Albert Z. Zholi: “Melodia e jetës” vëllimi me drithërime poetike i Lumnie Hotit

Poezitë e vëllimit poetik “Melodia e jetës”, me autore Lumnie Hoti  janë shkruar nga një femër, me origjinë kosovare, me zemër mbushur plot drama jete, por edhe drithërime poetike. Poezia e saj, në çdo varg, është thuajse një jetë e shtrydhur pikë-pikë mbi letër…Ashtu siç shtrydhet rrushi dhe bëhet verë e musht, ose siç bluhen kokrrat e misrit në një mulli dhe lëshojnë nga pak miellin e bukur për bukën e jetës… Sigurisht, të gjitha këto përjetime, na vijnë permes një modestie fisnike, por me një pasion e dashuri të skajshme për vendin, për popullin, për njeriun! Ky karakter, sa shqiptar, aq edhe poetik, të rrëmben e të bën për vete, madje shpesh të vë edhe në mendime…

Vëllimi poetik në fjalë, është kështu një rrëfim i jetës së një vajze, jetë e cila kaloi pranë dy lumenjve: Osum dhe Shkumbin. Pranë këtyre 2 lumenjve, rreth të cilëve është shtrirë “Mesopotamia” e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, autorja u rrit, kaloi fëmininë e rininë, ndjeu rrezet e para të poezisë…Në këtë mjedis sa të bukur dhe historik, ku spikat Berati i lashtë, ajo u brumos, krijoi familje, por edhe përballoi jo pak dhimbje për shkak të persekutimit biografik. Ndaj, dhe ishte nga të parët që u përfshi në thirrjet e fuqishme të vitit ’90 për liri e demokraci! Dhe në valën e eksodit jashtë Shqipërisë, ishte edhe autorja, e cila mori në sy mjaft rreziqe, sakrifica e pengje të rënda jete. Në poezinë e ndier “Dallgë jete” shpalosen bukur dhe dhimbshëm të gjitha dallgët me të cilat luftoi e u përplas kjo vajzë kosovare, por nuk u mposht, por doli mbi to, jetoi e mbijetoi: “Nënë e babë i lashë në prag/ Me dy vogëlushë amanet,/Lashë çdo gjë që ish e shtrenjtë/Me skaf u nisa nëpër det…” Dhe më poshtë: “Shumë dallgë do kaloja,/Dallgë deti, dallgë jete,/Dhimbje, mall do të duroja,/Do t’i mbaja mal mbi vete…” E natyrisht të shtohet respekti për këtë vajzë trime, sypatrembur, e cila ishte e vendosur të kërkonte me çdo çmim një jetë më të mirë për vete dhe për fëmijët e saj. Dhe ia arriti në një mënyrë të admirueshme!

Ajo u përshtat në jetën si mërgimtare, por ishte tërë sy e veshë, tërë pasion e gatishmëri për çdo punë, duke mos pasur asnjë lloj kompleksiteti për llojin e natyrën e punës. Ishte rrahur nga jeta, prandaj dhe një ditë ajo i buzëqeshi asaj: U bë pjesë e rretheve kulturore në Itali, ku punoi e pati mjaft suksese si modele dhe në festa popullore nëpër qytetet italiane. Por, pikërisht në këtë kohë, kur ajo u stabilizua me jetë e familje, ngriti krye malli për Atdheun, ndjenja e dashurisë e krenarisë si shqiptare në një vend të huaj. Mbase, pikërisht edhe këtu shpërtheu më me forcë poezia e mërgimtares, zëri që thërriste vendlindjen, shtëpinë, nënën, babanë, shoqërinë me të cilën kaloi vite e vite pune e jete. Ishte kushtrimi i të parëve, që u bë edhe lajtmotivi i poezisë që kemi tashmë nëpër faqet e këtij vëllimi simpatik. Natyrisht, autorja del natyrshëm dhe mjaft bukur edhe në terrenin e poezive lirike, erotike, duke dëshmuar pasion, ndjenjë dhe elegancë.

Në tërësi mendojmë se ky rrëfim poetik i jetës, i ndjenjave dhe ëndrrave, i aspiratave njerëzore, përbën një prezantim të arrirë e origjinal të autores në skenën e madhe të artit poetik shqiptar!

Kontrolloni gjithashtu

DR. SKËNDER DEMALIAJ PROMOVOI 20 LIBRA NGA FUSHA TË NDRYSHME

DR. SKËNDER DEMALIAJ PROMOVOI 20 LIBRA NGA FUSHA TË NDRYSHME

Para pak ditësh në një veprimtari në Tirana International Hotel, në formë ekspozeje Dr. Skёnder …