Ajaz Emini nga Kumanova, i cili sot jeton në SHBA, ka ndarë për herë të parë për publikun përvojën e tij si përkthyes i Departamentit Amerikan të Shtetit gjatë vitit 1999, kur NATO po përgatitej për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë. Emini tregon se kishte dëgjuar rastësisht për një vend pune si përkthyes dhe u angazhua menjëherë nga forcat amerikane. “Pas një jave fillova me Forcat Speciale Amerikane dhe u vendosëm në Kukës, në repartin e gjeneralit Kudusi Lame. Nga aty bëhej koordinimi i bombardimeve të NATO-s, në bazë të informatave që na vinin nga grupet vëzhguese të UÇK-së në Kosovë”, tha ai. Ai kujton se në çdo moment pritej urdhri për fillimin e bombardimeve. “Shpeshherë numëronim nga 10 në 0 për lëshimin e raketës, por pastaj na thoshin që ishte provë. Ushtarët ishin të vendosur, thoshin se kishin ardhur për të kryer mision, jo për pushime”, shton Emini. Një nga momentet më mbresëlënëse që kujton është biseda me gjeneralin arbëresh-amerikan, John Hendrix. “Më tha personalisht se dëshira e tij më e madhe ishte të futej me këmbësori në Kosovë, të shkonte vetë në Beograd dhe ta kapte Millosheviqin me këmbë”, shprehet Emini.. Më 24 mars 1999, nisën zyrtarisht bombardimet e NATO-s që zgjatën për 78 ditë. Ai kujton me emocion edhe momentin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. “Gjatë rrugës për në Gjilan, fëmijë, të rinj, pleq, të gjithë festonin, bërtisnin ‘NATO, NATO’. Ishin emocione shumë të forta”, përfundon Emini.
