Albert Z. ZHOLI: Flet kompozitori i talentuar Enver Shëngjergji

Albert Z. ZHOLI: Flet kompozitori i talentuar Enver Shëngjergji

Kryeminsitri Edi Rama duke ditur problemin tim shëndetësor më nxori pension të posaçëm vetëm me një sms

-Edi Ramën se kisha takuar kurrë, madje po ti dilja përballë ai as do më njihte

-Kur mora pensionin i nisa sërish një sms: Je kryeministri im dhe artist dhe e din të gjithë, unë ju vlerësoj si njeriun me mish e gjak e human!

– Kënga ime e parë është “Udhëtojmë së bashku” ishte periudha e aksioneve të rinisë

– Në Festivali famëkeq të 11-të kam marrë pjesë me këngën “Mbrëmja e fundit”, kënduar nga Bashkim Alibali

-Këngët e atij Festivali i këndonin në rrugë, në shtëpi, në kodrat e liqenit, në auditoret e shkollave, kudo.

Me kompozitorin e sinqertë Enver Shëngjergji kam rreh 28 vjet miqësi. Një kompozitor i veçantë. Dhe pse për rreth 33 vjet është i sëmurë ai ka një forcë dhe energji të brendshme që nuk dorëzohet. Kënga e tij “Mbrëmja e fundit”, zuri vendin e parë në Anketën Muzikore të vitit 1970. Në Festivalin e 11-të të Këngës në Radio Televizion, ai me shumë kompozitorë dhe këngëtarë të tjerë largohet nga pjesëmarrja në festivale dhe emërohet me punë në Kërrabë. Por nuk e lë krijimtarinë, madje e shton më shumë cilësinë. Energjik, studiues, ai ka marrë dhe dy çmime të treta në Festivalet e RTSH-së. Miqtë e njohin punëtor, të dashur, rrebel, nxënësit dhe studentët, pedagog të apasionuar mbas këngës. Në vitin 2010 ai organizoi recitalin  “M’ dogji malli” një recital që i solli erë rinie që i zgjati jetën 10 vjet.  Por ai mbi të gjitha është një intelektual mirënjohës. Kurrë nuk harron Kryeminsitrin Edi Rama që vetëm me një sms i nxorri pension të posaçëm për problemin shëndetësor që ka. Kur flet për këtë moment ai loton. Janë lot mirënjohjeje shprehet për Telegraf.

–       Dhe pse flasim vazhdimisht në facebook apo celular, sërish kemi gjëra që së bashku nuk i kemi thënë. Keni vite me problem shëndetësore, por sërish jeni energjik dhe nuk përuleni. Kur filluan problemet shëndetësore?

–       Problemet shëndetësore më filluan në vitin 1993. Pra rreth 32 vjet me këtë sëmundje. Artriti rheumatoid (AR) është një sëmundje autoimune kronike dhe sistemike që shkakton dhimbje, ënjtje, ngurtësi dhe humbje të funksionit në nyje, kryesisht në duar dhe kyçe, si dhe mund të prekë organe të tjera si mushkëritë, sytë dhe lëkurën. Më vjen çudi se si më erdhi kjo sëmundje. Babai im punoi gjithë jetën në miniera dhe nuk kishte sëmundje të tillë. Jeta ku nuk të përplas, asnjëherë si dihet jetës.

-Pra mbi tre dekada me këtë sëmundje si e keni përballuar?

Eh çfarë se zuri njeriun e shkretë dhe nuk e zuri. Por më është gjendur afër bashkëshortja ime si heroinë. Nga ana tjetër edhe ndihma e fëmijëve ka qenë shumë, shumë e madhe pasi pa ndihmën e tyre në fillimet e sëmundjes nuk do kisha mundësi ta përballoja financiarisht.

–       Një kompozitor që keni lënë gjurmë në muzikën e lehtë shqiptare por edhe në atë popullore. Në këto vite me problem shëndetësore si një kompozitor me vlera shteti a të ka dhënë ndihmë?

–       Gjithmonë i jam anashkaluar pyetjeve të tilla. Nuk kam dashur ta bëj publik problemin tim shëndetësor për shumë arsye, por vjen një moment që, duhet thënë. Unë kërkova nga qeveria Berisha ndihmë, por nuk e mora dot. Nuk e di pse! Por nuk e paragjykoj. Por, tashmë e them se vetëm një sms në telefon më solli zotin në derë. Më solli fatin, shpëtimin. Në vitin 2016, i bëra një sms (pasi i gjeta numrin e celularit) të thjeshtë me tre rreshta kryeminsitrit Edi Rama. I shkrova: Z. Rama jam kompozitori Enver Shëngjergji! Ju lutem për sëmundjen që kam kërkoj një pension të posaçëm të përballoj sëmundjen pasi nuk dua të shtijë dorën askund. Nuk dua t’ju bie në qafë fëmijëve që më shohin si dritën e syve, por as miqve. Dua të jem me dinjitet në sytë e çdo kujt.  Ose thjesht ,ja çfarë i shkrova:  Z. Rama! Jam Enver Shengjergji invalid prej 24 vitesh dhe jetoj me një pension 159 mijë lekë. Më vendos  dinjitetin e më jep bukën e gojës Nuk jam lutur kurrë njeriu… Pse të mbajnë fëmijët me bukë?! Të nesërmen më bie celulari: Flas nga Kryeminsitria quhem Valbona! Shefi më ka dhënë një detyrë që të më nisësh dokumentet për pension të posaçëm. Shtanga! U habita! U drodha nga emocionet! I thashë që aty i kam dokumentet,  madje kam dhe numrin e protokollit. Jo, më tha! Kërkuam nuk i gjetëm, mi nisni sërish. I kisha bërë kërkesë ish-kryeminsitrit Berisha dhe nuk kisha marrë përgjigje. Dija që dokemnet i kishte përgatitur Arjan Avrazi i cili punonte në Ministrinë e Arsimit. E marr në telefon dhe e sqaroj. Fatmirësisht ai i kishte dhe niset për në kryeminstri dhe i dorëzon. Të nesërmen dëgjoj  në lajme se midis disa personaliteteve isha dhe unë që kisha marrë pension të posaçëm. Nuk mund ta besoja. Për 24 orë më doli pensioni. Kisha mbi 15 vjet që e kërkoja. Unë kisha një pension 159 mijë lekë të vjetra s’më dilnin as për gjysmën e ilaçeve.

–       Pra ky lajm i bukur të erdhi si befasi?

–       Më shumë se befasi. Se prisja! Jo, jo se prisja! Se besoja kurrë që me një sms të mirrja pension të posaçëm. Nuk e kisha takuar kurrë Edi Ramën. Nuk kisha kontaktuar kurrë me të dhe besoja nëse do më shihte në rrugë nuk do më njihte. Kam mbetur pa fjalë! Me Berishën edhe kam komunikuar, madje kur pati një problem shëndetësor në parlament i nisa një sms ku i thoja “të gëzosh shëndet”. Berisha më tha se je i vetmi që më nise sms, Enver. Por pension nuk ma dha.

-Po më vonë pasi more pensionin e posaçëm kur e ke takuar Edi Ramën?

E kam takuar në vitin 2023. Pra në takimin më 3 janar 2023 në Pallatin e Brigadave me të gjitha ata që ju kishte dhënë pensionin e posaçëm që kur u bë kryeministër. Unë i shpreha falënderimin tim: Je kryeministri im dhe artist e din të gjithë, unë ju vlerësoj si njeriun me mish e gjak e human”.

Ju keni qenë pjesëmarrës në Festivalin e 11-të, si ju vijnë sot mbresat e atij organizimi?

-Festivali i parë që kam marrë pjesë është ai, festivali famëkeq i 11-të. Kam marrë pjesë me këngën “Mbrëmja e fundit”, kënduar nga Bashkim Alibali. Ky festival solli një zhgënjim në atë fazë të parë të krijimtarisë. Kur brenda nesh zienin shumë ëndrra, morëm një goditje që nuk e prisnim, sidomos në brezin i ri. Unë sapo kisha mbaruar Institutin e Lartë të Arteve dhe kisha shumë projekte për të ardhmen.

Sigurisht, krijimtaria juaj nuk fillon këtu?

Krijimtarinë e kam filluar që në vitin 1970, fill pas mbarimit të Institutit. Kënga ime e parë është “Udhëtojmë së bashku”. Ishte periudha e aksioneve të rinisë. Edhe aksionet atëherë ishin të bukura. Mblidhej rinia punonte dhe gëzonte. “Udhëtojmë së bashku” e ka kënduar Naim Kërçuku në anketat muzikore dhe është nderuar me çmimin e parë. Pra kënga ime e parë mori çmim të parë. Kjo më dha impuls që unë të vazhdoja krijimtarinë.

Po Festivalin e 11-të si do ta komentonit?

Festivali i 11-të ishte mjaft rinor, ritmik. Deri atë kohë muzika po lulëzonte. Ky lulëzim vazhdoi deri në vitet ‘70-’73, kohë kur u bë plenumi famëkeq. Aty filloi një censurim drastik. Deri nga vitet ‘73 në radio, por edhe në televizion u bë një lloj tolerimi përsa i përket muzikës. Mëngjesi nuk fillonte më me këngë e valle popullore siç ishte tradita, por u futën edhe këngë të tjera, kryesisht ritmike të muzikës së lehtë. Ishte një festival që i përshtatej aspiratave të rinisë. Të rinjtë në fillim, pa filluar ende kritikat, këngët e atij Festivali i këndonin në rrugë, në shtëpi, në kodrat e liqenit, në auditoret e shkollave, kudo. Ai Festival mbetet si pika kulmore e ëndrrave rinore për të parë drejt perëndimit.

Për të ardhur tek Festivali, çfarë koncertesh të tjera të muzikës kishin bërë bujë?

Pikërisht në vitet 1972-1973 u zhvillua Festivali Rinor. Në ato festivale i gjithë formacioni orkestral ishte i përbërë nga Instituti i Arteve (sot Akademia), ku të gjithë pjesëmarrësit këngëtarë ishin amatorë të mbledhur nga të gjitha fakultetet. Jehona e atyre festivaleve në atë kohë ishte mjaft e madhe. Unë jam përfaqësuar në festivalin e parë me një këngë “Erdhëm që nga larg”. Ideja ishte se nuk na frikësonte asgjë! Këtë këngë e ka kënduar këngëtarja e atyre viteve që la emër dhe bëri epokë Justina Aliaj. Ajo ishte në hapat e para dhe studionte për artin dramatik. Ishte një këngëtare e madhe dhe pastaj u bë edhe një aktore e madhe. Ishin të shoqëruara bashkë edhe vokali edhe temperamenti. Pastaj në festivalin e dytë kam bërë një këngë “Mbaje mend atë natë”. Ka qenë një poeteshë e re ushtarake që bëri tekstin. Këto ishin poezi që lidheshin me dashurinë me botën rinore. Ajo moshë mbi gjithçka ka dashurinë.

-Kush e ideoi këtë Festival?

Ky Festival pati jetë të shkurtër dhe pse la gjurmë. Atë e ideoi dhe drejtoi Robert Radoja.

Pse në atë kohë në qendër të vëmendjes së kompozitorëve e poetëve u vu dashuria?

Të gjithë artistët në botë sidomos të sferës së muzikës e kanë marrë inspirimin nga femra. Njeriu kur shikon diçka të bukur kërkon të shkruaj, evidentojë, ta ngrejë lart atë.

Sigurisht në memorien tuaj Festivali i 11-të mbetet një ditë e zezë?

Në atë vit kur unë isha pedagog filloi ajo kositja që unë e them shpesh. Fill pas Festivalit të 11-të. Ne ishim si një bimë e re që sapo kishim filluar të lulëzonim, pra sa kishin filluar të dilnin filizat e para dhe shumë shpejt mbi kokat tona ra një kosë e rëndë, e madhe. Një kosë që edhe gjak nxori se vuajtje po e po. Të gjithë duke filluar nga unë Aleksandër Lalo, Aleksandër Peçi, Françesk Radi të u larguam nga Tirana. Dikush shkoi në Kukës, dikush në Fushë-Arrës, unë në malet e Kërrabës. Insistova të mos shkoja (sepse 5 ditë para se të martohesha më është dhënë largimi), isha në kushte shumë të vështira në shtëpi, ishim 13 veta në dy dhoma e një kuzhinë. Unë kisha punuar mbi 4-5 pallate me kontribut vullnetar, dhe ngaqë isha beqar s’më jepnin shtëpi. Kur unë fillova punën vullnetare tek “Rruga Bardhyl”, ku u bë pallati fundit (ku mora shtëpi) atëherë më erdhi largimi im. U detyrova të shkoja në Kërrabë ku qëndrova 7 vjet. Dy ishin rrugët që të mbijetoje në atë kohë, ose duhej të gjeje një rrugë të mesme që as veten mos ta poshtëroje, por të ishe në rregull edhe me ligjet e shtetit, ose të dilje kundër dhe të dënoheshe.

E cilësoni dënim ajo që ju ndodhi pas Festivalit 11-të?

Them se i persekutuar dhe i dënuar i Festivalit të 11-të mbetet vetëm Sherif Merdani. Ne të tjerët jemi të larguar. Sepse ne na u mohua e drejta e të kompozuarit vetëm për një vit. Në Festivalin e 12-të asnjë nga brezi im nuk mori pjesë. Por morëm në të 13-in.

Si erdhi transferimi nga Kërraba?

Mbas 7 vjetëve erdha në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi”. Aleksandër Lalo, Françesk Radi u kthye dhe vetëm Sherif Merdani nuk u kthye më. Festivali i 11-të ishte një akumulim i asaj që në fund të fundit ne nuk donim të mbeteshim në atë ngushtësi. Unë këtë e logjikoj edhe sot se ajo ishte e drejtë, sepse duhej të këndoja shqip.

Para se të merreshit me muzikë ke pasur dëshira të tjera për të studiuar?

Unë nuk kam lënë pjesë teatrale dhe filma që janë dhënë në Shqipëri pa i parë. Profesori im i parë i muzikës ka qenë mjeshtri Ali Prodani. Edhe Agron Dashi, ish- aktor i Teatrit Popullor, shikonte tek unë që kisha mjaft cilësi të skenës dhe sidomos në prirje në planin e komedisë. Mirëpo ekzistonte një dualizëm midis të dyve. Fitoi Ali Prodani. Unë kam pasur një fatkeqësi në jetë, sepse kur mbarova të mesmen nuk më lanë të vazhdoja as dramën as muzikën. Mua më caktuan në kulturën e përgjithshme. Nuk kam shkuar 6 muaj në atë degë dhe shkoja e futesha në degën e muzikës, futesha fshehurazi nëpër leksionet e muzikës. Një profesor thërret babain tim dhe i thotë se çfarë do të bëhet me këtë djalë se unë i di pasionet e tij. Ai thotë se këtë nuk e lë partia të vazhdojë në asnjë degë. Ky është i caktuar të vazhdojë këtu. Kështu unë iu përkushtova muzikës dhe një dege tjetër që nuk kishte lidhje fare me muzikën. Me përkushtimin dhe këmbënguljen time arrita që në fund të bëhem edhe pedagog i instrumentit të solfezhit. Unë nuk mora shkollim të drejtuar profesionalisht. Mbeta në gjininë e këngës, filmit dhe të simfonisë.

Ç’do të veçosh nga krijimtaria jote?

Në vitin 1974 më lindi vajza dhe unë kompozova këngën “O ti, ti e vogla moj bij, bija ime” që e këndonte Vera Dervishi dhe Fatma Zyberi (teksti ishte i Zhuljana Jorganxhi). Atëherë në festival këndoheshin këngët me dy interpretime. Më thërret Marash Hajati që ishte drejtor. Ai me shumë dashamirësi dhe korrektësi dhe thotë, se në ato vite (dy tre muaj përpara) shoku Enver Hoxha kishte qenë në Korçë dhe në Pogradec ku thoshte: Ti shtojmë nipërve dhe mbesave dashurinë për fshatin. Ndaj thotë Hajati, a mund të rregulloni diçka në këtë tekst, ku kjo vajza jote në tekst të bëhet një bujkeshë e mirë. Titulli këngës iu vu “Të më rritesh bujkeshë” dhe gjithë rrethi im familjar më ka thënë se ne nuk kemi as toka, as fusha dhe sa shpejt ia dhe zanatin vajzës!

Ka pasur shumë kërkesa në atë kohë në drejtim të krijimtarisë dhe të përgatitjes?

Kërkesa ka qenë e lartë. Demokraci nuk është ajo se unë dua të bëj atë që dua unë. Nëse nuk ka vlera çfarë do të shkruhet më vonë? Sot nuk mund të hedhësh poshtë këngët “Për ty atdhe” e Pjetër Gacit etj, sepse u krijua në sistemin komunist. Nuk mund të hidhet poshtë një krijimtari teatrale që kishte vlera edukative. Sot më shumë ka këngëtarë sesa ka popull. Ka shumë këngëtarë që hiqen apo i quajnë famozë dhe ata stonojnë. Sot po dëgjojmë edhe këngëtarë që nuk dinë fjalët e këngës që këndojnë. Atyre do t’iu vijë turp mbas 70 vjetëve kur të shikojnë dhe dëgjojnë se çfarë kanë kënduar. Këngëtari me artin dhe kulturën e tij nderon kombin. Këngëtarë ka shumë të mirë, kushtet teknike janë të mira por muzikë dhe tekste nuk ka. Kjo është një fatkeqësi e madhe për kombin. Disa shtëpi diskografike, propogandojnë vlera antikombëtare.

Në sa festivale ke marrë pjesë?

Unë kam një parim të të madhit Agim Krajka, i cili thotë: “Luani që është luan, bën vetëm një luan”. Kam qenë me këtë parim që të shkruaj pak edhe saktë. Unë kam marrë çmimin e parë në Festivalin e 13-të. Kam marrë çmimin e tretë me këngën “Nën kurorën e ullirit” me tekst të Zhuliana Jorganxhi dhe të kënduar nga Lindita Theodhori në Festivali e 19-të. Në Festivalin e 21-të kam marrë çmim të tretë me këngën “Lulet e mollës” të kënduar nga Bashkim Alibali. Këto janë tre çmimet e mia në festivalet e RTSH. Për këtë jam krenar se po të bëj një krahasim me brezin tim kam marrë shumë çmime. Kur kam marrë çmimin e parë Pjetër Gacit i kam thënë ky nuk është çmimi i Enver Shëngjergjit, por çmimi i brezit tim. Se për herë të parë mbas 13 festivaleve merrte çmim të parë një kompozitor i ri.

Flitet për çmime jo merituese në festivale e nivel të ulët interpretimi, mendimi juaj?

Gabimi fatal i festivaleve mbas viteve ‘90 është të mos kënduarit “live”. Si nuk qenka i aftë televizioni shqiptar të bëjë një festival live bashkë me këngëtarët dhe orkestrën? Baza orkestrale nuk është live. Këngëtarët 2 vitet e fundit këndojnë live. Orkestra është e konservuar. Orkestra 80% është e regjistruar. Çdo gjë duhet bërë live. Të gjithë, festivalet, por televizionet që transmetojnë këngë kanë një mangësi të madhe, ku kompozitori nuk përmendet fare. Nëpër festivale kërkohen fotografitë e këngëtarëve, kompozitorët shihen si të tepërt. Unë them se festivalet janë në radhë të parë të kompozitorëve, pastaj të interpretuesve, këngëtarëve, orkestruesve, i poetëve. Kur themi i këngës kuptohet se tabani i këngës është kompozitori. Këto vlera janë të mëshiruara, por babai është kompozitori. Shumë këngë sot kanë ngelur anonime, pasi nuk përmendet babai i tyre, kompozitori, por njihet vetëm këngëtari që i këndon.

Ç’mund të veçoni nga puna juaj në Pallatin e Kulturës Ali Kelmendi?

Kam punuar 15 vjet shef muzike në Pallatin e Kulturës, Ali Kelmendi që atëherë mbulohej nga Bashkimet Profesionale. Gjatë gjithë kësaj periudhe kam qenë shef i muzikës për të gjithë muzikën amatore të klasës punëtore të Tiranës. Kanë qenë me dhjetëra këngëtarë. Ne vetëm si pallat kemi të filmuar 18 orë muzikë të mirëfilltë shqiptare. Të gjithë këta këngëtarë popullorë të asaj kohe apo dhe të muzikës së lehtë) kanë dalë nga ky pallat kulture. Me dhjetëra instrumentistë që sot qarkullojnë nëpër Tiranë. Elementët më të mirë rrinin në pallat ku merrnin pjesë nëpër koncertet e majit e aktivitete të ndryshme.


“M’ dogji malli” një recital që më sjell erë rinie

Fletë nga albumi i kompozitorit Enver Shëngjergji

 Këngëtarë të ftuar: Irma Libohova, Eranda Libohova, Klara Baku, Dionis Delia, Sazan Meçani, Marjana Leka, Bujar Çiçi, Reshat Boka, Hajredin Gjeta.

 Interpretojnë: Solistët, Orkestra dhe Trupa e Valleve

 Drejtues i vokalit- Gramoz Burba

 Dirigjent i Orkestrës- Vladimir Hasimi

Drejtues i valleve-Rexhep Çeliku

 Drejtor Artistik- Sulejman Baltëza

Si lindi ideja për këtë recital?

Kisha kohë që e mendoja. Sa herë shikoja spektakle të ndryshme televizive, mendimet më shkonin vite të shkuara në krijimtarinë time të shumë viteve. Këto kujtime më ngjizën dëshirën për të ideuar me z.Sulejman Baltëza në bashkëpunim me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve një Koncert Recital që do të ishte i veçantë për nga struktura dhe përzgjedhja e materialeve të mia si kompozitor.

Ku bazohet krijimtaria juaj në këtë Recital?

Kryesisht në muzikën popullore qytetare. Kjo do të thotë si në këngët popullore qytetare po ashtu dhe muzikën e valleve kryesisht të Shqipërisë së Mesme.

Mos vallë ky recital do të ketë vetëm muzikë popullore qytetare të Shqipërisë së Mesme?

Kryesisht mbi këto motive është bazuar, por krijimtaria ime ka një gjeografi shtrirje, pra do të ketë dhe muzikë popullore të Shqipërisë së Jugut.

Cilat do të veçonit nga këngët jugore?

.

Shihet se ndër të ftuarit special janë dhe motrat Libohova. Reshit Boka etj…Përse pikërisht këta këngëtarë?

Kjo për disa arsye, por kryesorja është se ata janë këngëtarë kryeqytetas, ku është, këngëtarë popullorë qytetarë, ku është bazuar ky recital.

 

Jeni i emocionuar?

Sigurisht. Bile shumë. Kam emocionet si ditën e parë, kur kënga ime mori pjesë në Festivalin e 11-të, me këngën “Mbrëmja e fundit”. Por tashmë emocionet shumëfishohen, duke pasur parasysh se kam një eksperiencë të madhe dhe nuk duhet të turpërohem. Por jam i bindur tek suksesi pasi kam me vete një ekip të kompletuar, këngëtarë profesionistë, valltarë të Ansamblit që kanë bërë emër kudo në botë.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: - Turizmi elitar me gjithë blablatë e kryeministrit dhe shpurës së tij është jo egzistent në Shqipëri

Dr. Vladimir Mici: – Ajo që shqiptarët janë të interesuar nuk është thjesht shifra që kërkon NATO, por se ku këto para shpenzohen

-E kaluara edhe me më pak se 2% na ka treguar se është abuzuar me …