Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka kërkuar nga liderët politikë të Kosovës që të përdorin javët në vijim për të gjetur një zgjidhje që siguron udhëheqje të qëndrueshme dhe në përputhje me Kushtetutën.
Në një përgjigje për Klan Kosova, ambasada thekson se ngërçi politik po rrezikon progresin dhe integritetin e institucioneve të vendit.
“Ky bllokim i vazhdueshëm po vonon përparimin drejt aspiratave të Kosovës dhe po minon institucionet për të cilat qytetarët kanë luftuar. Udhëheqësit duhet të marrin përgjegjësitë seriozisht dhe të punojnë për arritjen e një marrëveshjeje për konstituimin e Kuvendit,” thuhet në deklaratë.
Ambasada paralajmëron se liderët nuk duhet të mbështeten tek Gjykata Kushtetuese për të zgjidhur një bllokadë politike që është në dorën e tyre.
Që nga mbajtja e zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet edhe pas 55 seancave, ndërsa pas skadimit të afatit kushtetues, Gjykata Kushtetuese ka pezulluar çdo veprim të mëtejmë deri në një zgjidhje politike.