Arben Llalla

Arben Llalla: Atë Ilia Qiro, djali i Kozma Qirjos, do të duhej të nderohej para P. Françeskut

“Ky prift i thjeshtë dhe i përulur, “Papa Kozmai”, të cilin Perëndia në ditët e fundit të jetës e lartësoi në gradën peshkopale, sfidoi regjimin e ashpër komunist dhe gjatë 23 viteve të ateizmit totalitar, bëri rreth 3.000 pagëzime në të gjithë vendin. Mesatarisht një pagëzim në 2-3 ditë. Një njeri i vetëm kundër një regjimi të tërë. A nuk do ta meritonte dhe ky një bust, a një mirënjohje?!” Kështu, shprehej këto ditë, një anëtar i këshillit kleriko-laik të KOASH, si duket, tepër i hidhëruar nga busti, që autoritetet më të larta shtetërore inauguruan në nderim të Papa Françeskut, por harron besimtari vlonjat, se përpara se t’ua kërkojë nderimin autoriteteve shtetërore duhet t’ua kërkoje atë atyre kishtare. Le ta kërkojë, po pati kurajon nga Janullatosi të japë lejen që t’ia ngrenë bustin në kishën e Vlorës, ku shërbeu një jetë të tërë ai me të birin, Atë Ilia Qirjon, i pezulluar antikanonikisht nga priftëria pa afat.

Atë Ilia Qirjo, djali i peshkop Kozmait të Apollonisë, u dënua publikisht, antikanonikisht dhe në formën më të ulët të parë ndonjëherë, në forumin e lartë kishtar, gjatë asamblesë kleriko-laike, mbajturnë Shën Vlash, nga 10-12 mars, për të cilën kisha nuk ka publikuar asnjë lajm. A thua sikur është ndonjë sekt sekret?

Në shkrimin tim të kaluar, e paralajmërova ngjarjen dhe planin për të zhveshur nga rangu priftëror atë Ilia Qirjon, djalin e Kozma Qirjos, për të cilin pretendohet ngritja e bustit nga besimtarët vlonjatë, por kundër të cilit, javën e kaluar, kryepeshkop Anastasi kreu një krim monstruoz, duke ia shpallur të birin hajdut dhe abuzues pronash, përpara të gjithë klerikëve të Shqipërisë, dhe si Enver Hoxha dikur përpara pleniumit dhe byrosë politike, diktatori ynë kishtar, pa iu dridhur qerpiku, dhe nën ekstazë delirante, me ulërima e duke humbur çdo kontroll njerëzor, siç dëshmohet prej të pranishmëve, e akuzoi për hajdut djalin e peshkopit martir dhe i shpalli një dënim, që nuk dihet kur, nga cila gjykatë shpirtërore, dhe mbi ç‘bazë kanonike është vendosur, për pezullim pa afat nga priftëria, duke përdhosur rëndë kujtimin e hirësi Kozma Qirjos.

Të paktën, për momentin, Ilia Qirjo shpëtoi nga zhveshja, ndoshta sepse Anastas Janullatosit u alarmua nga opinioni publik, dhe madje ai u shfajësua se dënimi nuk kishte lidhje me denigrimin e figurës së të atit, duke treguar se jo vetëm na lexon me kujdes, por edhe në marrëzinë e tij ndëshkuese, sërish i druhet opinionit publik, që është ngritur në këmbë për këtë ngjarje tejet të rëndë. Por për të treguar që ai nuk zmbrapset nga planet e tij të errëta, Janullatosi mendoi të ngrinte një mizanskenë, duke inskenuar një skeç të turpshëm, gjoja sikur kërkesa për dënim erdhi nga vetë priftërinjtë. Kështu, kur të gjithë klerikët ishin të tronditur nga ajo që dëgjonin, një kolegu i tyre, u ngrit nga vendi dhe me bekimin e Janullatosit e “kritikoi” rëndë armikun e “pushtetit popullor” duke e sulmuar personalisht dhe duke i përmendur dhe njollosur madje edhe kujtimin e të atit. Bëhet fjalë për priftin besnik të Janullatosit, grekomanin Jani Tereziu, i zgjedhur me kujdes prej tij që të jetë nga i njëjti fshat origjine me Qirjot, nga Bestrova e Vlorës. Ky i fundit, ia kaloi për nga zelli dhe deliri edhe vetë Janullatosit, duke thirrur “kryqëzojeni, kryqëzojeni” për djalin e peshkopit dhe bashkëfshatarin e tij, saqë u desh ndërhyrja e klerikëve të tjerë që të qetësohej dhe gjendja të mos degradonte në përleshje fizike. Të tilla skena të turpshme organizon mendja e mplakur e kryepeshkop Anastasit sepse duke përçarë, sundon më kollaj dhe duke hedhur baltë mbi të tjerët, rren veten se do ndriçojë më shumë. Pasi përzuri Nolin nga kishat shqiptare, tani do të zhdukë edhe Qirjon.

Një peshkop shqiptar i revoltuar nga katandia që pa, duke u ndjerë thellësisht i fyer, nën kushtet e anonimatit, më kontaktoi dhe më informoi se edhe për priftin inkuizitor në fjalë, ekzistojnë akuza shumë të rënda dhe të verifikuara edhe me mandate bankare të firmosura prej tij dhe një kolegu të tij. Ndërsa për firmën e përfolur të Qirjos, ekziston akt ekspertize se është e fallsifikuar, dhe mbi këtë akt, përpara 15 vjetësh, gjykata e ngritur prej sinodit, nën kryesimin e mitropolitit të Korçës, e gjeti të pafajshëm Ilia Qirjon dhe nuk e dënoi për këtë gjë, por e uli në detyrë, për mosbindje ndaj autoritetit kishtar lokal, shkelje e provuar siç duket ose e pranuar nga i gjykuari në fjalë. Ndaj ka drejtësi, gjykata e kanone kisha, që të mos dënohen klerikët arbitrarisht, dhe gjithë ky sistem i mbron klerikët dhe murgjit nga mania persekutuese e peshkopëve despotikë të tipit Janullatos.

Jo pa qëllim, në KOASH, rregullorja e brendshme dhe pjesa statutore që rregullon drejtësinë dhe gjykatat kishtare është lënë evazive, në mënyrë që Janullatosi të vrasë e të presë me vullnet të lirë, këdo që i pëlqen, sa herë që i pëlqen, pa i dhënë llogari askujt. Ndaj, ky dënim i rëndë, vjen sërish për të njollosur familjen Qirjo, që i ka shërbyer me breza kishës ortodokse, dhe është masë tërësisht antikanonike. Si mund të dënohet një njeri dy herë për të njëjtin faj, kur dhe nga kush dhe në cilën shkallë gjyqi, nën kryesimin e kujt, me cilin hetues, me cilat fakte dhe a është njoftuar i akuzuari për të përgatitur mbrojtjen? E drejta kanonike e lejon të marrë edhe avokat madje.

Pastaj, edhe nëse është dënuar me proces gjyqësor kishtar, si mundet që dënimi t’i shpallet me keqdashje përpara të gjithë priftërinjve të Shqipërisë? Ai duhej thirrur prej peshkopit të tij dhe t’i njoftohej dënimi personalisht dhe të këshillohej madje për korrigjim e pendim, jo të kryqëzohej përpara të gjithëve pa mëshirë, duke u tallur si dikur në gjykatat e inkuizicionit, e duke u kërcënuar që t’i puthte dorën Janullatosit e t’i kërkonte të falur se në të kundërt do t’i prisnin edhe bukën e gojës? Si mund të trajtohet kaq padenjësisht e të fyhet rëndë një klerik i moshuar, me mbi 20 vjet shërbim priftëror, djali i një peshkopi gjigand të kishës shqiptare? A është në rregull mendërisht Janullatosi që shkakton të tilla ngjarje të ulëta dhe jo vetëm kaq, por mesa u njoftuam, nuk hezitoi të kërcënonte këdo tjetër me zhveshje që do të “përfshihej” në të tilla kurthe? A është më autoqefale kjo kishë? A kanë dinjitet më këta klerikë shqiptarë dhe a mbrohen nga shteti i tyre nga nëpërkëmbja që u bën prej vitesh Janullatosi?

Asambleja e fundit kleriko-laike, e mbajtur akoma në errësirë mediatike, shpalli themelimin e dy mitropolive të reja, me qendër në Elbasan dhe Fier, dhe për habinë time, ato që kisha lexuar dikur, po vërtetohen. Në të dyja këto dioqeza do të instalohen dy peshkopë me origjinë myslimane, duke e ndarë kështu raportin e gjashtë dioqezave që përbëjnë KOASH-in, mes tre mitropolitëve grekë dhe tre mitropolitëve shqiptarë, por që të tre, të konvertuar nga islami në ortodoksi.

Ajo që dua të shpreh këtë herë është mbështetje e pakufishme për atë Ilia Qirjon, e u bëj thirrje autoriteteve kishtare, por edhe atyre shtetërore që t’i gjenden afër djalit të peshkopit martirik shqiptar në këto ditë të vështira, që Janullatosi të mos mendojë se mund të bëjë ç‘të dojë në kishën shqiptare. Priftërinë e atë Ilias e njeh dhe e respekton gjithë kombi shqiptar dhe ne nuk e njohim pezullimin antikanonik të imponuar prej Janullatosit, dhe e ftojmë të bëjë publike procesin kishtar që mori këtë vendim.. Nëse babai i tij do të kujtohet për durimin e persekutimit komunist, atë Ilia do të nderohet se duroi persekutimin kishtar, prej sivëllezërve të tij, që është akoma edhe më i rëndë.

Edhe një këshillë për anëtarin vlonjat të këshillit kleriko-laik. Nëse e merr vesh Janullatosi që ti po kërkon bust për Papa Kozmain, nuk do ta kesh të gjatë mbajtjen e pozicionit tënd, por jo vetëm kjo, por do t’i shtiesh në mend, që bustin ai mund t’ia ngrejë vetes në oborrin e katedrales së re të Tiranës, dhe madje më të madh dhe më të lavdishëm sesa ai i Papa Françeskut në bulevard. Janullatosi nuk pret që ta nderojnë të tjerët, ai e di që populli shqiptar nuk do ta pranojë kurrë, prandaj ashtu sikurse i mori masat që t’i bëhen afreske dhe ikona në muret e kishës së re, që t’i lartësohet kulti i individit dhe t’i sigurohet shenjtërimi në të ardhmen, në të njëjtën mënyrë, mund të ta huazojë idenë e t’i ngrejë vetes një bust aq të lartë, saqë të mos jetë parë kurrë më parë në Tiranë. Ah, po, dikur ishte një bust i lartë diktatori në qendër të Tiranës, por që populli i hodhi lakun në fyt dhe e zvarriti rrugëve të kryeqytetit dhe e degdisi në faqet më të errëta të historisë së tij. Busti i ri që po ngrihet si metaforë nga peshkopi despotik, thua të ketë të njëjtin fat?

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

ISA FERIZAJ: RRON E DREJTA, E VËRTETA

ENVERIZMI ATDHETAR! Erdhi serish prilli, në vendin tim; Gjetur, i ka shqipet, në fluturim. Gjet …