Ali Ahmeti, themeluesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, iu drejtua protestuesve duke theksuar se mbledhja e tyre kishte një mesazh të qartë: nderimin e burrave të mëdhenj të kombit që ranë për lirinë e Kosovës. Ai shprehu falënderime për partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht për përkrahësit euro-amerikanë dhe strukturat e NATO-s, të cilët sipas tij, e kuptuan dhe mbështetën filozofinë dhe veprimtarinë e drejtë të UÇK-së dhe kontribuan në ndërprerjen e gjenocidit ndaj popullit kosovar. Ai përmendi me respekt figura si gjeneral Wesley Clark, Rubin dhe Hill, duke i falënderuar për përkrahjen e tyre vendimtare gjatë periudhës së luftës. Ahmeti theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës u përball me dhunën dhe represionin e regjimit të Beogradit, por gjithmonë veproi brenda rregullave ndërkombëtare të luftës. Ai shtoi se UÇK respektoi të gjitha konventat ndërkombëtare dhe dënonte çdo veprim fashist kundër popullatës civile. “UÇK nuk ishte vetëm ushtri guerile, por një ushtri e ndershme që luftoi për të drejtat dhe lirinë e popullit të vet”, deklaroi Ahmeti, duke theksuar sakrificën, dinjitetin dhe përkushtimin e luftëtarëve të saj në mbrojtje të atdheut.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
