Ditën e premte më 27 shkurt, u zhvillua mbledhja e radhës, e paralajmëruar, e Komitetit Kombëtar të OVP të LANÇ-it të Popullit Shqiptar. Merrnin pjesë drejtuesit e këtij komiteti, Vera Tarifa, Veli Myftari, Idajet Beqiri, Petrit Bregu, si dhe të ftuar të tjerë. Pasi u pa kuorumi me pjesëmarrje mbi 82 % e anëtarëve të Komitetit Kombëtar u vendos fillimi i mbledhjes (mungesat ishin me arsye).
Mbledhjen e çeli Sekretari i Përgjithshëm, shoku Veli Myftari. Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, ai parashtroi edhe një herë para gjithë të pranishmëve rendin e ditës të kësaj mbledhjeje, ku në qendër të saj, ishin qëndrimet e veprimet anti-statutore e përçarëse të kryetarit të pezulluar Hulusi Hako, deri dhe në shkelje të vet parimeve mbi të cilat është ngritur Organizata e Veteranëve të LANÇ-it të Popullit Shqiptar. Sipas rendit të ditës pas referatit kryesor të shokut Idajet Beqiri, Nënkryetar i OVP, të LANÇ-it, do kalohej në pyetje, diskutime dhe zgjedhjen e kryetarit të ri. Në prezantimin e programit shoku Veli theksoi se diskutimet do të ishin deri në 3 minuta dhe nuk do lejohet askush të dëmtojë zhvillimin normal dhe me kulturë të mbledhjes. Unanimisht pjesëmarrësit miratuan këtë rend dite. Komiteti Kombëtar shqyrtoi me pjekuri temën e rendit të ditës, duke parë me seriozitet pikat e zhvillimit të saj.
Në vijim e mori fjalën nënkryetari i Komitetit Kombëtar, shoku Idajet Beqiri, i cili mbajti raportin rreth kësaj problematike shqetësuese. Ai parashtroi një analizë të hollësishme e të detajuar, me fakte e argumente, shtrirë në kohë, të veprimtarisë antistatutore të ish-kryetarit Hako, shkeljet e rënda të tij, duke mos u vënë kështu asnjëherë në rolin dhe funksionin e nderuar të kryetarit, por të një despoti me shkop në dorë! Ai parashtroi rreth 15 shkelje statutuore të ish-Kryetarit Hulusi Hako si dhe rreth 5 urdhra personal dhe testamente personale që bien ndesh me statusin dhe frymën kolegjiale të Organizatës
Rreth raportit u bënë pyetje, ku u ndalën se a do ta mirrte fjalën shoku Hulusi Hako pas gjithë këtyre problemeve të ngritura në raport. Pas përfundimit të pyetjeve u kalua në diskutime. Në fjalën e tij shoku Hysen Tabaku theksoi se “duhet te jemi të kujdesshëm. Problemet e deritahishme nuk kanë qenë të pakta. Duhet të kemi frymë koligjialiteti. Duhet të kemi unitet nga qendra në bazë. Të gjithë drejtuesit e Organizatës kanë një përgjegjësi të madhe për mbarëvajtjen e punës. Në zgjedhjen e kryetarit duhet të jemi të ekuilibruar, pasi ai duhet të jetë një figurë e nderuar, e respektuar dhe e mirëpritur nga të gjithë. Mendoj se kryetari i ri duhet të vijë nga fusha akademike, apo dhe ish-ushtarak i lartë, të jetë me integritet dhe me emër në shoqërinë shqiptare. Kushdo që do të zgjidhet duhet të kalojë në votim”. Pas tij e mori fjalën, kryetari i OVP së Vlorës Zeqir Ribaj i cili theksoi për domosdoshmërinë e unitetit dhe zbatimin e statusit. Kryetari i OVP së Durrësit shoku Hajdar Domi, vlerësoi raportin dhe deklaroi se Organizata e Durrësit do të zbatojë me përpikëri statusin dhe do jetë korrekte me detyrat që do dalin nga kjo Konferencë. Sekretari i OVP së Vlorës shoku Bexhet Rrapoj vlerësoi punimet e Organizatës në qendër dhe në bazë dhe foli për problemet që shoku Hulusi u mundua të sjellë në Vlorë me një grup që nuk janë dakord me zbatimin e statusit. Në fjalën e tij shoku Haxhi Balla vuri theksin se problemi kryesor për këtë situatë të krijuar me kryetarin Hulusi Hako e ka vetëm Anila Gjokoreci. Ndërsa shoku Dhimitër Xhoga solli urimet nga dega e Kanadasë duke bërë thirrje për unitet dhe bashkim në emër të idealit kombëtar. Kryeredaktori i gazetës Albert Zholi kërkoi votëbesim (mori votim unanim) dhe bëri thirrje për vazhdimin e punës sipas statutit. Të gjithë diskutantët, përveç keqardhjes për degradimin e patolerueshëm të Hulusi Hakos, u shprehën të indinjuar me frymën përçarëse që ka ushqyer ai, me format primitive, aspak institucionale, të drejtimit nëpërmjet vullnetit të tij personal e aspak kolegjial! Në unitet të plotë, të gjithë diskutantët e dënuan këtë vijë sjelljeje, dhe u solidarizuan plotësisht me propozimin për ta shkarkuar ish-kryetarin Hako nga kjo detyrë!
Në mbledhje, iu dha fjala edhe vetë ish-kryetarit, i cili tha se “Unë kërkova pagesë për spitalin Amerikan ku u kurova pasi mendoja se financat e Organizatës në fund të vitit duhej të zëroheshin. E dyta kërkova një fond për botimin e një kolane librash për dëshmorët”. Në fjalën e shkurtër shoku Hulusi, nuk ishte në gjendje të rrëzonte akuzat e ngritura ndaj tij, dhe para logjikës së shëndoshë dhe unitetit të të gjithë të pranishmëve, kërkoi leje dhe u largua nga mbledhja duke thënë “Do shikoj hallet e mia!”.
Mbledhja e Komiteit Kombëtar, pas diskutimeve dhe mbështetjes unanime të raportit të paraqitur nga nënkryetari Idajet Beqiri, votoi për shkarkimin e Hulusi Hakos nga detyra e kryetarit të KK të OVP të LANÇ-it.
Ndërkohë, mbledhjes iu paraqit propozimi për zgjedhjen në detyrën e Kryetarit të KK të VP të LANÇ-it të Popullit Shqiptar, të shoqes Vera Tarifa, deri në atë moment – kryetare e komanduar, dhe kryetare e Komitetit të VP për Tiranën. Propozimi u hodh në votë dhe u miratua plotësisht. Në fjalën e saj kryetarja e sapozgjedhur Vera Tarifa u shpreh: “Falënderoj anëtarët e Komitetit Kombëtar të OVP së LANÇ-it” Nder i Kombit” të Shqipërisë, që në punimet shembullore të datës 27 shkurt 2026, më besoi mua detyrën e Kryetares së Komitetit Kombëtar të OVP së LANÇ-it “Nder i Kombit”.
Ky vlerësim është për mua nder e përgjegjësi e madhe, të cilën do t’a përmbush me përkushtim në shërbim të idealeve e vlerave të OVP sonë.
Falënderoj nga zemra të gjithë miqtë që më kanë sjellë urimet e sinqerta!
Mirënjohje e respekt për të gjithë”
Në përfundim, mbledhja bëri edhe disa kooptime shokësh e shoqesh aktiviste, në Kryesinë dhe në Komitetin Kombëtar të VP të LANÇ-it.
Në një atmosferë optimiste e uniteti, pjesëmarrësit në këtë mbledhje uruan Kryetaren e re, Vera Tarifa për detyrën e rëndësishme që iu besua, në misionin që ka marrë përsipër Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it në jetën e vendit.
Komiteti Kombëtar i OVP të LANÇ-it, të Popullit Shqiptar, pas 68 vjet jetë të kësaj Organizate, zgjodhi në krye të tij si Kryetare për herë të parë një zonjë të nderuar, nga një familje tepër e nderuar pjesëmarrës në LANÇ të Popullit Shqiptar, Zonjën Vera Tarifa.
Mbledhja zhvilloi punimet me një nivel të lartë cilësor si nga raporti dhe diskutimet e shumta, me një frymë dashamirësie, përgjegjshmërie dhe rregulli të përsosur, duke reflektuar kështu vlerat e shkëlqyera dhe unitetin e fortë si në këtë forum të lartë, ashtu dhe të strukturave të OVP të LANÇ-it, të Popullit Shqiptar në bazë…
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
