Ahmet Shala: Në Hagë për të Gjithë Ata që S’Patën Zë

Miq të dashur, në shenjë solidarizimi me të gjithë ata që sot po pretostojne në Hagë, po ndajë me Ju pjesë nga LIBRI që së shpejti do të botohet:
“Kapitulli XV
Në Hagë për të Gjithë Ata që S’Patën Zë
Të udhëtosh drejt Hagës, është të mbash në supe barrën e një populli që kërkon drejtësi, jo hakmarrje, por kur kjo drejtësi nuk përfshin të gjitha viktimat, kur ajo i ndëshkon vetëm ata që patën guximin të rezistojnë, e hesht përballë krimeve të gjenocidit, atëherë ajo drejtësi fillon të zhbëhet.
Në Hagë nuk ishim pwr turizëm. Atje ishim për të thirrur në emër të të gjithë atyre që nuk patën zë, për t’i rikujtuar botës se liria e Kosovës u pagua me jetë. Ishim për të përballur një sistem selektiv që gjykon njërën palë dhe amniston tjetrën, për të vënë përballë pasqyrës ndërkombëtare hipokrizinë që fsheh përgjegjësitë.
Zëri ynë në Hagë nuk është vetëm i yni. Është jehona e atyre që nuk u dëgjuan, nuk u kthyen, nuk u njohën. Haga duhet të jetë vend i drejtësisë për të gjithë, jo vendi ku heshtja për krimet bëhet normë dhe viktima identifikohet me fajtorin.
Vizita në Hagë nuk është vetëm një takim me të “burgosurit;” ajo është një mision i thellë human dhe moral për t’u bërë zëri i atyre që nuk kanë më mundësi të flasin. Është një përpjekje për t’i kthyer nderin dhe dinjitetin atyre që janë heshtur nga padrejtësia dhe nga indiferenca e botës…
Në ato momente, kur përballë ke fytyra që mbajnë vulën e padrejtësisë, ndjen peshën e përgjegjësisë për të mos heshtur……….
Kapitulli XIII –
Të pathënat e një të vërtete të heshtur.
Ky kapitull është një përpjekje për të dhënë zë atyre faqeve të historisë që kanë mbetur të palexuara e të pashkruara. Jo se mungonin faktet, por sepse mungonte vullneti për t’i dëgjuar. Në rrëfimet e një populli që përjetoi dhunën, shpërnguljen dhe përbuzjen, fshihet një e vërtetë e thellë, e pathënë. Një e vërtetë që qëndron përtej statistikave dhe proceseve gjyqësore; që ndodhet në heshtjen e nënave që pritën bijtë e tyre pa kthim, në sytë e fëmijëve që u rritën pa fëmijëri, në rrënojat e shtëpive ku dikur banonte e jetonte shpresa.
Të pathënat janë kujtimet që s’u rrëfyen kurrë, dhimbjet që s’u panë nga askush, dhe dëshmitë që kurrë s’patën një sallë gjyqi ku të dëgjoheshin.
Ky kapitull i kushtohet atyre zërave të heshtur (1400 fwmijëve, 15000 burra e gra të vrarë e zhdukur e mbi 25000 nëna, gra, burra e vajza të dhunuar) që ende kërkojnë drejtësi në ndërgjegjen e njerëzimit.
Ka të vërteta që nuk bërtasin, nuk trumbetohen me tituj gazetash, nuk shpallen me konferenca shtypi.
Janë ato që “flejnë” të heshtura, të mbyllura si në një arkiv të padukshme të shpirtit, duke pritur ditën kur dikush do të ketë guximin t’i hapë dhe t’i nxjerrë në dritë.
Këto janë të pathënat e një të vërtete të heshtur. Janë të vërtetat që nuk janë harruar, por janë mbajtur pezull, sikur të ishtin këngë që nuk guxuan të këndohen ende, nga frika se mos zëri i saj dridh themelet e padrejtësisë…
Në Hagë, muret e ftohta nuk ruajnë vetëm trupat e atyre burrave, por edhe historinë e tyre të gjallë. Një histori që dikush po përpiqet ta çajë në copa dhe ta rishkruajë.
Por historia nuk është letër që mund të grisësh pa gjurmë. Ajo është si guri: mund ta gërryesh, por brenda gjithmonë mbetet damar i së vërtetës.
Martin Luther King Jr. dikur tha:
“E vërteta e shtypur do të ngrihet përsëri.”
Kjo është arsyeja pse edhe nëse sot zërat e tyre janë të kufizuar, e vërteta e tyre po pret; pret ditën kur do të dalë në dritë me forcën e një stuhie që askush nuk mund ta ndalë.
Të pathënat e kësaj të vërtete nuk janë thjesht detaje juridike apo dokumente gjyqësore. Janë netët e gjata të pritjes, janë lotët e nënave, janë duart që shtrëngohen në heshtje kur takohen në sallën e vizitave. Janë letrat e shkruara me dorë që udhëtojnë nga një cep i botës në tjetrin (Kosovës, Shqipëris, traveler shqiptare e diapores, por edhe miqëve gjithandej në botë), duke bartur jo vetëm fjalë, por edhe rrahje zemrash.
Dhe detyra jonë është kjo: t’i bëjmë të pathënat të dëgjohen.
Të mos lejojmë që ato të mbyllen në dosje pluhuri.
Të mos pranojmë që ato të zëvendësohen nga versione të fabrikuara.
Sepse e vërteta, sado që të vonon, është si dielli — mund ta fshehësh pas reve, por nuk mund ta ndalosh që të lindë përsëri.
Në fund, nuk është thjesht çështje drejtësie për disa individë.
Është çështje nderi kombëtar e njerëzor dhe i të ardhmes së brezave që do të rriten duke e ditur ose duke e harruar të vërtetën.
Nëse lejojmë që e vërteta të heshtë për ta, një ditë ajo do të heshtë edhe për ne.
Por nëse ngrihemi për ta, ne e bëjmë të përjetshme jo vetëm historinë e tyre, por edhe tonën.
Sepse, siç thotë një proverb i vjetër shqiptar:
“E vërteta fle, por nuk vdes kurrë”….

Kontrolloni gjithashtu

Fikret Rexhepi: Nuk guxojmë të lejojmë që atë qe e fituam me gjakun e dëshmorëve dhe sakrificën e popullit ta humbim për kryeneqësinë e një politikani pa identitet

Si politikan i ri dhe si pjesëtar i një familjeje që ka dhënë gjithçka për …