh Hilel ka thënë:

Mos e gjyko shokun tënd, derisa nuk e arrin vendin e tij,

Dhe mos fol fjalë,  e cila s’bën  të dëgjohet.

I padituri nuk i frikësohet mëkatit.

Në Talmud përveç tjerash jepen edhe disa këshilla të urta për mbarëvajtjen e njerëzve dhe kujdesin që duhet treguar në punë dhe përgjithësisht në jetë.

Në këtë libër të mençurisë ndër të tjera shkruhet:

Sa më shumë mish, aq më shumë krimba!

Sa më shumë pasuri, aq më shumë telashe!

Sa më shumë shërbëtorë, aq më shumë hajni!

Sa më shumë gra, aq më shumë kurorë-thyerje!

Sa më shumë këshilla, aq më shumë arsye!

Sa më shumë drejtësi, aq më shumë paqe!

Sa më shumë dituri, aq më shumë jetë!

Mësuesi Ben Zoma ka thënë:

Kush është i mençur?

Ai, i cili mëson nga çdo njëri.

Kush është trim?

Ai, i cili zotëron vetveten.

Kush është i pasur?

Ai, i cili i gëzohet veprës së tij.

Kush është i çmueshëm?

Ai, i cili i çmon të gjitha krijesat.

Vreshta e NOE-s dhe djalli

Profeti NOE, filloi të punojë vreshtin e tij. Në kohën kur i kishte lëvruar vendin dhe po përgatitej t’i mbjellë hardhitë, i vajti përpara djalli dhe e pyeti:

Ç’ po bën o punëtor?

Po mbjellë hardhi,  ia ktheu profeti.

Për çka vlen kjo hardhi, vazhdoi djalli.

Frytin e ka të ëmbël, ndërsa nga fryti del vera që e ngazëllen zemrën.

A më jep leje të punojmë bashkë, i lutet djalli.

Po i tha profeti NEO dhe të dy filluan të mbjellin hardhi.

Natën kur profeti kishte shkuar në shtëpi për të pushuar, djalli shkoi në vresht, e preu një dele dhe gjakun e saj e qiti në një enë. Pastaj zuri dhe preu një luan. Edhe gjakun e luanit e qiti në të njëjtën enë. Më vonë preu një majmun dhe pas majmunit një derr.

E përzjeu gjakun e katër kafshëve dhe më të spërkati vreshtin.

Andaj edhe vera mbeti ashtu, e përzier.

Kur njeriu pi një gotë verë, bëhet i urtë si delja.

Kur e pi gotën e dytë, fillon të trimërohet e të kreshpërohet si luani.

Kur e pi gotën e tertë, fillon të bëjë grimasa dhe të qeshet si majmuni.

Kur e pi gotën e katërt, fillon të rrokulliset dhe të vjellë si derri.

Babai pijanec

Ishte një herë një burrë i urtë, i pasur, i nderuar nga njerëzia.

Mirëpo kishte një brengë. Babai i tij vazhdimisht pinte verë dhe vazhdimisht  kthehej në shtëpi i dehur.

Një ditë,  djali i thotë babës.

Nëse me premton se ndalesh nga pijetorja, në shtëpi do t’i sjellë të gjitha llojet e verës.

I ati e pranoi kushtin dhe i biri e mbajti fjalën.

Babai pinte gjitha llojet e verërave në shtëpi.

Pasi kishte kaluar një kohë, djali, para dyqanit të vet vëren një të dehur, që ishte bërë xurxull. Ai villte, ngrihej, binte, ulërinte.

Pa u vonuar shkoi te i ati dhe i tha:

Eja ta shikosh një të dehur.

Plaku e pa të dehurin, dhe u ulë afër tij.

Meqë i dehuri ishte bërë tapë, plaku vendosi të presë krejt derisa ta lëshojë dehja.

Ç’bën atje, e pyet i biri?

Po pres derisa t’i kalojë dehja, iu përgjigj plaku.

Përse po pret? – insistoi i biri.

Dua ta pyes se ku e bleu ky njeri atë verë, e cila e ka dehur aq mirë. Vera që ti më sjellë në shtëpi nuk më deh, ia ktheu plaku.

Djali zemërmirë u shqetësua tejmase.

Shkoi te i ati, e mori përdore dhe e futi në shtëpi.

Përveç aforizmave, këshillave, tregimeve të shkurtra dhe shumë kuptimplote, në Talmud janë shënuar edhe rrëfime, që trajtojnë tema të ndryshme të zhvillimit shoqëror dhe filozofik të kohës.

I tillë është edhe rrëfimi për ndarjen, ku përcaktohen të mirat dhe të ligat, veset dhe virtytet, që ka ndarë Hyji për njerëzit dhe popujt e caktuar.

Dhjetë okë mençuri i fali Zoti në këtë botë.

Nëntë okë i mori Izraeli e një okë mbeti për tërë botën.

Dhjetë okë bukuri i fali Zoti në këtë botë.

Nëntë okë i mori Jerusalemi e një okë mbeti për pjesën tjetër të botës.

Dhjetë okë pasuri i fali Zoti në tërë botën.

Nëntë i mori Babilonia dhe një okë mbeti për të tjerët.

Dhjetë okë trimëri i fali zoti në këtë botë.

Nëntë i morëm persianët dhe një okë trimëri mbeti për krejt pjesën tjetër të botës.

Dhjetë okë bestytni e magji i fali zoti në këtë botë.

Nëntë okë i morën egjiptianët,  një okë mbeti për botën tjetër.

Dhjetë okë bisedë e fjalë i fali Hyji për krejt botën.

Nëntë i morën gratë dhe një okë mbeti për botën mashkullore.

Në këtë vepër madhore të urtisë ka edhe këshilla të caktuara e ndër to po veçojmë:

Çka nuk  i ka hije njeriut të mençur?

Njeriut të mençur nuk i ka hije të dalë në treg i lyer me erëra aromatike.

Nuk duhet të dalë gjatë natës, vetëm.

Nuk është mirë të dalë me rroba të arnuara.

Njeriu i mençur, në vende publike nuk duhet të flasë më gra, qoftë edhe me gruan e tij.

Nuk duhet të ulet me një tavolinë me njerëz të padijshëm.

Njeriu i mençur nuk duhet të ecë rrëmbimthi e as me kokën lart në vendet publike.

Virtytet e njeriut të mençur janë shtatë:

Njeriu i mençur nuk flet para atij që konsideron se është më i mençur.

I mençuri nuk i ndërhyn në fjalë askujt.

Njeriu i mençur nuk ngutet për të thënë përgjigje.

I mençuri i jep përparësi punës kryesore.

Njeriu i mençur, nuk flet për gjëra të kota.

Nuk jep gjykime për gjërat që nuk i ka dëgjuar.

I mençuri vazhdimisht e pranon të vërtetën.

Kujt i përngjanë njeriu i cili ka më të shquar mençurinë se sa veprat e tij?

 

Njeriu i tillë i përngjanë lisit të madh me degë të shumta, por me pak rrënjë. Sapo e fryn era e shemb për dhe.

Kujt i përngjanë ai që mëson nga të rinjtë?

Njeriu që mëson nga të rinjtë është si ai, që han rrush të papjekur apo pi verë të pa arrirë.

Ai që mëson nga burrat më përvojë në jetë është i ngjashëm me njeriun që ha rrush të pjekur dhe pi verë të moçme.

Mund të jetosh pa verë, por jo pa ujë!

Mund të ushqehesh pa biber, por jo pa krip.

Zjarri është i gjashtëdhjeta ta pjesë e ferrit.

E shtuna, dita e pushimit te hebrenjtë, konsiderohet si e gjashtëdhjeta pjesë e kësaj bote.

Gjumi është e gjashtëdhjeta pjesë e vdekjes.

Ëndrra është e gjashtëdhjeta pjesë e parashikimit.

Lidhur me moshën e njeriut, sipas traditës hebraike, në Talmud thuhet:

I riu deri në moshën 18 vjeçare duhet të mësojë dhe të përparojë në të gjitha drejtimet.

Në vitet e njëzeta të përparojë.

Në vitet e tridhjeta në fuqi.

Në vitet e dyzeta, i kthjellët.

Në vitet e pesëdhjeta, këshilltar.

Në vitet e gjashtëdhjetat, të përkujdeset për të tjerët.

Në vitet e shtatëdhjetat, të thinjet.

Në vitet e tetëdhjetat, në pleqëri të mbarë.

Në vitet e nëntëdhjetat, i kërrusur.

Në vitet e njëqindta, sikur e ke harruar vdekja, i ndihet i lodhur, i dërrmuar dhe i hutuar.

Janë me interes edhe këshillat për prindër  sidomos ato këshilla që kanë të bëjnë me martesën

Prindit nuk i lejohet ta fejojë, apo ta martojë  vajzën në moshë të re, ende të paarrirë.

Nuk guxon e reja të martohet më të vjetër, sepse i lihet shkasi për kurorë-thyerje.

Nuk ka në botën e Izraelit njeri më të lig se ai që e vonon martesën e bijave të veta.

Nuk ka njeri më të lig se ai prind, i cili e marton vajzën e re me plak, apo djalin e ri me plakë.

Hyji kurrë nuk do t’ia falë mëkatin.

Kontrolloni gjithashtu

Vdiq koloneli i Ushtrisë së Shqipërisë, Hysen Ymeri, që kishte ushtruar Adem Jasharin dhe Zahir Pajazitin

Isuf Ismaili: Vështrim për librin: “… Stërvitëm dhe Adem Jasharin” , shkruar nga Hysen Ymeri

Të flasësh apo të shkruash për oficerët shqiptarë është jo vetëm dëshirë, nder, por është ...