Edhe pse Kosova dhe Serbia janë pajtuar më 22 janar për funksionalizimin e Komisionit të Përbashkët për Personat e Pagjetur, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka shprehur frikën se pala serbe mund të refuzojë sërish zbatimin praktik të marrëveshjes. Ai deklaroi se gjatë takimeve në Bruksel, Serbia ka tentuar ta zbehë fuqinë politike të komisionit dhe ta zhvendosë çështjen në mekanizma të tjerë më pak detyrues. Hoti theksoi se kërkesa kryesore e Kosovës mbetet qasja në arkivat e klasifikuara ushtarake serbe, përfshirë dokumentacionin e brigadave të kohës së luftës, duke shtuar se këto kërkesa janë dorëzuar dhe përsëritur publikisht disa herë. Sipas tij, përfshirja direkte e Bashkimit Evropian në komision është arritje e rëndësishme, por vendimtare do të jetë gatishmëria e BE-së për të ushtruar presion ndaj Serbisë në rast moszbatimi. Ai nënvizoi se pa qasje në dokumente dhe pa bashkëpunim real, zbardhja e fatit të personave të zhdukur mbetet e rrezikuar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
