Alarm shtetëror: Kosova po zbrazet nga kuadrot kyçe, shteti rrezikon kolaps funksional

Përfaqësuesi i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Ali Sefaj, ka ngritur alarmin për ikjen masive të kuadrove më të rëndësishme të vendit nga institucionet publike, duke e cilësuar situatën si një rrezik serioz për funksionimin e shtetit. Sipas tij, Kosova po humb profesionistë kyç në Polici, Forcën e Sigurisë së Kosovës, sektorin e IT-së, shëndetësi dhe në sistemin e drejtësisë. Kjo dukuri nuk duhet parë si statistikë e zakonshme, por si një “alarm shtetëror”, pasi po godet drejtpërdrejt themelet e sigurisë, drejtësisë dhe zhvillimit të vendit. Qeveria e ardhshme duhet urgjentisht të ndërmarrë masa konkrete për ndaljen e këtij trendi shqetësues. Sipas tij, një nga zgjidhjet kyçe është themelimi i një Fondi për Kuadrot Strategjike, i cili do t’i lidhte profesionistët e trajnuar nga shteti me një mandat shërbimi prej 5 deri në 10 vjet, në mënyrë që të mbrohen investimet publike në arsimim, specializim dhe trajnim. Po largohen kuadrot më të mira, madje edhe nga vetë Kosova. Ky është alarm shtetëror, jo statistikë. Ai shton se përveç rritjes së pagave, profesionistët duhet të motivohen edhe përmes sigurisë në karrierë, avancimit profesional, kushteve dinjitoze të punës dhe rolit real vendimmarrës në institucionet ku shërbejnë. Mungesa e strategjisë dhe mosrespektimi i dijes dhe profesionalizmit po e boshatisin shtetin nga brenda, duke e shndërruar atë në një mekanizëm jofunksional dhe të pafuqishëm për t’u përballur me sfidat e së ardhmes.

Kontrolloni gjithashtu

Samiti BE–Ballkani Perëndimor mbahet sot, Edi Rama niset drejt Brukselit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është nisur pasditen e së martës drejt Brukselit, ku do …