Brickos

Arbanë Qeriqi-Gashi: Dava Gjergji e Prena Beci, dy zëra që vijnë nga thellësitë e këndimit burimor shqiptar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Dava Gjergji e Prena Beci, dy zëra që vijnë nga thellësitë e këndimit burimor shqiptar

Kënga shqipe këndohet nga këngëtarët e këngëtaret dhe nuk ka ndarje në këngë që i këndojnë vetëm femrat apo vetëm meshkujt.

Në të kaluarën patriarkale shqiptare, femra përgjithësisht  është trajtuar egërsisht dhe rrallëherë ka ardhur në shprehje paraqitja e botës së saj emocionale, në krijimtarinë muzikore. Për më keq, në Kanunin e Lekë Dukagjinit, i cili ka mbizotëruar si kod shqiptar gjatë shumë shekujve,  të drejtat e femrës kanë qenë maksimalisht të kufizuara, madje, në disa segmentet  edhe më të kufizuara se ato të botës islame.

Pavarësisht ligjeve të egra të maleve, pikërisht në ato male ka jehuar papengueshëm kënga e malësores shqiptare, të paktën ka kënduar derisa sa ka qenë vashë  beqare dhe ka jetuar te prindërit.

Prangat shekullore të robërisë së femrës  shqiptare për herë të parë në historinë tonë kombëtare i ka këputur vendosja e sistemit socialist në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni e në treva të tjera.

Sa i përket këngës shqipe të kënduar nga këngëtaret, ajo daton diku nga gjysma e parë e shekullit 20-të, duke përjashtuar koret nëpër kisha e manastire, apo “ilahitë” e kënduara nga femrat  nëpër medrese,  në raste të veçanta edhe nëpër xhami.

Në vitet 30-të në kohën e përhapjes dhe  shpërndarjes së produksioneve muzikore me pllaka gramafoni,  janë shënuar edhe këngët e para të këngëtareve shqiptare. Dihen disa emra këngëtaresh greke, nga ato edhe me origjinë avanitase, ose që kanë kënduar edhe këngë të tilla si: Marika Papagjika, Roza Eshkenazi, Dhomna Zamiu, Rita Abatzi e të tjera dhe që kanë pasur një prani të madhe edhe në Shqipëri. Por  disqet e para për gramafon, në vitet 30-të të shekullit të kaluar  i kanë sjellë, Tefta Tashko Koço, pastaj  Marie Kraja, Luçie Miloti e shumë këngëtare të  tjera.

Kënga  dhe muzika shqiptare përgjithësisht është shumë e pasur si për nga ritmi, melodia, mënyra e këndimit,  instrumentet e shumta autentike, me të cilat përcillet dhe ekzekutohet ajo,  por edhe ato veçoritë karakteristike  të botës muzikore, të artit të muzikës përgjithësisht. Pikërisht sepse kjo botë autentike dhe shumë e pasur muzikore ofron mundësi të pashtershme të këndimit,  këngëtaret e këngëtarët shqiptarë kanë pasur dhe kanë mundësi të ndërtimit të stileve të veta, kanë mundësi të shprehin botën e tyre të pasur  artistike, me të gjitha format  e shprehjes. Disa nga këngëtaret si: Dava Gjergji, Prena Beci, Mrika Trumshi, Drane Gega, Zoja Pali, Ylmize Tafallari, Shkurte Fejza, Anjeza Ndoj, Fatmira Breçani, Besiana Mehmedi, Gofile Paplekaj,  e të tjera  me kohë kanë hetuar shumësinë e shprehjes, të ritmeve, të motiveve që ofron kënga shqipe dhe e kanë vjelë “nektarin”, duke e pasuruar e përpunuar atë në kushte dhe rrethana të caktuara të rrugëtimit dhe emancipimit muzikor.  Po kështu, këto këngëtare kanë pasur edhe mësueset e veta, nga të cilat kanë mësuar por edhe janë frymëzuar, sepse shkolla kombëtare muzikore e Marie Krajës, Tefta Tshkos, Luçije Milotit, Fitnete Rexhës, Hafsa Zyberit, Naile Hoxhës, Fatime Sokolit, Liri Rashes  Feride Kurtit, Drane Gegës, Hanife Sejfullah Reçanit,  Gongje Manakovës, Nexhmije Pagarushës, Nazmije Hoxhës e këngëtare të tjera, kanë ushtruar ndikim të duhur në ruajtjen dhe mbëltimin  e trashëgimisë muzikore shqiptare të pjesëve veriore të vendit. Edhe Shqipëria e Mesme dhe e Jugut kanë emra shumë të njohur të këngëtareve të njohura si: Rudina Paro Zilfaj, Vaçe Zela, Irini Qirjako, Aurela Gaçe,  Eli Fara, Maja Aliçkaj, Manjolla Nallbani, Artiola Toska, Eranda Libohova,  Merita Halili,  Blerina Balili, Juli Cenko,  Besiana Mehmedi, Lumturie Axhami e shumë të tjera.

 

Dava Gjergji

Një formë të veçantë dhe shumë origjinale të këndimit epiko- heroik parqet edhe kënga e këngëtares së mirë njohur shqiptare, Dava Gjergji.

Kjo këngëtare e veriut të Shqipërisë ka kultivuar një përmbajtje  tipike të këndimit heroik, burrëror, karakteristikë e rapsodive të pasura të veriut të Shqipërisë etnike, që shtrihet nga Mirëdita, në Malësinë e Madhe, në Krajë e Shestan, në Plavë e Guci dhe që arrin në viset më të thella veriore  e verilindore të Kosovës.

Dava Gjergji e fuqizon timbrin burrëror të zërit, për të nxjerrë në sipërfaqe stilin autentik të këndimit. Me subtilitetin e zërin melodik, ajo e pushton në tërësi mënyrën e këndimit epiko- heroik.

Zëri i saj i çiltër dhe shqiptimi i pastër i tingujve e rrokjeve shpërthejnë natyrshëm, ashtu si ujëvare që del nga burimi, për më tepër zëri i saj buçitës jehon si krismë e thekshme e pushkës, në përpjekje për të shpërthyer si këngë-revoltë gjithëpopullore, e cila vazhdimisht ka qenë e pranishme edhe  gjatë shekujve  të robërisë.

Këndimi i Dava Gjergjit të sjellë në kujtesë përfytyrimin mbi gjenin burrëror dhe heroik të femrës shqiptare, që nga Teuta e Daorta, Vojsa e Donika Kastrioti e deri te Nora e Kelmendit e Shote Galica.

Paraqitja e saj para publikut është më se dinjitoze.

Veshja karakteristike kombëtare, të cilën ajo nuk e tradhtoi për asnjë moment, prezantimi serioz në skenë, zëri pushkë dhe krejtësisht i shpengueshëm, (i ngjashëm me përfytyrimin poetik popullor për Shtojzavallet e legjendave shqiptare), përbëjnë një tërësi magjepse të këndimit autentik, që buron nga e kaluara e largët, e cila ka mbijetuar nga shekulli në shekull dhe në një trajtë autentike ka arritur deri në ditët tona, falë përkushtimit që kanë treguar këngëtarët e njohur shqiptarë në të gjitha epokat e historisë sonë tragjike por edhe heroike.

Dava Gjergji këndon edhe shumë këngë për dëshmorët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, këngë të cilat admirohen nga dëgjuesit e shumtë të kësaj pjese të atdheut. Qasja e kësaj këngëtareje ndaj këngës është shumë serioze dhe tejet e përkushtuar. E rritur dhe e edukuar në një rreth familjar dhe shoqëror ku janë ruajtur me fanatizëm vlerat e mirëfillta kombëtare, ajo, jo vetëm që e trashëgoi, por edhe i dha fuqi dhe e përparoi jehonën më të çiltër të këngës heroike shqiptare, të asaj kënge e cila e kishte mbajtur gjallë kujtesën kombëtare, kishte frymëzuar brezat për qëndresë e ruajtje të dinjitetit dhe integritetit shpirtëror e kombëtar të shqiptarëve në Ballkan.

 

Prena Beci

 Një këngëtare tjetër,  tashmë e afirmuar dhe mjaft e popullarizuar e muzikës burimore shqiptare është edhe, Prena Beci, e cila me kohë është përcaktuar për këngën e popullit, këngën e vendlindjes, këngën e virgjër shqiptare, të çiltër e të pastër si bora e bardhë në alpet malore, ku ka lindur dhe është rritur kjo këngëtare.

E lindur dhe e rritur bashkë me këngën, e edukuar në frymë kombëtare, Prena Beci ashtu sikur  edhe shumica e këngëtareve të  Malësisë së Veriut të Shqipërisë, ka bërë dhe po bën emër, në radhë të parë duke u bërë pjesë e pandashme e këngës burimore të traditës, e cila i ka mbijetuar shekujt, duke ruajtur origjinalitetin që nga lashtësia, pasi viset e thella dhe të përthyera malore të Shqipërisë, kishin qenë kështjella të natyrshme fizike, për të mos lejuar vendosjen e regjimeve pushtuese, që  përveç pushtimit kishin sjellë edhe kulturën e fenë e tyre, këngën e vallen, e cila në disa vise ka degraduar edhe me asimilim e zvetënim.

Edhe Prena Beci ashtu si Dava Gjergji, Mrika Trumshi e këngëtare të tjera, i përket shkollës folklorike të bardit të muzikës burimore shqiptare, poetit të madh, krijuesit brilant, Gjokë Beci, i cili është autor dhe autoritet krijues  i muzikës burimore shqiptare në përgjithësi, por në veçanti i këngëve të pjesës veriore dhe verilindore të Shqipërisë e  të Kosovës.

Me një zë karakteristik, me një fonologji të pastër të shqiptimit të tingujve, me zërin herë pushkë e jehonë malesh,  herë të qetë e të përmallshëm si puhizë vere, me variacione dhe kombinime të ritmikës së muzikës popullore,  Prena Beci ka krijuar stilin e saj, autentik,  të këndimit, të cilën e  manifeston  lirshëm, natyrshëm, me përkushtim e përgjegjësi, me dashuri e ëmbëlsi, me kreativitet e pedanteri.

E veçanta e repertorit të këngëve të kësaj këngëtareje, ashtu sikur edhe e Dava Gjergjit dhe e disa këngëtareve të tjera, është kënga atdhetare në përgjithësi,  por edhe kënga për luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kënga e Prena Becit  “Sot o Kurrë Kosova e Lirë”,  me tekst të Gjokë Becit të cilën e këndon me Dava Gjergjin është një këngë antologjike për Drenicën, për Spartën shqiptare të shekullit të 20-të, për Termopilet e Shqipërisë, vendlindjen e  Milush Nikollë Danait, Hasan Prishtinës, Ahmet Delisë, Azem Galicës, Shote Galicës, Shaban Palluzhës, Adem Shaban Jasharit, jasharëve e shumë luftëtarëve  e luftëtareve të lirisë,  të kësaj treve shqiptare.

Në repertorin e saj të pasur ajo i këndon Mirditës, Dukagjinit,  Gjokë Becit, këndon për jetën e dashurinë, këndon solo, por  edhe me këngëtarë e këngëtare të tjera, gjithnjë duke e ruajtur individualitetin, duke e pasuruar këngën me të gjitha elementet.

 

Dava Gjergji e Prena Beci janë dy këngëtare në mesin e shumë këngëtareve mirditore që kanë kënduar e këndojnë, jo në radhë të parë  për të bërë emër, i cili gjithsesi nuk mund të anashkalohet,   por për të kënduar këngë që mbesin gjatë në repertorin e këngëve që nuk harrohen, mbesin kurdoherë të preferuara për dëgjuesit, nga të gjitha segmentet e këndimit, pasi janë kënduar e këndohen me frymëzim të veçantë, me përkushtim e dashuri, me profesionalizëm e përvojë shumëvjeçare të këndimit.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …