Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar ndaj bllokimit të xhirollogarive bankare të disa komunave të vendit, përfshirë Ferizajn, Lipjanin dhe komuna të tjera, që ka ndodhur të premten më 15 korrik 2025. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka theksuar se ky bllokim po paralizon funksionimin e institucioneve komunale dhe po rrezikon ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët. “Ky është një bllokim që po ndodh për shkak të procedurave përmbarimore, por rrënjët e problemit qëndrojnë në mungesën e zgjidhjeve nga niveli qendror, për obligime të krijuara jashtë vullnetit të vetë komunave – siç është rasti me kontratat kolektive,” deklaroi Ibrahimi. Ai shtoi se situata e krijuar po ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e përditshëm të komunave, duke përfshirë vonesa në pagesa për furnizime, ndalesa në mirëmbajtjen e infrastrukturës publike dhe vështirësi në ofrimin e shërbimeve për qytetarët. “Komunat nuk mund të mbajnë përgjegjësi për vendime që nuk i kanë marrë vetë. Bllokimi i komunave është bllokim i drejtpërdrejtë i qytetarëve dhe duhet të marrë fund menjëherë,” ka theksuar Ibrahimi. Asociacioni kërkon lirimin urgjent të xhirollogarive dhe një zgjidhje të qëndrueshme ligjore e financiare që garanton funksionimin normal të komunave dhe ruan autonominë e pushtetit lokal, si parim themelor i qeverisjes demokratike.
