Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Westminster në Angli, Aidan Hehir ka vlerësuar se Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për stabilitet politik dhe ekonomik. Ai ka shtuar më tutje se formimi i institucioneve të reja në Kosovë duhet të bëhet sa më parë nga partitë politike, dhe ato duhet të vendosin interesin kombëtar mbi interesat partiake. “Ajo që është e rëndësishme për Kosovën në këtë moment është ta kuptojë se, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë evropiane në përgjithësi po rishikojnë angazhimet e tyre në politikën e jashtme, kjo ka pasoja të mëdha për Kosovën. Prandaj, Kosova ka nevojë për një qeveri të fortë dhe stabile për të përballuar katër vitet e ardhshme që do të jenë shumë të vështira. Për aq kohë sa [Donald] Trump është në pushtet në SHBA, situata do të jetë shumë e ndërlikuar. Zoti e di çfarë do të vendosë ai nesër kur të zgjohet. Pra, nga ky këndvështrim ndërkombëtar, nevojitet një qeveri e fortë” ka thënë për Kosovapress, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Westminster në Angli, Aidan Hehir.
