26 korriku pritet të jetë dita vendimtare për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pasi ky është afati i fundit i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për përmbushjen e këtij obligimi kushtetues. Seanca konstituive do të vazhdojë për të 52-ën herë dhe konsiderohet si përpjekja e fundit për të zhbllokuar ngërçin institucional që ka zgjatur me muaj. Në përkrahje të këtij procesi, ambasadorët e vendeve perëndimore pritet të jenë të pranishëm fizikisht në seancë, si sinjal i rëndësisë që i kushtohet funksionalizimit të institucioneve demokratike. “Duke qenë se nesër është mundësia e fundit për të konstituuar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, ambasadori Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën në parlament”, ka njoftuar Ambasada Gjermane në Prishtinë. Pjesëmarrja e ambasadorëve konsiderohet një përpjekje për të ushtruar presion diplomatik mbi deputetët që të tejkalojnë dallimet politike dhe të mundësojnë funksionalizimin e Kuvendit. Në të kundërtën, vendi rrezikon të hyjë në një krizë të re institucionale.
