Albert Z. Zholi

Albert Z. Zholi: Çmimi e përçmimi dhe skica të tjera

Si dy torba  që  njeriu  i  mban  gjithmonë  me  vete  janë Çmimi dhe  Përçmimi…Si dy  torba  që  mbushjen  nga të tjerët me  çmim apo përçmim për  të …Dy torba varura  në  qafën   e secilit: Torba  e çmimit  varet  nga  qafa prapa  shpine, ndërsa  torba  e përçmimit  varet  nga  qafa  para  gjoksit …Dhe  njerëzit  e çmojnë dhe  e përçmojnë  njeriun … e  ai  ecën në  udhët  e jetës  me  dy  torbat  e varura  në  qafë … E torbat  mbushen  e rëndohen  se njeriu  kërruset  e  përthyhet  deri  sa  shkon  në  varr  me   dy  torbat  e padukura në  qafë …

Po, pse  kërruset  e përthyet  i ziu  njeri?!… Se  torba  e përçmimit  i  rëndon  e  i  rëndon  sa  i  zë  frymën ?1…

Po  brenda  tij ç’ndodhi ?…

Brenda  mushkërive të çdonjërit  gjendet  çmimi  e përçmimi. Njëra  mushkëri   e mbushur  me  çmimin  dhe  tjetra  mushkëri  me  përcmimin…Disa  kanë  më  të  zmadhuar  mushkërinë  e çmimit, dhe këta  janë më të  rrallët. Disa  kanë më të  zmadhuar mushkërinë  tjetër, atë  të  përçmimit  dhe  këta   janë me  të  kudo  ndodhurit… Disa  kanë ekuilibër  mushkërish  me  çmimin  e përçmimin  në  një  frymëmarrje  e  frymëmarrje  harmonike, dhe  këta  janë  fare  më  të  rrallët…

…Dhe  njerëzit  frymëzojnë  me mushkëritë  e tyre  dhe çmojnë  apo i  përçmojnë  njerëzit…

Dhe  torbat  e njeriut  mbushen  me  çmimin  e  përçmimin  e  jetës…

Pse  kërruset  e  përthyhet  i  ziu  njeri??… Pse e  përçmimojmë më së shumti njeri-tjetrin?

JO, EDHE   UJIN  E  DETIT  E  MORËM  HUA…

E ktheu  gotën  e birrës  te lokali në Athinë me  një  frymë, e  përmbysi  edhe  një herë  shishen  me  dy  gotat  dhe vazhdoi:

Para  një muaji  zura  punë  në  një  zdrukthtari . Aty  punonte  edhe  një  shqipo  tjetër …Sa  mori  vesh  që  dhe unë  isha  shqiptar, ai më  pa  me  inat …Epo  kjo  pikë  e zezë, thashë  me  vete. Unë u  gëzova  që  gjeta  një  shqiptar  që  të  punojmë  e të  qajmë  hallet  ky?… Ky  më  mban  kokën  mënjanë…

Të  nesërmen  e përshëndeta: Mirmëngjes Spiro! Se  Spiro  e  flisnin.

“ Kalimera”, ma  ktheu  Spirua, sikur  i kish   ngrënë gomari  bukën…

Mbas  disa  ditësh  Spiroja  nuk  erdhi  në  punë  se  ishte  i  sëmurë … Kur  u  ulëm për  të  ngrënë  drekë, pronari  më  thotë:

-Shtëpinë  e ke kompletuar ? I ke  marrë  televizor, frigorifer, lavatriçe?…

-I kam marrë  iu  përgjigja.

-Po  si  bënit  në Shqipëri  pa  këto  mjete  kaq  të  domosdoshme ?

-Unë i  kisha  edhe  në  Shqipëri.

-Si?

-Pse  habiteni, shumica   i  kishin  në  shtëpitë e tyre …

–    Po Spiros  unë  ia dhashë  të  gjitha  paisjet, më  tregonte  se në Shqipëri  nuk  kishin  as  krevate  për të  fjetur, pa  le  nga  këto  gjëra … Po  domate, speca, portokalle, mjaltë,  kishit?

Unë  qesha. E si  të  mos  qeshje  me  ato  që  dëgjoje ?… Spirua  i  kish thënë  se  nuk  kishim  as  brekë dhe pronari i   besonte  ose  kish  qejf ta  besonte …

-Pse  qesh ? Do të  thuash  se  i  kishit   dhe  këto ?- foli  pronari  për  domatet e  specat …

-I  kishim, por  jo  gjatë gjithë  vitit …

-Atëherë pse  erdhët  këtu, kur i  kishit  të  gjitha?, -foli  si  I  zemëruar pronari.

-Që  të bëjmë  punët tuaja,- ia  ktheva  dhe unë  me  atë  ton…

-Po  plazh  kishit?

Ia  dhashë  një  të qeshur  sa  më  dolën  lotë  nga sytë … “  E po  sikur  vijmë  nga  shpellat ?”, mendova. Por  fajin  nuk  e kish  greku, por  Spiro” Kalimera”

-Jo edhe  ujin e  detit, tani  që  u  hapën kufijtë  e  morëm  nga  ju…  i  thashë  me  të  qeshur  grekut. Ku  ta  dinte  ai  se  unë  në  det  zhytesha  nga  dritarja  e shtëpisë…

LYPSI  QË NUK ËSHTË LYPËS

E hënë e ftohtë janari! Kodrat përreth Athinës janë mbuluar  me borë. Era, që s’dihej  nga  vinte,  të priste si brisk.

Në kryqëzimin e një udhe në Halandri, pronari im ndali  veturën, në pritje  të semaforit  jeshil. Befas, tek xhami u dritares u zgjat një dorë lypsi. Ishte një fëmijë  10-11 vjeçar  që në dorë  mbante  një gotë kaucuku. Ju lutem zotërinjë, më ndihmoni,- foli fëmija  dhe uli kokën.

Më bëri    përshtypje sjellja  e tij delikate. Nga gjuha  e kuptova  që ishte nga  vendi im. Ndjeva se i vinte rëndë  për atë që bënte. Ndryshonte  nga ata fëmijët, që ishin kthyer në lypsa profesionistë. Nga jeni?- e pyes në shqip.

Ai, nuk e priste që dikush t’i fliste në gjuhën  e tij. Uli kokën  me turp, sikur nuk donte që dorën e tij  të zgjatur  ta shihte  një bashkëatdhetar  i tij. Gota e kauçukut i dridhej  në dorën  e plasaritur  nga  të ftohtit. Ashtu kokëulur  u përgjigj:

-Jam me babanë, por ai ka thyer  këmbën  e nuk punon. Nuk më ka nxjerrë babai në udhë, por s’ka tjetër  kush të punojë . Mbushi sytë  ne lotë  dhe  foli me inat, sikur  donte  të mbronte  familjen e tij:

-Babai im është  më i miri në  botë!

-Po nëna nuk punon?

-Nëna iku me një grek, e mori burrë, – dhe ia plasi të qarit.

Semafori ndez dritën jeshile. Veç pronarit zgjata edhe unë  dorën  për të ndihmuar  lypsin fatkeq. Pastaj munda ta përkëdhelja  nga flokët.

Ishte djalë i mirë- tha pronari kur nisi makinën,- por ja lypës.

-Nuk ishte lypës – i thashë pronarit- ishte  një  fëmijë  fatkeq.

Ishte rritur para kohe jo vetëm për punë por dhe në mendime.

 

Janar 1998 Athinë

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani: Iku në përjetësi penë arti Fadil L. Curri

Më 6 prill pushoi zemra e shkrimtarit, gazetarit dhe intelektualit të shquar, Fadil L. Curri …