Përfshirja e Kosovës në Aktin e Mbrojtjes të nënshkruar nga presidenti amerikan Donald Trump po interpretohet në Prishtinë si sinjal politik pozitiv, por njohësit e politikës amerikane paralajmërojnë se dokumenti nuk përbën garanci të re për mbështetje të pakushtëzuar nga Uashingtoni. Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, vlerëson se gjuha e ligjit, që riafirmon njohjen reciproke Kosovë–Serbi dhe refuzon ndarjet territoriale mbi baza etnike, duhet lexuar më shumë si përpjekje e Kongresit për të frenuar devijimet e mundshme të politikës amerikane, sesa si ndryshim substancial i kursit strategjik. Sipas Serwerit, formulimet janë futur si reagim ndaj lobimeve që synojnë rishikimin e politikës tradicionale amerikane ndaj Kosovës, duke e bërë ligjin një mjet “mbrojtës”, por jo vendimtar. Serwer shpreh skepticizëm se ligji e bën më të afërt njohjen reciproke me Serbinë apo avancimin e Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s, duke kujtuar qëndrimin shpesh armiqësor të administratës Trump ndaj BE-së dhe rezervat e saj për zgjerimin e NATO-s. Sipas tij, beteja reale për Kosovën nuk zhvillohet në tekstet ligjore, por në prapaskenë, mes lobimeve dhe interesave konkurruese në Uashington, çka kërkon vigjilencë të vazhdueshme diplomatike nga institucionet kosovare për të parandaluar ndryshime të dëmshme në politikën amerikane ndaj vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
