Kur lufta për pushtet të verbon, kur etja e pangopur për poste e privilegje të zhvesh nga çdo normë morale, atëherë njeriu pushon së qenë njeri. Humb ndjesinë, humb përgjegjësinë, humb vetveten. Kur euforia e fushatës dhe kënaqësia momentale e duartrokitjeve të udhëheq, atëherë gjithçka që mbetet është maska e interesit personal. Pa ndershmëri, pa vlera, pa ndjesi për të mirën e përbashkët.
Fatkeqësisht, shumica e kandidatëve për kryetarë komunash sot vuajnë nga kjo verbëri e pushtetit. Fushatat e tyre janë kthyer në shfaqje hipokrizie, ku rrugët shtrihen vetëm për kamerë, trotuaret rregullohen vetëm për posterë, dhe çdo hap është llogari elektorale, jo shërbim qytetar.
Si mundet të ruhet buxheti i komunës për “kohë fushate”? Si mundet që ndihmat sociale, punësimet, apo investimet publike të kthehen në monedhë votash? Kjo është blerje ndërgjegjeje, tallje me qytetarin, dhe përdhosje e çdo parimi demokratik.
Katër vite të humbura në dredhi e inate
Qemajl Aliu kishte katër vite në dorë për ta bërë Shtimen model zhvillimi, për ta kthyer në shembull të një komune që lulëzon. Kishte besimin e qytetarëve, kishte mundësitë, kishte përkrahjen. Por çfarë bëri? E kapi Shtimen cep më cep me dredhi, me inate, me ndarje e përçarje. U rrethua edhe me njerëz të paditur, me të njohur e servilë, duke e kthyer komunën në skenë interesash personale.
Është tragjike të dëgjosh një kryetar që krenohet me punë që janë minimale, të detyrueshme, e që duhej të ishin bërë me kohë. Ai flet sikur e ka marrë Shtimen nga hiçi, harron të përmend se kjo komunë ka pasur bazë të fortë: me rrugë, infrastrukturë, arsim e shëndetësi që kanë ardhur nga breza që kanë punuar me përkushtim e sakrificë.
Shtimja, sot nuk ka as muze lufte funksional, që e pati premtuar në kohë fushate. Ai institucion që duhej të ishte tempull kujtese, është lënë pas dore, pa staf, pa relikte, pa kujdes. Kjo nuk është thjesht harresë administrative, është fyerje ndaj dëshmorëve, ndaj familjeve të tyre, ndaj vetë identitetit tonë kombëtar.
E më e rënda, është mënyra se si janë trajtuar familjet e dëshmorëve, me ndarje, me përdorim politik, me pabarazi të turpshme për një votë më shumë. Kjo nuk është politikë, është poshtërim.
Në Kuvend, në vend që të udhëheq me argument, Qemajl Aliu ka zgjedhur gjuhën e arrogancës. Bullizon kundër kandidatin, tallet me oponentët, përdor pozicionin për të denigruar e jo për të ndërtuar. Kjo tregon se pushteti nuk e ka fisnikëruar por e ka degraduar.
Të besohet edhe një mandat i dytë në duart e një njeriu që ka qeverisur me mashtrime, me dallavere e me përçarje, do të ishte vetëvrasje politike dhe morale për qytetin tonë. Shtimja meriton më shumë, meriton zhvillim, dinjitet dhe drejtim me vizion, jo me propagandë.
Është koha të zgjohemi, të mos lejojmë që pushteti të kthehet në mall privat. Mos e qitni votën për Qemajl Aliun. Votoni për dinjitetin tuaj, për ndershmërinë, për ndryshimin e vërtetë.