Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim Angelina Eichhorst, zëvendësdrejtoreshën Menaxhuese për Evropë dhe Azinë Qendrore dhe Drejtoreshë për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Jashtëm Evropian. Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale në Kosovë, procesin e integrimit evropian të saj dhe hapat që duhet ndërmarrë në këtë proces. Zyrtarja e lartë e BE-së i konfirmoi kryeparlamentarit Veseli mbështetjen e fuqishme të Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të Kosovës, ndërsa shfaqi shpresën në përmbushjen sa më të shpejtë të të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave nga ana e Kosovës. Kryeparlamentari Veseli e siguroi Eichhorst se institucionet e reja të Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht për përmbushjen e kritereve që mundësojnë heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe lehtësojnë rrugën evropiane të saj.
