leoni

Albin Mehmeti - “Rreze shprese”, tregimet që japin rreze jete

Albin Mehmeti – “Rreze shprese”, tregimet që japin rreze jete

Pas veprës “ Dritëhëna ”, tregimtarja e re, por me një të ardhme të ndritur, Rita Ademaj, vjen me librin “Rreze shprese”. Në këtë vepër me tregime, Rita vazhdon rrugën që kishte nisur me veprën paraprake, duke sjellë para lexuesve gjithë talentin dhe diturinë e saj. Në këtë vepër, Rita vazhdon trajtimin e temave nga këndi i saj, duke mahnitur edhe më tej lexuesit. Përmbledhja përmban tetë tregime, me fusha tematike nga më të ndryshmet që nga dashuria për familjarët e deri tek fenomenet e reja bashkëkohore si nepotizmi, mitoja e rrjetet sociale.

Tregimi “Rreze shprese”, tregim prej t ë cilit është pagëzuar edhe vepra trajton jetën e Shpresës, një vajze të re, e cila përballet me vështirësi e sfida, por që me vullnetin e saj arrin ta mposhtë çdo të papritur që ia sjellë jeta. Shpresa është arketipi i një vajze që nuk dorëzohet. Me vullnetin e saj të çeliktë ajo arrin ta mposhtë varfërinë, mentalitetin dhe si një luftëtare e madhe arrin të ngadhënjejë edhe mbi sëmundjen. Si e re, ajo përballët me varfërinë e skajshme, ndaj të cilës arrin të fitojë duke mësuar, studiuar dhe punuar. Më tej, pas martesës ajo do të konfrontohet edhe me mentalitetin. Shpresa, një vajzë e rritur në një qytet të madh martohet në një qytezë, dhe kjo bëhet shkak që të përballët me kulturë e mentalitet tjetër nga ajo që ishte rritur. Edhe pse e re, ajo arrin që mos të dorëzohet dhe me përkrahjen e bashkëshortit të saj triumfon edhe ndaj patriarkalizmit kanunor. Në fund, Rita paraqet Shpresën edhe si një gladiatore edhe përballë sëmundjes. Dashuria e saj për jetën e familjen bëri që ajo të mos ndalet në kërkim të ilaçit, edhe pse dështoi në dy operimet e para. Në fund, dashuria për jetën ngadhënjejë mbi barbarinë e sëmundjes. Edhe pse e re, Rita arrin t’i identifikojë problematikat me të cilat shoqëria jonë kosovare përballet. Në një pjesë të këtij tregimi, paraqitet se si një shok i babait të Shpresës i premton se do ta regjistrojë atë në Fakultetin e Mjekësisë, që ishte ëndrra e saj.

Në tregimin “Gjyshi im”, që me gjasa del të jetë tregim autobiografik, Rita tregon sfidat me të cilat u përball gjyshi i saj në jetë. Përmes historisë së gjyshit të saj, ajo në rikthen në historinë tonë të afërt, të shkollave-shtëpi. Në vazhdimësi të tregimit, Rita tregon se si gjyshi i saj triumfoi mbi sëmundjen e rëndë, gjithë kjo falë dashurisë që familja e tij ia ofroi. Përmes këtij shembulli spikatet se dashuria është ajo që arrin të shërojë çdo sëmundje. Në fund të tregimit, jepet një porosi për më të vegjlit që t’i duan dhe t’i respektojnë gjyshërit. Përmes porosisë për të vegjlit, Rita jep edhe një mesazh për gjithë njerëzimin se përmes dashurisë mund të shërohet çdo ves shoqëror e mund të ndërtohet çdo urë që ndan njerëzit.

Në dy tregimet e mëtejme, “Dhurata” dhe “Mrekullia” shpërfaqet një mesazh i fuqishëm, ai se fëmija është dhuratë dhe bekim. Rita si një mësuese e vogël e një shoqërie ku ka filluar në masë të madhe t’i humbë vlerat e saja na mëson se edhe pse në këtë jetë do të ketë vuajtje, doemos do të vijë një dhuratë nga qielli, fëmija që do t’i zbusë dhimbjet.

Njerëzimi anembanë, sot po përballët me një fenomen të rëndë, përdorimin e pakontrolluar të  teknologjisë, që shpeshherë kjo dukuri po arrin të barazohet edhe me drogat, shkaku i varësisë. Në tregimin “Lea dhe teknologjia” paraqitet dëmi që mund të shkaktohet nga përdorimi i telefonave dhe rrjeteve sociale. Lea nga një vajzë shembullore dhe aktive, për një kohë të shkurtër metamorfizohet në një fëmijë dembel që mësimi është në rendin e dytë.

Figura e nënës, si njeriu më i dashur dhe më sakrifikues zë vend të rëndësishëm në tregimet e Ritës. Në tregimin

“Sakrifica e një nëne” paraqitet se si një nënë është e gatshëm të sakrifikojë lumturinë, shëndeti ne saj për lumturinë e fëmijëve. Në përgjithësi, në tregimet e Ritës, femra është e fortë e sakrifikuese dhe mbi të cilën bien gjithmonë sprova dhe telashe të rënda, por që gjithmonë arrijnë të dalin fitimtare.

Rita Ademaj veneron shumë problematika që përballët shoqëria jonë. Në tregimin “I braktisuri” përmes historisë së Verës tregon një fenomen po aq të rëndë, aq edhe shqetësues: urrejtja ndër fetare. Nëse në një vend të civilizuar, diversiteti është vlerë, tek ne kjo paraqet pengesë, madje edhe pengesë në dashuri. Historia e

Verës është vetëm një nga shumë histori të shumë Verave të tjera të cilave iu ndalë dashuria në gjysmë vetëm për faktin se tjetri i takonte një besimi tjetër.

Në tregimet e Ritës, edhe pse trajtohen probleme të ndryshme, ajo asnjëherë nuk lejon që tregimi i saj të mbaroi me tragjedi e pesimizëm. Tregimet e saj gjithmonë kanë happy end dhe optimizëm, pasi bota për Ritën duhet të jetë e tillë, një botë ku dashuria e lumturia janë primaret.

 

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …