Albert Z. ZHOLI: Flet “Mjeshtri i Madh” Naxhi Kasoruho

Albert Z. ZHOLI: Flet “Mjeshtri i Madh” Naxhi Kasoruho

Znj. Ministre, firmën e parë në këtë fillim viti ta hidhni për zhvillimin e Festivalit të Gjirokastrës.

Ismail Kadare: Më tepër se e bukur, Gjirokastra është e vaçanta e rëndësishme e kuptimplote, një qytet befasues

 

Për Gjirokastrën flitet shumë. Ka nxjerrë kapedanë, udhëheqës, politikanë, akademikë, gjuhëtarë, profesorë, shkencëtarë, etj….Lerë dhe rritur në Gjirokastër si do ta përkufizonit Gjirokastrën?

Gjirokastra është ndër të paktët qytete në botë që populli i ka kënduar këngë. Ndër këto 40 vitet e fundit kur në kalanë madhështore të qytetit të gurtë hapi siparin Festivali Folklorik Këmbëtar, Populli Artist i të gjithë trevave të vendit kur është ngjitur në atë podium në programin e tij ka patur edhe një këngë që ia kushtonte Gjirokastrës. Eshtë e veçantë dhe pak e çuditshme kjo, por këshut ka ndodhur. Si duket artistët popullorë, që vinin në festival dhe qëndronin një javë në qytet emocionoheshin nga bukuria magjepëse dhe pamja befasuese që të afronte ky qytet i lashtë me plot histori, tradita, kulturë dhe njerëz bujarë që hapte portën e madhe dhe priste me tërë bujarinë e shpirtit në shtëpitë kështjella: artistë e miq nga gjithë Shqipëria ndaj dhe thurnin këngë.

Në trashëgiminë kulturore botërore ka shumë shembuj ku këngëtarë të ndryshëm  i këndojnë  kryeqytetit të shtetit të tyre dhe qyteteve të ndryshme që janë simbole të identitetit kombëtar duke shprehur respektin dhe dashurinë e tyre duke i bërë ata edhe më të njohur në këngët e tyre. Këto këngë janë kompozime nga autorë të veçantë dhe kanë një autorësi individuale të përcaktuar siç janë këngët për Parisin, Nev York, Moskën dhe shumë qytete në mbarë botën ku artistët i këndojnë qytetit simbol të shtetit të tyre.

Edhe në vendin tonë kemi shumë qytete ku kompozitorë të ndryshëm ju kanë kushtuar këngët e tyre si    këngët për Vlorën, Tiranën, Korçën, Sarandën, Durrësin, Prizrenin, Elbasanin , Beratin etj. Por ndryshe janë këngët që i këndojnë Gjirokastrës. Ato nuk kanë autorësi individuale mbasi i krijon dhe këndon një popull i tërë për  “Gjirokatrën në shpat mali”, qytetin befasues i shtrirë në shpatin e Malit të Gjërë në 5 brigje në formën e pëllëmbës së dorës të ndarë nga përrenj të stërgjatur që zbresin deri në brigjet e lumit Drino.

 

-Për Gjirokastrën kanë folur shumë e shumë personalitete të huaja. Çfarë do veçoni nga këto vlerësime?

Ja si shprehet për Gjirokastrën Selina Garsia Gordunja, zv/drejtoreshë e Institutit Meksikan të Kulturës: “Qyteti i Gjirokastrës është për mua një vend i mrekullueshëm për të realizuar festivalet folklorike. Unë  jam e emocionuar dhe shumë e lumtur që takoj një popull, i cili këndon me shpirt dhe krenari këngët e tij. Skena e festivalit rrethuar nga malet ku fryn era na siguron që shpirti i këtij populli këngëtar do të dëgjohet vazhdimisht e deri në largësi.”  Ndërsa Kadareja do të shkruante: “Më tepër dhe e bukur, Gjirokastra është e veçantë, e rëndësishme e kuptimplote… Ky ishte një qytet i çuditshëm që dukej sikur kishte dalë në luginë papritur një natë dimri si një qenie prehistorike… ishte me të vërtetë një qytet befasues.

Në një nga këngët e popullit thuhet: “Gjirokastra hane- hane./ E mençur dhe kapedane./Ke lindur nga Mali i Gjërë ./ Syri i sheh larg përherë./ Çdo shtëpi kështjellë guri./ Kush të pa dhe nuk të mburi.”

Vërtet kush nuk u befasua me pamjen magjepëse të Gjirokastrës të shtrirë në shpatin e Malit të Gjërë ndërtuar në pesë brigje në formën e pëllëmbës së dorës të ndarë nga përrenj të stërzgjatur, që zbresin poshtë deri në brigjet e lumit Drino. Gjirokastra vjen nga thellësia e shekujve deri në ditët tona me një trashëgimi të pasur e me vlerë në kulturën tonë kombëtare.

Qysh në vitin 1672, kur vizitoi qytetin, kronisti turk Evlia Çelebia u shpreh me emocion për bukurinë e tij dhe për zakonet e traditat e veçanta që trashëgonin gjirokastritët e atëhershëm. Lord Bajroni kur e pa Gjirokastën nga qyteti i Libohovës dyqind vjet më parë kur ndaloi aty në rrugëtimin për në Tepelenë që do të takonte Ali Pashanë u befasua nga pamja e kalasë madhështore e qytetit të gurtë. Shumë vjet më vonë piktori anglez Eduard Lir më 1848 kur erdhi në Gjirokastër mbeti i mrekulluar nga pamja e qytetit, sidomos nga kështjella dhe ujësjellësi me harqet e urave të mëdha, i pikturoi ato duke na lënë një dëshmi të jashtëzakomshme si trashëgimi me vlerë të atij realiteti megjepës.

“Perlë e Ballkanit” e ka quajtur një diplomat i huaj kur e ka soditur nga bedenat e kalasë legjendare.

Janë me qindra ata vizitorë të vendit dhe të huaj që të befasuar nga pamja magjepëse që të ofron Gjirokastra kur e sodit nga shtëpia e Topollarëve apo Kodra e Kërcullës, nga universiteti e nga bedenat e kalasë. Kur vjen nga rruga nacionale e kodra e Obeliskut, nga sheshi i Çerçizit e Qafa e Pazarit e nga çdo pozicion tjetër dominues, ditën ose natën, në ditë me shi a me diell në pranverë a në dimër me borë, ata kanë shkruar dhe kanë shprehur të impresionuar dhe vlerësimet e tyre për qytetin e gurtë.

Janë këto vlera të çmuara të trashëgimisë nga thellësia e shekujve që UNESKO e ka përfshirë në listën e qyteteve që mbrohen nga ajo si pasuri të trashëgimisë kulturore botërore. Mund të vazhdoj të sjell këtu me qindra shembuj të autorëve të ndryshëm qysh nga largësia e shekujve e deri në ditët tona për atë çka kanë parë e përjetuar soditjen, që i kanë bërë Gjirokastrës dhe që më vonë kanë pasqyruar shënimet, librat e tyre artistikë dhe gjithçka, që kemi nga kjo trashëgimi e gjërë, është tregues kuptimplotë për befasinë që të ofron qyteti i gurtë dhe emocione nga mbresat e pashlyeshme që të lë.

 

-Por le të ndalemi në ato që ka kënduar artisti i madh popull në kalanë e festivalit për qytetin e Gjirokastrës….?

 Kënga “Gjirokastra në shpat mali, guri shekullor”, që e solli në skenën e festivalit me tërë pasionin e shpirtit artistja e madhe, Fitnete Rexha, tashmë mund të themi se është një himn që i këndohet qytetit të Gjirokastrës. Kënga vazhdon kështu: “Gjirokastra në shpat malit,/ guri shekullor/,tundet sot nga festivali/, gëzimi popullor…”

Nga kënga “Gjirokastra në shpat mali” te kënga “ Po the Gjirokastra, i ke thënë të tëra” kënduar nga Petrit Lulo, Mjeshtër i Madh. Populli Artist i ka kënduar Gjirokastrës me tërë dashurinë e shpirtit të këtij qyteti befasues, perlë e Bllkanit,  universit të gurtë, qytetit të manxuranës dhe Kadaresë. Perandorisë së gurit dhe shpirtit njerëzor si një dukuri e veçantë dhe befasuese ku një popull i tërë i këndon një qyteti me histori dhe kontribute në kulturën tonë kombëtare.

Le të sjellim këtu si shembull disa nga këto këngë që artistë popullorë nga gjithë vendi kanë kënduar në festivalet e Gjirokastrës në vite.

Artistët popullorë nga Vlora në këngën e tyre gërshetojnë kaltërsinë e detit me gjelbërimin e ullinjve me bukurinë e qytetit të gurtë duken në një tablo impresionuese dhe duke evidentuar edhe traditat e vyera të mikpritjes.

Ja se ç’thotë kënga: ” Morëm kaltërsi nga deti,/Qiellit tënd seç ia dham.,/ Gjelbërimin e ullinjve/tek ti ne po e shpërndajmë./ O moj ti borëbardhë!/ Ç’ke marrë kaq nur?/Qepallë si mermer:/ Bukuri mbi gur”.

Grupi polifonik “Ergjëria” me korife Arjan Shehun, zërin brilant të polifonisë tonë në kalanë e festivalit na sjell një këngë si mesazh mirënjohje për këngëtarë të traditës si ikonë të këngës shqiptare ku thuhet: “ Ndezi këngën Shqipëria!/Në kalanë e festivalit./Tek ky shesh, që s’harron kurrë:/ Këngën e Xhevat Avdalli./ Na vjen këtu Demir Zyko,/gojëmjaltë nga Skrapari./Krah për krah Afsa Zyberi./Madhështor Mentor Xhemali/. Vendlindjen ka këtu kënga/ Rrotull me malet e rënda/Me kostume të argjenda/Me këngë gurë të çmuar brenda.”

Dhe këngët vazhdojnë: Ja një nga këngët polifonike të Tragjasit:  “Dridhe vallen Gjirokastër./ Merrja t’i o mal i Gjërë./Ktheja o Çajup i lartë./Iso mban Shqipëri e tërë./ Këngët, vallet tona vini në Gjirokastër./ derdhen në kështjellë si burim i pastër./Ç’janë këta bilbila, kështu kush po vjen:/Naimi, Samiu vjen në bedenë/. Kush është ky burrë që vjen si gjëmimi?/ Vjen në Gjirokastër Abdyl Frashëri trimi!/ Në ballë të tyre krahët rreh Shqipëria./ Priti Gjirokastër këngët e vallet tona. Kënga sjell në vëmendjen tonë momentin historik kur vjen në Gjirokastër Abdyl Frashëri për të vazhduar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe zgjon ndjenjat e larta patriotike.

Morëm kaltërsi nga deti./Qiellit tënd seç ja dhamë,/gjelbërimin e ullinjve/Tek ti n a po e shpëndajmë./Miq nga Vlora vijnë shqipe festivalit/ Me një fyell endërrimi me një cylë malli”. Artistët popullorë të Tropojës këndojnë për Gjirokastrën dhe vinë nga bjeshkët e Alpeve për herë të parë veshin nuse dhe marrin lule nga qyteti i festivalit dhe i çojnë në breg të Valbonës.

Çfarë ka toka sot që po lulon?/N’kala t’ moçme shqipje po vallzon./Dasmë e madhe n’kull të shqiptarit, /mal i Gjërë o mir se t’ gjeta/ Mirë se vjen Korab o tungjatjeta.

Dy male të lartë i drejtohen me respekt njeri-tjetrit për mikpritjen dhe mirëseardhjen .

Kështu kënduan në kalanë histortike të Gjirokastrës artistët dibranë në festivalin e vitit 1983.

 “O mir se t’gjej o Gjirokastër!/Në kët festival./Kruja e lashtë me zemër t’pastër,/të këndon me mall./ Dy kala, porsi dy motra,/në kët fest’ të madhe./Dasëm ka sot Gjirokastra:/ me Krujën hedh valle.

Kalaja e Skënderbeut dhe kala e Argjiros i flasin me dashuri njera- tjetrës ku artistët krutanë i këndojnë me mall festivalit të Gjirokastrës.

-Vite pa Festivalin e Gjirokastrës. Plot 7 vjet heshtje. Në këtë vit cila do ishte dëshira e artistit Kasoruho dhe si do ta përcillni shqetësimin tuaj për këtë Festival tashmë të heshtur?

Me modestinë e një artisti i drejtohem znj. Elva Margarita, Ministre e Kulturës me kërkesën për ta shpallur organizimin e  Festivalit të Gjirokastrës në shtatorin e këtij viti.

 

E nderuar znj. ministre!

Mbështetur në statutin e Festivalit të Gjirtokastrës si manifestimi më i madh i trashëgimisë folklorike kombëtare ku  përcaktohet se ky festival zhvillohet një herë në 5 vjet. Ky afat tashmë është tejkaluar mbasi festivali i fundit në kalanë historike të qytetit të gurtë është zhvilluar në 15 maj 2015 pra: para 7 vjetësh çka tregon se zhvillimi i këtij aktiviteti në këtë vit është më se i domosdoshëm.

E presin këtë festë të folkut tonë kombëtar mbi 20.000 artistë popullorë që janë ngjitur këto dekada në kalanë e festivalit të Gjirokastrës në skenën magjike duke bërë të buçasin bedenat e kështjellës së lashtë nga zërat brilantë të artistëve nga mbarë vendi duke shpalosur vlera të trashëgimisë kulturore si pjesë e identitetit tonë kombëtar.

Znj. Ministre!

Do të ishte shumë kuptimplote dhe e mirëpritur nga mbarë opinioni i gjërë, që firmën e parë në këtë fillim viti ta hidhni për zhvillimin e Festivalit të Gjirokastrës.

Në ditën e parë artistët popullorë gjirokastritë do të këndojnë:  “Ç’na buron nga zemra,/ kënga më e mirë/ Në kalanë e festivalit,/ plot me mysafirë/. Erdhën sot në vatrat tona:/ nga Saranda tek Valbona./ Kaq zambak e kaq shqiponja.” -Gjirokastra pa Festivalin është si lumi pa ujë.

 

Kontrolloni gjithashtu

James O’Brien: Plani i Zgjerimit i Bashkimit Evropian është një plan që nuk është parë më herët

Intervista e Ndihmës-Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, për “Zërin e Amerikës”, në gjuhën shqipe

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të …