Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara për pranimin e materialeve të prodhuara nga institucionet shtetërore të Serbisë si prova në proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një deklaratë publike, Gashi e ka cilësuar këtë praktikë si një shkelje të rëndë të të drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Ai ka theksuar se dokumentet e ardhura nga “institucione represive të një regjimi kriminal dhe gjenocidal” nuk mund të kenë vlerë juridike në trajtimin e rasteve kundër qytetarëve të Kosovës.
Sipas tij, përdorimi i këtyre materialeve si prova bie ndesh me parimet themelore të shtetit ligjor dhe të drejtës ndërkombëtare.
Gashi ka rikujtuar se krimet e luftës në Kosovë janë hetuar më parë nga institucionet ndërkombëtare si Tribunali i Hagës, UNMIK dhe EULEX, dhe ka bërë thirrje që Kuvendi i Kosovës të ndërmarrë hapa konkretë për të ndalur këtë praktikë.
Ai ka propozuar:
-
Miratimin e një ligji të posaçëm që ndalon përdorimin e materialeve nga institucionet shtetërore serbe si prova;
-
Ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe, sipas nevojës, amendamentimin e Kodit Penal dhe të Procedurës Penale.
Në përmbyllje, Gashi ka deklaruar se “Kosova ka nevojë për drejtësi të vërtetë, jo drejtësi të manipuluar dhe të eksportuar nga Beogradi.”