Brickos

Albert Z. Zholi: Si e prita Dritëro Agollin në vitin 1996 në Athinë

Albert Z. Zholi: Si e prita Dritëro Agollin në vitin 1996 në Athinë

-Aristidh Kola: “Poetë si Dritëro Agolli do të kishte dëshirë t’i kishte dhe shteti më i fuqishëmnë botë”

 -Dino Kubati shkrimtar e publicist arvanitas ishte gjithashtu i interesuar shumë për vizitën e Agollit

 -Në Athinë Dritëroi erdhi me Sadijen dhe poetin tjetër, Moikom Zeqo

-Mirëpo shqiptarët nuk e dinin, se për Drirtëroin kishin nevojë edhe grekët.

Pasi kam shkruar për “ushtarë” e “oficerë” të artit të letërsisë, nuk mund të mos e ndaj më vete gjeneralin e tyre. Nuk di, nëse Dritëro Agolli kishte ardhur edhe herë tjetër në Athinë apo jo, por kësaj radhe, atë e pritën siç do ta prisnin në një rreth të Shqipërisë me rastin e Muajit të Letërsisë dhe Arteve. Njeriu që së bashku me Kadarenë e Rexhep Qosen përbëjnë triumfin e kulturës së shkruar shqiptare, nuk mund të mos shënohet si një kulm i jetës së emigracionit shqiptar në Athinë.

Ideja e parë për një vizitë të mundshme

Idea e parë për një vizitë të mundshme, jo për turizëm, natyrisht por për të pakësuar mallin e emigrantëve, na u dha në muajin qershor 1996. Qe ndodhur këtu gazetari dhe juristi Spartak Braho dhe ne, një grup adhuruesish të letërsisë biseduam me të për Dritëroin. Diçka na premtoi zoti Braho. Nuk duheshin shumë çka për t’u ndezur eshka e mallit. Lajmet e para nga Shqipëria ishin inkurajuese. Lajme nga “qiraxhinjtë e Grebenesë” që vinin duke kaptuar malet. E dija që zoti Dino Kubati shkrimtar e publicist arvanitas ishte gjithashtu i interesuar shumë për vizitën e Agollit. Ai mori përsipër nxjerrjen e vizave, ndërsa unë e disa shokë përgatitjet për sallën e lajmërimin e emigrantëve. Salla, natyrisht duhej paguar. Më pas, kur gjithçka kishte mbaruar, disa “diplomatë” do të tregonin haptazi koprracinë e tyre për ca mijëra dhrahmi. Nejse, u detyrova t’i paguaja vetë, i bindur se do të më ndihmonin edhe emigrantët e tjerë, sikundër dhe bënë. Por më mbeti peng se nderi i kombit siç qe poeti i madh dhe aktiviteti për nder të tij, ishte diskutuar e barazuar apo numëruar me ca të holla…

Lajmi mori dhenë

Nuk e di se cila gazetë kishte shkruar diçka për këtë përgatitje dhe telefonatat e emigrantëve nisën të binin pa pushim. Kur, ku si do të mbërrinte poeti i madh? Si mund të sigurojmë një ftesë? Në ç’orë mund ta takojmë në mënyrë që pronarit t’i themi … e kupton? Nuk merrnim dot frymë nga telefonatat. Dhe ja, ai erdhi ashtu, papritur, por i mirëpritur. Jo i vetëm. Me dy të tjerë: E shoqja Sadija dhe poeti tjetër Moikom Zeqo. Qe një alarm që përshkoi gjithë “pjesën” shqiptare të Athinës. Poeti i madh kishte bredhur mjaft nëpër Shqipëri dhe kishte pasur shumë miq. Miq që nga ndonjëherë nuk i mbante mend, sepse u kishte bujtur vetëm një natë në shtëpi. Por ata atë natë e konsideronin gjithë jetën një nder të madh dhe tani, të emigruar në Greqi, natyrisht jo midis 3 milion shqiptarëve, por midis 300 000 emigrantëve, ngjante se shansi për t’u bujtur edhe një herë poeti në shtëpi ishte 10 herë më i madh. Nga ana tjetër ishte e para herë që njëri nga intelektualët më të mëdhenj të vendit, njëherësh edhe për pozitën e tij të qartë politike, e bënte njeriun e letrave dy herë më interesant për ikanakët. Ata donin të qanin hallet me të si me një kushëri të madh e të dëgjuar, me një ‘post” në ‘komitet”, sepse tani kishin mbetur pa shtëpi e katandi, pa punë për djemtë, pa dhëndurë për vajzat. Hallet ishin të rënda sa malet e Shqipërisë. Se mos erdhi më parë ndonjë ministër e qëndroi të llafosej me ta?! Se mos erdhi presidenti i vendit e t’i lironte sado pak nga vargonjtë e pikëpyetjeve? Se mos u tha njeri, se vuajtjet tuaja do të mbarojnë në këtë vit të këtij shekulli apo të atij tjetri dhe ata të mos flinin të qetë… Se mos…!!!

Mirëpo shqiptarët nuk e dinin, se për Dritëroin kishin nevojë edhe grekët

Dhe jo grekët hallexhinj, si ata vet, por grekët e pasur: do me thënë grekët shkrimtarë, artistë e gazetarë… O perëndi, ndoshta shkrimtari i madh do t’u thoshte këtyre grekëve të dëgjuar që…Po ç’t’u thoshte më parë! Apo më mirë mes veti, pa na dëgjuar bota?! Salla ku e prisnin grekë e shqiptarë bashkë ishte mbushur plot e përplot. Ai qëndronte, përqafohej me dikë, dikujt i jepte vetëm dorën, ca të tjerave u mbetej dora shtrirë se ai kalonte tutje…Jo si mbretërit mendjemëdhenj, por nga që nuk mund t’i takonte të gjithë. Ajo qe salla e lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Greqisë. Ftesa i takonte klubit “IDEON” dhe ai i falënderoi së pari drejtuesit e tij për këtë vizitë të shumëdëshiruar. Pastaj ai foli gjatë. I njihte rrënjët e kulturës së dy popujve, siç dinte rrënjët e familjes së vet. E njihte letërsinë greke siç njihte atë shqipe. Veç donte, që siç njohin shqiptarët, mitologjinë dhe letërsinë greke, ashtu edhe grekët duhet të njohin disa nga perlat tona. Fjalët e mençura binin si vesa, por edhe ai si breshër. Herë të mbusheshin sytë me lot, herë të skuqeshin veshët. Pastaj lule, poezi të tij të recituara nga shqiptarë e grekë, në shqip e greqisht…

Të nesërmen adhuruesit e tij shqiptarë do ta ndiqnin deri në ishullin historik të Salaminës

Beteja e madhe greko-persiane ka lënë famë në legjenda. Gurë e shkëmb këtu është kthyer në parajsë. Njeriu i lirë ka bërë krijimtarinë e tij nëpër kopshte, vila, hotele, drurë…Ai si një fëmijë ka “vizatuar” jetën e begatë me rrëke djersësh. Këtu erdhi poeti i madh. Sepse klubi “IDEON” e donte edhe për vete midis anëtarëve të tij. Zoti Dino Kubatis pa u infektuar fare nga zilia e krijuesit,tha me plot gojën, se ishte nder i madh të kishte kaq pranë një shkrimtar e poet të përmasave të tilla. Po të dinit ju, grekë, të lexonit shqip Dritëroin, do të drithëroheshit si unë. Faleminderit, tha poeti. Po ne jemi komshinj dhe na ndan vetëm një oborr i vogël. Dikur kishim edhe një gardh, por e shembën edhe atë. Të dy këto “shtëpi” i kaluan tërmetet me sukses. Tërmeti i madh qe ai i Luftës Çlirimtare kundër italianëve dhe gjermanëve. Unë isha vetëm 9 vjeç tha ai kur Italia sulmoi Greqinë, por asnjë shqiptar nuk u gëzua për këtë. Më pas ne luftuam së toku gjermanët. Partizanët tuaj të lavdishëm erdhën deri në Korçë e Përmet. Unë i mbaj mend shumë mirë se u bëra partizan i vogël. Aso kohe ju grekët ishit shumë të varfër, të uritur…Dhe kaluat gardhin dhe hytë në oborrin e fqinjit. Dhe fqinji ndau me ju grushtin e fundit të miellit që kishte mbetur në hambar. Pastaj ai foli për të kaluarën shqiptare në totalitarizëm, për shtetin e ri demokratik, por edhe kundër atyre që i mohojnë historisë së vendit tonë gjithshka të vyer që krijoi në ata 50 vjet. Duke u ndaluar vetëm në veprat e historisë, ai tha, se qe një periudhë e vështirë, por pjellore dhe krijoi vlera të tilla që i njohu gjithë Evropa. Ata ishin Oaze në shkretëtirën e ideve të diktaturës.

Paralele historike

Agolli hoqi paralele me periudhën e diktaturës në Greqi ku shkqëlqyen pena të tilla të fuqishme si Seferis, Ricos, etj. Ndërsa tani që shkruajnë e botojnë të gjithë vëmë re se majat janë rrafshuar…Gjithçka është kthyer në një qetësi të trishtueshme. Folën edhe të tjerë për letërsinë. Zoti Kubatis shtroi aty një drekë për nder të miqve të shquar. I zoti i lokalit Spiro Sovreli, kur mori vesh, se me ç’miq kishte të bënte, u bë copë për të shërbyer sa më mirë. Kur do të ndaheshin, Dritëroi i Madh, i tha mikut:

-U kënaqëm në verandën e lokalit tuaj të mbuluar me rrush. Por do të ishim kënaqur më shumë në qoftëse do të ishte pjekur edhe rrushi!

Në ditën e tretë e të vërtetë, ai donte të ishte “vetëm” me njerëzit e tij emigrantë.

Kishim siguruar sallën qëndrore të Universitetit të kryeqytetit grek. Qenë mbledhdur me qindra e s’kishte ku të hidhje mollën. Shtypi i partisë Demokratike, me gjithë fyerjet që ishte munduar t’i bënte poetit të madh, nuk kishte arritur të shmangte nga ky takim, vet simpatizantët e asaj partie. Poeti ishte mbi partitë. Poeti ishte mbi krahinat. Poeti ishte mbi politikanët. Pavarësisht se ishte pozicionuar në një krah të mendimit politik shqiptar. Ai vizitonte Athinën pas zgjedhjeve të diskutueshme të 26 Majit 1996, pas përleshjeve politike të opozitës me forcat e pushtetit në Shqipëri, pas lëvizjeve politikane që kishte bërë lideri i burgosur i opozitës socialiste Fatos Nano, lëvizje që ato ditë quheshin shumë të diskutueshme. Edhe poeti i madh në biseda private i përkrahte lëvizjet e Nanos, por dënonte mënyrën se si ishin bërë ato. Por ajo që e gëzonte atë ishte fakti se Partia Socialiste dilte nga papjekuria totalitare e PD-së, në një parti me diversitet mendimesh. “Sepse grupime të tilla të mëdha njerëzish, të majtë, apo të djathtë,- thoshte ai – nuk mund t’i futësh në rresht e ata thjesht të zbatojnë komandat. Në PS ka mënyra të ndryshme, por nuk ka masa përjashtuese për ata që mendojnë ndryshe. Në PD do të përjashtoheshe po të dilje kundër Berishës, tha ai, sikundër përjashtoheshe dikur në Partinë e Punës. ” E mbytën në pyetje. Qe zbrasja e atyre halleve që qenë grumbulluar para se ai të vinte. Dhe ai si shqiptar e filozof dinte vetëm të jepte këshilla, të jepte gjykime, se si do të shkonin punët në të ardhmen. Sepse megjithëse ishte më i madh se mbreti, nuk qe vet mbreti. Por edhe kur nuk e pret qëllimin, hedhja tej e brengës të lehtëson sa s’bëhet… Këtë bëri Dritëroi me ata emigrantë të etur për drejtësi në vendin e tyre…Pastaj nuk ishin vetëm sallat. Poeti dhe miqtë e tij që e shoqëronin kudo nëpër Athinë kishin rastin të uleshin e të pinin një kafe atje ku i ftonin. Ishin ata të njohur e të panjohur, shqiptarët që këtu larg ngjajnë të gjithë kushërinj, poetët që nuk kanë botuar kurrë vargje, por e ndjejnnë vehten nga kjo racë superiore, por edhe socialistë të thjeshtë që duan të takojnë dikë nga “maja” e partisë së tyre. Nëpër kafenetë e Omonias apo gjetiu vazhdonin kështu ato biseda për hallet e Shqipërisë dhe të emigrantëve. Poeti vizitoi shtëpinë e emigrantit Z. Zhupa dhe Sh. Jahja.

Unë pata fatin ta kem një natë mysafir në shtëpinë time

Qe një ëndërr. Si çdo i ri shqiptar për Dritëroin kisha dëgjuar shumë, kisha marrë nota për krijmtarinë e tij, kisha bërë hartime, kisha mësuar shumë vargje përmendësh nga korpusi i gjërë i poezisë e poemave të tij. Të rinjtë e brezit tim, edhe pa shumë prirje në letërsi, dinin dhjetëra vargje përmendësh të poemës “Nënë Shqipëri”. Dhe ja, tani ky idhull ishte ulur në shtëpine time. Por jo në shtëpinë time të vërtetë në Shqipëri, por në shtëpinë time me qera, në Athinë. Mes nesh ato ditë ishte edhe Sadija e tij, gruaja së cilës i kushtoi aq shumë vargje, qe gruaja që iu bë shoqe e pandarë në dallgët e jetës së tij. Dhe tanimë miq të nderuar në një shtëpi mikpritëse. Atje në dhomën e përgatitur me kujdes pë këta miq të çmuar, në atë krevat të thjeshtë ku do të flinte poeti i madh një mirënjohje atdhetarësh e bënte kë moment solemn. I mbushur me historitë e hallet tona Dritëroi ynë a do të mbyllte dot sytë vallë?! Ç’mendime do t’i trazonin trurin pjellor para se gjumi të ulej mbi qepallat e tij? Ç’ëndrra do të shihte me gogolë a shtriganë që hanë emigrantët së gjalli? Ç’shtojzëvalle do të bredhin nëpër vargjet e tij të ardhshme, të cilat do të kenë për fillim këtë krevat të thjeshtë shtruar në një shtëpi athinjote? Nuk e di… Por unë isha i lumtur që kisha për darkë atë njeri aq të shtrenjtë…Pas atij takimi zhvillova një intervistë të gjatë. Kjo ishte hera e parë dhe më vonë takimet do të ishin të shpeshta. Intervistat me peotin e madh do të ishin të shumta. Por në atë vizitë nuk mund të harroj ftesën që i bëri Arvanitasi i madh Artistidh Kolja. Atë natë e gdhimë në verandën e shtëpisë së Aristidhit. U fol gjatë e për gjithë hsitoinë e dy popujve. Por këtë radhë nuk mund të përshkrhet ajo vizitë e rrallë, pasi në disa televizione Aristidh Kola theksoi: “Poetë si Dritëro Agolli do të kishte dëshirë t’i kishte dhe shteti më i fuqishëm në botë.”

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Dhjetë alfabete të gjuhës shqipe, të cilat i ka prezantuar në një libër studiuesi i mirënjohur, Robert Elsie

Robert Elsie: Literatura shqipe në traditën islame-osmane I

Me ardhjen e tij ne Shqiperi, pushteti Osman solli me vete kulturen e tij te …